Shkrimtarët që pikturojnë

Love

βeℓℓe â๓e
Esse
Italo Calvino


Në Francë, shkrimtarët filluan të vizatojnë në kohën e romanticizmit. Pena nxiton mbi letër, qëndron, ngurron, përhumbshëm apo me nervozizëm skicon mbi anët e fletës një profil, një dordolec, një shkarravinë, ose kërkon zhvillimin e një ornamenti, një dritëhije apo një formë gjeometrike. Shtysa e vizatimit nga çasti në çast gjendet në udhëkryq: të vijojë të ndjellë fanepsjet e veta përmes avazeve alfabetike apo t’i vejë pas tërësisë pamore të një skicimi të shpejtë? Me sa duket, kjo përpjekje nuk është shfaqur gjithmonë: piktorë që shkruajnë kanë ekzistuar ngaherë, por kanë qenë më të rrallë shkrimtarët që pikturojnë.

Befas, në fund të shek. XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX, edukimi i të riut që rrekej të bëhej njeri i letrave, nuk quhej i plotë, nëse ai nuk ushtrohej edhe në vizatim ose pikturë; biografitë e poetëve dhe të shkrimtarëve hapen me sprova dhe mësime, të cilat në disa raste do të mund të sillnin një angazhim profesional në fushën e artit të vizatimit, nëse prirja tjetër, ajo shkrimore, nuk do të kishte qenë më e fortë. Në të njëjtën kohë, edhe dorëshkrimet e atyre që nuk kanë pasur edukim artistik filluan të mbushen me figura e shkarravitje. Fizionomia kulturore e shkrimtarit ndryshoi, me dëshirën që filloi të formësohet në Gjermaninë romantike të një “vepre të plotë arti”, një ëndërr e përvijuar nga Novalis (shpikësi i formulës) dhe që do të bëhet programi i Vagnerit. Hoffmann-i (i përkthyer në Francë në vitin 1829) shumë shpejt u bë shembull për letërsinë franceze, jo vetëm se krijoi një lloj të ri, Contes fantastiques (francezët janë gjithnjë të gatshëm t’i emërtojnë risitë kulturore, duke ia sajuar përkufizimin, i cili nuk kishte barazvlerës në gjermanisht), por edhe sepse u paraqit si dikush që ishte njëherazi shkrimtar, piktor, e muzikant: pra, talenti i ri shumëplanësh që e polli romanticizmi.

Ky vlerësim merr shtysë nga një ekspozitë që u hap në Maison de Balzac, kushtuar “Vizatimeve të shkrimtarëve francezë të shekullit XIX”. Kjo ekspozitë paraqet 250 dokumente (që nga shkarravinat deri tek skicat dhe karikaturat ose edhe tek pikturat e vërteta me akuarel) të 45 poetëve e shkrimtarëve të shquar, të parëndësishëm apo krejt të harruar, por domethënës në marrëdhënien e tyre mes pikturës dhe letërsisë.

Ky diskutim, – duhet thënë pa vonesë, – vlen përderisa mbetet në një rrafsh të përgjithshëm, ngase përpjekja për të vendosur një marrëdhënie mes stilit të një shkrimtari të caktuar dhe mënyrës se si ai vizaton, në shumicën e rasteve humbet përpara faktit, se tek vizatimi është mungesa e stilit ajo që bie në sy, dhe kjo vjen se kemi të bëjmë me një dorë të pa stërvitur apo me një talent të zakonshëm. Kështu, unë besoj se është e pamundur të vërtetosh se përse shumë shkrimtarë vizatojnë dhe se pse shumë të tjerë, më të zotë në pikëpamjen pamore, as që e marrin mundimin të vizatojnë. (Një listë e rëndësishme është edhe ajo e shkrimtarëve jo piktorë, që përfshin Chateaubriand-in, Madame de Stael-in, Floberin dhe Zolanë).

Tanimë e dimë, piktori më i madh amator mes shkrimtarëve francezë të shek. XIX qenkësh Viktor Hygoi dhe kjo ekspozitë e përforcon këtë fakt, duke sjellë nga Maison Victor Hygo (shtëpia tjetër pariziane e piktorit, – edhe më interesante, – është bërë muze) disa prej punëve që të sjellin ndër mend grafika të qyteteve imagjinare dhe të vegimeve, me të cilat poeti, në vitet e turbullta, i hapi rrugë frymëzimit më të errët të romanticizmit të tij dhe njëherazi një shpikjeje të lumtur të eksperimentimit lëndësor.

Përsa i përket kampionit tjetër, lidhur edhe me sasinë e krijimtarisë së shkruar, pra, Balzaku, ai nuk ishte aspak i dhënë për vizatimin dhe kufizohej vetëm në disa shkarravitje paksa fëminore (sidomos fytyra) në hapësirat boshe të dorëshkrimeve të tij, së bashku me disa shifra të llogarive të përjetshme të punëve të tij të pafata. Pra, Balzaku, megjithëse ndodhemi në shtëpinë e tij, është paraqitur në ekspozitë vetëm me dy faqe, dhe këto riprodhime, jo në origjinal. Mungesa tjetër është Stendali, por duke parë skicat e tij të para, skica që shoqërojnë Vie de Henry Brulard, atë mund ta fusim pa frikë tek shkrimtarët që nuk dinë të vizatojnë. As Michelet nuk ishte mjaft i shkathët me lapsin, po ta gjykosh nisur nga një skicë mjaft e vogël, që është propozimi i tij për ngritjen e monumentit në nder të të rënëve të Revolucionit francez.

Por ka edhe shkrimtarë që dinë të vizatojnë vërtet shumë mirë dhe që për këtë janë më pak interesantë. Merimée, Alfred de Vigny, Théophile Gautier, ndoqën studime të rregullta arti dhe në shumë sprova të tyre të ekspozuara këtu, – ilustrime subjektesh historike, akuarele peizazhesh, karikatura, e skica arkitektonike, – të krijohet një përshtypje disi e vagullt. Edhe vizatimet të cilat Merimée i bëri mbi letrat me kokë të ministrisë gjatë mbledhjeve të komisioneve të shumta zyrtare, ku ai ishte anëtar i rëndësishëm, janë krejt akademike; më interesante janë skicat e fletoreve të udhëtimit, të cilat shquhen për saktësinë e vëzhgimit të pejsazheve dhe zakonet njerëzore që i gjejmë të shprehura me forcë e të vizatuara edhe në tregimet e tij.

Mes punëve të Gautier-së spikasin si dëshmi i shijes së tij tmerrësisht groteske, dy vizatime bërë me bojë të kuqe: guzhina e një shtrige dhe një ngasje erotiko-sadiste e Shën Antonit.

Shumë e zonja në këtë lëmë ishte edhe George Sand, pejsazhiste e lapsit dhe akuarelit, por të paktën në një grup pamjesh të maleve jeshil-gri e kaf të hapur, ajo ia deltë përcjellë diçka të pazakontë: një shkretى të ashpër, të amullt, xeherore. Ato punë janë kryer me teknikën e akuarelit të zbuluar prej saj; ajo e quante “dendriti”, nga emri i atyre gurëve mbi të cilët shfaqet një pikturë e imët degëzimesh dhe dejesh me ngjyra të ndryshme.

Zbulimi më i papritur në këtë ekspozitë është Alfred de Musset, pararendës i “comic stripes”. “Biri i shekullit” romantik kompozonte për qejf të vet, por dhe për miqtë e familjarët, histori të vizatuara me karikatura personazhesh të njohur. Këtu janë ekspozuar dy seri të plota. Njëra tregon një udhëtim në Siçili, kryer nga vëllai i poetit, që kulmoi me një aventurë mes tij dhe një femre pa virtyte nga Mesina. Tjetra është kronika e një thashethemi parizian: se si këngëtarja Pauline Garcia (motra e Malibran-it) u kërkua për martesë nga një hundëmadh dhe se si përgjatë ftesave të vazhdueshme të vlesës hunda madhështore e dhëndërushit ndryshoi formë e përmasë. E bukura është se një tjetër mëtonjës i këngëtares ishte pikërisht ai vetë, Alfred de Musset, që e pikturon vetveten te shtrati me sëmundjen e mushkërive, në përkeqësimet dhe përmirësimet e shkaktuara nga fati i përkundërt i rivalit. Paulina, edhe në karikaturë nuk rri pa shfaqur hiret e saj pak të tronditura, por shpirti i errët i intrigës është George Sand, e pikturuar me cigare, ose me një pipë të gjatë duke vringëllyer një shpatë.

Këto vizatime me fjalë – fumetti – bri fletës, janë një modernizëm mahnitës për projektet rrëfimtare dhe grafikat elegante mes Toppfer-it dhe Eduard Lear-it, deri sa arrijnë zhdërvjelltësinë e stilizimit si në shek. XX, nga Sergio Tofano.

Me Musset-në zë fill edhe zakoni i ilustrimeve të letrave drejtuar mikeshave (gjithmonë të përfolura në mjediset teatrale, ku kthehen ngaherë të njëjtët personazhe. Musset-ja është një prej shembujve ku mund të flitet për “vizatim shkrimtari”, si për diçka të ndryshme nga vizatimet e një piktori, përderisa është i prekshëm dhe një trill e një stilizim rrëfimtar dhe një tip i ironisë dhe vetëironisë: këto, janë të gjitha praktika letrare, edhe pse dallohen dukshëm nga stili i përdorur prej autorit në veprat e shkruara.

Një lloj tjetër i “vizatimit prej shkrimtari”, mbi të cilin ekspozita hedh dritë, është ai i shkrimit që bëhet vizatim dhe këtu shembull mbresëlënës është Barbey d’Aurevilly, i cili mbante një ditar apo turlilloj rrëfimesh bërë me bojë me ngjyra të ndryshme, ku frazat e shkruara janë të ndërthyera nga shigjeta, zemra, diej, gota vere, friza gjeometrike, të gjitha pak si prej fillestari e të lëshuara shpengueshëm, por me një gjallëri dhe një gazmim grafik që arrin efektet e “Art brut”. Ky dandy i madh kishte mjete e pajime të llojllojta bojërash e pendësh pate majëmprehtë, si dhe penelë. Për shembull, ai vendoste gouache në firmën e tij të stiluar tashmë me pendë, gjersa ajo bëhej një kaligramë e plotë dhe bituminoze, apo kompozonte hieroglife të yjëzuar të ngjashëm me insekte përbindësha apo aeroplanë mobiles.

Bodleri nuk dinte vetëm të vizatonte, por e vendoste inteligjencën e tij te lapsi (te karbonçina apo te boja) dhe autokarikaturat e tij shfaqin një mprehtësi therëse.

Epoka që u hap nën shenjën e tij, domethënë gjysma e dytë e shekullit, i gjen poetët dhe shkrimtarët më të çlirë, më pak skolastikë, në përvijimin e figurave mbi letër. (Përveç atyre që e kishin pikturën si profesion të parë, si për shembull Fromentin-i, apo ata që ushtroheshin në gdhendjen me akuaforte, sipas të gjitha rregullave, si për shembull Jules de Gouncourt, apo ata që i ilustronin udhëtimet e tyre ekzotike me shumë saktësi, siç bënte Pierre Loti).

Më shumë se sa romancierët (Dyma biri ishte një karikaturist i mirë, Mopasani bënte dordolecë gazmorë, dhe Anatol Franci ishte një dizenjator tejet elegant) janë poetët që tërheqin vëmendjen. Mbi të gjithë, Verleni, i cili nuk kishte studiuar kurrë vizatim, por që ishte një vizatues gazmor, plot shpirt dhe krijimtari dhe me linja modernizmi. Janë të shumta autoportretet që tallen me fytyrën e tij nofulldalë me një hundë të vocërr, që ia theksonin pamjen si të një mandarini kinez: kështu, ngjason ai në një fletëz ku tiparet e fytyrës janë thjeshtëzuar në një mbivendosje trikëndëshash, e pastaj, në një shprishje të vërtetë të rrafsheve parakubiste. Por më mbresëlënës është një portret i tij ku vizatohet Remboja, mbështetur në brinjën e një tryeze kafeneje, përpara një shisheje me glikanxo, me pamjen e një fëmije të zymtë. (Ndërkaq, Remboja nuk ishte ndonjë vizatues kushediçfarë, së paku, po të gjykojmë nga dy shembujt e ekspozuar).

Një poet që bënte kujdes të madh kaligrafik në letërkëmbimet e tij ishte François Coppée, i cili faqoste çdo gërmë me mjeshtri dhe sajonte ideograma apo rebuse. Në letrat e tij të dashurisë drejtuar Méry Laurent (një mantenutë démi-mondaine e një dentisti amerikan), ai e quante mikeshën e tij “zogu” dhe veten “maçe”, por këta emra që në veshët tanë tingëllojnë si një këmbim ****esh, janë zëvendësuar gjithmonë nga vizatimi i një pëllumbi pulpak dhe një daci fodull, duke u imponuar si ideogrami femëror e mashkullor për forcën ndjellëse të shenjës.

Poajo Méry Laurent, në të njëjtën epokë, pëlqehej edhe nga Mallarmé-ja, dhe i shkruante atij letra të vizatuara. Ai, nga ana e vet, e ravijëzonte në formë ornitologjike, por duke harxhuar shumë bojë: për Mallarmé-në, ajo ishte “pallua”. Mallarmé-ja nuk ishte me të vërtetë talent në vizatim dhe as nuk kishte përpunuar ndonjë teknikë, por ai nguliste në figurinat e tij diçka nga zbavitja shumë e madhe që gjallëronte dhuntinë e tij të pashoqe letrare. Një kartëvizitë për të caktuar një takim me “palloin”, e cila duhet të mbërrinte me tren, bëhet një “vizatim” i çmuar mallarmian, i shkarravitur gëzueshëm.

Kërkimi i një horizonti shprehës të ndryshëm nga ai i fjalëve është shtysa që gjallon shumë prej këtyre piktogramave të shenjuara në hapësirat e fletëve bri shkrimit. Si të mos ndiesh zilinë e përjetshme e të pashuar të shkrimtarit për piktorin?

“ا’mjeshtëri e lumtur kjo e piktorit, krahasuar me atë të shkrimtari”, lexohet në Ditarin e vëllezërve Goncourt, më datën 1 maj 1869. “Veprimtarisë fatlume të dorës dhe të syrit tek njëri, i përgjigjet mundimi i mendjes tek i dyti; dhe puna që për njërin është kënaqësi, për tjetrin është një ndëshkim…”

1984

Përktheu nga origjinali: Arian Leka


The Fascinating Self-Portraits of 20 Famous Authors – Flavorwire

1d-sylvia-plathself-portrait.jpg


Sylvia Plath, 1951
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top