Soumission

Arfenilla

Themelues i Forumit
"][/SOUMISSION", një roman i shkruar pas një leximit të thellë të KUR’ANIT
10422520_10153197140376514_8118974499711066851_n.jpg

« Soumission » është romani i gjashtë i Michel Houellebecq-ut, shkrimtarit francez shumë të lexuar e në mbi dyzetë gjuhë të përkthyer.. Ishte paraparë të dilte më 7 janar 2015, ndërsa në mes të dhjetorit të kaluar ai libër ende nuk kishte as titull…

Turneu francez i promovimit të librit, i paralajmëruar më 8 janar, një ditë pas vrasjeve e përgjakjes së redaksisë « Charlie Hebdo », u shty përgjithmonë. Autori u zhduk nga sytë e medias. U fsheh dhe jetoi nën mbrojtje policore. Vetëm më 19 janar ai doli para publikut duke marrë pjesë në mbrëmjen letrare të organizuar në Teatrin e Kِlnit ku, nën masa të larta sigurie u bë promovimi i romanit të tij « Nënshtrimi », botim i DuMont Buchverlag me titullin gjerman «Unterwerfung».

Houellebecq nuk është solidarizuar tërësisht me revistën satirike « Charlie Hebdo », duke thënë se revista ka përzier vaj me flakë. Ata ashtu donin të nxisnin njerëzit të mendojnë, por gjithmonë, sipas tij, ishte e qartë se ajo revistë ishte e papërgjegjëshme.

Fushata publicitare gjermane për shitjen e librit ishte përcjellë me pyetjen : « Cili libër do t’i përshtatej më mirë kohës sonë se sa romani « Nënshtrimi ? »


Ngjarja e romanit është e vendosur në vitin 2022, në kohën e zgjedhjeve presidenciale në Francë. Në përpjekjet që të pengojnë zgjedhjen e Marine Le Pen-it nga FN, parti e të djathtës ekstreme, socialistët e François Hollande-it dhe dhe konservatorët e Nicolas Sarkozy-së, humbës në turin e parë, vendosin të përkrahin kandidatin e moderuar nga Vëllazëria Muslimane, Mohamed Ben Abbes, i cili në përballjen direkte në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale mposht pretendenten e Frontit Nacional duke u zgjedhur si i pari president musliman i Francës. Menjëherë nisin ndryshimet: Gratë zënë të braktisin stilin perëndimor të veshjes, lënë punën dhe merren me fëmijët, edukatoret jomuslimane mbesin pa punë, lejohet poligamia…

Kështu në fiksionin, satirën ose profecinë e shkrimtarit Houellebecq paraqitet Franca 2022.


Narratori i romanit, François, profesor universiteti, ateist, specialist i Joris-Karl Huysmans–it, shkrimtarit e kritikut francez të artit (1848 - 1907), emërtim i vënë jorastësisht nga shkrimtari sepse François paraqet arketipin e Francezit, asiston në këtë zhvillim të pabesueshëm elektoral, duke qenë edhe vetë i mbërthyer edhe me problematika jetësore personale, të cilat kanë të bëjnë me karrierën universitare si dhe me ankthin se më nuk do të ketë mundësi që si më parë të ngashmojë e të pushtojë femra. Në momentet e krizës politike që kalon Franca dhe ai vetë, përballë tallazesh të fuqishëm shoqërorë, atij i shfaqet një personazh i çuditshëm me emrin Alain Tanneur, një njeri i shërbimeve të fshehta. Nga ai do të marrë çelësin e të kuptuarit real të gjendjes që do ta çojë te pranimi i idesë së nënshtrimit një pushteti musliman.

Presidenti i ri, Mohamed Ben Abbes është një burrë i sjellshëm, plot kurtoazi, përfaqësues i një islami të moderuar, sjelljet e të cilit askend nuk e nxisin në kundërshtim apo revoltë.

Kritikët letrarë këtu shohin gjenialitetin e Houellebecq-ut, i cili në romanin e tij i bën autopsinë Francës së sotme. Ben Abbes debaton me kulturë edhe me zonjën Le Pen. Ai don një islam të moderuar e të pranueshëm. Ai bën bashkë partitë e djathta e të majta, cakton për kryeministër François Bayrou-në, emër real i një politikani të sotëm francez. Le ta them se të gjithë personazhet e romanit me përjashtim të Mohamed Ben Abbes dhe deridiku të narratorit François, janë emra realë të politikës aktuale franceze.

Narratori François, si edhe bandillë të tjerë, ndjehet i përmbushur dhe i kënaqur : presidenti i ri musliman lejon poligaminë. Kështu ai do të jetë në rregull me shuarjen e etjeve të tij seksuale. Ai pastaj ka tri gra, njëra më e vjetër për punë shtëpie, dy të tjerat, ndër to edhe një pesëmbëdhjetëvjeçare për në krevat…

Për më tepër presidenti Mohamed Ben Abbes është politikan i një vizioni të butë socialdemokratik. Nga ky fakt ardhja e tij në postin më të lartë farncez sikur nuk shokon askend.

I vetmi kusht i tij është futja e ligjërimeve koranike në studimet e përgjithshme. Duke qenë se sistemi arsimor është në gjendje shpartallimi, askujt nuk i vjen keq për fundin e tij. Sorbona vetë do të bëhet universitet koranik dhe kjo nuk do të has në kurrëfarë kundërshtimi Secili dëshiron që në kushte të reja të ruajë vendin e vet të të vjetër…

Michel Houellebecq përmes romanit të tij i shkon përdore që të vërë në skenë një të ardhshme të afërt, të cilën askush nuk do të dëshironte as ta mendonte, e cila përndryshe përmban të gjithë elementet e të mundshmes. Ardhja e një presidenti musliman në Francën e 2022 është e qetë, njerëzit i gëzohen mosardhjes në pushtet të fashistëve, alternimi bëhet në mënyrë paqësore, pa luftë qytetare dhe as pa trazira në rrugë, pa islam që këput koka, pa rrahje me gurë as pa dhunim femrash. Një përshtypje si tek « Më e mira e botëve » e Huxley-it… !

Nënshtrimi ndodh në mënyrë të qetë dhe pothuajse konsensuale, me pajtim e pa asnjë kundërshtim. Përballë një shkërmoçjeje të tillë politike, Republika islamike për Francën bëhet një opsion si gjithë të tjerët.

Në gjendje shkretërimi të vendit, petrodollarët e shteteve të Golfit i blejnë të gjitha. Në gjendje boshësie intelektuale cilido diskurs ka mundësi imponimi. Përballë një ateizmi të përgjithshëm, islami mund të zërë vend.

Michel Houellebecq ka shkruar një roman të madh mbi shpërbërjen intelektuale, morale e shpirtërore të Francës.

Prandaj libri ende pa dalë nga shtypi kishte shkaktuar polemika aq të ashpra, pastaj edhe shitje rekorde.

Kritikët ia zënë për të madhe autorit nxitjen e islamofobisë, ndërkohë që shkrimtari pesëdhjetë e shtatë vjeçar vjeçar(nuk dihet nëse ka lindur më 1958 apo 1956!), përgjigjet se romani « Soumission » nuk është vepër e menduar që të nxis frikën e komunitetit islam, se romani i tij nuk ishte i menduar si provokacion, as si erë në velat e ekstrimi të djathtë fashist të Francës. Thotë se në roman ka dhënë vizionin e mundshëm realist. Ndërkohë shton se frikën e ka përdorur si taktikë, kështuqë lexuesi nuk është e qartë se kujt në fakt do të duhej frikësuar më shumë : nacionalistëve apo muslimanëve… Prandaj, këtë çështje e ka lënë të hapur për lexuesin.
Redaktori i gazetës Liberation Laurent Joffrin ka shprehë mendimin se romani në fjalë do të shënohet si vepër e cila në letërsinë serioze franceze sjell idetë e të djathtës ekstreme. Para disa vitesh Houellebecq ishte akuzuar për përhapje të mosdurimit fetar dhe racor, pasiqë me rastin e daljes së librit të tij «Platforma», në intervistën për revistën letrare « Lire » ishte shprehur për islamin si për religjionin më të çmendur. Gjyqi i vitit 2002, autorin e shpalli të pafajshëm. Shumë shkrimtarë e kishin kuptuar gjyqin e tij si mohim të të drejtës së shprehjes.

Më vonë, por edhe tash me rastin e daljes së librit « Nënshtrimi », Michel Houellebecq deklaron se ka ndrruar mendimin e tij lidhur me Islamin dhe se pas leximit të dytë dhe të thellë të Kur’an-it, atë e konsideron të përshtatshëm për Republikën. Për më tepër është i mendimit se muslimanët në Francë nuk duhet të jenë si deri tani të papërfaqësur, por duhet të kenë mundësinë e përfaqësimit të tyre me një parti islamike, njësoj siç ekziston në Francë një parti kristiane ose në Gjermani Partia Demokristiane. Në intervistat e shumta që kanë pasuar daljen e romanit « Nënshtrimi », Michel Houellebecq ka treguar gjithë talentin e tij të rrallë në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij për politikën e për fetë përballë intervistuesve apo kundërshtarëve të tij. Nuk duhet lënë pa përmendur se jo pak nga politikanët e intelektualët francezë i mveshin Hoellebecq-ut rreshtimin e tij me fashistët dhe për idetë e tij antievropiane. Ai mohon animin me të djathtën fashiste franceze, ndërsa i qëndron fuqishëm kundërshtimit të qenies së Francës në Europë, duke përmendur se ai është absolutisht kundër, prandaj ai nuk voton që nga 2005-ta, kur në referendumit për po-në ose jo-në për Kushtetutën evropiane, megjithë refuzimin me mbi 55 përqind të votave, Franca pranoi Kushtetutën përmes votës së diskutueshme parlamentare…

Ndër vërejtjet e shumta të cilat i janë shtruar autorit, është edhe ajo që u përmend më lart dhe që lidhet me një deklaratë gjatë një interviste tepër të alkoolizuar mbi Islamin e Kur’anin, te revista letrare mujore « Lire » e vitit 2000. Shkrimtari thotë se ai e ka ndrruar mendimin e tij negativ mbi islamin, pasiqë më parë nuk e njihte atë dhe ishte mjaftuar vetëm me shfletimin e Kur’anit, ndërsa më vonë i është futur leximit të thellë të tij.
Michel Houellebecq thotë se para se ta shkruante, bile edhe për ta shkruar romanin « Soumission », më parë dhe për atë qëllim i ishte futur një leximi tjetër të thellë të Kur’anit, për të cilin rektorit të Sorbonës së islamizuar, Robert Redeker, i vihet në gojë mendimin se libri i shenjtë i muslimanëve është « një poem mistik i lavdisë së pakufishme ».


Po, romani mund dhe do të interpretohet edhe ndryshe, por autori në të gjitha paraqitjet e tij ka mohuar islamofobinë dhe urrejtjen ndaj muslimanëve dhe duke pohuar se leximi i Kur’anit e ka bindur se Islami është kompatibël me Republikën.

Braktisjen e Europës nga Franca ai e kompenson me idenë e lidhjes së saj me Afrikën, vendet muslimane dhe Mesdheut, ide të cilat jo rrallë përmenden në debatet serioze të historianëve, gjeostrategëve e intelektualëve jo vetëm francezë. Edhe Mohamed Ben Abbes ndan ide të ngjashme. Bile një ditë ai e imagjinon veten edhe si president i Evropës.
Derisa disa e gjykojnë librin si të rrezikshëm për shoqërinë, të tjerët shohin te Houellebecq-u George Orwell-in francez, duke e konsideruar veprën e tij profetike për sa i takon depërtimit të islamit politik në Francë.
Duhet përmendur se shkrimtari Houellebecq me librin e tij të fundit as nuk është më shumë as më pak skandaloz e provokativ se sa në librat e tij të mëparshëm, kur provokonte duke pshtyrë mbi idealet e ’68-ës, me përshkrimet e turizmit seksual, me qërim hesapet me nënën e tij, me liberalizmin ekonomik e me liberalizmin seksual kalifornien si shkatrrimtarë të Evropës e të botës

S.KABASHI


10988508_10153197140386514_1961221925236791607_n.jpg
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top