Vunoi, një muze në natyrë

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Udhëtim në Vuno, një prej fshatrave bregdetar të Jugut nga më të rrallët në Shqipëri për arkitekturën e veçantë e të rafinuar, urbanizimin, për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën kombëtare.

E shkuara e lavdishme dhe e tashmja ku ndihet rreziku i braktisjes. Fshati ku qëndruan Lord Bajroni dhe piktori Eduard Lear që u mrekulluan me ndërtimin dhe afresket e kishave. Vendlindja e shumë personaliteteve të artit, kulturës, por edhe i patriotizmit, për të cilët vendasit ndihen krenarë.
23784_405526680989_164162295989_4912431_4403403_a.jpg

I dëshmuar në shek. e dytë para Krishtit.
Nuk dihet se sa mijë vjet më parë njerëzit u ndalën në këto anë dhe u mahnitën nga relievi i përthyer por mrekullisht i bukur. Pastaj hoqën gurët, ngritën ledhe e ndërtuan tarraca. Thuhet se vetëm për një hektar tokë atyre u është dashur të zhvendosin rreth 3000 metra kub gurë! Ishin njerëz të punës, me vështrim drejt së ardhmes, trima, të besës, plot pasione dhe shumë të bukur.
Banorët e Kaonisë, siç thirreshin në kohë të lashta, shtëpitë i ndërtuan rrëzë maleve si për t’u mbrojtur nga piratët e detit dhe për të kursyer ato ngastra toke që i përftonin me mund të madh.
U ngritën fshatrat e Rivierës, njëri më i bukur se tjetri, gati-gati qytete të vegjël, të gjithë në një harmoni të habitshme ndërtimesh, që i dallon në gjithë vendin.
Vunoi është një nga këto fshatra që i bën nder krahinës për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën tonë kombëtare.
23784_405527330989_164162295989_4912442_5098480_a.jpg

Fshati është vendosur në shpatullat e malit të Mjegulloshit, me shtëpi të gurta dy a tre katëshe, ku do të ndeshesh me atë dukuri që vëren Kadareja për Gjirokastrën “në se do të rrëzohesh nga çatia e një shtëpie do të biesh në çatinë e një tjetre më poshtë!”
Ndërtesat “shohin” të gjitha nga deti, por pa ia zënë dritën njëra-tjetrës. Ato lidhen me rrugë të kalldrëmta duke krijuar një konfiguracion të përsosur, madje shpesh ato gjarpërojnë poshtë qemerëve mbi të cilat ngrihen shtëpitë e banimit.
Harqet dhe qemerët i sheh në faqet e jashtme të dyerve dhe dritareve, në raste të tjera ato shërbejnë si konstruksione mbajtëse të kateve të mësipërme të shtëpive. Banesat e fortifikuara, apo kullat, i gjejmë si në Vuno ashtu dhe në fshatrat e tjerë të bregdetit. Kulla në lagjen e poshtme të fshatit, një kompozim vertikal, me bazë katërkëndëshe, tri katëshe, me frëngji, është shpallur prej vitesh monument kulture.
Në vizionin e ditëve të sotme të bën përshtypje fryma qytetare dhe ndjenja e komunitetit, vizioni për një fshat “të të gjithëve”, ku “ligjet” e bashkëjetesës i kanë respektuar pa marrë parasysh interesin e ngushtë të njërit a tjetrit. Të gjithë thonë se në krye të fshatit kanë qenë njerëz të urtë e të mençur, të drejtë e largpamës.
Dy shekuj më parë në familjen e njohur të Kasnecëve në Vuno qëndroi Eduard Liri, piktor i njohur anglez: “U çudita me llojin e ndërtesave në Vuno disa prej të cilave, si ato të Kasnecëve, në veçanti, qenë më tepër si “palazzit” e shumë qyteteve provinciale në Itali”- shkruan Liri. Më tej vazhdon: “Himarjotët përdorin gjuhën italiane më tepër se çdo banor i Shqipërisë; të gjithë fshatrat që kam kaluar, ndonëse të krishterë, janë të tërë shqiptarë me përjashtim të pak familjeve…”

Njerëzit e diellit të Jugut
Kjo shprehje metaforike i ka rrënjët në legjendat e hershme të këtij fshati. Kështu prej shumë e shumë kohësh, nuk mbahet mend se kur, në kambanoren e fshatit është një qiparis i vogël, që as hedh shtat, por as thahet. Të moçmit thonë se është simbol i vazhdimësisë së jetës.
Tregime epike lidhen me përroin e Mardhës, në krye të kanionit të mrekullueshëm të Gjipesë, ku u hodhën drejt vdekjes një tufë vajzash për të mos rënë në duar të pushtuesve; thuhet po ashtu se Jeronim De Rada, me rrënjë të hershme nga Himara, i ka vendosur ngjarjet e poemës së tij “Këngët e Milosaos” në Skutara të Vunoit. Skutarai është një kodër në dalje të fshatit, drejt Himarës, ku shihen ende gjurmët e një banimi të hershëm, një mjedis pastoral, sikurse duken rrugët e gurta, shkurrnajat, lisat dhe poshtë bregu poetik i Jonit, teksa pulëbardhat fluturojnë mbi det.
Por në se këto mund të merren edhe si pandehma tashmë është e provuar se Odise Kasneci nga Vunoi dhe Jani Kocani nga Dhërmiu morën pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Në rrjedhat e kohërave vunjotësit kanë qenë të ndjeshëm dhe aktivë ndaj ngjarjeve historike, në krahinë, në tokën e të parëve të tyre, ashtu edhe te fqinjët, në Greqi, gjë që jo rrallë e ka patur koston e vet.
23784_405528080989_164162295989_4912454_1381384_a.jpg

Në mesin e shekullit të shkuar ata morën pjesë në luftën antifashiste, ku simbol i fshatit mbetet Zaho Koka. Në reflektimet e ditëve të sotme ai është pa mëdyshje hero dhe viktimë, pasi luftoi trimërisht kundër pushuesve, sikurse u bë kurban i atyre me të cilët e bashkoi çlirimi i vendit. Zaho Koka në ato vite u lidh në një dashuri të madhe me Ramize Gjebrenë, gjithashtu në forcat partizane, gjë që i kushtoi jetën si njërit dhe tjetrit.
Por mbi të gjitha Vunoi është vendi i arsimdashësve dhe njerëzve të dijes, i intelektualëve të shquar që i kanë dhënë shumë kulturës sonë kombëtare. Nga ky fshat është Odise Grillo, shkrimtari i talentuar i letërsisë për fëmijë, autor i shumë librave, këngëve, botimeve enciklopedike.
Po të shkosh ditëve të verës në Jalë, një plazh i bukur dhe kurativ, do të takosh regjisorin e madh, Dhimitër Anagnostin me të shoqen, aktoren e mirënjohur Roza Anagnosti. Dhimitri është “djalë bregu”-siç thonë në ato anë- dhe krijimtaria e tij i ka rrënjët në Bregdet, në historinë e familjes së tij e mbushur plot me patriotizëm. Pa e tepruar mund të themi se Anagnosti është një personalitet dhe vepra e tij i bën nder Vunoit, Himarës dhe gjithë Shqipërisë. Krijimtaria e tij është një gur themeli në artin shqiptar që do t’u mbetet kohërave. Në vitet vitet ’30-të të shekullit të kaluar shtëpitë e Anagnostëve ishin shkollë dhe internat, ku vinin vajza nga Jugu i vendit dhe mësonin zanate: qëndismën, tezgjahun, të gatimin.
Nga ky fshat janë edhe aktorët e njohur të teatrit dhe filmit shqiptar: Robert Ndrenika dhe Anastas Kristofori. Ata kanë lënë një trashëgimi të pasur rolesh, karakteresh, dhe pa mëdyshje janë produkt i shpirtit himarjot në gjithë gamën e vet.

Atdheu fillon nga prona
23784_405527450989_164162295989_4912446_4747360_a.jpg

Pamjet e fshatit të sotëm mund t’i gjeje edhe para 20 a 30 vjetësh, sepse Vunoi pak ka ndryshuar. Thuajse po ato shtëpi, po ato rrugë, ku ndonjë ndërtim i ri më shumë ia ka prishur bukurinë duke zhbërë atë traditë të mrekullueshme të ndërtimeve në Rivierë.
Kisha e fshatit u dogj gati 10 vjet më parë, në ditët kur kishte mbaruar restaurimi i saj!
-Kush i vuri flakën – pyeta një të njohur aso kohe.
-Ne e ruajtëm në ditët më të vështira…pyesni më mirë ata që shkuan!-dukej që burri ish prekur në sedër.
Si për ironi kisha kish qenë monument kulture!
Para ca vitesh në Jalë të Vunoit u prishën disa ndërtime, pa leje, siç u tha, duke hedhur në mes të detit miliona lekë të mbledhura me mund dhe djersë në mërgimin e vështirë. Natyrisht shteti s’kish pse bënte sehir dhe një ditë të bukur të bënte gjëmën!
Të moshuarit jetojnë me brengën e viteve të rinisë, të asaj kohe të largët kur nga çdo rrënjë ulli merrej gati një kuintal prodhim, kur në dimër bregu zverdhte nga portokallet dhe gjithë vitit karvanët e ngarkuar me djersën e njerëzve të punës ngjiteshin në fshat.
“Kanë ikur djem e vajza, nuk punon më rinia dhe fusha ka mbetur e shkretë!”
Të gjithë në një emigracion të çuditshëm si jashtë ashtu dhe brenda vendit.
23784_405529300989_164162295989_4912480_8074599_a.jpg

Në fakt emigracioni ka qenë pjesë e Vunoit, si edhe gjithë krahinës. Po ai i shekullit të kaluar ka qenë me të vërtetë dramatik. Në vitet ’60 kur kish mbaruar kolektivizimi filloi braktisja e madhe: të gjithë donin të iknin dhe u turrën drejt Vlorës, Tiranës, Fierit, Elbasanit, deri në Shkodër.
Fusha, sakrificat e breznive të para nuk kishin asnjë kuptim për të rinjtë që e ndjenin veten të huaj në pronën e të parëve të tyre. Pas viteve ’90 ia behu braktisje e dytë më e madhe dhe sot për sot gati e pakthyeshme. Kështu thuajse “të dy palët” ndihen “të huaj” në vendlindje, madje jo rrallë e shohin njëri-tjetrin shtrembër, në mos me armiqësi sepse ligji i jep të drejtë njërës palë të marrë pronë të prindërve të vet, kurse tjetrës jo!
Pas thuajse 20 vjetësh pronat e vunjotësve, si dhe gjithë himarjotëve janë kthyer në treg të politikës, e cila me një kokëfortësi të çuditshme kërkon të bëjë ligjin kur mbi 90% e banorëve të Bregdetit kanë kërkuar të shkojnë tek pronat e të parëve të tyre, atë që ua lanë trashëgim, por s’e gëzuan kurrë!
Kështu shpesh herë të duket sikur Vunoi i takon së kaluarës, sepse historinë, jetën, të ardhmen e bëjnë njerëzit nën fjalën e mençur “atdheu fillon nga prona” përndryshe s’u mbetet gjë tjetër veçse të mbeten të largët!.
“Ne kemi mbetur në mes të detit- më thoshte një emigrant nga Vunoi- dikur mësues. Matanë, në Greqi, Itali a gjetkë ndihemi të huaj, por edhe kur vijmë këtu prapë të huaj mbetemi.”
“Na duket sikur na kanë vënë traun e kufirit në rrugën e Llogorasë!. Duam të shkojmë, po ku? Të tjerë po bëhen zot në djersën e të parëve tanë!

Vunoi në dallim nga fshatrat e tjera të bregdetit, nuk flet greqisht, duke u konsideruar gjithmonë si Shqiptarë janë shquar për patriotizëm në kohëra të ndryshme.
23784_405527145989_164162295989_4912435_718450_a.jpg

Tunelet e gurta që mbajnë mbi vehte banesa të mëdha të ndërtuara me gurë, përbëjnë një stil arkitekturor që nuk haset as në Gjirokastër e në Berat. Ndërtimi i disa shekujve më parë që kërkon mjeshtëri të madhe inxhinierike, është bërë për të shfrytëzuar hapësirën urbanistike të fshatit.

Kalldrëmet e gurit mbulojnë kanalizime të hershme të fshatit. Shtëpitë janë ndërtuar të gjitha pranë rrugës me qëllim që të shfrytëzohej kanalizimi. Ndërtimet janë bërë të tilla që asnjë shtëpi mos të pengojë pamjen e detit shtëpive të tjera.
23784_405527040989_164162295989_4912434_3631748_a.jpg

Lord Bajroni në udhëtimin e tij në jug të Shqipërisë ka shkruar se ka mbetur i mrekulluar nga Vunoi një fshat me 100 shtëpi por që kishte mbi 20 kisha, të gjitha tërësisht të dekoruara me afreske Bizantine. Shumë nga kishat që i shpëtuan shkatërrimit komunist akoma sot ruajnë pikturat mahnitëse të shekujve më parë.
23784_405526975989_164162295989_4912433_7555146_a.jpg

Në Vuno gjenden gjiri i Jalit dhe gjiri i Gjipesë, që janë dy nga plazhet më të bukura në gjithë bregdetin shqiptarë. Tokat e tyre kanë shërbyer për kultivimin e agrumeve nga Vunjotësit. Me zhavorrin e bardhe dhe ujrat e kristalta sot janë më atraktivet për turizmin shqiptarë.
Revista Shqip
 
Redaktimi i fundit:
Titulli: Vunoi, një muze në natyrë

U puna duhet te shkoj dhe ketu
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top