Koalicioni AKR-LDD, model i një qeverisje të suksesshme
Koalicioni, Lidhja Demokratike e Dardanisë dhe Aleanca Kosova e Re, të enjten kanë filluar fushatën parazgjedhore, në qendër Prishtinës para simpatizantëve të dy partive politike.
Lideri i LDD-së, Nexhat Daci, tha para qytetarëve të mbledhur në sheshin Nëna Tereze në Prishtinë, se koalicioni mes tij dhe Pacollit, do t’u sjellë komunave të Kosovës, një model qeverisje që qytetarët e Kosovës, nuk kanë pasur rastin ta shohin deri tash.
“Te ne bashkohen dy aleanca, ajo e Akademisë së Shkencave, dhe ajo e Biznesit të suksesshëm që përfaqësohet nga Behgjet Pacolli”, tha Daci.
Ndërkohë, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se AKR-ja dhe LDD-ja, sjellin shembullin e bashkimit, tolerancës dhe kuptimit mes rivalëve.
“Koalicioni që kemi krijuar me LDD-në, është shembulli që garanton se do ta çojmë Kosovën përpara, jo me dhunë, jo me ndarje, por të bashkuar siç jemi ne”, tha Pacolli në fjalimin e tij.
AKR-ja dhe LDD-ja, garojnë në Prishtinë me kandidatin e përbashkët që vjen nga Aleanca Kosova e Re, Vegim Gashi. Kandidati për Prishtinën nga dy këto parti, kërkoi votën e qytetarëve. “Nëse doni një qeverisje me ndryshe, një qeverisje që i duhet qytetarëve, votoni koalicionin AKR-LDD”, ka thënë Vegim Gashi.
Në ndërkohë, para qytetarëve, janë prezantuar kandidatët e këtij koalicioni për kryetarë të komunave të Kosovës. /Telegrafi/