Spiridon Ilo: Si e themeloi shtëpinë e parë diskografike shqiptare në Amerikë

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Niko Kotherja

Eshtrat e patriotit, këngëtarit, publicistit e veteranit të lëvizjes kombëtare, Spiridon Tasi Ilo prehen sot në varrezat publike të qytetit të Korçës. Më 1972 u dekorua me urdhrin “Për veprimtari patriotike” Klasi II. Më pas, me rastin e 80-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, dekorohet me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të Klasit të parë, me këtë motivacion: “Atdhetar i dalluar i Lëvizjes Kombëtare që ka dhënë një kontribut të madh për forcimin e shtetit të pavarur shqiptar”. Më 7 mars 2006, në ambientet e Pallatit të Kulturës në Korçë (aty ku ai 69 vjet më parë foli me rastin e 28 nëntorit 1937), iu dha titulli “Qytetar nderi i qarkut të Korçës (pas vdekjes)”.

Pas shumë mundimesh, munda të nxjerr pllaka të reja prej më së mirës kompani në bashkëpunim me profesorin shqiptar, të dëgjuarin tenor Giuseppe Mauro. Kënduam ato më të bukurat këngë kombëtare, të cilat anë e mbanë do himnojnë kombin e do të ligjërojnë gjuhën e bukur shqipe. Tingëllimi i këtyre pllakave në veshët e shqiptarëve do të jetë një gëzim i madh në zemrat e zhuritura të atdhetarëve. Andaj të dashur shqiptarë, ndihmoni duke blerë pllaka që të mund të nxjerrin edhe të tjera për lartësimin e kombit shyqiptar”. Kështu shkruante në organet e dekadës së dytë të shekullit XX, patrioti dhe artisti i shquar, Spiridon Ilo në New York. Duke kërkuar mundësi të reja për kultivimin e ndjenjës kombëtare ndër shqiptarët si jashtë ashtu edhe brenda atdheut, Ilo i ndodhur në Amerikën e një shekulli më parë, kreu një nga shërbimet më të çmuara të kulturës sonë kombëtare, një gjest që ndoshta ai nuk e kuptoi mirëfilli sa i rëndësishëm do të ishte për kulturës muzikore shqiptare, e sidomos të zonës prej nga ai vinte. Sot, fatmirësisht, kemi të ruajtura të gjitha regjistrimet e ‘ALBANIAN PHONOGRAPH RECORDS’, si në pllaka gramafoni, ashtu dhe të dixhitalizuara dhe regjistruara në CD.

Në kuadrin e regjistrimit të pasurisë gojore të popujve të tyre, ballkanasit, duke përfituar nga shpikja dhe masivizimi i fonografit, menduan që të përjetësojnë në ebanit materialet folklorike të vendeve të tyre. Në fillimin e shekullit që lamë pas, kjo veprimtari filloi të kthehej në një traditë interesante dhe te vlefshme për brezat e mëvonshëm.
Duke qenë gjithnjë “lakmitarë” të kësaj shpikje të re, që prej vitit 1860, kur për herë të parë në historinë e njerëzimit u regjistrua në 12 sekonda zëri i një gruaje gjatë këndimit në frëngjisht, evropianët punuan në perfeksionimin e regjistrimit të zërit, me qëllim që komunikimi të njihte faza më të thjeshtuara të tij, si dhe të dokumentoheshin në formën zanore momente të ndryshme të zhvillimeve historike dhe kulturore. Nga të parët shqiptarë të regjistruar në fonograf, përmendet zëri i Aleksandër Moisiut, kur në gjuhën gjermane, ai monologon nga “Fausti”, “Hamleti”, etj. Këtu duhet përmendur dhe regjistrimi i kryer në vitin 1914, i një banori nga Durrësi, i kryer prej profesor Nikolla Jorga, me qëllim studimin e shqipes.

Spiridon Ilo, i njohur me arbëreshin Giuseppe Mauro që prej kohës së veprimtarisë patriotike në Bukuresht, meqë ky i fundit ishte thirrur pranë operas metropolitane të اikagos, i propozon atij për bashkëpunim në regjistrimin e këngëve shqiptare dhe nga viti 1918 dy artistët tanë regjistrojnë në kompaninë “Columbia” një seri këngësh patriotike dhe lirike shqiptare, ndërmjet të cilave: “Hymni mbretëror”, “Betimi mi flamur”, “Rrofsh ti o flamur” dhe “Prandvera”. Nëse shohim me vëmendje botimin e librit “Dëshirat e zemrës” me autor Ilon, lexojmë se ai si fillim ka regjistruar edhe pranë shoqërisë “Victor”, të “His Master’s Voice”. Kërkimet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat pozitiv në gjetjen e të paktën një ekzemplari regjistrimi nën siglën e kësaj shoqërie.
Më në fund, pas rreth 5 vitesh regjistrime nëpër shoqëritë amerikane, Spiridon Ilo themelon në vitin 1923, në New York, shoqërinë e parë diskografike shqiptare, të quajtur “Albanian Phonograph Records – Records and phonographs ALBANIAN – The Spiridon Record CO”. Aty Spiridoni mblodhi disa instrumentistë dhe këngëtarë shqiptarë si Pando Opingari, virtuozi në fyell, Hysen Rodenji, këngëtar i njohur i këngës popullore nga Përmeti e të tjerë. Ilo vetë, shoqëronte këngët me kitarë, një vegël të cilën e zotëronte përkryeshëm.
Me anë të kësaj shoqërie, për herë të parë në ambientin shqiptar u prezantua e drejta e autorit – copyright.
Në “shtëpinë” e re të farkëtimit të muzikës patriotike dhe lirike shqiptare, në këtë “inkubator” nacionalist, që fare mirë mund ta krahasojmë me ngritjen e kishës së parë ortodokse shqiptare nga Fan Noli, u emetuan 15 pllaka gramafoni. Katalogu i plotë i këngëve të ‘ALBANIA PHONOGRAPH RECORDS’, vijon më poshtë:
1. “Marsh i shoqërisë Djalëria Korçare” – këndon
Spiridon Ilo
2. “Kënga e Korçës” – këndon Spiridon Ilo
3. “Oh! Nëma dashurinë” – këndon Spiridon Ilo
4. “Dëshërim i mëmëdheut” – këndon Spiridon Ilo
5. “Lamtumirë” – këndon Spiridon Ilo
6. “Muaji i Majit” – këndon Spiridon Ilo
7. “Kënga e bektashinjve” – këndon Spiridon Ilo, fyell Pando Opingari
8. “Valle Beratçe” – fyell Pando Opingari, kitarë
Spiridon Ilo
9. “Në plepi i Bilishtit” – ja merr Syrja Bilishti, ja pret Hysen Rodenji
10. “Kur vaditnje borziloknë” – këndon Hysen Rodenji
11. “Vemi o vemi” – këndojnë me orkestër
12. “Lul’ e bukur” – këndojnë me orkestër
13. “ Dale myzeqare dale” – violinë e santurë, këndon Hysen Rodenji
14. “Rritu moj bajame” – këndon Hysen Rodenji
15. “Valle Devolliçe” – fyell Pando Opingari
16. “Valle e Hasanajt”
17. “Valle Kasapçe”
18. “Avaz i Marenkës” – fyell Pando Opingari, kitarë Spiridon Ilo
19. “Avaz i Xhafit” – me violinë e llahutë
20. “Valle çamçe”
21. “Më të qarë” – kaba me gërnetë
22. “Polkë me Klarinetë”
23. “Polkë me orkestër”
24. “Vals me kitarë”
25. “La Paloma kolumbiane”
26. “Dy polka Ballkanike”
27. “Marsh i flamurit valo-valo” – këndon Spiridon
Ilo me bandën
28. “Valle grash” – grapcharche me orkestër
29. “Matchikles Pollka”
30. “Më të qarë” – fyell Pando Opingari.

Kur kthehet përfundimisht nga Amerika, në vitin 1926, Ilo solli me vete si relike dhe në shenjë kujtimi masterat e emetimit të këtyre pllakave, të cilat në kohë turbullirash në luftë e plaçkitje, i ruajti si materiale të vyera të kulturës sonë kombëtare. I ndodhur në vitin e dytë të çlirimit të vendit, në vitin 1946 i dorëzon kallëpet – mastera pranë Komitetit Ekzekutiv të Korçës, si dhuratë dhe shërbim që mendoi se jepte studimit të notave shqiptare. Por, edhe pse në organet e shtypit të asaj kohe, kjo u quajt si “një dhuratë e vlefshme”, këto kallëpe, meqenëse kishin material bakri, u shpërdoruan duke u vendosur si bazamente në antenën e Radio Korçës.
Spiridon Ilos i takon merita e regjistruesit të parë të muzikës shqiptare dhe i atribuohet vendi i nderit si kontribuuesi më i çmuar i traditës sonë muzikore, sepse ai prodhoi, interpretoi dhe promovoi Shqipërinë e shqiptarët në Amerikë e më gjerë dhe iu përkushtua artit në kohërat më kritike të zhvillimit të tij në vendin tonë.

Pak biografi...

Spiridon Anastas Ilo, ka lindur më 30 shtator 1876, në Korçë. Shkollën fillore e kreu në Korçë dhe po këtu vazhdoi gjimnazin grek. Më 1906 e shohim në Amerikë, ku aktivizohet në mjaft qarqe patriotike. Më 1 janar 1906 merr pjesë në themelimin e shoqërisë patriotike “Malli i Mëmëdheut” e më pas shoqërinë “Besa-Besë”. Më 1907, bashkë me Sotir Pecin e Kristo Kirkën, merr pjesë në delegacionin e caktuar nga Bostoni në ceremoninë e dorëzimit prift të Fan Nolit. Në kujtimet e tij Noli shkruan: “Në shugurimin prift morën pjesë në suazën e një delegacioni shokët e mij shqiptarë, Sotir Peci, botues i “Kombit”, Spiridon Ilo nga Bostoni, etj”. Në Amerikë, Spiridoni ndihmon botimet në gjuhën shqipe duke kontribuar me të holla.
Më 1909, pas shpalljes së hyrjetit, kthehet në atdhe dhe anëtarësohet në “Klubi i diturisë shqip”.
Gazeta “Lidhja orthodhokse” na bën të ditur se “Thanas Floqi në Merushe edhe z. Spiridon Ilo në rollë të Rexhepit, dëftyen një dashuri të gjallë”. Nga ky dokument, por edhe nga fotografia e grupit amator, kuptojmë se Spiridoni ka luajtur në dramën “Besa”, në shfaqjen e parë të saj, më 13 dhjetor 1909 në Korçë.
Më 14 shkurt 1910, Spiridon Ilo mori pjesë në mitingun e organizuan nga “Klubi i diturisë shqip”, tubim që njihet në histori si Mitingu për mbrojtjen e Shkronjave shqipe.
Më 23 prill 1910 largohet nga Korça për në Manastir, ku takohet me patriotët e atjeshëm e më pas përfundon në Bukuresht të Rumanisë, ku merr takime me figura të shquara të kolonisë së atjeshme të shqiptarëve. Nëntori i vitit 1912 e gjen në Bukuresht. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe del vetëdashës për të shkuar në Shqipëri e për të shoqëruar delegacionin që do të ngrinte flamurin.
Spiridon Ilo ka firmuar dokumentin e shpalljes së pavarësisë me siglën “Spiro T. Ilo”, si përfaqësues i qytetit të Korçës dhe ka dalë në fotografi me të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar.
Në prill të vitit 1914 kthehet në Korçë dhe qëndron në krah të Themistokli Gërmenjit, për shtypjen e puçit grek të atij viti. Pas turbullirave, Spiridon Ilo bashkë me Themistokliun e të tjerë largohet nga Korça për në Durrës, ku takon Princ Vidin e më pas emigron në Rumani. Nga Rumania shkon në Amerikë, ku vazhdon veprimtarinë e tij patriotike. Anëtarësohet në shoqërinë patriotike “Vatra”.

Për të përhapur edhe më shumë këngën patriotike e kombëtare, të cilën ai e quante mjet të fuqishëm në zgjimin e ndjenjave kombëtare, botoi në New York më 1916 një përmbledhje këngësh me titullin “Dëshirat e zemrës” me këtë mbishkrim: “Gjashtë dëshmorëve që vdiqën duke luftuar për atdheun në fushë të Korçës. Këtë libër u dedikoj Përmbledhësi”. Po më 1916, Spiridoni boton në Boston një komedi të shkruar prej tij me titull “Vërtet ëndërr”, dedikuar Sotir Pecit: “Këtë libër të vogël ia dedikoj atdhetarit të vyer, Z. Sotir Peci për veprat atdhesore dhe për karakterin e tij të patundur”. Përveç këtyre, Spiridon Ilo ka shkruar mjaft vjersha të tjera, si “Të gjithë ne, o djema”, “Sa bukur ronimë”, “Kujtim i paharruar”, “E bukur Era”, etj. të cilat janë botuar në shtypin e kohës si dhe në përmbledhje të ndryshme. Ka botuar disa pamflete muzikore me fjalë e nota, të cilat i shpërndau te shqiptarët e mërguar, me qëllim përhapjen e ndjenjave patriotike. Të tilla janë këngët “Hymni mbretëror” (me tekst të Loni Logorit e kompozim të tij), “Dëshërim i mëmëdheut”, etj.

Spiridoni është marrë edhe me pikturë. Në vitet ‘20, paraqiti disa gravura me përmbajtje thellësisht kombëtare. Nga ato mund të përmendim: “Flamuri Kombëtar”, “Luftëtari Kombëtar”, “Luftëtarja Kombëtare”, “Malësori me pushkë”, “Skënderbeu” (për figurën e të cilit ka pikturuar edhe dy gravura me përmasa të mëdha). Nëpërmjet këtyre punimeve dalin lehtësisht në pah idetë patriotike e përparimtare të Rilindjes sonë Kombëtare. Këto gravura i botoi në vitin 1920, në mijëra copë si kartolina apo kartpostale.


Spiridon T. Ilo, 1876-1950, është shkrimtar shqiptar.
Spiridon T. Ilo lindi në Korçë në vitin 1876. I biri i Anastas (Tasi) Ilo dhe Aleksandra Ilo. Së bashku me të motrën Vanthulla T. Ilo (Shomo) dhe të vëllain Tashko T. Ilo në moshë fare të re emigruan në Bukuresht, Rumani. Në Rumani, ai u lidh me organizatat patriotike shqiptare në mërgim. Në datën 5 nëntor 1912, Spiridon T. Ilo do të marrë pjesë mbledhjen e mbajtur në Hotel Kontinental të Bukureshtit, dhe të drejtuar nga Ismail Qemali. Në këtë mbledhje u vendos shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Sipas informacionit të djalit të tij, Spiridon T. Ilo mori flamurin shqiptar që zbukuronte sallën dhe e solli atë në Vlorë. Me datë 27 nëntor 1912, ai qëndroi në shtëpinë e tezes së tij Marigo Posio. Marigo Posio i qepi këtij flamuri një radhë thekësh dhe bëri disa ndryshime tek shqiponja. Ky flamur u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912. Spiridon T. Ilo mori pjesë në mbledhjen për shpalljen e pavarësisë si përfaqësues i Korçës, që në atë periudhë ishte nën pushtimin grek.
Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani. Në vitin 1916 emigroi në New York, SHBA ku hapi një kafene të vogël. Spiridon T. Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike Albanian Phonograph Records në SHBA në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, Albanian Phonograph Records luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940. Spiridon T. Ilo krey regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, të Albanian Phonograph Records, himni u këndua nga Spiridon T. Ilo dhe tenori arbëresh Giuseppe Mauro.
Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Mbas këtij viti, ai punoi si taksambledhës. Vdiq në Korçë në vitin 1950.
Autor i tekstit dhe muzikës së këngëve patriotike "Të gjithë ne o djema", "Eja mblidhuni këtu, këtu" etj.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top