Si shqiptarët e bënë Francën atdhe të dytë

Love

βeℓℓe â๓e
Shkrimtari dhe diplomati i njohur Luan Rama ka botuar së fundmi një librin “Tek Frakët”, një libër me vlera të mëdha publicistike, por edhe historike.

te-franket-kpertina.Larte_.-jpg-300x211.jpg


Këtë libër, Rama ia dedikon emigracionit shqiptar në Francë. Histori, personazhe apo ngjarje në këtë libër të treguar mjeshtërisht nga Rama tregojnë se si shqiptarët e bënë Francën një atdhe të dytë.

“Nëse për emigracionin në Itali dhe në Greqi është shkruar shumë në kronikat mesjetare dhe moderne, mbi emigracionin në vendin e frankëve, dëshmitë në Shqipëri kanë qenë pak të njohura apo të mos themi aspak deri para disa vitesh. Një libër si Les chemins d’exil, i botuar nën drejtimin e albanologut të njohur Alain Ducellier i ka bërë jehonë emigracionit shqiptar në Italinë e jugut e të veriut, para dhe pas epokës së Skënderbeut; po kështu dhe një studim i historianit Paolo Petta, por një histori e tillë paralele për shqiptarët e emigruar në vendin e frankëve nuk është shkruar, aq sa dhe kur u ngrit Muzeu i Emigracionit në Paris, për shqiptarët në Francë informacioni ishte fare i pakët. Pra duhej bërë një punë kërkimore, jo vetëm me arkivat dhe librat e historiografisë franceze, por duheshin takuar dhe ata shqiptarë, prindërit e të cilëve kishin ardhur në Francë në fillimin e shekullit XX, të cilët mund të tregonin historinë e të parëve të tyre dhe atë lidhje të vazhdueshme që u vendos midis tyre dhe vendit të tyre të adoptimit: Francës. Por sigurisht, duhej nisur nga fillimi i emigrimeve të para në histori, që në kohën e mesjetës”, shkruan Rama në parathënien e librit.

Në këtë libër me vlera të rralla ju do të lexoni se çfarë ndodhi në jetën e këtyre njerëzve që nga shkaqe të ndryshme, ekonomike, politike, personale, e lanë një vend për të gjetur strehë në një vend tjetër?
Cila ishte rruga e tyre e adoptimit dhe e integrimit dhe a ishte vallë kjo e lehtë?
ا’ndodhi me pinjollët e mëpasmë të tyre dhe si u bë integrimi në një gjuhë dhe kulturë të re, të panjohur më parë?
Cilat ishin kodet e reja të integrimit dhe si është transmetuar vallë kujtesa nacionale?…

Gazeta “Tirana Observer” boton një pjesë të shkëputur nga libri i Luan Ramës. Kjo pjesë bën fjalë për emigracionin shqiptar në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

37.-Albanais-de-Lyon.jpg


Emigrantë shqiptarë në kohë lufte
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, emigrantët shqiptarë, duke përfshirë të gjitha ngjyrat politike, u organizuan për të shprehur revoltën e tyre. Gazeta Sazani shkruan për mbledhjen në sallën “Wagram” të organizuar më 9 prill 1939 dhe hapur nga Qamil اela dhe Bedri Pojani, në “Avenue Eagram“, me mbështetjen e deputetit francez Justin Godard dhe personaliteteve të tjera franceze, mes të cilëve dhe ish profesorët e Liceut të Korçës Léon Perret, Maraval, etj, ku u mbajtën fjalime, u hodhën parulla antifashiste si dhe u kënduan himni shqiptar dhe ai francez. Salla “ثagram“ ishte mbushur plot e përplot me studentët shqiptarë dhe emigrantët puntorë, siç e përshkruan në kujtimet e tij dhe Godard: Justin Godard flet në krye të manifestuesve të revoltuar: «Kauza e popullit shqiptar, që ka derdhur gjakun e tij për pavarësi, është njëkohësisht dhe kauza e gjithë popujve të tjerë të kërcënuar nga imperializmi dhe diktaturat». «Ishte një mbrëmje e ngrohtë pranverore, – shkruante Godard në kujtimet e tij për këtë natë. – Parisi ishte boshatisur, por salla Wagram, ishte mbushur nga një turmë e mbarsur plot dhimbje, që klithte me të madhe zemëratën e vet. Mitingu ishte improvizuar brenda pak orësh nga shqiptarët që banonin në Paris. Në sajë të tyre, Parisi mundi të shmangë një turp për vetveten, atë që lejoi kryerjen e një krimi të tillë të pashoq, atë që nuk protestoi dhe nuk shprehu asnjë shenjë solidariteti në favor të atyre që në të njëjtin çast zbraznin fishekët e tyre të fundit në bregoret e ndriçuara nga hëna, ku tri ditë më parë vajzat e tyre hidhnin valle në festën e lindjes së një fëmije». Në mendjen e Godard, do të mbesnin për vite me rradhe imazhet e asaj nate me «les étudiants albanais, groupés autour de leur drapeau rouge au grand aigle noir, entonnèrent la Marseillaise.»

Manifestimin në sallën «Wagram» e kujtonte dhe Jusuf Vrioni, i cili ishte i pranishëm. «Të gjithë të rinjtë shqiptarë që ishin në Paris u mblodhën atje, – më tregonte ai. – Bashkë me shumë të rinj ne u mblodhëm në legatën shqiptare ku hartuam një telegram, të cilën e lexova në sallën «Wagram» gjatë mitingut për mbrojtjen e pavarësisë shqiptare. Por nga dita në ditë ne kuptuam indiferencën e fuqive demokratike rreth ngjarjes shqiptare dhe kjo na dëshpëronte». Në ditët e para të prillit të vitit 1939, në Paris ishte dhe Shefqet Ndroqi. Ai kishte ardhur në Francë që në vitin 1933 dhe vitin përgatitor për studimet në mjeksi e kishte bërë në universitetin e Tours. Dy vjet të tjera i kishte vazhduar në Toulouse dhe tri vjetët e fundit i kishte përfunduar në «Ecole de Medecine de Paris». Siç kujtonte doktor Ndroqi, në një gazetë franceze ai kishte lexuar se trupa të shumta ushtarake ishin mbledhur në Brindizi gati për të pushtuar Shqipërinë. «Bashkë me Hiqmet Dibrën ne shkuam ato ditë në Rue Monsieur le Prince, – kujtonte ai. – Në restorantin «Chez Lazar», të mikut tonë përmetar, organizohej një takim. Aty ishte dhe Ymer Dishnica, Fiari Dishnica, Burhan Juka, Nuçi Koço Kota, Petrit Hoxha, etj. Duke qenë organizator i kësaj mbledhje, mora fjalën dhe përmenda artikullin e gazetares Geneviève Tabouis… Folën dhe të tjerë. Vendosëm t’i dërgojmë një letër Zogut. I dërguam një telegram dhe kryeministrit francez Daladier dhe ministrit të Jashtëm, Bonnet…”

Një manifestim shumë entuziast ishte zhvilluar dhe në bashkinë nr.6 të qytetit Lyon, ku shqiptarët u mblodhën rreth ish deputetit Maurice Rolland. Një manifestim tjetër u organizua me shqiptarët e Grenoble-s, ku studentë e punëtorë të asaj zone u mblodhën në sallën e bashkisë së qytetit. Por ata demonstruan dhe para konsullatës italiane, siç kujtonte Mahir Domi, student në Fakultetin e Letërsisë në atë kohë dhe sekretar i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Grenoble-s e më pas i Kolonisë shqiptare të Grenoble-s. Në Arkivin Qendror Shqiptar ruhen shënimet dhe dokumentet e Mahir Domit lidhur me statutin e hartuar të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Grenoble-s, në frëngjisht, i shpërndarë dhe në mitingun që këta studentë bënë në Grenoble më 20 prill të vitit 1939 dhe ku ndër të tjera shkruhet se «Populli shqiptar do të luftojë gjithnjë siç ka vepruar ndër shekuj kundër shtypësve fashistë. Ndihmoni popullin shqiptar në luftën e tij që gjithashtu është juaja dhe e paqes për t’i dhënë fund ligjit të xhunglës. Grenoblezë! Të gjithë në mitingun e organizuar nga studentët shqiptarë të Grenoblit në sallën e koncerteve, të enjten, 20 prill 1939, në orën 20.30… »

Në kujtimet e tij “Fletë nga jeta ime”, shkrimtari dhe studiuesi i njohur Dhimitër Shuteriqi, i cili ishte atëherë student në degën e Filozofisë në universitetin e Grenoble-s, ka shkruar: «Në Grenoble ne organizuam menjëherë të nesërmen, një miting përpara legatës italiane. Na ndihmuan shokët tanë studentë, partitë e së majtës, por edhe të së djathtës… Në mes të muajit organizuam një miting të dytë, në një sallë të madhe mbledhjesh të Bashkisë së qytetit, e cila merrte rreth një mijë vetë e që mori jo më pak se një mijë e pesëqind. Iu drejtuam, për këtë, tërë partive politike, që nga ajo komuniste gjer te ajo fashiste e Laroque-ut, dhe s’na mungoi asnjëra. Mitingu jonë ishte i një suksesi që s’mbahej mend për kaq e kaq mitingje të asaj salle të Bashkisë së qytetit Grenoble! Atë e hapi vetë zoti Kryetar i Bashkisë, me një fjalë të shkurtër patetike. Unë mbajta fjalën e rastit dhe salla më duartrokiti shpesh, se rasti e donte dhe miqtë e shokët i kishim të shumtë aty. Folën pastaj gjithë partitë franceze që përfaqësoheshin në Grenoble, nga komunisti te fashisti (ky ishte një profesor i ri i drejtësisë në universitet). Unë fola edhe në mitingjet në Lyon e në St-Etienne, në Firminy nuk di kush foli, në Paris foli Qamil اela… Nga shqiptarët e Parisit, kujtoj Kolë Papariston, që studionte shkencat e natyrës, dhe Ptoleme Xhuvanin, që studionte drejtësinë. Shqiptarët e Grenoble-it dërguan atje Petrit Dishnicën dhe mua.

Kundër pushtimit të Shqipërisë nga ushtria musoliniane, zhvilluan protesta dhe shqiptarët e Saint-Etienne, të Saint-Chamond, Ricamarie, Firminy, etj, të cilët u mblodhën në një miting prej 500 vetësh duke shprehur gadishmërinë që të organizoheshin për të shkuar dhe luftuar në Shqipëri. Këtë dëshirë të shqiptarëve për të shkuar në Shqipëri, e përmend dhe Léon Rey, drejtuesi i Misionit Arkeologjik Francez në Shqipëri, i cili e dënoi menjëherë agresionin fashist dhe me dëshpërim të madh konstatoi jo vetëm shkeljen e lirisë së një populli të pambrojtur, por dhe shkatërrimin e muzeut arkeologjik të Vlorës ku ishin vendosur shumica e zbulimeve të tij në Apolloni, statuja, amfora dhe vazo të shekullit V-të para erës sonë. Ja çfarë i shkruante ai drejtorit të gazetës politike Journal des Débats: “Zoti Drejtor. Nga burime të sigurta jam informuar se shqiptarët që jetojnë në Francë nuk kanë marrë nga qeveria franceze autorizimin për të krijuar që tani një legjion shqiptar… Aktualisht nuk po i bëhet jehonë një fakti të tillë, por në të kundërt unë mendoj se kjo jo vetëm nuk përbën ndonjë kundërshti, por do të ishte e nevojshme për të informuar opinionin publik se shumica e shqiptarëve që banojnë në Paris dhe në provincat e tjera, që janë në moshë për të mbajtur armë, në mënyrë spontane janë angazhuar në ushtrinë tonë duke treguar kështu një dëshmi prekëse e dashurie për Francën dhe idetë që ajo mbron, dëshmi që ata nuk kanë rreshtur së treguari…» Në rajonin e Lyon-it dhe gjithë zonën qymyrgurore, ishte gazeta Le Patriote që lajmëronte për manifestimet e sindikalistëve francezë kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
“Pas pushtimit të Shqipërisë, – ka shkruar Ali Këlcyra, i cili vazhdonte të qëndronte ende në kryeqytetin francez, – ne qëndruam në Paris për shumë muaj. Nuk shpresonim më në asnjë ndihmë të vendeve ballkanike në ndihmë të vendit tonë, sepse na kishin zhgënjyer kaq hidhur. Ne i bëmë thirrje qeverisë së Daladier-it, me anë të miqve tanë, Justin Godard, De Monzie dhe Guenet, të gjithë ish-ministra, për të gjetur përkrahje për organizatën tonë nga qeveria franceze.

Ne donim të vazhdonim luftën tonë në mërgim. Unë pata një bisedë të gjatë për këtë çështje me shefin e kabinetit të kryeministrit Daladier, i cili ishte caktuar nga z. Daladier të ekzaminonte propozimet e mia me shkrim. Ai më tha se kryeministri Daladier dhe gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Francë, ishin të mendimit se vazhdimi i mërgimit tonë nuk do ta ndihmonte Shqipërinë në asnjë mënyrë. Ai deklaroi se e mira jonë ishte të ktheheshim në Shqipëri sa më shpejt të ishte e mundur, të prisnim aty rastin e volitshëm për të shpëtuar vendin dhe të organizoheshim në bashkëpunim. Në përputhje me këtë këshillë ne u larguam nga Parisi, dy javë para nisjes së luftës dhe nga fundi i gushtit 1939, hymë në vendin tonë të skllavëruar…”

Pikërisht në këtë kohë, një grup antizogistësh kërkuan që ta linin Francën dhe të ktheheshin në Shqipëri. Meqë në Shqipëri tashmë ishin fashistët italianë, ata iu drejtuan autoriteteve italiane që të mundësonte kthimin e tyre në atdhe. Midis tyre ishin dhe Qazim Mulleti, Qazim Koculi, etj. Pas ikjes së tij nga Viena, meqë ishte implikuar në atentatin e organizuar kundër Zogut, Qazim Mulleti ishte bashkuar me vëllain e tij Hysni Mulleti që jetonte në Paris. Bashkë me të kishin hapur një restorant afër “Harkut të Triumfit”. Meqë në fillim ata nuk morën përgjigje nga autoritetet italiane për kthimin e tyre, sepse ata nuk donin që antifashistët të ktheheshin në Shqipëri, ata iu drejtuan Lidhjes së Kombeve dhe pas kësaj erdhi përgjigja se ata mund të ktheheshin. Kështu, në ditët e para të majit të vitit 1939 ata u kthyen. Ndryshe nga ata, Jakup Mahmuti, nga اamëria, i cili ishte larguar nga Shqipëria bashkë me Fan Nolin dhe në vitin 1929 ishte bërë anëtar i P. K. F. nuk u largua nga Franca, por në Paris ai qëndroi i lidhur me përfaqësuesit e rinj të Shqipërisë së pas luftës. Në gusht të vitit 1939, gazeta Sazani i bënte jehonë përpjekjeve të emigracionit shqiptar për tu bashkuar në një front të vetëm antifashist. Nën titullin «Kongresi i Parisit» shkruhet për mbledhjen e dhjetë delegatëve shqiptarë, katër nga Parisi dhe gjashtë nga Lyon, pellgu i Loire, Isere et Rhône, për formimin e «Federatës së Gjithë Shqiptarëve të Francës» me një komitet prej pesë personash si, Vangjel Dimitriades (nga Isere e Loire), Qamil اela (sekretar i Federatës), Maliq اami, Said Kryeziu dhe Ymer Dishnica, i cili ishte në vitin e fundit të studimeve të tij në Fakultetin e Mjeksisë në Lyon, ku kishte një grup mjaft të bashkuar studentësh shqiptarë.

Ahmet Zogu u kishte dërguar disa letra kryetarëve të qeverive të vendeve aleate, duke shprehur gadishmërinë që shqiptarët jashtë atdheut ishin gati të rreshtoheshin përkrah forcave aleate, por i vetmi që iu përgjigj ishte gjenerali De Gaulle, i cili kishte shkuar në Londër dhe kishte krijuar «La France Libre». Në përgjigjen e datës 3 dhjetor të vitit 1941, gjenerali i shkruante: «Madhëria juaj mund të sigurohet se Franca, edhe pse është e shkatërruar nga lufta dhe okupacioni i huaj, bashkohet me vuajtjet e popullit shqiptar dhe i mbetet besnik ndjenjave të simpatisë tradicionale midis dy popujve»… Pas kësaj, shumë ish oficerë e luftëtarë ruajalistë u integruan në forcat e gjeneralit De Gaulle në Levante, siç ishin Adem Shehi dhe Faik Elmazi, zv.leitnanti Rexhep Bajraktari apo sergjenti Ismail Shemsedini. Nipi i Zogut, Hysen Doshishti Agolli, i cili kishte mbaruar studimet ushtarake në Akademinë Ushtarake Franceze “Saint-Cyr”, «iu bashkua “La Legion Etrangère” dhe luftoi me unitetet shqiptare të “FFL” në Levant». Ai bënte pjesë në Batalionin e VI «de marche» të Brigadës së III të infanterisë të Forcave Mobile të Levant-it. Interesante janë dhe faktet e botuara së fundi nga studiuesi Auron Tare lidhur me shërbimet sekrete angleze dhe Shqipërinë, ku Zyra e Shërbimit Sekret Anglez në Stamboll raportonte se «një grup shqiptarësh janë rekrutuar vullnetarisht për të luftuar në Palestinë me forcat e gjeneralit De Gaulle», (15 korrik, 1942). Ai informon dhe për disa letra të vullnetarëve shqiptarë që gjendeshin atëherë në Haifa, (Palestinë), të cilët kërkonin që të mos i bashkonin me forcat greke, pasi nuk donin të mbanin shenjat greke apo serbe». Oficerët e shërbimeve të fshehta angleze shkruajnë rreth Ismail Shemsedinit nga Mati, Faik Elmazit nga Mati, Rexhep Bajraktarit nga Hasi, Adem Shehit nga Bulqiza, etj. Ndërsa për regjistrimin e Hysen Doshishtit, shkruhet në dokumentet e forcave «Les Forces Libres» të gjeneralit De Gaulle: “engagement dans la France Libre: Londres, en février, 1942».

Petro Marko, duke vazhduar tregimin e tij rreth Francës, në “Intervistë me vetveten”, shkruan dhe për një episod kur ai donte të luftonte krah francezëve kundër ushtrive gjermane që rrezikonin nga veri-lindja. Atij i kishin thënë se ish vullnetarët shqiptarë të Spanjës mund të futeshin në ushtrinë franceze dhe ai shkoi të angazhohej në «Quatrième Génie», ku shumica e ushtarëve siç thotë ai, ishin nga Pyrennés. «U vesha si ushtar francez… këndonin këngë revolucionare dhe kur morrën vesh se isha nga vullnetarët e Brigadave Internacionale më respektuan akoma më shumë. Ndenja nja 40 ditë. Pastaj më thirri një major i shkurtër, me manokël dhe një fytyrë të vrerosur. Sapo u paraqita, ai brofi në këmbë: “Ju jeni shkaku i luftës! Ju jeni kasapët e Spanjës dhe tani po bëheni kasapët e Evropës me dy kriminelë në krye: Hitlerin dhe Stalinin!… Shkova dhe dorëzova pajisjet dhe u vesha me teshat e mia civile. Kur isha në mes të oborrit dëgjova një zë: “Camarade albanais»… Prit!… Mu afrua një ushtar francez dhe më dha dorën duke thënë: «Mos u mërzit se fitorja është e jona. Këtë e ke nga kompania jonë. ثshtë për ty”. E pashë atë kartmonedhë që më dha. Ishin 1000 franga. Më pas në Komisariat më thanë: «Ke dy rrugë: ose të kthehesh në kampin e përqëndrimit ose të largohesh nga Franca. U mendova ca dhe u thashë: «Dua të kthehemi në vendin tim»… Kështu, edhe pse rrezikonte të kthehej në Shqipëri ku ishin fashistët italianët, të cilët i kishte luftuar dhe kishte demonstruar kundër tyre, ai vendosi të kthehej. Ky luftëtar dhe anëtar i Partisë Komuniste Franceze u detyrua ta lërë Francën e tij të dashur, të cilën do ta ruante gjithnjë në zemër.
Refugjatë, bomba dhe luftë

Me hyrjen e Francës në luftë kundër Gjermanisë naziste, gjendja e emigracionit shqiptar u vështirësua shumë, pasi së pari, ajo u bë tepër e vështirë për vetë francezët. Pikërisht në këtë kohë, mbreti Zog me shpurën e tij ishte vendosur në Paris dhe në rrethinat e Parisit. Me afrimin e ushtrive hitleriane drejt Parisit, Zogu me shpurën e tij u nis me urgjencë drejt Royant, ku më së fundi kapi për fat anijen e fundit ushtarake angleze që do të shkonte drejt brigjeve angleze. Ndërkohë disa studentë vazhduan të qëndronin në Francë, kurse të tjerë u kthyen në Shqipëri për të luftuar kundër okupatorëve. Hasan Jero, ish student në Paris, ishte në Romë kur Franca u sulmua nga ushtria hitleriane. «Shkova menjëherë në ambasadën franceze, – më tregonte vite më parë ai, – për tu bërë vullnetar krah Francës. Atëherë na jepnin ca kartona të kuqe, që tregonin se ishim vullnetarë»…

Mjeku i ri Shefqet Ndroqi, u angazhua në spitalin e Fontainebleau-së dhe shoqëroi të sëmurët gjatë evakuimit të tyre drejt jugut francez përmes bombave, duke u shquar me shembullin e tij të guximshëm. Këto çaste të paharruara ai i tregon dhe në librin me kujtime të botuar vitet e fundit të jetës së tij Një jetë për jetën, i cili më pas u botua dhe në frëngjisht. Ishte verë e vitit 1940. Nga spitali i Fontainbleau-së, njëra pas tjetrës makinat e mbushura me të sëmurët nisën të largoheshin me shpejtësi dhe në mënyrë kaotike. Avionët fluturonin në ajër dhe secili bënte ç’të mundë që të çante përpara dhe të largohej sa më shpejt drejt jugut. Dy autobusët e doktorit të ri iu drejtuan rrugës së Orléan-it. Pranë tij 45 fëmijë që e shihnin me ankth, me sy të frikshëm, pa guxuar ta pyesnin. Të gjithë ndiqnin plot tmerr uturimën e avionëve gjermanë që afroheshin, që uleshin pikiatë dhe qëllonin mbi rrugën e ngarkuar plot ushtarë në tërheqje, makina, karroca të ngarkuara me orendi shtëpijake, biçikleta, karroca fëmijësh e gjithçka. Kalvari i atij udhëtimi do të vazhdonte gjer në Perigeux, një qytet mesjetar mes Bordeaux dhe Toulouse.

Gjatë luftës, shumë familje shqiptare të pellgut të Lyon-it e Saint-Etienne-it qëndruan, ndërkohë që të tjerë, ata që ishin komunistë dhe simpatizantë të majtë, shkuan të luftonin në Shqipëri, ndër të cilët, gjithë familja Nushi, ku njëri nga djemtë, Kozma Nushi, do të arrestohej dhe do të vdiste në kampet e përqendrimit. Xhemal Mustafa me familjen e tij, me Olimbinë, Pierre dhe katër vajza të tjera qëndroi në Saint-Etienne.

Shembulli i familjes Nushi ishte i veçantë, pasi ata i dhanë gjithçka luftës për çlirimin e Shqipërisë. Kozma Nushi u internua në kampet e përqëndrimit nazist nga ku nuk u kthye më. Po ashtu e veçantë ishte dhe veprimtaria e gjirokastritit Fehmi Muço si anëtar i Rezistencës Franceze, i cili u kap nga Gestapo dhe u pushkatua në Firminy, ku dhe sot është pllaka përkujtimore e tij. Në Lyon, përmetari Eli Jani organizonte mbledhje të Rezistencës Antifashiste me «Mouvement de la Jeunesse Communiste». Madje bëheshin dhe mbrëmje ku shiteshin distinktiva për të ndihmuar grupet e rezistencës franceze. Në kohën e eksodit të madh të francezëve në vitin 1940, kur ushtria hitleriane përparonte drejt Parisit nga veri-perëndimi, shumë familje shqiptare tentuan të ktheheshin në atdhe, por lëvizja atë kohë u bë e vështirë. Disa familje shkuan drejt jugut, siç ishte dhe familja Sheh e cila u vendos në Jura ku qëndroi deri në mbarimin e luftës, për tu kthyer pastaj në Paris. Xhemal Mustafa nga Këlcyra, minator, ishte i lidhur gjithashtu me Rezistencën. Siç kujton bija e tij, Olimbi Xhemalçe, “gjatë luftës kishim frikë se mos e arrestonin babain dhe e çonin familjen në kampet e përqendrimit. Atëherë shumë shqiptarë u morën me forcë të punonin në miniera”. Në Nice, banonte prej kohësh Aleko Progri, rrobaqepës, i cili u inkuadrua si partizan në formacionet partizane franceze në jug të Francës. Në rezistencën franceze gjatë kohës së luftës u angazhua fuqimisht dhe Ilia Jani, të cilit pas luftës iu dha dokumenti si ushtar i formacionit “FTPF” (“Francs Tireurs Partisans Français”) i “Frontit Nacional të Forcave të Brendshme Franceze”. Kur ai do të largohej nga Tarare për në Shqipëri në 31 tetor të vitit 1947, gazeta e Lyon-it, La Voix du Peuple (Zëri i Popullit) nën titullin “Un depart” (“Një nisje”) do të shkruante gjatë për kontributin e tij në luftë.

Në librin me kujtime Kujtimet e një evropiani, (Mondes effacés), Jusuf Vrioni e kujton me dhimbje largimin e tyre drejt Shqipërisë, duke puthur tokën në Gare de Lyon dhe duke i lënë përshëndetjen e fundit Parisit, ku familja e tyre ishte integruar më së miri në jetën franceze, ashtu siç kishte qenë dhe familja e diplomatit shqiptar Xhemil Dino. Në vitin 1941, pas përfundimit të doktoraturës në universitetin e Grenobles me temën “Udhëtarët francezë në Shqipëri”, Mahir Domi kërkoi të kthehej në atdhe por në kufirin franko-italian e ndaluan, duke mos e lejuar të kalonte, i dyshuar për veprimtarinë e tij antifashiste. Vetëm pas përpjekjesh të miqve të tij, disa ditë më vonë policia italiane e lejoi të kalonte me detyrim që çdo ditë qëndrimi në territorin italian të paraqitej në policinë italiane.
TO
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top