Saranda, deti dhe antikiteti në këtë sezon veror
Entela Bani
Saranda është vendi që ofron jo vetëm detin, por pasuri të shumta monumentale, si natyrore ashtu edhe historike.
Hotelet
Vit pas viti Sarandës i shtohen pushuesit. Gjatë verës së vitit të kaluar rreth 300 mijë persona e zgjodhën për ta vizituar apo edhe për të kaluar pushimet verore në të. Gjatë kësaj vere parashikimet tregojnë rritje të mëtejshme të kësaj shifre.
Me një kapacitet prej rreth 85 hotelesh, të regjistruara pranë Shoqatës së Hotelierëve dhe me dhjetëra apartamente që ofrohen me qira, kapacitetet janë të mjaftueshme për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje të pushuesve.
Ajo çka bie në sy gjatë këtij viti, është sensibilizimi i pronarëve të hoteleve për të ulur çmimet, çka synon të thithë më shumë pushues. 50 prej hoteleve kanë nënshkruar një marrëveshje për aplikimin e çmimeve të zbutura gjatë këtij sezoni veror.
Sipas përfaqësuesve të shoqatës së hotelierëve, dhomat nuk do të kushtojnë më shumë se 2000-3500 lekë në natë, çmim ky që më parë aplikohej për çdo person, dhe jo për dhomë.
Ndërkaq, çmimet e hoteleve janë të ndryshme, në varësi të kushteve që ofrojnë si dhe të periudhës së pushimeve. Në periudhën 1-15 gusht, çmimet në Sarandë arrijnë pikun, ndërsa vazhdimisht ato variojnë prej 3 000 lekë - 110 euro. Brenda çmimit të hotelit përfshihet vakti i mëngjesit, si dhe një çadër e dy shezlonë.
Shtëpitë me qira
Nuk ka ditë që në Sarandë të mos ndërtohet. Dhjetëra pallate shumëkatëshe janë ngritur gjatë viteve të fundit, një pjesë e apartamenteve të të cilave jepen me qira përgjatë sezonit të plazhit. اmimet variojnë nga 2- 3 000 lekë nata në apartamente, në varësi të hapësirës dhe periudhës së plazhit.
Plazhet
Me një gjatësi të përgjithshme të vijës bregdetare prej 66,7 kilometrash, që laget nga deti Jon, me një pozitë të favorshme gjeografike dhe dalja e gjerë në detin Jon e Mesdhe, afërsia me ishujt Jonianë si një nga pikat më të frekuentuara turistike, bukuritë e relievit dhe pasuritë e shumta historike e kulturore, e bëjnë Sarandën tepër të favorizuar për zhvillimin e turizmit në raport me rajonet e tjera të vendit tonë.
Janë dhjetëra plazhe me ujëra të kulluar që zgjaten përgjatë gjithë qytetit; mund të paguash aty 400 lekë për dy shezlonë dhe një çadër, por mund të qëndrosh aty edhe pa pagesë nëse çadrën e merr me vete. Pranë të gjitha plazheve nuk mungojnë baret dhe restorantet e shumta.
Përgjatë vijës bregdetare, në veri dhe në jug të qytetit të Sarandës ka pak sektorë të përshtatshëm për banjë uji dhe dielli. Plazhet me rërë këtu janë të pakta dhe zëvendësohen me të ashtuquajtura pllaka, sipërfaqe të sheshta, të valëzuara ku pushuesit shtrihen për banja diellore.
Sektorët më të përshtatshëm të pllakave janë në krahun e djathtë të rrugës automobilistike Sarandë - Butrint (sektori Sarandë - اukë) pranë ish- kampit të pushimit, por sektori në veri të qytetit të Sarandës nga porti deri në gjirin e Limionit përfaqëson vendin e mirëfilltë të quajtur "Pllakat e Sarandës".
Mund të bësh një shëtitje me varkë me lopata për 300 lekë, një varkë me pedale mund ta marrësh me qera për 500 lekë, ndërsa për një motor uji për gjysmë ore duhet të paguash 3 000 - 3 500 lekë.
Ksamili
I frekuentuar veçanërisht prej të huajve që vijnë nga një sërë shtetesh ballkanike e veçanërisht nga shqiptarët e Kosovës. Një numër i madh plazhesh ofrohen në qytezën e Ksamilit, ndërkohë që janë gjithsej katër ishuj të vegjël shkëmborë të vendosur pranë njëri-tjetrit. Ndodhen përballë qytezës së Ksamilit.
Ishulli më i madh gjendet 60 metra larg bregut. Këta ishuj së bashku me bregdetin e Ksamilit përbëjnë një nga zonat që tërheqin numrin më të madh të turistëve të Sarandës. Si në Ksamil, ashtu edhe në ishujt e tij, lehtësisht të arritshëm edhe me not, mund të gjesh plazhe me rërë të bardhë, por edhe me gurë. Ksamili është i arritshëm me makinë, ndërsa taksia deri atje kushton 3 000 lekë.
Gjiri i Kakomesë
ثshtë një nga gjiret më të spikatur për nga bukuria në bregdetin e Sarandës, i vendosur në veri të kepit të Qefalit. Gjendet rreth 10 km larg Sarandës dhe 4 km larg rrugës nacionale Sarandë - Vlorë. Në vendin e quajtur Krekëz, devijon drejt perëndimit një rrugë automobilistike e paasfaltuar që të çon në këtë gji.
Gjiri me origjinë të dyfishtë tektoniko - karstike është mjaft i mbrojtur, deti futet në brendësi rreth 500 m dhe përfundon në një plazh me rërë të trashë dhe sidomos me zallishte. Në këtë hapësirë të gjirit është parashikuar të ngrihet një fshat turistik.