Shtatë shtyllat e urtësisë së shkollarëve biblikë

Kresha

A pretty face can never trick me
Robert W. Funk & Roy W. Hoover

Fragment i shkëputur nga libri i Robert W. Funk dhe Roy W. Hoover me titull: "The Five Gospel: The Search for the Authentic Words of Jesus, Macmillan Publishing Company, New York 1993

Kërkimi për Jezusin historik është nxitur nga perspektiva e të vështruarit të Jezusit përmes lenteve të arsyes dhe kërkimit historik më shumë se sa përmes syzeve të perspektivës teologjike dhe formulimeve tradicionale të kredos.

Kërkimi për Jezusin historik filloi me Herman Samuel Reimarus (1674-1768), profesor i gjuhëve orientale në Hamburg të Gjermanisë. Një studim i hollësishëm i Dhjatës së Re e bindi Reimarus-in se ajo që thonë autorët e ungjijve për Jezusin duhet dalluar nga ajo që ka thënë vetë Jezusi për veten e tij. Kërkimi për Jezusin historik filloi pikërisht me këtë dallim ndërmjet Jezusit dhe Krishtit të besimit.

Shumica e amerikanëve të shekullit të njëzet nuk janë në dijeni të faktit se një prej bijve të rilindjes, Tomas Xheferson (1743-1826), ka shqyrtuar imtësisht ungjijtë me të njëjtin qëllim në mendje: të ndante mësimin e vërtetë të Jezusit (një person historik), nga guaska e doktrinës së krishterë. Ai i mblodhi përfundimet e tij në libërthin 'Jeta dhe morali i Jezusit nga Nazareti, nxjerrë tekstualisht nga ungjijtë në gjuhën greke, latine, frënge dhe angleze' (The Life and Morals of Jesus of Nazareth, Extracted textually form the Gospel in Greek, Latin, French, and English), botuar për herë të parë në vitin 1904 dhe ende gjendet në botim. Ndërkohë, në Gjermani, këndvështrimi i Reimarusit dhe ndjekësve të tij u çua më tej në veprën monumentale të David Friedrich Strauss (botimi i parë 1835) me titull 'Jeta e Jezusit; një këndvështrim kritik' (Life of Jesus Critically Examined). Strausi bëri dallimin ndërmjet 'mitikes' (e përkufizuar nga ai si gjithçka që është legjendare apo e mbinatyrshme) në ungjij dhe asaj që mund të quhej si në ngjarje historike. Stuhia që shkaktoi studimi i tij prej 1400 faqesh analize të hollësishme i kushtoi atij postin si profesor në Universtitetin e Tubingenit. Kritikët e sulmuan atë deri në vdekjen e tij në vitin 1874. Zgjedhja që Strausi bëri gjatë vlerësimit të tij të ungjijve ishte ndërmjet Jezusit të mbinatyrshëm (Krishti i besimit) dhe Jezusit historik. Shkollarë të tjerë në traditën gjermanë zhvilluan një kontrast më të ekuilibruar, por jo më pak të rëndësishëm, ndërmjet Jezusit të ungjijve sinoptikë (Mateut, Markut dhe Lukës) dhe ungjillit të Gjonit. Dy prej shtyllave të kriticizmit bashkëkohor biblik ishin vendosur tashmë. I pari konsistonte në dallimin ndërmjet Jezusit historik, i cili duhej zbuluar përmes shqyrtimit historik, dhe Krishtit të besimit të mbërthyer në formulimet e hershme të kredos. Shtylla e dytë, konsistonte në njohjen e ungjijve sinoptik si më të afërt me Jezusin historik se sa ungjilli i Gjonit, i cili paraqet një Jezus 'shpirtërorë'.

Duke nisur që nga viti 1900 (e.s.), filloi të vendosej edhe shtylla e tretë dhe e katërt e kritikës biblike bashkëkohore. Njohja e ungjillit të Markut si më i hershëm se ungjijtë e Mateut dhe Lukës, si dhe të qenurit i tij si burim për dy ungjijtë e tjerë përbën shtyllën e tretë të shkollarizmit biblikë. Shtylla e katër konsiston në identifikimin e një burimi hipotetik të quajtur Q si shpjegimi më i mirë për 'traditat e dyfishta' (materiali i përbashkët i Mateut dhe Lukës i cili është i pavarur nga teksti i Markut). Të dy këto shtylla do të diskutohen në vijim.

Historia tragjike dhe heroike e të gjithë atyre të cilët janë përpjekur të thyenin asfiksimin që kisha i kishte bërë dijes është regjistruar nga Albert Schweitzer në librin e tij të famshëm 'Kërkimi për Jezusin historik' (The Quest of the Historical Jesus') publikuar në vitin 1906. Vetë Schweitzer-i kontribuoi në këtë revolt në mënyrë domethënëse, duke ndjekur hapat e Johannes Weiss-it në veprën e tij 'Shpallja e Mbretërisë së Perëndisë nga Jezusi" (Jesus' Proclamation of the Kingdom of God (1892). Për Weis-in dhe Schweitzer-in dallimi bazë që duhej bërë ishte ky: a mendonte Jezusi se botës po i vinte fundi përmes një kataklizme, njohur si 'eskhaton' (termi grek për të përshkruar ngjarje e fundit), apo ai mendonte se kataklizma do të ndodhte shumë kohë më vonë. Si rrjedhojë Schweitzer-i e shihte etikën e Jezusit vetëm si një 'etikë të përkohshme' (një mënyrë jetese e mirë vetëm për periudhën e shkurtër para kataklizmës përfundimtare, 'eskhaton-it'). Për këtë arsye ai e pa etikën e Jezusit si të parëndësishme dhe të pavlefshme për kohën tonë. Duke i qëndruar besnik përfundimeve të tij, Schweitzer-i braktisi karrierën e tij brilante në teologji dhe iu rikthye mjekësisë, shkoi në Afrikë ku themeloi spitalin e njohur në Lambarênê si një formë respekti për çdo formë të jetës.

Ideja e Jezusit eskatologjik mbizotëroi e pashqetësuar që nga koha e Weiss-it dhe Schweitzer-it deri në fund të luftës së dytë botërore. Ngadalë por bindshëm provat filluan ta gërryenin së brendshmi këtë ide, që për më tepër ishte hedhur nga pjesëtarët e revoltës akademike, rreth fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kundër teologjisë optimiste të progresit që kishte mbizotëruar deri në atë kohë. Ndërkohë, neo-ortodoksia nën tutelën e Karl Barth-it dhe Rudolf Bultmann-it kishte shtypur çdo interes në Jezusin historik për së paku pesë dekada (1920-1970). Barth-i dhe Bultmann-i e konsideruan kërkimin për Jezusin historik si një përpjekje të paligjshme për siguruar një bazë të sigurt për besimin- një përpjekje për të 'provuar' besimin e krishterë për Jezusin.

Krijimi i institucionit me emër 'Seminari i Jezusit' (Jesus Seminar) koinçidoi pikërisht me ri-interesimin për Jezusin e historisë, i cili u bë i mundur falë ikjes në masë të shkollarizmit biblikë nga shtëpia e hershme akademike e saj siç ishte kisha, seminaret apo enklavat e izoluara teologjike. Ndonëse shkollarizmi biblikë nuk ka humbur ende interesin dhe shqetësimin e tij për traditën hebreo-krishtere, sidoqoftë më së fundi ai ka fituar lirinë e tij.

Sapo interesi për Jezusin historik u rikthye rreth viteve 1970-1980, shkollarët të habitur mësuan se ata nuk punonin më nën tiraninë e neo-ortodoksisë apo konceptit të Jezusit eskatologjik. Gjon Pagëzori, jo Jezusi, ishte përfaqësuesi kryesor i idesë se kataklizmi përfundimtarë ishte afër dhe i pashmangshëm, një ide kjo që u huazua, përmes Gjon Pagëzorit, nga dishepujt e Jezusit. Jezusi e mohonte këtë mendësi në formën e saj të vrazhdë, u largua nga asketizmi i shkretëtirës dhe u kthye në Galilenë e urbanizuar. Ai bëri zakon të hante, pinte dhe të shoqërohej me tagrambledhësit dhe mëkatarët. Ai zhvilloi një tjetër këndvështrim i cili gjeti shprehje në parabolat më të njohura dhe në metaforat bazë që kishin lidhje me mbretërimin e Perëndisë, si dhe me faktin se mbretëria e Perëndisë kishte filluar të njihej që gjatë jetës së Jezusit. Lirimi i Jezusit joeskatologjik të parabolave dhe aforizmave nga Jezusi eskatologjik i Schweitzer-it përbën shtyllën e pestë të shkollarizmit bashkëkohorë.

Ndjekësit e Jezusit nuk e kuptuan mprehtësinë e këtij qëndrimi të tij dhe e përmbysën atë, pasi Jezusi nuk ishte më me ta për ti ndrequr, duke e kthyer në këndvështrimin që ata kishin mësuar prej Gjon Pagëzorit. Si pasojë e kësaj përmbysjeje dhe nën aureolën e shfaqjes së këndvështrimit për Jezusin si një figurë kulti e ngjashme me figura të tjera të fesë së mistereve helene, shkrimtarët e ungjijve i mbuluan traditat e thënieve dhe parabolave të Jezusit me 'kujtesën' e tyre personale për Jezusin. Ata e ndërtuan këtë 'kujtesë' duke e nxjerrë në pjesën më të madhe nga Bibla greke, mesazhi i Gjon Pagëzorit dhe bindjet e tyre personale për Jezusin si mesiah i kaq shumë pritur, i Përzgjedhuri. Jezusi i ungjijve është një ndërtim teologjik imagjinar, brenda të cilit gjenden gjurmë të të urtit enigmatik nga Nazareti, gjurmë të cilat rënkojnë për njohje dhe çlirim nga kthetrat e forta të atyre të cilët besimi i ka pushtuar kujtesën. Kërkimi për njohjen e fjalëve autentike të Jezusit është në të vërtetë kërkimi për Jezusin e harruar.

Shtylla e gjashtë e shkollarizmit bashkëkohorë, e cila do të shqyrtohet në vijim, konsiston në njohjen e një dallimi thelbësor ndërmjet kulturës orale (në të cilën Jezusi gjendej si në shtëpi) dhe kulturës së shkruar (si ajo e jona). Jezusi të cilin e kërkon historiani mund të gjendet në ato fragmente të traditës që bartin gjurmë të traditës gojore: e shkurtër, provokative, e paharrueshme, shprehje e përsëritur disa herë, fjali dhe histori.

Shtylla e shtatë dhe përfundimtare që mban ndërtesën e shkollarizmit bashkëkohorë për ungjijtë është e kundërta në lidhje me atë që një herë e një kohë kishte të bënte me faktin se kush duhej të sillte prova për të vërtetuar tezën e tij. Një herë e një kohë pretendohej se shkollarët duhej të provonin se detajet në ungjijtë sinoptikë nuk ishin historike. D. F. Strauss ndërmori një gjë të tillë në veprën e tij kontroversive. Si rrjedhojë punimi i tij u pa si negativ dhe shkatërrues. Prirjet bashkëkohore janë pothuajse e kundërta e asaj që thamë pak më lart dhe kjo tregon se sa larg ka ecur bota akademike që nga koha e Strauss-it: ungjijtë, në kohën tonë, shihen si narrativa në të cilat kujtesa për Jezusin është mbështjellë nga elementë mitik që shprehin besimin e kishës në Jezusin, si dhe nga trillime bindëse të cilat nxisnin rrëfimin e historisë së ungjijve për dëgjuesit e shekullit të parë të cilët ishin në dijeni dhe të mirënjohur me idenë e njerëzve hyjnorë dhe mrekullibërës.



Përktheu: Rezart Beka
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top