A e di ç’është nasihati?!

A E DI ا’ثSHTث NASIHATI?!
DR. MUHAMED IBRAHIM EL-HAMED

Fjala “en-nasihah” është një fjalë shumë e madhe inspiruese, e cila përmban në vetvete kuptimet madhore të dashurisë, sinqeritetit, besnikërisë, mëshirës, dhembshurisë, dëshirës për perfeksion, si dhe shumë kuptime fisnike që janë të përafërta me këto. Sipas këtij shpjegimi, nuk është aspak çudi, që e tërë feja të jetë e përkufizuar me nasihatin, sikurse na tregohet në hadithin e shënuar në Sahihun e Muslimit nga transmetimi i Temim ed-Dariut, në të cilin i Dërguari i Allahut ka thënë: “Feja është nasihat.” “Për kë, o i Dërguar?”, e pyetën ata. Ai tha: “Për Allahun, Librin e Tij, të Dërguarin e Tij, prijësit e muslimanëve dhe masën e gjerë të tyre.”[1]

Muslimanët e vërtetë janë të sinqertë ndaj Allahut, duke e besuar Atë, duke i kryer detyrimet ndaj Tij dhe duke qenë të nënshtruar dhe robëruar plotësisht ndaj Tij, si në pamjen e jashtme ashtu edhe në brendinë e tyre. Sinqeriteti i tyre ndaj Librit të Allahut manifestohet me interesimin tyre për të, duke e lexuar, duke e mësuar përmendësh, duke medituar rreth kuptimeve të tij, si dhe duke vepruar sipas udhëzimeve të tij dhe duke i ftuar njerëzit në atë udhëzim. Sinqeriteti dhe besnikëria e tyre ndaj të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, bëhet i dukshëm nëpërmjet dashurisë ndaj tij, respektit, pasimit të rrugës së tij, përudhjes me udhëzimin e tij, mbrojtjes dhe përkrahjes së tij, si dhe dhënies përparësi fjalës së tij para fjalës së kujtdo tjetër prej njerëzve.
Sinqeriteti ndaj prijësve të besimtarëve – duke filluar nga instancat më të larta e deri tek udhëheqësit e rangut të ulët, që kanë legjitimitet juridik – shprehet me pranimin e ligjshmërisë së tyre, duke qenë të dëgjueshëm ndaj tyre aty ku e kanë mirë dhe me vend, duke dhënë maksimumin për t’i udhëzuar nga e mbara, duke i përkujtuar për atë që është e mirë dhe e dobishme për ta dhe për umetin në përgjithësi, dhe duke ua tërhequr vëmendjen nga ajo që është e dëmshme për ta apo për umetin.
Ndërsa besnikëria dhe dashuria për masën e gjerë të muslimanëve bëhet e dukshme duke i dashur ata, duke ua dëshiruar të mirën, duke u angazhuar për mirëqenien e tyre të përgjithshme, duke e urryer të keqen për ta dhe nëpërmjet mënjanimit të faktorëve që ndikojnë që e keqja të ndodhë, duke u angazhuar që ajo të mos i godasë ata në asnjë mënyrë. Sinqeriteti i tyre ndaj masës manifestohet edhe nëpërmjet mësimit të të paditurve, vetëdijesimit të të shkujdesurve, këshillimit të tyre me atë që u bën dobi në këtë botë dhe në tjetrën, duke bashkëpunuar me ta në bamirësi dhe devotshmëri.
Nëse sinqeriteti dhe besnikëria ndaj komunitetit është në këtë pozitë, atëherë çdo i mençur duhet të pajiset me të, t’i vlerësojë ashtu si duhet dhe të kuptojë mënyrat më efikase të realizimit dhe jetësimit të këtyre elementeve. Këtu, në mënyrë shumë të natyrshme, nuk kemi si qëllim të zgjerohemi në shpjegime, por vetëm do të japim disa shenja për çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me këtë temë.
Kur të flasim për nasihatin (apo këshillën, si e përkufizojnë disa, E. A.), ajo që duhet gjithsesi të theksojmë është se nasihati është ndjenjë e mëshirës për atë që i ofrohet ky nasihat, si dhe t’i dëshirosh të mirën atij, e assesi nuk është barrë prej të cilës, ai që e jep atë (këshillën, nasihatin) mundohet të lirohet me çdo mënyrë. Pra, ai që e jep nasihatin duhet të ketë parasysh kuptimin e mëshirës, dëshirimit të së mirës, tendencës për përmirësim, e kjo gjithsesi do ta detyrojë atë që të jetë më i butë, më i sjellshëm, më tolerant dhe më korrekt. Kjo nënkupton edhe që këshilla kur jepet nuk do të thotë që doemos do të pranohet prej tjetrit dhe nëse ky nuk e pranon të nënçmohet, shahet apo ofendohet, duke u akuzuar për arrogancë apo mendjemadhësi. Ibën Hazmi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mos këshillo me kusht që gjithsesi të pranohet këshilla jote, e as mos ndërmjetëso me kusht që gjithsesi të merret parasysh ndërmjetësimi yt, por këtë bëje me dëshirën që të bësh mirë, të kryesh detyrimin dhe të angazhohesh për të mirën e përgjithshme.”
Ajo që e bën këshillën më të pranueshme është shumëllojshmëria e metodës në ofrimin e saj, si p.sh., dhënia e saj me maturi, parathëniet e bukura që e zbusin zemrën, duke e lavdëruar atë që e këshillon, duke ia përmendur paraardhësit e tij të mirë, si dhe duke pasur kujdes nga pezmi që mund t’i shkaktohet nëpërmjet çfarëdo forme nënçmimi, ofendimi e të ngjashme me to. Në këtë mënyrë arrijmë t’ia hapim zemrën dhe t’ia lehtësojmë pranimin e këshillës. Një vërejtje të veçantë duhet të bëjmë lidhur me metodën e dhënies së këshillës, sepse kjo është një gjë e madhe, që pakkush di ta bëjë si duhet, ngase një pjesë e madhe e njerëzve mendojnë se këshilla është një përgjegjësi prej së cilës duhet të çlirohesh në çfarëdo forme, duke mos marrë parasysh rrethanat, kohën, rregullat, e as gjendjen e njerëzve dhe emocionet e tyre. Sipas fesë së Allahut, ai që jep këshillë duhet të jetë i pajisur me dije, mençuri, arsye, zemërgjerësi dhe vetëpërmbajtje. Nëse nuk i ka këto virtyte, atëherë pritet që gabimi ta arrijë më shpejt atë, sesa suksesi.
Mund të themi se nuk ka në mesin e virtyteve të larta, gjë më të ndjeshme, më të saktë dhe më madhore se sa këshilla. Nuk është çudi, sipas kësaj, që disa njerëz të pranojnë këshillën e dikujt me zemër të qetë ashtu si pret lulja pikën e shiut, apo i eturi ujin e këndshëm. Ndërsa nuk e pranojnë këshillën e tjetrit dhe këshilla e tij kalon nëpër zemrën e tjetrit, sikurse kalon pika e shiut nëpër rrasën e gurit. Duhet vërejtur se shumë pak këshillohemi në këtë pikë, e kjo është pasojë e shkuarjes larg në atë që nuk është e qëlluar dhe e saktë dhe heqjes dorë nga ngritja dhe përmirësimi i vazhdueshëm.
Një prej të metave të njerëzve është edhe kryelartësia përballë këshillës dhe kritikës konstruktive, e cila mund të burojë nga njeriu i sinqertë dhe i ditur, por që nuk has në veshë të hapur e as në zemra të gjera, e kështu ai i këshilluari lartësohet dhe bëhet arrogant dhe e refuzon pranimin e këshillës, duke vazhduar kësisoj në gabimin e tij dhe duke e bërë më të vështirë përmirësimin e vetes.
Dhe në fund, parapëlqehet që atij që i ofrohet këshilla ta pranojë atë, në mënyrë që të rriten vlerat dhe të shtohet burrëria e tij. Madje, ai që synon përkryerjen – sidomos nëse është prijës i respektuar – duhet që prej atyre që i ka përreth vetes të kërkojë që të hulumtojnë të metat e tij dhe t’ia bëjnë të njohura ato, sepse kjo do t’i mundësonte atij, që të lirohet dhe pastrohet prej tyre. Ai madje, atij që i tërheq vërejtjen për të metat e tij duhet t’i jetë mirënjohës dhe ta pranojë me dashamirësi dhe zemërgjerësi. Këtë duhet ta konsiderojë më dashamirës sesa atë që e lavdëron vazhdimisht dhe nëse vepron kësisoj, shumë njerëz do të angazhohen në dhënien e vërejtjeve e kjo do të çojë drejt përmirësimit të tij. Nëse në të kundërtën e çon kokën lart dhe nuk pranon këshillat dhe vërejtjet e të tjerëve, duke menduar se po e nënçmojnë, duhet të merret me vetveten dhe ta detyrojë të ndjekë rrugën e përmirësimit dhe të pastrimit nga të metat, e jo t’i mbulojë ato sikur të mos ekzistojnë.

Përktheu: Ekrem Avdiu
 
Titulli: A e di ç’është nasihati?!

Një prej të metave të njerëzve është edhe kryelartësia përballë këshillës dhe kritikës konstruktive, e cila mund të burojë nga njeriu i sinqertë dhe i ditur, por që nuk has në veshë të hapur e as në zemra të gjera, e kështu ai i këshilluari lartësohet dhe bëhet arrogant dhe e refuzon pranimin e këshillës, duke vazhduar kësisoj në gabimin e tij dhe duke e bërë më të vështirë përmirësimin e vetes.

Sa ju ka pershtat 1 antarit,uffaaa !
 
Back
Top