sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
Zgjedhjet e lira e të ndershme nuk mund të imponohen nga jashtë, as nga NATO, as nga BE dhe as nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ato duhet të jenë produkt i natyrshëm e një mjedisi social e politik demokratik, i një kulture e ndërgjegjeje qytetare që reflekton edhe nivelin e zhvillimit të një populli e të një shoqërie. Prandaj do të ishte gabim të mendohej apriori se meqë tani Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka aplikuar edhe për statusin e vendit kandidat në BE, janë të garantuara edhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
Shumica aktuale qeverisëse në vend po e përhap këtë opinion dhe kërkon ta kthejë në bindje për shqiptarët e për partnerët tanë evropianë e amerikanë. Mendja pjellore e manipulatorit të madh politik dhe elektoral, dhunuesit sistematik të zgjedhjeve të lira e të ndershme, kryeministrit në detyrë, punon me kapacitetin e jashtëzakonshëm të një instrumenti që prodhon energji negative për të gjetur modele e formula që synojnë tu vjedhin përsëri shqiptarëve vullnetin e tyre të lirë politik dhe të mashtrojnë partnerët dhe institucionet ndërkombëtare. Duke ngritur me forcë këtë shqetësim, ne nuk mbjellim fatalitet, por paralajmërojmë sa nuk është vonë, nisur edhe nga filozofia që buron nga proverbi se “ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk harron”. Ne nuk duhet të lejojmë që në popull të përhapet fryma pesimiste e disfatiste se Berisha në pushtet është i zoti të bëjë çdo gjë që ta mbrojë atë e të manipulojë zgjedhjet.
--------------------* * *--------------------
Ne kemi njëmijë e një arsye për t’i fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe do t’i fitojmë ato. Por përtej këtij këtij optimizmi të bazuar ne duhet t’u tregojmë shqiptarëve pse ne duhet t’i fitojmë zgjdhjet.
ü Ne duhet t’i fitojmë ato për të mbyllur përfundimisht një kapitull konfliktual të historisë shqiptare, të gërshetuar me elemente të luftës së nxehtë e të luftës së ftohtë, ta çlirojmë shoqërinë shqiptare nga atavizmat komuniste të luftës së klasave dhe ta trasformojmë atë në një shoqëri demokratike evropiane ku konkurojnë idetë dhe alternativat e zhvillimit, ku demokracia nuk është fiksion dhe ku liria nuk është abstrakte.
ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet që të detyrojmë bajraktarët e despotët e politikës shqiptare, mendjet e mykura e parazite të saj, që t’i hapin rrugën forcave progresiste, iluministe, njerëzve me vizione e udhërrëfyes në shtigjet e shekullit të 21-të në të cilën ecën Shqipëria.
ü Ne duhet të fitojmë në 29 qershor që shqiptarët të besojnë se shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë e më të begatë nuk janë vrarë, se ata meritojnë një jetë të denjë në një vend ku natyra bujare ka krijuar kaq shumë mundësi dhe ku ata deri tani janë privuar kaq shumë.
ü Aleanca jonë progresiste duhet t’i fitojë zgjedhjet që modeli i keqqeverisjes të zëvendësohet me mirëqeverisjen, që qytetarët ta ndiejnë afër pushtetin e mandatuar prej tyre dhe jo ta mallkojnë e ta anatemojnë atë, ta mbështesin për tu shërbyer më mirë dhe jo ta urrejnë e mezi të presin ditën për ta përmbysur me votën e tyre të lirë.
ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet për të bërë një shtet për qytetarët, një shtet të denjë për të jetuar me garanci për jetën e për pronën, për familjen e për të ardhmen e fëmijëve tanë, një shtet që u shërben të gjithëve e jo grupimeve të caktuara politike, fisnore, krahinore e klanore, një shtet që u shërben para së gjithash shqiptarëve dhe jo aventurierëve kozmopolitë, një shtet që nuk mund të jetë peng i askujt, veç i shtetasve të devotshëm e të Kushtetutës së tij.
ü Ne na duhet fitorja e ardhshme parlamentare për të mundur krimin e organizuar dhe atë ordiner, që vret qytetarë të thjeshtë e të pafajshëm në mes të ditës dhe të zgjedhur të popullit në pragun e shtëpisë.
ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet e 28 pershorit për të bërë atë që nuk bëri qeveria që po shkon dhe kryeministri i përkohshëm Sali Berisha: të mbysim farën e korrupsionit që po asfikson shtetin, institucionet e shoqërinë, të mos lejojmë demagogë e sharlatanë të tjerë politikë që erdhën në pushtet me flamurin e antikorrupsionit dhe po ikin nga pushteti si kampionët e korrupsionit. Ne duhet t’i japim fund dyfytyrësisë, njëra për ditën për të mashtruar njerëzit me pamjen e të përvuajturit deri në sakrificë për të qarë hallet e popullit e për t’i shërbyer atij, dhe tjetra për natën, në terrin e së cilës thuren e zbatohen projekte të mëdha hajdutërie, favore të diktuara nga zyrat e shtetit, shitje dhe blerje të paligjshme, krijohen shoqëri anonime e fiktive me kapitale të vjedhura ose të ricikluara për të humbur gjurmët, ndahen e hipotekohen prona në emra të rremë.
ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet për të hequr nga shtati i Shqipërisë petkun e varfërisë dhe nga fytyra e një shumice shqiptarësh imazhin e modeleve më të dhimbshme të skamjes njerëzore. Ne nuk duhet të lejojmë thellimin e polarizimit ekstrem, grumbullimin e dyshimtë të pasurive nga njëra anë dhe shtimin e vazhdueshëm të listave të borxhit për bukën e gojës nga ana tjetër.