A ia vlen të mbarosh një universitet?

Love

βeℓℓe â๓e
  • Të zhytur në borxhe studentore, shumë prej atyre që mbarojnë universitetin e gjejnë veten në anën e gabuar të tregut, ku mbizotëron shprehja se ato që plotësojnë shpirtin, nuk e trashin gjithnjë portofolin
College-Students-mailing-lists-1-320x213.jpg


The Economist

Kur Latisha Styles u diplomua nga Universiteti Shtetëror Kennesaw në Xhorxhia në vitin 2006 ajo kishte 35 mijë dollarë borxh studentor. Ky detyrim do të kishte qenë më i thjeshtë për t’u paguar nëse diploma e saj e spanjishtes do ta ndihmonte të gjente një punë që paguhet mirë. Por nuk ka mungesë spanjishtfolësish në një shtet që është në kufi me Amerikën Latine. Ndaj zonjusha Styles e gjeti veten duke punuar në një dyqan veshjesh dhe në një restorant fast-food që nuk paguan më shumë se 11 dollarë në orë.

E pashpresë, ajo mori vendimin të kthehej në të njëjtin universitet dhe të studiojë diçka më pragmatike. Ajo u diploma në Financë dhe tani ajo ka një punë të mirë në një firmë konsultimi investimesh. Borxhi i saj është thelluar në 65 mijë dollarë, por ajo do të ketë më pak telashe për ta shlyer.

Ashtu siç tregon dhe historia e zonjushës Styles, nuk ka përgjigje të thjeshta për pyetjen “A ia vlen universiteti?” Disa diploma paguajnë për veten, të tjera jo. Nxënësit amerikanë që po mendojnë të marrin një kredi të madhe studentore, vazhdimisht dëgjojnë t’u thuhet se kolegji është një portë për në klasën e mesme. E vërteta është më e larmishme, siç la të kuptohet edhe Barak (Barack) Obama në fjalën e tij në janar. Ai tha se njerëzit fitojnë më shumë duke mësuar mbi tregun sesa mund të fitojnë prej një diplome në historinë e artit. Një profesor i inatosur historie arti e detyroi të kërkonte falje, por Presidenti i SHBA-së kishte të drejtë.

Studentët e universitetit nga mosha 25-32 vjeç që po punojnë me kohë të plotë fitojnë rreth 17.500 dollarë më shumë në vit sesa bashkëmoshatarët e tyre që kanë vetëm diplomë të shkollës së mesme. Por jo të gjitha diplomat janë njëlloj të dobishme. Në bazë të kostos që kanë mund të ndodhë që një student që arsimohet me 60 mijë dollarë në vit për katër vjet të jetë më në borxh sesa një bashkëmoshatar që ka vetëm gjimnazin.

PayScale, një firmë kërkimore, ka mbledhur të dhëna mbi të diplomuar nga më shumë se 900 universitete dhe kolegje, nga pyetje si ku kanë studiuar dhe sa fitojnë tani. Në bazë të një ekuacioni, kompania më pas vlerësoi sesa të ardhura financiare sillte secila diplomë.

Diplomat e vështira ta shpërblejnë

Nuk është për t’u habitur se inxhinieria është degë e mirë kudo që ta studiosh. Një i diplomuar në inxhinieri nga Universiteti i Kalifornisë mund të presë fitime prej 1.1 milionë dollarësh pas 20 vjetësh, krahasuar me atë që nuk ka studiuar në universitet.

Programet e studimit në arte dhe shkenca humane janë akoma më të variueshme. Ato që plotësojnë shpirtin, nuk e trashin gjithnjë portofolin. Një i diplomuar në arte nga një universitet i dëgjuar si ai i Kalifornisë apo i Kolombias mund të fitojë të ardhura të konsiderueshme. Por një i diplomuar në të njëjtën degë në një universitet më pak prestigjioz, mund të presë të ardhura deri në 147 mijë dollarë për 20 vjet punë.

Nga 153 diplomime në arte që u studiuan nga kërkimi, 46 rezultuan më të këqija se investimi në letra me vlerë për 20 vjet, ndërsa 18 prej tyre ishin më keq se zero.

Në përgjithësi studime si ato të PayScale vlerësojnë për nga ana financiare vlerën e edukimit universitar. Studimi nuk merret me ata që nuk e kanë përfunduar universitetin. Ai i barazon fitimet e tyre me ato të nxënësve me shkollë të mesme.

Ajo që nuk vihet në dyshim është fakti se kostoja e universitetit për student është rritur afërisht 5 herë sa masa e inflacionit që prej vitit 1983 dhe rrogat e të diplomuarve janë sheshuar po aq që prej dekadës së shkuar.

Borxhi studentor është rritur aq shumë sa i ndalon disa të rinj të blejnë shtëpi, të fillojnë biznese apo të bëjnë fëmijë. Ata që morën borxh për një diplomë bachelor në vitin 2012 kanë detyrim mesatarisht 29.400 dollarë. Projekti i Borxhit Studentor, një organizatë jofitimprurëse, thotë se 15 për qind e huamarrësve fillojnë mospagesat brenda tre viteve nga fillimi i shpagimit. Në kolegjet jofitimprurëse përqindja shkon në 22 për qind.

Një raport nga McKinsey, një konsulencë, zbuloi se 42 për qind e të diplomuarve të fundit janë në punë që kërkojnë më pak se një edukim 4-vjeçar kolegji. Rreth 41 për qind e të diplomuarve nga kolegjet më të mira amerikane nuk mund të gjejnë punë në fushën për të cilën kanë mbaruar dhe gjysma e të gjithë të diplomuarve u shprehën se duhet të kishin zgjedhur një diplomë tjetër ose një tjetër universitet.

‘Mundësia”, tha Presidenti Obama më 2 prill, “nënkupton bërjen e kolegjit më të përballueshëm”. Me kalimin e kohës, transparenca dhe teknologjia do t’i detyrojë kolegjet të shkurtojnë kostot dhe të rrisin cilësinë. Për këtë do të ndihmojë edhe edukimi online. Në vitin 2012, 6.7 milionë studentë merrnin të paktën një kurs online. Kurse të tilla i lejojnë studentët të marrin leksione të mira pa iu dashur të paguajnë universitete me çmime të larta. Edukimi online nuk do të zëvendësojë mësimet ballë për ballë të kolegjeve, por do t’i detyrojë këto të fundit të përshtaten. Ato që ofrojnë vlera të ulëta kundrejt parave ose do të ndreqen ose do të zhduken.
g.shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top