Titulli: 16 viktima ne nje kolegj ne Gjermani .
Varroset me nderime Ibrahim Halilaj (17) nga Tërdefci i Drenasit. Në këtë ceremoni mortore, përveç të afërmeve, morën pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë dhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj. Ibrahimi është vrarë së bashku me 13 persona të tjerë nga bashkëmoshatari i tij, Tim Kretschmer.
Arbenita, 15 vjeçe, të dielën në mesditë, printe kortezhin prej qindra njerëzve që në këtë ditë ajo dhe të afërmit e saj i dhanë lamtumirën e fundit, Ibrahim Halilajt.
17-vjeçari Halilaj nga Tërdefci i Drenasit është vrarë nga bashkëmoshatari i tij, Tim Kretschmer në qytetin Winnenden të Gjermanisë. Halilaj ka gjetur vdekjen bashkë me tetë shoqet e klasës, tri mësueset dhe tre qytetarë të tjerë gjermanë.
Veç fotografisë së të vëllait që mbante Arbenita në duar teksa i printe turmës së njerëzve, një tjetër ishte vendosur në hyrje të oborrit të shkollës së fshatit Tërdefc. Ky fshat është vendi i lindjes së Ibrahimit, i cili në moshën 6 vjeçe kishte shkuar me nënën, dy motrat e vëllanë tjetër, për t’iu bashkuar babait të tij në Gjermani.
Prapa fotos te shkolla ishin vendosur tre flamuj, ai i Kosovës, flamuri kombëtar si dhe flamuri i shtetit gjerman.
Burrat e fshatit prisnin njerëzit në këtë shkollë, derisa arkivoli me kufomë arriti rreth orës 13 e 30 në familjen Halilaj në Tërdefc.
Arturi, vëllai i vogël i Ibrahimit, nuk ndalte lotët teksa shikonte fotografinë e bashkë me të qanin edhe të tjerët. Babai i Ibrahimit, Shemsiu, mundohej të mbahej, ndërsa priste mysafirët te dera e oborrit të shkollës. Në njërën nga klasat e kësaj shkolle, për disa çaste, Shemsiu është gjendur i ulur në mes të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach dhe ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj. Nga këta të fundit, babai i të ndjerit ka marrë ngushëllime për humbjen tragjike të djalit, i cili në ditën tragjike, më 11 mars, kishte shkuar në shkollë me paterica dhe atë për herë të parë pas dy javëve, pas një intervenimi kirurgjik që kishte pasur në këmbë.
Ambasadori Steinbach ndërkaq ka marrë ngushëllimet në emër të familjes Halilaj, edhe për 14 viktimat e tjera gjermane.
Veç përfaqësuesit gjerman në Kosovë dhe përfaqësuesit nga Qeveria e Kosovës, familja Ibrahimaj ka marrë ngushëllime edhe nga kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku si dhe përfaqësuesi i familjes Jasharaj, Murat Jashari.
Kufoma është nisur për te varrezat e fshatit, ndërsa turmë e madhe e njerëzve po e shoqëronin atë.
“I lehtë i qoftë dheu e i fuqishëm qoftë kujtimi për të...”, tha mes të tjerash para të pranishmëve, ministri Enver Hoxhaj.
Edhe ambasadori gjerman ka shfaqur pikëllimin e tij në lidhje me tragjedinë në fjalë.
“Më vjen vështirë të gjej fjalë në këtë ditë të vështirë për Gjermaninë dhe Kosovën”, tha ai.
Teksa ka ngushëlluar të pranishmit në emër të qytetarëve të Drenasit, kryetari i kësaj komune, Nexhat Demaku ka njoftuar se shkolla e fshatit nuk do të mbaj mësim në pesë ditët vijuese, duke u solidarizuar kështu me shkollën në Gjermani, e cila ka humbur nxënësit e saj.
Pas këtyre fjalimeve, ku është shquar figura e të riut, si një djalosh që e donte shkollën, vendlindjen e sportin, u krye edhe ceremonia e varrimit.
Kjo ceremoni është bërë në Kosovë, me kërkesë të familjes Halilaj, ndonëse autoritetet gjermane kishin kërkuar që një gjë e tillë të ndodhte në Gjermani, ku do të varrosen edhe 14 viktimat e tjera, të tragjedisë në të cilën i riu gjerman kishte shkrepur 112 plumba dhe në fund ishte vetëvrarë.