Rrënjët ideologjike të historiografisë shqiptare

alfonci

Veri investigatio
Brumi ideologjik në mendimin historik shqiptar mund të shihet edhe faktin që tezat e shtruara paraqiten si të vërteta absolute objektive ...

Nga: Ergys Mertiri

Filozofia e historisë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë mënyrës se si formohet mendimi historik. Teoricienë të tillë si Bradley dhe Oukshot, e kanë parë historinë si një shkencë që bazohet mbi eksperiencën e historianit, e cila sipas tyre, luan rolin vendimtar për njohjen historike. Sipas Bradley-t historia është interpretim dhe interpretimi bëhet mbi bazë të një eksperience paraprake të historianit. Sipas tij themeli i dijes historike nuk qëndron mbi faktet, por mbi interpretimin. Faktet në vetvete janë memece. Ato janë në kaos dhe nuk na tregojnë asgjë jashtë eksperiencës dhe interpretimit. Eshtë interpretimi që i përzgjedh, vlerëson, lidh, qartëson ato, duke krijuar kështu dijen mbi historinë.

Pikërisht kjo ndërmarrje bëhet e mundur nga eksperienca, e cila mbart parimet bazë mbi të cilat realizohet interpretimi dhe gjykimi historik e rrjedhimisht edhe vetë historia.Pa hyrë në detajet e një debati nëse historia përbën një shkencë empirike apo spekulative, duke u orvatur të marrim në konsideratë eksperiencën historike në Shqipëri, mund të ndalemi dhe të vërejmë burimet ideore që formojnë parimet bazë mbi të cilat ndërtohen qasjet e historiografisë shqiptare. Nisur nga pohimet e filozofit italian Benedeto Kroçe, sipas të cilit gjithçka është historike, do të mund ta shikonim edhe vetë historinë si një subjekt të vetvetes, duke bërë kështu historinë e historisë. Në vijim të kësaj, një histori e vetë eksperiencës historike do të mund të na qartësonte më mirë për mënyrën sesi është ndërtuar deri më tani mendimi historik në Shqipëri. Pa hyrë në hollësi, një vështrim i shpejtë në të kaluarën dhe të tashmen e mendimit intelektual në Shqipëri, na bën të kuptojmë se eksperienca mbi të cilën ngrihet mendimi historik në Shqipëri, është po ajo që ka strukturuar botëkuptimet e së shkuarës. Kjo vjen, për vetë faktin që begraundi ideologjik prej të cilit ajo rrjedh, i përket një mjedisi ideo-kulturor krejtësisht të izoluar, të indoktrinuar dhe të politizuar, i prodhuar nga mekanizmat kulturëformues të një regjimi armiqësor dhe deformues ndaj dijes. Në këtë mënyrë, e kaluara mbetet ende në themel të botkuptimeve të sotme, që synojnë të gjejnë zbatueshmëri në realitetet e reja dhe për pasojë, eksperienca historike do ti përgjigjet në një masë të madhe, kërkesave shkencore që lidhen domosdoshmërisht me ndrydhjen doktrinore të një ideologjie të tillë.

E gjithë kjo ka sjellë për pasojë faktin që historiografia shqiptare gjendet sot e ngujuar brenda gardheve të tillë doktrinarë që pengojnë hapjen e mendimit drejt interpretimeve të reja, të azhornuara me zhvillimet më të fundit dijeve. Ashtu si edhe në të gjitha sferat e mendimit që ofrojnë impakte kulturore, shoqërore e politike, historia shqiptare nuk shkëputet dot nga vizionet e krijuara në të kaluarën, të dominuara nga premisa ideologjike të mendimit ku historiografia shërben si një makinë e cila rreket të shtrojë, post factum, rrugën e përshkruar të rendit ekzistues deri në të tashmen. Kjo lloj qasjeje është më tepër një ndërmarrje për ta përdorur të shkuarën si burimi legjitimimi për të tashmen, sesa si një mjet për ta njohur atë më mirë. Rrjedhimisht, inteligjenca shqiptare e shikon realitetin shoqëror, ashtu si edhe historinë, nëpërmjet syzeve të tilla ideologjike që ofrojnë një optikë të kushtëzuar prej konstrukteve të trashëguara nga e kaluara. Ky nivel indoktrinimi mund të vërehet me lehtësi në çdo tekst historie të kësaj kategorie intelektualësh. Kjo vërehet duke filluar që nga mitet, ndarjet kontrastuale të figurave historike në heronj dhe tradhtarë, e deri edhe tek vlerësimi i së kaluarës mbi botëkuptime të vona, joekzistente për kohën që studiohet. Lexime të teksteve të tilla të japin qartazi tërë radiografinë e mendjes së kësaj elite dhe paaftësisë së saj për t'u shkëputur nga mendësitë e së vjetrës, aq sa shpesh, naiviteti që dëshmon mund të bëhet subjekt i përkryer humori. Bie fjala, jo më pak se në botimin zyrtar të fundit të Akademisë së Shkencave "Historia e popullit shqiptar", në faqet ku portretizohet Isa Boletini, thuhet: "... luftoi për liri dhe demokraci..., - ndërsa më tej, në lidhje me vdekjen e tij vijohet, - ... ra me armë në dorë". Duke duke u përpjekur të mbajmë gazin lidhur me profilin demokratik që autori shikon në perceptimin politik të Isa Boletinit, na lejohet të mendojmë se 20 vjet më parë, ky tekst duhet ta ketë parë luftën e tij si një kryengritje të masave popullore, të frymëzuara nga aspiratat për liri dhe barazi sociale të një ndërgjegjeje klasore në embrionin e saj (njësoj siç vetë Enver Hoxha, e gjithashtu edhe studiues si Aleks Buda, e shihnin dikur luftën e Skënderbeut kundër turqve). Ndërsa, përsa i përket rënies "me armë në dorë", megjithë nderimin që ushqejmë për Isën, si një personazh i admirueshëm i historisë shqiptare, metafora të tilla, më tepër se heroizmin e tij, paraqesin groteskun e një narracioni të tillë, i cili përpiqet të na e ngjallë atë me një fizionomi kinematografike sociorealiste. Vetëm se, në këtë drejtim, mund ta themi me bindje se aktori Reshat Arbana ka bërë më shumë se Akademia e
Shkencave. Natyrisht, detaje të tilla mund të jenë sporadike, por nuk janë të rastësishme. Ato dëshmojnë qartë për mendësinë mbi të cilën ngrihet gjykimi historik i studiuesve hartues të këtij teksti. Ato i qëndrojnë me përpikmëri narrativës romantike të dikurshme të tejngopur me imazhe të tilla heronjsh partizanë që e merrnin gjithmonë plumbin në ballë dhe që binin dëshmorë me këngë në gojë apo parulla për partinë.

Brumi ideologjik në mendimin historik shqiptar mund të shihet edhe faktin që tezat e shtruara paraqiten si të vërteta absolute objektive, pavarësisht pamundësisë së historisë si shkencë për objektivitet të kulluar. Më konkretisht, pohimet e disa njerëzve me peshë në opinionin publik se Skënderbeu është një "mit real" i historisë shqiptare për t'iu kundërvënë idesë së konstruktimit të mitit, dëshmon se ata nuk e njohin aspak subjektivitetin e historisë si shkencë si dhe relativitetin e mendimit në përgjithësi. Një pohim i tillë kërkon të thotë se ka një përputhshmëri të plotë midis asaj që ne mendojmë për Skënderbeun si mit, me atë që ai ishte në të vërtetë dhe se çdo elozh dhe simbolikë me të cilën ne e veshim heroin kombëtar, është i zbuluar tek ai dhe jo i atribuar prej nesh. Pa i hyrë kontradiksionit që krijohet ndërmjet fjalëve mit dhe real, mund të vërejmë se mbrojtësit e ideve të tilla e perceptojnë historianin si një subjekt që qëndron i heshtur përpara fakteve dhe që vetëm mban vesh se çfarë i rrëfejnë ato, për t'i shënuar më pas me përpikmëri, duke na paraqitur të vërtetën përfundimtare mbi to. Ky pretendim nuk e njeh aspak historianin si ndërtues të mendimit historik, i cili, mbi bazë të eksperiencës së tij, pikëpamjeve dhe metodologjisë së tij, ofron interpretimin e tij mbi ngjarjet. Pra, nuk njihet aspak roli i historianit si një subjekt që u jep jetë dhe gojë fakteve brenda vetes së tij, duke i bërë ato të vëzhgueshme, të kuptueshme dhe të gjykueshme. Pretendimi për objektivitet të kulluar shkencor dëshmon pamundësinë e kësaj elite për t'iu qasur vetvetes, subjektit njohës dhe rolit të tij në njohje. E gjithë kjo sjell paaftësinë për të njohur dhe pranuar diversitetin e mundshëm interpretativ në histori, duke përjashtuar mundësinë për të pranuar të vërtetë tjetër nga e vërteta e ideologjizuar e tyre.

E gjithë kjo qëndron në themel të të gjitha ngërçeve që shfaq shoqëria shqiptare, si në planin kulturor, intelektual, politik, institucional etj. Gjithashtu, kjo shpjegon konkretisht se përse elitat intelektuale në Shqipëri, ashtu si edhe ato politike, ofrojnë një mungesë të theksuar tolerance në çdo debat, duke paraqitur vetëm akuza dhe denoncime për këdo që shfaq mendime të kundërta prej tyre. Pretendimi i objektivitetit të pastër, është një prej burimeve kryesore të autoritarizmit dhe totalitarizmit dhe historia e marksizmit është një rast tipik që e dëshmon këtë. Duke u paraqitur si objektiv, materializmi historik, nuk bën gjë tjetër vetëm se dëshmon subjektivitetin e vet të verbër. Në këtë mënyrë, pretendimi marksist njohjen objektive nuk është gjë tjetër vetëm se një falsifikim për ta paraqitur subjektivitetin e kulluar, si një objektivitet të përkryer. Në të njëjtën logjikë, edhe tentativat për të ofruar një dije objektive dhe përfundimtare mbi historinë shqiptare, nuk janë gjë tjetër vetëm se produkt i modelit marksist të objektivizmit.

Duke pranuar se dija është produkt i interpretimit historik i cili ndërtohet mbi bazë të eksperiencës së subjektit njohës të saj, mund të themi se shkenca e historisë është një produkt i cili ndodhet gjithnjë në zhvillim e sipër, për sa kohë eksperienca teorike nuk është statike, e dhënë njëherë e përgjithmonë. Përpjekjet e historiografisë shqiptare për t'u paraqitur si objektive, duke na ofruar të vërtetën përfundimtare për historinë, përbën një tentativë për t'i vënë kufij dijes duke frenuar çdo lloj zhvillimi të saj. Sipas kësaj, asnjë riinterpretim i historisë nuk është i mundur, pasi gjithçka tjetër përveç së vërtetës është e rreme. Kështu që kërkimi shkencor nuk ka ç'të zhvillojë më. Ai vetëm mund të ofrojë shtimin sasior të fakteve që vërtetojnë të njëjtën tezë të plotësuar tashmë.

Në këtë kuptim, edhe rishkrimi i historisë mbetet po kaq falsitet, për sa kohë nuk kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor metodologjik dhe teorik. Historia nuk mund të rishkruhet pa ndërruar më parë metodën e njohjes, pa ndërruar mënyrën se si i e vështrojmë atë. Pa këtë, ajo mbetet në thelb po kaq e ngurtë për të ofruar vizionin e duhur, në funksion të kërkesave të reja shkencore të kohës. Të rivlerësosh dy a tre figura historike të sulmuara nga makineria propagandistike e regjimit të shkuar, nuk do të thotë se po rishkruan historinë. Restaurimi i brendshëm i detajeve të historiografisë zyrtare ka qenë një proces i vazhdueshëm edhe përgjatë regjimit monist, por kjo nuk përbën rishkrim të historisë. Përkundrazi, ky është një proces i cili duhet të fillojë në mendësi, në metodë, në qasje, duke reflektuar thellë mbi sfidat aktuale me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare. Ti rikthehesh historisë, përbën një moment gjithaq historik, i cili kërkon një tronditje të ndërgjegjes intelektuale, të aftë për të na dhënë hove të reja që sjellin rrjedhimisht edhe vetëperceptime të reja shoqërore. Në këtë mënyrë, rishkrimi i historisë përbën procesin e vendosjes së një raporti të ri me të kaluarën, për të trasuar rrugën e nevojshme drejt së ardhmes. Më tej, ky proces kërkon kohë për tu pjekur, gjatë së cilës dija kultivohet gradualisht dhe në qetësi, në një raport shpirtëror me të vërtetën. Rishkrimi i historisë është një proces i ngadaltë dhe i vazhdueshëm i cili kryhet pareshtur, sa herë që një shoqëri lëviz nëpër stade të reja të zhvillimit dhe vetëperceptimit të saj. Synimi i inteligjencës së vjetër shqiptare, për ta marrë në dorë këtë proces, përbën thjesht një angazhim për ta restauruar historinë mbi të njëjtat premisa botëkuptimore, të cilat e frenojnë zhvillimin e mendimit historik, duke u kujdesur në këtë mënyrë vetëm për të mbrojtur të kaluarën e tyre.

//myftiniashkoder.org//
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top