Titulli: Zhvillimet më të reja nga luftimet në Gazë
Mediet izraelite kritikohen për mënyrën e raportimit të tyre...
Këshilli i UN-së për të drejtat e njeriut të hënën në Gjenevë miratoi rezolutën e cila dënon operacionet izraelite në rripin e Gazës.
Ofensiva e forcave të armatosura të Izraelit shkakton shkeljen e të drejtave njerëzore dhe shkatërrimin sistematik të infrastrukturës në territor, gjykon Këshilli dhe vendos të dërgon një mision hetimor në regjion.
Këshilli kërkon që për momentin të sigurohet mbrojtja ndërkombëtare e popullatës palestineze, në raport me të drejtat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe me të drejtat humanitare ndërkombëtare.
Teksti i rezolutës është aprovuar me 33 vota pro, një kundër dhe 13 abstenime të vendeve evropiane, bënë të ditur AFP.
Rezoluta kërkon ndërprerjen e sulmeve ushtarake izraelite dhe ndërprerjen e rraketimeve të civilëve izraelit.
Të hënën, organizatat izraelite për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dënuan qëndrimin e medieve izraelite të cilat tentojnë t'i heshtin kritikat ndaj ofensivës në rripin e Gazës.
"Mendimet të cilat përmbajnë kritika ndaj vendimit që të ndërmerret ofensiva, apo kritika ndaj sjelljeve të armatës në luftë shumë rrallë dëgjohen", shkruajnë përfaqësuesit e tetë organizatave joqeveritare në letrën drejtuar kryeredaktorëve të gazetave izraelite, televizioneve, radiostacioneve dhe faqeve informative të internetit.
Mendimet e shumta për ofensivën ushtarake izraelite të cilat mund të lexohen dhe të dëgjohen në media janë të njëjta. Më e keqja është që kemi zbuluar se shumë informata të cilat i publikojnë mediet palestineze dhe ndërkombëtare dhe TV stacionet e huaja nuk vijnë në mediet izraelite, thuhet në këtë letër.
Informatat të cilat i publikojnë organizatat për të drejtat e njeriut ku kritikohen aksionet izraelite e kanë vështirë t'ju tërheqin vëmendjen medieve izraelite.
Refuzimi i Izraelit që t'ju mundësoj gazetarëve hyrjen në rripin e Gazës rritë mungesën e kritikave në llogari të operacioneve ushtarake, theksohet në letër.
Në mesin e organizatave kryesore nënshkruese të kësaj letre janë Unioni për të drejtat qytetare në Izrael dhe organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut B'Tselem, Gisha dhe Yedsh Din.
Disa organizata humanitare ndërkombëtare dënuan forcat izraelite për mosrespektimin e të drejtave humanitare ndërkombëtare gjatë ofensivës në Gazë.
________________________________________________________________________
Protesta kundër Izraelit në mbarë botën
Mijëra demonstrues në Spanjë, Belgjikë, Pakistan, Liban... i bëjnë thirrje Izraelit që ta ndërpres menjëherë ofensivën në Gazë, ndërsa në Londër, si dhe në qytetet gjermane Minhen dhe Frankfurt mijëra ithtar të Izraelit dënuan Hamasin për dhunë.
Të dielën, mbi 15.000 persona me ftesë të partive, organizatave dhe sindikatave, kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të ofensivës izraelite dhe gjakderdhjen në Gazë, duke kërkuar reaksione të vendosura të Unionit Evropian. Demonstruesit mbanin mesazhe "Të gjithë ne jemi Palestinezë", "Gaza Holokausti i ri", përderisa Liga e muslimanëve në Belgjikë nuk u lejoi pjesëmarrësve djegien e flamujve.
Në disa qytete spanjolle protestat tërhoqën dhjetëra mijëra persona. Në Madrid me ftesë të së majtës dhe sindikatës janë mbledhur 10.000 persona, ndërsa kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero në takimin politik në qytetin veriperëndimor Ourense porositi: "Detyra ime është që ta ftoj Izraelin për një armëpushim të menjëhershëm".
Protesta kishte edhe në Sevilla, Malaga, Oviedo dhe Las Palmas, pas protestës në Barcelonë ku ishin mbledhur mbi 30.000 njerëz, sipas të dhënave të policisë, ndërsa 100.000 sipas organizatorëve.
Të shtunën, në Londër, 15 - 20.000, respektivisht 100.000 persona sipas të dhenve të organizatorit, shprehën përkrahjen e tyre palestinezëve.
Në Pakistan policia parandaloi sulmin ndaj konsullatës amerikane në Karachi duke shpërndarë qindra persona me anë të lotsjellësve dhe shkopinjve. Hyrjet në konsullatën amerikanë ishin bllokuar, bënë të ditur AP.
Sipas AP-së, 2.500 libanez dhe palestinez protestuan qetë në Bejrut kundër ofensivës izraelite në rripin e Gazës me parulla "Stop gjenocidit".