"Spiunët" e Sigurimit, që i rezistuan Parlamentit të ri

Зngjεll

___________
Zgjedhjet e 28 qershorit reduktuan numrin e tyre, por nuk i zhdukën

Nga: Erjon Ajazi


Ish-Sigurimi i Shtetit vazhdon të lërë gjurmë edhe në Parlamentin e ri. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit reduktuan numrin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit famëkeq në Parlamentin e ardhshëm, pa mundur dot t‘i lërë përfundimisht jashtë. Shkak për këtë ishte fakti që subjektet politike renditën ndër emrat e parë në lista personazhet të cilët ndër vite janë thërritur në Kuvend me pseudonimet si "Dizejnatorja", "Financieri", "I vogli", "Alfons Ballsha", "Murrizi", "Proletari", "Gjeli" dhe "Plepi". "VIP"-at e politikës së djeshme dhe të sotme, që janë peng i të kaluarës së tyre me "njollë", do të kenë mundësi të futen sërish në Parlament në muajin shtator.

Politika shqiptare ka qenë prej 19 vitesh e helmuar nga "mbetjet" e së kaluarës komuniste, e cila ka lënë si peng të rëndë bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, aparatit të dhunshëm që diktatura përdorte ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Shumë prej "aktorëve" të Parlamentit shqiptar, por edhe të strukturave të tjera të shtetit, janë pjesë e atij kontingjenti që Sigurimi i kishte në listat e tij si bashkëpunëtorë, pavarësisht sesi ata janë përdorur. Me gjithë sugjerimin e Komisionit Europian për hapjen e dosjeve sekrete të komunizmit, politika shqiptare e ka pasur një mision "të pamundur" shkëputjen përfundimtare nga e kaluara e sigurimit famëkeq.

Për vite me radhë ironitë e deputetëve mbi kolegët e tyre të implikuar në ish-Shërbimin Sekret nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë as në Kuvendin e ardhshëm, sa herë që në arenën politike do hapet një debat i ashpër që cenon interesat e zyrtarëve më të lartë të shtetit, të cilët përdorin "ciceronët" e tyre në Kuvend për të dramatizuar situatën dhe trembur spiunët e dikurshëm për të mbyllur problemet më delikate të politikës aktuale. Bashkëpunëtorët e Shërbimit Sekret komunist, ose të quajtur ndryshe Sektorit Special të Partisë së Punës, do të vazhdojnë betejën në sallën e Kuvendit edhe për vitet në vazhdim. Ndryshe nga herët e tjera, kur dikur ky kontingjent ishte në masë, këtë herë në Kuvend kemi një numër shumë herë më të reduktuar. Në dosjet sekrete të diktaturës figurojnë nofka të ndryshme si "Cigarja", "Dizejnatorja", "Financieri", "Profesori", "Inxhinieri", apo shumë pseudonime të tjera si "Parafabrikati", "Sqepi", apo "اiftelia". Lista me nofkat e parlamentarëve është reduktuar, por në Kuvend do të vazhdojë edhe për disa kohë të dëgjohet jehona e atyre që i shërbyen Sigurimit famëkeq, pasi në zgjedhjet e fundit, ata që dikur thirreshin me pseudonime, këtë herë ishin në krye të listave për deputetë të subjekteve të ndryshme politike. Vitet kalojnë dhe rrethi ngushtohet, por largimi i bashkëpunëtorëve të Sigurimit nga Parlamenti duket se do të jetë një ëndërr e largët, pasi nofkat "Financieri", "Proletari", "Dizejnatorja", apo i "I vogli" janë dominues brenda partive të tyre. Një ndër kushtet për të hyrë në BE, është shkëputja njëherë e mirë e politikës shqiptare nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të shtetit komunist. Kjo tregon se VIP-at e politikës me nofkat e së kaluarës do të kenë shumë pak kohë për të fshehur të vërtetën në lidhje me spiunazhet e kryera në kohën e komunizmit. Deri atëherë, çështja e dosjeve dhe akuzat e deputetëve ndaj njëri-tjetrit do të vazhdojnë të trumbetojnë në sallën e Parlamentit. Në fondin e arkivave shtetërore ekzistojnë dy lloj dosjesh, ato të personit që gjurmohej dhe dosjet e atyre që i vëzhgonin. E kaluara "e hidhur" pritet të përdoret politikisht në Kuvend, tashmë që numrat për formimin e një mazhorance të thjeshtë janë të brishtë. Kryetarët e partive do ta kenë në dorë këtë kartë për të komanduar dhe ushtruar presion për mosshkëputje në hallkat e zinxhirit. Sigurimi famëkeq i Shtetit vazhdon të militojë në politikë, por edhe në administratën e lartë.

Tabela: Pseudonimet e politikanëve që rezistuan

Dizejnatorja

Financieri

I vogli

Alfons Ballsha

Murrizi

Proletari

Gjeli

Plepi

Shishja e Qumështit

Intelektuali


Topi: Listat e partive nuk u pastruan nga ish-sigurimsat

Kreu i shtetit, Bamir Topi, deklaroi më 18 qershor, pak ditë pas publikimit të listave të kandidatëve për deputetë, se "është folur shumë dhe kam qenë një nga ata që kam dëshiruar që kjo çështje të marrë një zgjidhje definitive". Por, shtoi ai, s‘jam i sigurt nëse partitë politike te personat që kanë katapultuar në garën elektorale i kanë pastruar radhët e tyre nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. "Kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e partive politike dhe kjo vlen më shumë për ata që kanë më shumë informacion", theksoi Topi. Me një deklaratë të tillë, Presidenti u bëri një kritikë të fortë subjekteve politike, që ndryshe nga vullneti i mëparshëm nuk kontribuuan në pastrimin e listave dhe rrjedhimisht Parlamentit të ri. Apeli i Presidentit duket se ra në vesh të shurdhët, pasi ish-bashkëpunëtorët u konsoliduan në pozitat e tyre dhe do të jenë sërish në sallën e Parlamentit të ri.

Kronologjia

Ligji i miratuar dhe mbetur pezull


Presidenti Bamir Topi, në janar të këtij viti vendosi të mos mbajë një qëndrim për ligjin për verifikimin e pastërtisë së figurës të zyrtarëve të lartë. Kuvendi miratoi në fund të dhjetorit vetëm me votat e Partisë Demokratike ligjin e dosjeve, ndërkohë që kreu i shtetit lejoi hyrjen në fuqi të këtij ligji duke heshtur. Gjatë periudhës prej 20 ditësh, Presidenti nuk mori asnjë vendim për ta dekretuar ose jo ligjin. Por në nenin 84 të Kushtetutës është parashikuar e drejta e Presidentit për të mos u shprehur për ligjin. Ligji i dosjeve u kundërshtua edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kërkuan rishqyrtimin e tij. Kreu i shtetit duket se e mori vendimin për të heshtur për këtë ligj pas konsultimeve që zhvilloi me grupe interesi, veçanërisht me shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Ligji aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, teksa shtresa e prekur ishte pro miratimit në Parlament të ligjit, por shprehu kundërshtitë pasi ligji ngushtoi hapësirën e personave të cilëve duhej t‘u hapeshin dosjet.

Kërkesa

Topalli, Kushtetueses:
Mos pezulloni ligjin

Kryetarja e Kuvendit i kërkoi Gjykatës Kushtetuese në shkurt të këtij viti në mënyrë zyrtare të mos pezullojë ligjin e dosjeve. Mospezullimi i ligjit të lustracionit dhe shmangia e konfliktit të interesit nga gjyqtarët që do marrin këtë ligj në shqyrtim, janë dy kërkesat bazë që Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Gjykatës Kushtetuese në letrën e dërguar për ligjin e dosjeve. "Nisur nga një pretendim i kërkuesve për pezullimin e zbatimit të ligjit ‘Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve‘, gjykojmë se një kërkesë e tillë nuk mbështetet në nenin 45 të ligjit "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese", thuhet në letrën e Kuvendit. Sipas saj, ky ligj nuk sjell pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore apo të individëve. Për më tepër pasoja të tilla nuk mund të jenë të menjëhershme për të justifikuar shqyrtimin për marrjen e masës së pezullimit përpara se kjo kërkesë të shqyrtohej në Seancë Plenare të Gjykatës Kushtetuese.

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top