PLATFORMA ELEKTORALE e PDS

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
bc3151ea8b40440d9921bdfd4eeb2365.jpeg
Zgjedhjet e 28 qershorit janë një sfidë e madhe për Demokracinë Sociale, për opozitën në tërësi, por edhe për Shqipërinë. Janë zgjedhjet e para parlamentare që do të zhvillohen pas anëtarësimit të plotë të vendit tonë në NATO dhe pas hyrjes në fuqi të M.S.A-së me BE dhe pas aplikimit për statusin e vendit kandidat. Zgjedhjet e lira e të ndershme edhe pa qenë anëtar i NATO-s dhe i BE-së, janë tregues të një shoqërie, të një shteti e të një qeverisjeje demokratike. Por në rastin e Shqipërisë, në një vend me demokraci të dobët e jo funksionale, me një klasë politike për të cilën synimi kryesor ka qenë marrja e pushtetit dhe jo plotësimi i standarteve, nuk ka qenë e mundur që të realizohen zgjedhje të pakontestuara dhe që të shprehin realisht vullnetin politik të shumicës së shqiptarëve. Nga viti 1996 e deri tani asnjë palë zgjedhje nuk kanë arritur standartet evropiane dhe të gjitha kanë marrë nota kritike nga OSBE-(ODIHR), nga Këshilli i Evropës, nga SHBA e nga BE.

Zgjedhjet e lira e të ndershme nuk mund të imponohen nga jashtë, as nga NATO, as nga BE dhe as nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ato duhet të jenë produkt i natyrshëm e një mjedisi social e politik demokratik, i një kulture e ndërgjegjeje qytetare që reflekton edhe nivelin e zhvillimit të një populli e të një shoqërie. Prandaj do të ishte gabim të mendohej apriori se meqë tani Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka aplikuar edhe për statusin e vendit kandidat në BE, janë të garantuara edhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Shumica aktuale qeverisëse në vend po e përhap këtë opinion dhe kërkon ta kthejë në bindje për shqiptarët e për partnerët tanë evropianë e amerikanë. Mendja pjellore e manipulatorit të madh politik dhe elektoral, dhunuesit sistematik të zgjedhjeve të lira e të ndershme, kryeministrit në detyrë, punon me kapacitetin e jashtëzakonshëm të një instrumenti që prodhon energji negative për të gjetur modele e formula që synojnë tu vjedhin përsëri shqiptarëve vullnetin e tyre të lirë politik dhe të mashtrojnë partnerët dhe institucionet ndërkombëtare. Duke ngritur me forcë këtë shqetësim, ne nuk mbjellim fatalitet, por paralajmërojmë sa nuk është vonë, nisur edhe nga filozofia që buron nga proverbi se “ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk harron”. Ne nuk duhet të lejojmë që në popull të përhapet fryma pesimiste e disfatiste se Berisha në pushtet është i zoti të bëjë çdo gjë që ta mbrojë atë e të manipulojë zgjedhjet.

--------------------* * *--------------------

Ne kemi njëmijë e një arsye për t’i fituar zgjedhjet e 28 qershorit dhe do t’i fitojmë ato. Por përtej këtij këtij optimizmi të bazuar ne duhet t’u tregojmë shqiptarëve pse ne duhet t’i fitojmë zgjdhjet.

ü Ne duhet t’i fitojmë ato për të mbyllur përfundimisht një kapitull konfliktual të historisë shqiptare, të gërshetuar me elemente të luftës së nxehtë e të luftës së ftohtë, ta çlirojmë shoqërinë shqiptare nga atavizmat komuniste të luftës së klasave dhe ta trasformojmë atë në një shoqëri demokratike evropiane ku konkurojnë idetë dhe alternativat e zhvillimit, ku demokracia nuk është fiksion dhe ku liria nuk është abstrakte.

ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet që të detyrojmë bajraktarët e despotët e politikës shqiptare, mendjet e mykura e parazite të saj, që t’i hapin rrugën forcave progresiste, iluministe, njerëzve me vizione e udhërrëfyes në shtigjet e shekullit të 21-të në të cilën ecën Shqipëria.

ü Ne duhet të fitojmë në 29 qershor që shqiptarët të besojnë se shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë e më të begatë nuk janë vrarë, se ata meritojnë një jetë të denjë në një vend ku natyra bujare ka krijuar kaq shumë mundësi dhe ku ata deri tani janë privuar kaq shumë.

ü Aleanca jonë progresiste duhet t’i fitojë zgjedhjet që modeli i keqqeverisjes të zëvendësohet me mirëqeverisjen, që qytetarët ta ndiejnë afër pushtetin e mandatuar prej tyre dhe jo ta mallkojnë e ta anatemojnë atë, ta mbështesin për tu shërbyer më mirë dhe jo ta urrejnë e mezi të presin ditën për ta përmbysur me votën e tyre të lirë.

ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet për të bërë një shtet për qytetarët, një shtet të denjë për të jetuar me garanci për jetën e për pronën, për familjen e për të ardhmen e fëmijëve tanë, një shtet që u shërben të gjithëve e jo grupimeve të caktuara politike, fisnore, krahinore e klanore, një shtet që u shërben para së gjithash shqiptarëve dhe jo aventurierëve kozmopolitë, një shtet që nuk mund të jetë peng i askujt, veç i shtetasve të devotshëm e të Kushtetutës së tij.

ü Ne na duhet fitorja e ardhshme parlamentare për të mundur krimin e organizuar dhe atë ordiner, që vret qytetarë të thjeshtë e të pafajshëm në mes të ditës dhe të zgjedhur të popullit në pragun e shtëpisë.

ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet e 28 pershorit për të bërë atë që nuk bëri qeveria që po shkon dhe kryeministri i përkohshëm Sali Berisha: të mbysim farën e korrupsionit që po asfikson shtetin, institucionet e shoqërinë, të mos lejojmë demagogë e sharlatanë të tjerë politikë që erdhën në pushtet me flamurin e antikorrupsionit dhe po ikin nga pushteti si kampionët e korrupsionit. Ne duhet t’i japim fund dyfytyrësisë, njëra për ditën për të mashtruar njerëzit me pamjen e të përvuajturit deri në sakrificë për të qarë hallet e popullit e për t’i shërbyer atij, dhe tjetra për natën, në terrin e së cilës thuren e zbatohen projekte të mëdha hajdutërie, favore të diktuara nga zyrat e shtetit, shitje dhe blerje të paligjshme, krijohen shoqëri anonime e fiktive me kapitale të vjedhura ose të ricikluara për të humbur gjurmët, ndahen e hipotekohen prona në emra të rremë.

ü Ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet për të hequr nga shtati i Shqipërisë petkun e varfërisë dhe nga fytyra e një shumice shqiptarësh imazhin e modeleve më të dhimbshme të skamjes njerëzore. Ne nuk duhet të lejojmë thellimin e polarizimit ekstrem, grumbullimin e dyshimtë të pasurive nga njëra anë dhe shtimin e vazhdueshëm të listave të borxhit për bukën e gojës nga ana tjetër.
 
Duke parashtruar një numër arsyesh pse ne duhet t’i fitojmë zgjedhjet nuk do të thotë dhe as nuk duhen ushqyer iluzione se fitorja e tyre do të na vijë si dhuratë e Zotit ose si një mollë e arrirë që do të bjerë në prehrin tonë në momentin e duhur. Sfida jonë e madhe elektorale na shtron dy pyetje që kërkojnë përgjigje e zgjidhje: اfarë duhet të bëjmë ne që të fitojmë zgjedhjet dhe çfarë u ofrojmë ne shqiptarëve që të na besojnë mandatin e qeverisjes së ardhshme të Shqipërisë?

Ne kemi përballë një kundërshtar politik që ka në dorë edhe makinerinë e qeverisjes së vendit dhe që ka dëshmuar në këto 18 vite se dashurinë për pushtetin e ka kthyer në kult dhe në emër të tij bëhet agresiv, i dhunshëm e manipulator i paskrupullt i vullnetit të shqiptarëve. Partia Demokratike zotëron një industri të përpunimit të opinionit publik që punon me kapacitet të lartë dhe që ka si lëndë të parë demagogjinë e mashtrimin, gënjështrat e premtimet boshe, lojën e shifrave dhe spekullimet me rritjen ekonomike e politikat sociale. Ajo po ushtron një presion të madh psikologjik mbi shqiptarët përmes mikrofonave dhe ekraneve televizive për të krijuar përshtypjen e rreme se e ka të sigurt mandatin e dytë qeverisës.

Kjo trysni shumëplanëshe që derdhet përditë mbi kokat e shqiptarëve nga një kastë njerëzish që kanë marrë në dorë gërshërët e doktorit, të berberit apo të leshit të dhënve dhe presin shirita punësh të pabëra e projektesh infrastrukturore në sirtar, duhet që të përballohet nga ana jonë me një strategji e platformë elektorale e qeverisëse bindëse, konkrete, e thjeshtë për tu kuptuar nga njerëzit. Atyre u duhet përcjellë mesazhi se Demokracia Sociale dhe Aleanca e Progresit për një Shqipëri ndryshe që ne kemi krijuar, nuk do të jenë një kopje me ngjyrë e alternativës qeverisëse të Gërdecit dhe as një shpurë nëpunësish militantë e axhaminj që turren pas kryetarit të fisit e me urdhër të tij për të plaçkitur pasurinë kombëtare e për ta ndarë atë edhe me aventurierë e sojsëzë të tipit serbo-boshnjak.

Koalicioni ynë me Partinë Socialiste dhe me aleatët e tjerë nuk synon një rotacion të zakonshëm pushteti nga e djathta tek e majta siç kemi parë në këto 18 vjet. Shqiptarët nuk do të gjenin arsye të mjaftueshme për të na votuar me shumicë në rast se në karriken e lakmuar të pushtetit një xhaketë blu do të zëvendësohej me një xhaketë rozë, apo të një ngjyre të përafërt me të. Ne duhet tu dëshmojmë shqiptarëve se kemi një koncept krejtësisht tjetër qeverisës, larg skemave tradicionale të tranzicionit shqiptar dhe sidomos ndryshe nga skema populiste blu dhe qeverisë së shërbimeve e të shërbesave. Një filozofi dhe alternativë e re që është ngritur mbi bazën e nevojës për ndryshim është e domosdoshme të përçohet në popull me thjeshtësi, urtësi e qartësi që të ngjallë bindje dhe jo të jetë hipokrizia elektorale e rradhës, që të sigurojë mbështetje të ndërgjegjësuar dhe jo një votim të sponsorizuar e të blerë përkohësisht në tregun elektoral.

ü Ne u ofrojmë shqiptarëve forcimin e shtetit dhe të institucioneve të tij, funksionimin e tij jo mbi baza voluntariste e instikte paranojake të liderëve të veçantë politikë, por mbështetur në Kushtetutë e në ligj.

ü Ne u ofrojmë shqiptarëve një qeverisje të përkushtuar për të bërë ndryshime themelore dhe jo ndryshime kozmetike, një qeverisje profesionale e sa më shumë konsensuale dhe jo një qeverisje unilateraliste dhe yes-menësh, një qeverisje që do të sjellë një produkt shumë të qartë e të identifikuar të punës së saj në interes të shqiptarëve e para syve të tyre dhe jo një qeverisje si kjo që kemi akoma për 49 ditë që gjithë shqetësimi ka qenë të bënte make up për punët e pabëra ose gjysëm të bëra për t’i shitur në tregun mediatik.

ü Ne do t’u japim shqiptarëve modelin demokratik dhe evropian të marrëdhënieve midis pushteteve të pavarura: ekzekutivit, legjislativit, drejtësisë e medias. Ne do t’i çlirojmë këto pushtete nga presioni dhe nga uria patologjike e kryeministrit aktual për t’i kontrolluar e uzurpuar ato. Ne do të ndihmojmë që përmes reformimit substancial të institucioneve të drejtësisë të vendosen ekuilibrat funksionalë në marrëdhëniet midis tyre dhe kur pavarësia në vendimarrjen e njërit të mos cënojë autoritetin dhe pavarësinë e tjetrit. Nuk do të ketë drejtësi tjetër përveç zbatimit të ligjit.

ü Ne do tu ofrojmë shqiptarëve më shumë siguri e garanci për jetën dhe për pronën. Strukturat shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e rendit e respektimin e ligjit dhe i gjithë rrjeti i institucioneve të sigurisë së vendit do të kthehen nga instrumente të zbatimit të udhëresave partiake në forca që udhëhiqen vetëm nga interesat kombëtare dhe ato qytetare. Shqiptarët do të kenë më tepër siguri në punë e në rrugë, në shkolla e në familje, në qytete e në fshatra, ditën dhe natën.

Lufta kundër krimit ordiner dhe atij të organizuar do të thellohet e do të zgjerohet, jo për të pasuruar statistikat dhe raportet qeveritare, por për të ngushtuar gjithnjë e më shumë hapësirat e veprimit dhe për të prerë burimet e ushqimit të tyre.

ü Duke qenë të ndërgjegjshëm se lufta kundër korrupsionit është e gjatë dhe e vështirë, ne do tu rikthejmë besimin shqiptarëve se me veprime të vendosura e të përbashkëta është e mundur që Shqipëria të dalë nga lista e zezë botërore e vendeve më të korruptuara, se është e mundur që një shoqëri që vë në lëvizje potencialet dhe vlerat e saj më të mira kundër farës së mbjellë të degjenerimit moral e antivlerave politike e njerëzore, mund të shpëtojë vetveten dhe të ndërtojë të ardhmen e shëndetshme të brezave të saj. Ne do të investohemi që luftën kundër korrupsionit të mos e kthejmë në një kalë beteje të drunjtë të fushatës elektorale siç edhe bëri kryeqeveritari katër vjet më parë për tju marrë votën shqiptarëve. Koha zbuloi kalbësirën e kalit të drunjtë dhe të kalorësit prej mishi e kocke. ثshtë detyrë e shqiptarëve në 28 qershor që nga shala e kalit të mashtrimit të rrëzojnë edhe kalorësin e lodhur nga aventura e tij e luftës kundër mullinjve të erës.

Ne e dimë se pas 28 qershorit na presin sfidat shumë të vështira të qeverisjes së vendit. Por kryesfida do të jetë ekonomia, zhvillimi i qëndrueshëm dhe perspektiv i saj. Ne jemi të ndërgjegjshëm që po trashëgojmë një ekonomi të goditur nga efektet e krizës financiare dhe ekonomike botërore, se ritmet e rritjes ekonomike këtë vit do të jenë pothuajse në nivelin zero.

ü Ne e pranojmë sfidën dhe do ta përballojmë atë. Ne nuk jemi alternativa e mohimit siç po bërtet poshtë e përpjetë e përditë kryeministri i përkohshëm në detyrë, por alternativa e zhvillimit, ne nuk do të jemi kredimarrës aventurierë si qeveritarët e sotëm që ecin me postulatën e Luigjit të XIV, -“pas meje u bëftë qameti”.

ü Ne do ta shëndoshim ekonominë shqiptare duke mobilizuar të gjitha burimet e saj, ne do të shkojnë drejt ndërtimit të një ekonomie sociale tregu ku të jenë sa më shumë të harmonizuara interesat e punëmarrësve me punëdhënësit, ku bizneset e vogla e të mesme të mos asfiksohen nën peshën e rëndë të taksave dhe ku biznesi i madh të mos pengohet në sipërmarrjet e tij dobiprurëse prej lidershipi ekonomik.

ü Ne do ta nxjerrim bujqësinë nga gjëndja e mjerueshme në të cilën ndodhet. Punimi i tokës sot në fshat shkon nga 12–16 mijë lekë të vjetra, çmimet e pesticideve janë rritur dy herë në krahasim me katër vjet më parë, kreditimi i fermerëve është bërë një ëndërr në sirtar, transporti fshat–qytet është dyfishuar ndërkohë që çmimet e naftës kanë rënë. Këto dhe mjaft shifra të tjera të përftuara në kontaktet direkte me fermerët në të katër anët e Shqipërisë dhe jo nga zyrat e qeverisë dëshmojnë të kundërtën e mrekullisë ekonomike ose të “doktrinës ekonomike” të zotit Berisha siç pati kurajon që vetëm ajo mund ta ketë, zonja e parë e Kuvendit disa ditë më parë të deklaronte me kaq shumë pathos, verbëri politike e defiçit profesional.
 
Demokracia Sociale ka një profil politik siç ka edhe emrin. Ajo mbështet të gjitha politikat dhe reformat sociale që janë të adresuara me përparësi në plotësimin e interesave themelore të grupimeve sociale më në nevojë. Paketa sociale e qeverisjes tonë të ardhshme do të ketë në epiqendër të saj:

ü Punësimin si burimin kryesor të mirëqënies së qytetarëve, zgjerimin e tregut legal të punës përmes nxitjes së investimeve të brendshme e të huaja, përmes krijimit të klimës së mirëkuptimit me sipërmarrjet e mëdha, mbështetjes së biznesit të vogël e të mesëm e reduktimit të informalitetit. Punësimi në një shoqëri që ka një proces dinamik urbanizimi duhet të synojë me prioritet brezin e ri, jo vetëm për shkallën e ulët të nxënies së tij në punë, por edhe për shkak të potencialeve e të moshës që lejon e kërkon shkollim profesional e absorbim më të shpejtë të teknologjive të reja të prodhimit e të shërbimeve.

ü Luftën kundër varfërisë me synimin afatmesëm për reduktimin e saj jo me sllogane e premtime boshe por me strategji e programe konkrete, të prekshme e të realizueshme. Qeveria jonë e ardhshme do të trashëgojë rekorde jo pozitive në trajtimin e fenomenit të varfërisë nga të gjitha qeveritë e tranzicionit në Shqipëri, e aq më tepër nga qeveria aktuale. Suksesi ynë në përballimin e kësaj sfide nuk do të qëndrojë në spektakle politike të mëshirës kristiane, por në përpunimin e zbatimin e reformave e të hapave konkrete, në përcaktimin e mekanizmave që do të përmirësonin ndjeshëm situatën. Dhe këto janë ndër të tjera: punësim, edukim dhe lëvizje e lirë përmes procesit të liberalizmit e pastaj të heqjes së vizave.

ü Një konceptim të ri të mbrojtjes e të përkrahjes sociale që do t’i bëjë shtresta e varfra e në nevojë jo më konsumatorë pasivë të një lëmoshe mbijetese, por do të nxisë pjesëmarrjen e tyre aktive në skema punësimi, edukimi e shërbimesh për tu riintegruar në tregun e madh të punës dhe në përmirësimin e nivelit të tyre të jetesës.

ü Trajtimin e shqiptarëve në emigracion si shtetas të denjë e me të njëjtat të drejta si gjithë qytetarët shqiptarë, si e drejta e votës atje ku banojnë e punojnë, e drejta e përfitimit të sigurimeve për vitet e punës që kanë bërë në vendet respektive, e drejta e shkollimit të fëmijëve të tyre në gjuhën shqipe, e lehtësimin e të gjitha shërbimeve të tjera të domosdoshme nga institucionet e shtetit shqiptar.

ü Integrimin real të komuniteteve të patrajtuara e të diskriminuara si romët, egjiptianët, etj., në jetën ekonomike, politike, sociale e kulturore të vendit, hartimin e politikave e të programeve nxitëse për zhvillim, arsimim, punësim e mirëqënie të tyre.

ü Rikthimin menjëherë në fuqi të Ligjit të Kuvendit të Shqipërisë për trajtimin e ushtarakëve në pension e të liruar konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe trajtimin e tyre me dinjitetin që meritojnë për shërbimet e çmuara e vitet e sakrifikcës që kanë bërë në shërbim të vendit e të popullit. Unë gjej edhe njëherë tjetër rastin që t’i garantoj për përkushtimin e Demokracisë Sociale në mbrojtjen e përfaqësimin e kauzës e të interesave të tyre.

ü Përqendrimin e vëmendjes në trajtimin e grupeve sociale që natyra dhe fatkeqësitë në punë e në jetë nuk u japin shanse e mundësi për një veprimtari plotësisht aktive. Humanizmi i një shoqërie fillon nga përkujdesja ndaj këtyre shtresave prandaj edhe në programin tonë të ardhshëm qeverisës do të parashikohen politika specifike për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe për një jetë më të larmishme e më aktive.

ü Tregues të rëndësishëm për nivelin dhe mirëqënien e një shoqërie janë edhe arsimi dhe shëndetësia. Rritja e pagave për punonjësit e këtyre dy sektorëve parësorë socialë është e vlerësueshme por aspak e mjaftueshme për të matur shkallën e progresit dhe nivelin e tyre. Janë tregues të tjerë shumë më të rëndësishëm që përcaktojnë cilësinë e shkollës e të shërbimeve shëndetësore dhe ku qeveria aktuale kapitulloi në premtimet e saj. Ne do të merremi shumë seriozisht me cilësinë e kurrikulumeve në shkollat e të gjitha niveleve, do të largojmë shabllonizmin nga programet e tekset, do të respektojmë metodat alternative në mësimdhënie dhe do të rikthejmë nivelin cilësor të trupës pedagogjike që është infektuar rëndë nga injoranca e militantëve pa shkollë të PD që kanë hyrë aty.

ü Ne nuk do të spekullojmë me cilësinë e arsimit të lartë në emër të hapjes ose të shqyerjes së dyerve të universiteteve publike ose private siç po përpiqet të mashtrojë sot kryeministri shqiptar. Universitetomania, është kthyer në një fenomen epidemik, dhe i ngjan sindromës piramidale të Sudes, ku në emër të bizneseve e fitimeve të pandershme firmosen libreza notash e jepen diploma universitare, si dikur në rrugën e Kavajës, këtu në Tiranë. Ky është shërbimi më i keq që mund t’u bëhet të rinjve e të rejave si dhe vetë të ardhmes së Shqipërisë. Ne do ta rishikojmë këtë politikë të gabuar arsimore dhe do të kërkojmë riakreditimin e universiteteve e shkollave private që nuk u afrohen standarteve evropiane dhe që nuk përgatisin brezin tonë të ri për integrimin e tij në familjen evropiane.
 
ü Qeveria aktuale e doktor Berishës nuk arriti të justifikojë as bluzën e bardhë të dikurshme të shefit të saj. Dhe këtu nuk është faji i shumicës së ekipeve të mrekullueshme të mjekëve, të cilët po punojnë me profesionalizëm e përkushtim të lartë, për mungesën e kapaciteteve spitalore, të pajisjeve mjekësore të barnave e të cilësisë së tyre, të serumeve apo të shërbimeve të urgjencës. Dështimet e kryeministrit mjek ne do t’i zëvëndësojmë me një progres të ndjeshëm në cilësinë e shërbimeve dhe në infrastrukturën spitalore.

ü Vlerat më vizive tërheqëse, argëtuese e përfaqësuese të një vendi janë turizmi, arti, kultura e sportet. Për fatin tonë jo të mirë, me gjithë bujarinë e natyrës, qeverisja që po shkon nuk arriti tu japë shqiptarëve arsye për të besuar se ajo e kishte seriozisht punën me turizmin. Eskursionet turistike të qeverisë dhe ceremonitë rutinore zyrtare të hapjeve të sezoneve turistike, së bashku me shifrat e fryra të turistëve të huaj që prezantohen, nuk mund të mbulojnë realitetin rutinor të zhvillimit të turizmit.

Strategjia për turizmin është e lidhur ngushtë me ruajtjen e mjedisit. Deri tani mund të thuhet pa ndrojtje se nuk ka patur politika për mbrojtjen e mjedisit, por për ndotjen e shkatërimin e tij. Detyra e qeverisë tonë të ardhshme është që në strategjinë e saj të qeverisjes të ketë një ekuilibër të qëndrueshëm midis zhvillimit ekonomik, ruajtjes së mjedisit e progresit turistik.

--------------------* * *--------------------

ü Zhvillimi dhe prosperiteti i Shqipërisë është i lidhur ngushtë me të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të saj. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një arritje e merituar e të gjithë shqiptarëve dhe rrjedhojë e përpjekjeve të të gjithë faktorëve politikë, institucionalë, të shoqërisë civile dhe më gjerë. Opozita e sotme në vitet e qeverisjes së saj kreu volumin më të madh të punës e të detyrimeve të nevojshme në rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO. Këtë e dinë të gjithë shqiptarët, këtë e dinë edhe partnerët tanë euroatlantikë. Këtë bën sikur nuk e di dhe e mohon zoti Berisha, ashtu siç mohon çdo kontribut e zhvillim që nuk është i lidhur me emrin e tij dhe me qeverisjen e tij.

NATO nuk është çiflig i kryeministrit por një organizatë prestigjoze politike-ushtarake ndërkombëtare që nuk mund të keqpërdoret për synime politike dhe elektorale nga kujdestari i ekzekutivit shqiptar. Shqiptarët nuk kanë harruar se dhjetë vjetë më pare, ata me në krye opozitën e sotme që ishte qeveria e kohës bashkëpunuan shumë ngushtë me NATO-n, vunë në dispozision hapësirën ajrore, portet, infrastrukturën, bazat ushtarake, gjithçka që kishin dhe kontribuan në mënyrë të shkëlqyer në çlirimin e Kosovës dhe në rrugën e pavarësimit të saj.

Këtë kontribut e kanë vlerësuar me nota maksimale vëllezërit tanë të Kosovës, partnerët e mëdhenj e strategjikë ndërkombëtarë, SHBA e BE.

Ndërsa ne në atë kohë bashkërendonim qëndrimet e veprimet me Presidentin Klinton e Sekretaren e Shtetit Ollbrajt, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Havier Solanën dhe Komandantin e Forcave të NATO-s Uesli Klark, me Kryeministrin britanik Toni Bler e Sekretarin për Punët e Jashtme Robin Kuk, me Presidentin e Francës Zhak Shirak e me ministrin e tij të jashtëm Huber Vedrin, me Kancelarin e Gjermanisë Gerhard Shrëder e ministrin e jashtëm Joshka Fisher, e me shumë e shumë partnerë të tjerë në NATO, për të ndihmuar e kurorëzuar me fitore rezistencën e Ibrahim Rugovës, luftën çlirimtare të UاK të Hashim Thaçit e aspiratat e larta atdhetare të Rexhep Qosjes, Fehmi Aganit, Veton Surroit e të gjeneratave të tjera kosovare, kryeministri aktual shqiptar dhe shefi i opozitës në atë kohë u bëri thirrje anëtarëve të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës në Konferencën e Rambujesë që të mos e nënshkruanin marrëveshjen që e kërkonin të gjithë ato personalitete të larta, emrat e të cilëve i përmenda më lart, që e kërkonte vetë NATO, që e kërkonte liria dhe pavarësia e Kosovës. NATO i provon burrat në luftë e jo në paqe, me NATO-n duhet solidaritet e aleancë e përhershme dhe jo koniukturale.

Ne kemi treguar se kemi qenë partnerë të denjë të NATO-s dhe të tillë do të jemi ne edhe pas fitores së 28 qershorit. Me po këtë vullnet ne do të vazhdojmë të plotësojmë angazhimet e detyrimet tona për të merituar një status më të avancuar, atë të vendit kandidat për anëtar në BE, liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe pastaj heqjen e tyre. Vendi i Shqipërisë është në familjen e madhe evropiane dhe këtë vokacion evropian shqiptarët e kanë patur dhe e kanë shprehur fuqishëm prej kohësh. Por ne nuk mund tu imponohemi evropianëve me standartet tona, jemi ne që duhet të shkojmë në standartet e BE dhe nuk është BE që duhet të vijë në standartet e Shqipërisë. Ndaj edhe burrat e urtë evropianë e të Brukselit këshillojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 28 qershor si një gur prove për standartet e maturinë e demokracisë e të politikës në Shqipëri.
Shqiperia
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top