Agjërimi i Ramazanit

Violetta

>> KS- AL. etnike <<

Agjërimi i Ramazanit

AGJERIMI_I_RAMAZANIT.jpg


Fjala “agjërim” ka kuptimin e “të qëndruarit pa u ushqyer.” Agjërimi në praktikën Islame nënkupton largimin vullnetar nga dëshirat e epshit, duke hequr dorë vullnetarisht nga ushqimet, pijet dhe marrëdhëniet seksuale, që nga momenti i hyrjes së vaktit të sabahut e deri në perëndim të diellit, me qëllim forcimin e disiplinës dhe vetëkontrollit shpirtëror.

Agjërimi në praktikën islame hyri në muajin Shaban (muajin e tetë të kalendarit Islam), të vitit të dytë pas emigrimit të Profetit në Medine.

Agjërimi i muajit të Ramazanit (muaji i nëntë sipas kalendarit Islam), përbën një nga pesë shtyllat e Islamit; ai urdhërohet në Kur’an, prandaj është një praktikë e detyrueshme. Në Kur’an çështjet janë trajtuar në mënyrë të përgjithshme. Ishte Profeti Muhamed, ai i cili dha shpjegime të detajuara në lidhje me urdhëresat fetare të dhëna në Kur’an, sepse ai ishte interpretuesi i parë dhe më i madh i Librit të Shenjtë. Rëndësia e agjërimit në Kur’an theksohet qartë në ajetin në vijim:

O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush kështu që të bëheni të devotshëm. (Bekare 2:183)

Ky ajet gjithashtu aludon për faktin se agjërimi qe një praktikë e urdhëruar për besimtarët përpara ardhjes së Islamit. Origjina e tij mund të gjendet në gjurmët e feve të mëparshme. Pavarësisht disa ndryshimeve në lidhje me praktikimin e agjërimit në sisteme të ndryshme besimi, agjërimi si një institucion i arsyes shpirtërore, përbën një praktikë të përbashkët të të gjitha feve dhe është i përcaktuar si në Hebraizëm ashtu edhe në Krishtërim. Inxhili (Ungjilli) thekson se si Isai (a.s.) ashtu edhe Musai, Danieli, Iljasi dhe Davudi (a.s.), që të gjithë kanë agjëruar. Musait (a.s.) iu dha Libri pasi agjëroi për dyzet ditë. Po kështu, Isai (a.s.) agjëroi për dyzet ditë me radhë në shkretëtirë përpara se të thirrej për të kryer misionin e tij. Profeti Davud (a.s.), agjëronte çdo dy ditë. Ky agjërim i Davudit konsiderohet si një nga më të vlefshmit të rekomanduar nga praktikat Islame. Megjithëse tashmë jo i praktikuar nga shumica e kristianëve, agjërimi mbahet në një formë ose në një tjetër nga Katolikët Romanë, Kristianët Ortodoksë dhe në shumicën e sekteve Protestante, në të cilat konsiderohet si një përvojë shpirtërore personale.

Qëllimi i vetëm i agjërimit në Islam është kërkimi i kënaqësisë së Zotit me anë të bindjes ndaj Urdhrave të Tij. Nuk është qëllimi vetëm tek kufizimi i ushqimit të tepërt apo pastrimi i trupit nga lëndët toksike. Agjërimi i ndihmon muslimanët të pajisen me mëshirë, si një mënyrë për të qenë gjithmonë të vetëdijshëm për urdhrat e Allahut, për të bërë vepra të mira dhe për ta ruajtur vetveten nga e keqja.

Njerëzit të cilët janë përkohësisht të sëmurë apo në udhëtim, mund ta prishin përkohësisht agjërimin e tyre, por ata duhet t’i zëvendësojnë ditët e lëna mangët. Gratë gjatë periudhës së menstruacioneve dhe ato lehona nuk agjërojnë, ndaj ata duhet t’i zëvendësojnë më pas ato ditë që u mungojnë, për të plotësuar numrin. Njerëzit me sëmundje kronike duhet të ushqejnë një person të varfër për çdo ditë që lënë pa agjëruar dhe nuk janë të detyruar t’i zëvendësojnë ato. Dijetarët bien dakord në mendimin që gratë lehona dhe shtatzëna, të cilat kanë frikë për shëndetin e tyre apo për shëndetin e fëmijëve të tyre, mund të mos agjërojnë derisa kushtet t’ia lejojnë një gjë të tillë. Dijetarët ndahen vetëm në opinionet e tyre në lidhje me atë se a duhet ti zëvendësojnë këto gra ndonjëherë ato ditë apo duhet të ushqejnë një të varfër.

Agjërimi i zvogëlon dëshirat e një personi. Ai e stërvit atë për të qenë më i vetëpërmbajtur dhe e mëson të jetë më i kujdesshëm me vetveten. Në qoftë se dikush është në gjendje të heqë dorë nga ato që i lejohen për një kohë të kufizuar, atëherë ai është gjithashtu në gjendje të heqë dorë edhe nga ato gjëra që nuk i lejohen. Agjërimi e zhvendos vëmendjen nga nevojat trupore tek ato shpirtërore. Kjo zhvendosje vëmendjeje është pjesë përbërëse e Ramazanit, duke i bërë njerëzit të shpenzojnë më tepër kohë në leximin e Kur’anit dhe në faljen e namazeve nafile (suplementare). Në mënyrë që agjërimi të shpërblehet, heqja dorë nga ushqimet dhe pijet, duhet të shoqërohet nga heqja dorë edhe prej veprimeve të paligjshme. Profeti ka thënë: “Kushdo që nuk heq dorë nga fjalët dhe veprat e këqija, Allahu nuk ka nevojë për qëndrimin e tij pa ngrënë e pa pirë.”38

Ndjesia e urisë që lind natyrshëm gjatë agjërimit, e bën gjithashtu një person t’ia kuptojë vështirësitë atyre të cilët janë të uritur jo për zgjedhjen e tyre, por sepse nuk mund të gjejnë ushqim të mjaftueshëm, prandaj Ramazani shndërrohet në një muaj të bamirësisë krahas të qenit muaji i agjërimit.

Agjërimi është i detyrueshëm për muslimanët e rritur dhe të shëndetshëm vetëm në Ramazan. Megjithatë ekzistojnë edhe ditë të tjera kur ai rekomandohet të mbahet siç janë: tri ditët e mesme të çdo muaji si dhe çdo të hënë dhe të enjte. Agjërimi i rregullt, ndihmon në mbajtjen e gjendjes mendore në atë nivel sikurse në muajin e Ramazanit.

Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallej Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që falënderoni. (Bekare 2:185)


Pergatiti: Komiteti mysliman i Shqiperise

 
Back
Top