Tërheqja që vjen nga flokët

braziljania

Anëtar i Nderuar
Në të vërtetë, flokët janë një pjesë e rëndësishme e lukut të njerëzve, ndaj jo më kot thonë se floku i shëndetshëm dhe i bukur është gjysma e bukurisë. Që në kohët hershme, për t‘u dukur më joshëse dhe më të bukura gratë përdornin qindra mënyra dhe teknika për t‘u kushtuar atyre kujdes të veçantë. Po sot? Kujdesi për të është kthyer në një obsesion për femrat moderne, ndaj jo më kot markat më të famshme të produkteve për mirëmbajtjen e tyre janë ndër më të fuqishmet në tregun e biznesit botëror.

Përse shërbejnë?

Te kafshët qimet kanë lindur si organe shqisore, që u jepnin atyre informacion mbi gjendjen e ambientit, ndërsa më pas iu shtua edhe funksioni mbrojtës: të mbrojnë nga të ftohtët. Në fillim njerëzit dallonin nga majmunët, pastaj u bënë shenjë identiteti. Sot modeli i flokëve është ai që na tregon pjesëmarrjen në një grup (pank, naziskin) dhe flet shumë rreth vetes sonë.

Nga se përbëhen?

Fija e flokut është një fibër natyrale e kompozuar më shumë se 90% nga keratina, proteinë fibroze, që formohet prej qelizave të vdekura, e cila është gjithashtu përbërësi kryesor i thonjve. Keratina është një proteinë e pasur me cisteinë: një aminoacid që formohet nga oksidimi i cisteinës (një aminoacid tjetër, ose më qartë dy molekula cisteine të lidhura bashkë ndërmjet një "ure disulfure" formojnë një molekulë cisteine.

Sa më i rëndësishëm të jetë numri i këtyre urave disulfure të pranishme në zinxhirët e aminoacideve (ose siç quhen ndryshe zinxhirë peptidikë) që kompozojnë keratinën e flokut, aq më shumë molekula e keratinës përdridhet në vetvete dhe flokët janë më kaçurrela. Lidhjet kimike midis sulfateve janë lidhje të dobëta që shkëputen shumë lehtë nën veprimin e nxehtësisë.

Ndërsa pjesa tjetër e flokut përbëhet kryesisht nga uji dhe melanina (pigment natyral), proteinë e cila mund të marrë aspekte dhe nuanca të ndryshme (për shembull rrezet UV të diellit, duke provokuar oksidacionin e melaninës që zbardhin ngjyrën origjinale të flokëve).

Sa flokë kemi?

Rreth 100 mijë, megjithatë numri i tyre ndryshon në varësi të moshës dhe ngjyrës. Një bionde ka 150 mijë, një brune 110 mijë, një kuqe vetëm 90 mijë, ndërsa dendësia e tyre varion nga 200 deri në 500 qime për cm2.

Sa rriten flokët?

Rreth 1 cm në muaj, 0.4 mikrometër në muaj (sidomos nga ora 10.00 deri në 11.00 dhe nga ora 04.00 deri në orën 06.00). Flokët jetojnë katër vjet, kur humbim një qime nga flokët duhen rreth katër muaj që të dalë një tjetër. Po ashtu, çdo ditë është normale që të humbasim 75 të tilla.

Cila e përcakton ngjyrën e tyre?

Ngjyra e flokut jepet nga melanina, substancë ngjyruese, nga të cilat ekzistojnë dy lloje: e errët (flokë të zinj) dhe feomelanina, e hapur (flokë biondë, të artë apo të kuq). Flokët bëhen të bardhë për shkak të humbjes së melanociteve, qelizat që prodhojnë melaninën. Flokët janë gjithashtu shumë të pasur me minerale, që variojnë në varësi të ngjyrës: flokët e kuq përmbajnë më shumë hekur, magnezi ndodhet te flokët e zinj, plumbi në flokët gështenjë.

Sa qime kemi?

Rreth pesë milionë (një milion poshtë kokës dhe fytyrës). Pjesa më e madhe e tyre janë të padukshme, të shkurtra dhe pa ngjyrë. Në 10 cm2 të lëkurës së kraharorit të një mashkulli gjenden rreth 90 të tilla, në të njëjtën sipërfaqe të parakrahut 240, ndërsa në zonat intime numri i tyre shkon në 350. Zona ku qimet janë të padukshme dhe më të dendura është hunda: poshtë saj fshihen rreth 1600 për cm2. Zona më e dukshme me më shumë qime është koka, ku në 1 cm2 gjenden rreth 300 qime.

Si rriten?

Molekulat, strukturat që prodhojnë qimet, janë programuar për të ndaluar rritjen pas disa muajsh (shtatë për ato të këmbëve dhe katër për ato të mjekrës e mustaqeve), prandaj qimet kanë një gjatësi të kufizuar, 3 cm për qerpikët dhe sqetullat. Përkundrazi, te flokët rritja zgjat nga 4-8 vjet dhe floku mund të arrijë 115 cm. Në ciklin e tij jetësor, ku ndërthuren faza e rritjes dhe ajo e pushimit, një folikulë prodhon rreth 20 qime.
 
Depilimi, antik sa vetë bota!

Të parët kanë qenë egjiptianët që lyheshin me kremin që e përgatisnin me bazë vajin dhe mjaltin. Por, në atë kohë, nuk depiloheshin vetëm gratë; priftërinjtë, përveçse i rruanin flokët, depiloheshin në shenjë respekti ndaj Zotit. Pra, ideja për të depiluar trupin duket se i ka rrënjët e largëta. Thuhet se në Egjiptin, Romën dhe Greqinë e Lashtë, si gratë, ashtu edhe burrat depiloheshin, por lufta e vërtetë për pastrimin e lëkurës duket se ka filluar në vitin 1915, ku nisën të dalin edhe fushatat e para publicitare për "një lëkurë të pastër". Ishte pikërisht ky viti në të cilin firma e mirënjohur "Gillette" hodhi në treg makinat elektrike për femra. Brenda fundit të Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e grave perëndimore depilonin këmbët dhe sqetullat. Në këtë kohë edhe burrat filluan që të kujdeseshin për një lëkurë sa më të pastër. Pjesa më e madhe e tyre kujdeseshin për fytyrën, por kishte edhe nga ata që kujdeseshin për të hequr qimet në shpinë e në gjoks. Duke marrë në konsideratë kohën, koston dhe dhimbjet, përse dëshirojmë ta kemi lëkurën të pastër? Kur Susan Basow, një psikologe e "Lafayette College" në Pensilvani, ka pyetur gratë se përse depiloheshin, përgjigjja e tyre ishte se ndiheshin më femra dhe më shumë joshëse. Në fakt, studimet e saj treguan se gratë që kishin qime në këmbë dhe lëkurë konsideroheshin jo vetëm nga burrat, por edhe nga gratë, si më pak tërheqëse në krahasim me ato që ishin të "pastra". Gjithashtu, gratë e padepiluara konsideroheshin më pak inteligjente, sociale dhe më pak të lumtura. Basow mendon se ideja e lëkurës së pastër te gratë bëhet për motive të ndryshme. E para ka të bëjë me diferencën mes grave dhe burrave. Qimet e trupit prodhohen nga një hormon mashkullor, i quajtur testosteroni. Nga ana tjetër, duke pastruar lëkurën nga qimet, gratë kërkojnë të duken më të reja, më të pafajshme dhe më sensuale. "Ekzistojnë lidhje shumë të vjetra mes qimeve dhe fuqisë, qimeve dhe sensualitetit", nënvizon Basow. Në fund, ajo thekson se gratë dhe burrat mund të kenë si qëllim që ta theksojnë më shumë distancën e krijuar me kafshët. Ndërsa studiuesi britanik, Mark Pagel, thekson: "Ne e përdorim lëkurën e pastër për të tërhequr shokë njëlloj si vetja, për t‘u bërë reklamë gjeneve tona. ثshtë njëlloj sikur duam të themi: shikoje këtë pjesë të lëkurës sime, është kaq e pastër, pa shenja dhe njolla. Nuk ka asnjë parazit tek unë, bëhu shoku im". Gjithashtu, Pagel shton se zona më e madhe e lëkurës së pastër është shpina. Ndoshta ky është motivi se përse kaq shumë gra veshin fustane që tregojnë shpinën dhe burrat tërhiqen shumë nga diçka e tillë. Mbase pikërisht bukuria e kësaj pjese pa qime është arsyeja që i shtyn edhe burrat të depilojnë shpinën.

Në një botë gjithmonë e më të madhe, janë edhe arsyet praktike për pastrimin e qimeve. Në librin "The Naked Woman" (Gruaja nudo), Desmond Morris tregon se depilimi i sqetullave dhe i këmbëve redukton sinjalet e nuhatjes nga të huajt. Nëse kemi evoluar deri në atë pikë sa të preferojmë lëkurë të pastër e pa asnjë qime dhe tani jemi në një botë ku është bërë socialisht i pranueshëm ekspozimi i pjesës më të madhe të lëkurës, është normale përdorimi i teknologjive të disponueshme si depilimi, elektroliza, e deri te trajtimet me lazer, për t‘u bërë më tërheqës. Megjithatë, cilido qoftë motivi, kjo normë sociale për mungesën e qimeve është shumë e fuqishme sot në botën perëndimore.

"Megjithatë, deri në vitet ‘50 të kishe qime në sqetulla ishte normale", shpjegon një profesor i antropologjisë kulturore në Universitetin e Oksfordit. Më vonë përhapja e parfumeve ka krijuar një estetikë të re: eliminimi i erës së trupit dhe atë të qimeve. Pas sqetullave erdhi radha e këmbëve, me hyrjen e çorapeve nejloni në vitet ‘60. Një kontribut i rëndësishëm erdhi edhe nga bikini, e cila kërkonte që edhe zona poshtë kërthizës dhe anash këmbëve duhej që të ishte e pastër. Depilimi total nisi pas shfaqjes së filmave pornografikë dhe pastaj u përhap gjerësisht. Po burrat? Në filmat e 60 viteve më parë burrat depiloheshin, megjithëse këto konsideroheshin si skandale. Depilimi i meshkujve filloi të përhapej gjerësisht sidomos në sport. Për shembull në sportin e badi-billding, ku meshkujt depiloheshin tërësisht, edhe pse tërheqja duhej të bazohej te muskujt.
 
Cila është domethënia simbolike e flokëve?

Janë simbol i burrërisë dhe i joshjes. Në Kinën e Largët flokët ishin një çnderim, në Romën e Lashtë ushtarët mbanin mjekër dhe flokë të shkurtër për t‘iu shpëtuar armiqve, ndërsa në Francë të kishe flokë të gjatë ishte një privilegj i mbretërve dhe fisnikëve. Emrat Cesare, Kaiser dhe Car do të thonë "mbret me flokë të gjatë". Disa fise indiane i mbajnë flokët e gjatë dhe të lëshuar për t‘u lutur e për të kërcyer dhe për të hyrë në kontakt me të mbinatyrshmen. Heremitët i mbajnë të pakrehur dhe të shpupuritur për të treguar shkëputjen e tyre nga bota, monarkët orientalë dhe priftërinjtë kristianë e qethin kokën si shenjë e nënshtrimit të tyre ndaj Zotit. Por, përveç kësaj, shumë njerëz e lidhin prerjen e tyre edhe me besëtytnitë. Kështu, gratë e marinarëve nuk i prisnin flokët derisa burrat të ktheheshin në shtëpi, pasi mendonin se sillnin fatkeqësi, po ashtu edhe sot në shumë vende mendohet se nuk të ecën mbarë nëse u priten flokët fëmijëve që nuk kanë mbushur ende një vjeç. Në Egjiptin e vjetër, kur një fëmijë shërohej nga ndonjë sëmundje, familja i priste flokët dhe i vendoste në peshore, ku, në anën tjetër të saj hidhnin ar ose argjend, një rit që mendohej se largonte sëmundjen përgjithnjë. Por, prerja e flokëve është edhe një shenjë që tregon zi dhe gjendjen e rënduar shpirtërore. Po në Egjiptin e Lashtë zakonisht gratë i prisnin flokët në shenjë zie ndaj njeriut të afërm që kishte humbur jetën./shqip/
BLONDME_start_14.jpg
 
Last edited by a moderator:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top