Përmeti, qyteti i mrekullueshëm i luleve

braziljania

Anëtar i Nderuar
Autori i Lajmit: Klodiana Bufi
Përmeti përmendet për herë të parë në kronikat e shek. 15. Ai është një vendbanim i lashtë i historisë, por i pazbuluar mirë. Ai u rrit si një qendër e vogël administrative e tregtare e osmanëve dhe ishte qytet përkrahës i lëvizjeve nacionaliste shqiptare qysh herët, në shek e 19. Ai ishte qendër rezistence e sulmeve greke në fund të shek 19. Shoqata nacionaliste "Bashkimi" u formua në Përmet në 1909. Në 24 maj 1944 Kongresi Antifashist Nacional çlirimtar u mbajt në këtë qytet, gjithmonë i njohur në Shqipëri si Kongresi i Përmetit, i cili shtroi themelet për komunistët që morën pushtetin në fund të atij viti.

I vendosur rrëzë malit të Dhembelit dhe në një pellg malor të pyllëzuar, me dimër të ftohtë dhe reshje të shumta përgjatë pranveres, Përmeti përbën një nga zonat më të përshtatshme të kultivimit të hardhisë. Por nëse vite më parë ky rreth përmendej në Shqipëri për rakinë dhe verën e tij mjaft të dëgjuar, sot një udhëtar i rastit që mund të provojë një gotë verë në ndonjë pijetore të Përmetit, vështirë se do të gjejë kënaqësinë e kërkuar që dikur ta jepte lëngu i Merlotit. Të njëjtat lloje pijesh, toka e njëjtë, klima po ashtu, por çfarë ka ndryshuar atëherë që ky kalimtar nuk e përfundon gotën e tij të verës? Punishtja më e madhe e verës në këtë rreth, ajo e Këlcyrës, njeh një prodhimtari të madhe dhe cilësore të verës e rakisë, sigurisht jo të përmasave të dikurshme. Sipas specialistëve të vreshtarisë, në rrethin e Përmetit mund të kultivohen gati të gjitha varietetet e rrushit si Muskati, Riesling, Merlot e deri te kultivime të tjerë si Afuzali, Sulltanina (rrush pa farë shumë i preferuar nga konsumatorët) etj. Por, pa dyshim, më i përshtatshëm për klimën e Permetit është varieteti Merlot.

Këlcyra
Këlcyra ishte një fshat ilir në shek. e 4 p. K, pjesë e fiseve që ishin përreth kodrave të Trebeshinës. Në kohët romake gryka ishte rrugë transporti dhe një vendbanim i vogël u rrit. Në 1272-shin përmendej në kronikat mesjetare me emrin Klausura. Erdhi nën sundimin arbëresh në 1335. Mbas 1431-shit mori pjesë në luftën e Skënderbeut kundër Turqisë. Këlcyra ishte vendi i heroit shqiptar në Luftën Civili Spanjolle, Musa Fratari, i cili luftoi dallueshëm në Betejën e Ebros. U vra nga fashistët në 1938. Qyteti gjithmonë është varur nga cilësia e lartë e frutave dhe rrushit me prosperitetin e tij ekonomik dhe qendër për raki.

Qyteti i trëndafilave
Përveç kulturës së hershme në kultivimin e rrushit dhe prodhimit të verës, një tjetër traditë përmetare është edhe mbjedhja e luleve. Në çdo shtëpi përmetare ka gjithmonë lule të freskëta dhe kryesisht trëndafila shumëngjyrësh. Kjo traditë e rritjes së luleve shtëpiake daton herët në këtë qytet, që me ndërtimin e tij shekuj më parë. Atëherë lule të ndryshme mbulonin muret rrethuese të shtëpive, ndërsa kopshtet e vegjël zbukuronin pamjen me freskinë e luleve të ndryshme. Një tjetër karakteristikë e këtij qyteti është edhe kuzhina e tij. Një kuzhinë tradicionale, e shijshme dhe me një emër të mirë, ka kohë që qëndron në kulturën këtij vendi. Megjtihatë, është e kotë të flitet për të, pasi ai që e ka provuar e di çdo të thotë kuzhinë tradicionale përmetare.

VERA
Merloti i famshëm i Përmetit
Vetitë e këtij varieteti si përmbajtja e lartë e alkoolit etilik, vjetërimi i shpejtë, përqindja e lartë e sheqerit dhe përmbajtja e lartë e lëndëve ngjyruese, e bëjnë verën e prodhuar të Merlotit nga më të degustuarat e më të preferuarat në të gjithë vendin dhe konkurruese dinjitoze me verërat e importit. Për herë të parë në Shqipëri ky varietet rrushi ka hyrë në vitin 1959 dhe që prej atij viti ai ka gjetur një përhapje të gjerë në rrethin e Përmetit, i cili zë edhe vendin e parë në Shqipëri për kultivimin e Merlotit.

PERSONALITETET
Vëllezërit Frashëri

Naimi
Figura qendrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim si poet i madh i kombit, është Naim Frashëri, bilbili i gjuhës shqipe. Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori te hoxha e fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres. Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare. Ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit. Dashuria për atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij.

Samiu
Rilindës i shquar, ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist. Në literaturën e huaj është njohur me emrin Shemsedin Sami. Lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos në Janinë. Këtu së bashku me Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke "Zosimea". Më 1872 u vendos në Stamboll, ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes demokratike-borgjeze turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të "Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare" dhe me themelimin e "Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip" (1879) u zgjodh kryetar i saj.

Abdyli
Ka qenë patriot e demokrat i shquar dhe një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Lindi në Frashër (Përmet) më 1839 në familjen e një spahiu të vogël të deklasuar. Pjesën e parë të jetës e kaloi në fshatin e lindjes. Në moshën 18-vjeçare u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877-n. Në fund të këtij viti (1877), kur ishte deputet i Janinës në parlamentin e dytë osman, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll. Dha një ndihmesë të rëndësishme në përpunimin e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare, sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Ai mori pjesë aktive në përpjekjet për themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe u shqua si udhëheqës, organizator e diplomat i saj. Veprimtarinë e tij kryesore e zhvilloi sidomos në viset e vilajetit të Janinës dhe të Kosovës. Në Kuvendin themelues të Lidhjes së Prizrenit u zgjodh kryetar i komisionit të punëve të jashtme të saj.

Marrë nga G.Integrimi
 
Përmeti, ana e panjohur

Reportazh nga Fatos Baxhaku

"Shushurima e Vjosës më mësoi t‘i bie klarinetës". Usta Laver Bariu një ditë më parë na kishte thënë se Vjosa e kishte frymëzuar në "bluzin" e tij ballkanik. Vjosa në këmbët tona është kësaj here e heshtur. Duket si e lodhur nga vapa e gjatë. Disa pika shiu që kanë rënë ditë më parë, vetëm se ia kanë shtuar etjen. Por vetëm kaq. Nën këmbët e urës që të çon në Përmet, ajo është e kaltër vërtet, por e heshtur, krejt e heshtur njësoj sikur të dojë të mendohet. Në të gdhirë lumit më të famshëm të Jugut i afrohen disa silueta të ndrojtura. Janë peshkatarët e Vjosës. Njerëz që jetë e mot kanë kërkuar më shumë se peshkun, qetësinë prej valëve të saj.

Janë nga ata përmetarët e vërtetë të qëmotit. Njërin prej tyre do ta takojmë vetëm pas pak orësh. Eshtë Kristaq Cullufja, lindur e rritur në Buhal, banues, "i përkohshëm si të gjithë në këtë jetë", sikurse thotë vetë, në Përmet. Kiço është hidraulik. Të paktën kështu është zyrtarisht, porse nën shtatin e tij të zhdërvjellët fshihet një pasion i madh: historia. Me Kiçon bashkë do të ndërmarrim një udhëtim jo në atë Përmetin që është njohur deri më tani, atë të 24 majit, të glikove, të rakisë, të njerëzve të paqtë e të luleve. Për këto ju folëm një javë më parë. Me Kiçon do të udhëtojmë në një tjetër Përmet, në atë që ka nisur të harrohet.

Një muzeum privat? Përse jo!

Kiço nuk i ka qejf gazetarët. Më saktë ai nuk dëshiron të mburret. Pa imagjinoni pak! Ai është nga ata që refuzojnë edhe celularin. Megjithatë, ai i ka qejf njerëzit që merren me histori të vjetra. Mbase mustaqet e rralluara të ndonjërit prej nesh, apo disa emra të njohurish të përbashkët, që përmenden në një darkë të thjeshtë te lokali i Gjergjit, e bëjnë ta ndiejë veten disi më mirë. E kur jemi thuajse në të ndarë, atëherë kur të gjithë kemi në gojë atë përshëndetjen shpëtuese: Natën e mirë, pikërisht në këtë kohë Kiço na fton në "perlën" e tij të panjohur. Bashkë me Nikon dhe Aleksin, dy miqtë tanë përmetarë, shkojmë pas Kiços, në rrugën që të çon andej nga gjimnazi, pastaj një kthesë e beftë dhe më pas shtëpia e tij, në dukje krejt e zakonshme, njësoj sikur të kishim shkuar në cilëndo shtëpi të re të këtyre anëve. Porse befasia fillon që në oborrin e ngushtë.

"E shikoni këtë gur? - na pyet Kiço që në hyrje - a nuk ju ngjan me dëborën në mal?" Dhe vërtet, nën ndriçimin e zbehtë të llambës së Kiços, një gur çezme na ngjan si i lyer me dëborë. Pastaj Kiço na tregon me radhë: "Ky është gur nga Dëshnica, ky tjetri që nga këtu afër, këtë e kam marrë nga Vjosa poshtëë shtëpisë sime të vjetër…". Një galeri e tërë me gurë na e largon disi atë ndjenjën se duhej të ishim ndarë tashmë me hidraulikun e njohur të Përmetit. Por befasia vazhdon akoma.

"Ejani këtej - thotë Kiço me zë të ulët, sikur të dojë të na rrëfejë një të fshehtë të madhe - këtë nuk ua tregoj të tërëve". Hapet drita dhe ne befas e gjejmë veten në një muzeum të improvizuar. Gërshërë të çdo lloji, mjete pune të muratorëve të vjetër, yzengji, me të cilat tregtarë të vjetër karvanësh shponin vithet e kuajve të tyre, foto pa fund - "kjo është tetoja e mamasë, kjo është mamaja vetë, ky këtu është xhaxhai i babait…, nuk rresht së foluri Kiçoja - makina të vjetra qepëse, pastaj kazanë, tepsi, ibrikë, takëme të argjendta, tabaka, të gjitha janë të mbyllura në dhomën-muze të Kiços.

Na duhet një copë herë sa ta marrim veten nga moria e sendeve që befas na kanë dalë përpara syve në këtë natë përmetare. Kiçoja e kupton. Ka ardhur koha për një kupë raki. "Pijeni këtë dhe flasim sërish kur të doni. Eshtë raki pjergulle. Nga ky rrush nuk ka mbetur gjëkundi". E hedhim me fund atë kupën e rakisë të rrethuar nga qindra vjet histori dhe lëmë takim me Kiçon të nesërmen
 
Në Buhal, mes historive

"Buhali, fshati im nuk është larg, vetëm pesë kilometra nga Përmeti", thotë Kiço, ndërsa bëhemi gati për rrugë që në orët e para të mëngjesit. Por "pesë kilometrat" e Kiços janë gjithnjë relative. Një shteg që këndej e quajnë udhë, ende të çon në njërin prej fshatrave më të dëgjuar të krejt zonës. Në fillim nuk e kuptojmë mirë ku jemi. A jemi në periferi të Përmetit, apo në fillimin e fshatrave të tij? Kiço qëndron stoik në sediljen e pasme. Vite më parë, këtë rrugë e ka bërë shumë herë në këmbë. Duket sheshit se është fort i kënaqur që po dërgon shokët e tij - tashmë kështu na quan - në shtëpinë e tij të lindjes. Pas një reje pluhuri dhe pas një fushe në anë të lumit, duket se u jemi afruar shtëpive të para të Buhalit. "Do ecim edhe ca më lart", thotë Kiço me sytë e ngulur majë një kodre.

E kuptojmë se kemi mbërritur. Një çezmë e lyer kush e di se prej kujt me gëlqere, na kujton se këtu dikur ka qenë një qendër ku mblidheshin zakonisht njerëzit e këtij vendi. Tani çezma, që ka dy gryka, nuk duket se sjell shumë ujë. "Këtu merrnim ujë, ne të lagjes Golem - thotë Kiço sikur të flasë me vete - këtu ishte plot gjallëri". Ca metra më tutje na duhet të bëjmë kujdes të madh. Grumbujt e gurëve të bashkuar me do ferra të mëdha janë bërë gati të pakalueshëm. Dikush prej nesh rrëshqet frikshëm. Pas gurëve dëgjohet një e qeshur fëmijë. Një gajasje pa fund, njësoj sikur të vinte nga një botë e harruar në këtë vend, ku ende nuk kemi takuar banorë. Më vonë do të njihemi me "zërin" e panjohur. Eshtë Andre, një nga të paktët fëmijë të fshatit, i cili shumë shpejt do të bëhet miku ynë.

Kemi mbërritur në shtëpinë atërore të Kiços. "Shtëpi" nuk është termi i duhur që duhet të përdorim në këtë rast, sepse kjo ngrehinë që shohim përpara, është një kullë e gurtë trekatëshe, që na kujton sakaq kohët e shkuara. Miku ynë gërmon do kohë ndër xhepa sa të gjejë çelësin e duhur, në një tufë që ka marrë me vete që nga Përmeti. Pas një gërvime të gjatë që bën porta kryesore, më në fund jemi në shtëpinë e vjetër. Prej të zotit të saj mësojmë se ka kohë që është njohur si Monument Kulture, por duket se që prej po aq kohësh vetëm Kiço i mbarë kujtohet për të. Vetëm hapat tanë dëgjohen tani në ndërtesën e vjetër.

I zoti i shtëpisë na shpjegon me radhë: "Kjo është dhoma ku mblidheshim të tërë. Ime më ka jetuar deri vonë në këtë dhomë. I shikoni dantellat? Pastaj kjo ngjitur ishte dhoma e miqve. Këta ishin të shumtë përherë. Poshtë ishin qilarët e zahireve…". Kiço flet e flet për histori të vjetra e të reja. "Ky këtu në foto është gjyshi i mamasë, kjo e shoqja e tij. Këta dy të tjerët askush nuk i mban mend, por që janë tanët, tanët janë…". Disa lakuriqë nate bezdisen nga ne, të panjohurit dhe lëshohen në një fluturim kërcënues drejt hatllave të vjetra. Sërish dëgjojmë gajasjen e bukur të Andresë. "Mos kini merak", na thotë duke shfaqur dhëmbët e bardhë - këta janë shokët e mi".

E kalojmë një copë herë duke u sjellë vërdallë nëpër shtëpinë e vjetër. "Hë, si thoni? - pyet Kiço - a është më mirë këtu, apo në qytet?" Ne vetëm sa rrudhim supet, pa ditur t‘i kthejmë përgjigje. Kush e di se sa breza vendasish e kanë bërë këtë pyetje para mikut tonë. Përgjigjja është heshtja që kemi përballë.

Një gazetare e re dhe një mace e verbër

Kuriozë, sikurse na e do puna, fusim hundën në një oborr të heshtur. Kuptohet që shtëpia është e banuar. Eshtë dritë e pastër. Nuk kalon shumë dhe nga brenda dëgjohet një zë fëmijë: Kush është? Ky është Sokrati, një dhjetëvjeçar. Sokrati është i vetmi mashkull që ka mbetur në shtëpi. Babai ka shkuar në arë për punë, porse e bën të gjithë zakonin. "Urdhëroni brenda - thotë me përzemërsi - babi nuk vonon shumë". E kështu përfundojmë në shtëpinë e fqinjëve të Kiços.

Sokrati ka dy motra më të mëdha se ai. Glikoja dhe rakia nuk vonojnë të vinë në tryezë për miqtë. Kiço pyet mbarë e prapë për emra që vetëm ai dhe njerëzit e shtëpisë i njohin. Sokrati dhe të motrat na rrëfejnë se sa orë rrugë u duhet që të shkojnë në shkollë, në mes të dimrit e të shiut, apo të vapës përcëlluese. Më e madhja nga motrat gëzohet kur mëson se jemi gazetarë. "E kam ëndërr - thotë - sapo kam mbaruar maturën dhe do të konkurroj për gazetare". Janë të kota mësimet tona për orët e gjata të punës, për shefin që inatoset, për të ngrënit vetëm një herë në ditë, për vështirësitë e të qenit gazetare femër në Shqipëri. Vajza e Buhalit e ka ndarë mendjen: O do të bëhet gazetare, o s‘ka.

Një mace na vërtitet nëpër këmbë. Hera-herës përplaset me këmbët e mobilieve. "Mos ia vini re - thotë kolegia jonë e ardhshme - është verbuar, sepse është e moshuar tashmë. Jemi rritur bashkë. Njerëzit e shtëpisë donin ta hiqnin. Madje bënë edhe një shaka të hidhur me mua. Më thanë se e kanë dërguar diku larg. Vetëm kur panë lotët e mi pafund, vetëm atëherë e sollën sërish. Jam e lidhur me të. Kemi kaluar shumë gjëra bashkë". Ndahemi me kolegen dhe njerëzit e saj në një sofat të gurtë. Tashmë ajo ka fituar shumë pikë në konkursin që e pret. "Zemra e mirë, a nuk duhet të jetë kjo një pikë e fortë e gazetarëve?" - pyet miku ynë Kiço. Kësaj here e tundim kokën të gjithë me bindje.
 
Kishat e Buhalit dhe Aliu i Tepelenës

Fare pranë çezmës dhe shtëpisë së Cullufajve ndodhet një kishë e gurtë. Duket sikur është e pjerrët, njësoj si trualli që e mban. Eshtë Kisha e Shën Dhimitrit. Këtu dikur, kur fshati ishte i populluar, mblidheshin burrat e gratë jo vetëm për festa, por edhe për të diskutuar për hallet e përbashkëta. Tani është e heshtur si krejt Buhali. Me Kiçon vërtitemi një copë herë brenda e jashtë kishës. Në një kënd të kambanores lexojmë një date të fundit të shekullit XIX. Me siguri është date e rindërtimit të saj, sepse kisha e vogël duket fort e vjetër për nga konstrukti i saj që të kujton kishat e ngjashme bizantine të përhapura në krejt Jugun e Shqipërisë.

Ca më poshtëë, në drejtim të lumit Kiço, na tregon një tjetër ndërtesë të gurtë. Në fillim presim ca sa t‘u hapim udhë disa lopëve kapriçioze, që nuk para pyesin për historitë e kishave dhe të shenjtorëve. Një dem i madh, që i prin kopesë, shikon me ëndje nga njëri prej nesh, që për dreq ka veshur bluzë të kuqe. Sido që të jetë, e kupton se nuk kemi qëllime djallëzore ndaj kopesë së tij dhe na lëshon udhë. Kështu mbërrijmë në njërën prej mrekullive të këtij vendi, në Kishën e Shëndëllisë së Buhalit, dikur manastir i fortifikuar. Përbri disa varreve janë ende në këmbë muret e asaj që duhet të ketë qenë dikur një kishë e armatosur. Disa frëngji shikojnë ende andej nga rrjedh Vjosa e kaltër. Pastaj futemi brenda. Eshtë njësoj sikur të hysh në një botë që tashmë nuk ekziston, në një botë shenjtorësh e legjendash të vjetra. Historianët thonë se themelet e kësaj kishe janë fort të vjetra, që në mesin e shekullit XII.

Pastaj, po sipas kronikave, historia e rindërtimit të saj lidhet me njërin prej emrave më emblematikë të Shqipërisë së Jugut, me vetë Ali Pashë Tepelenën. Buhali, jetë e mot ka qenë një fshat mjekësh popullorë, "xherahësh", sikurse i thoshin deri vonë. Në të gjithë Ballkanin e në Turqi, fama e tyre si mjekë ishte fort e madhe. Një ditë prej ditësh edhe njeriut më të pushtetshëm të këtyre anëve, Aliut të Tepelenës, iu sëmur djali, sundimtar asokohe i Përmetit. Vetëm një "xherah" nga Buhali arriti ta mbante atë në jetë. Dhe atëherë Aliu i pyeti fshatarët se me se mund t‘ua shpërblente këtë nder të veçantë. "Na rindërto kishën o Pasha, nuk duam gjë tjetër", thuhet se i kanë thënë buhaliotët. E kështu ka mbërritur deri në ditët tona kjo kishë e stërlashtë. Si për çudi "Shëndëlli" është fjala popullore për Shën Ilian. Ilia dhe Aliu janë shumë afër në të gjitha librat e fesë.

Në Leusë te Shën Mëria

Në Jug të Përmetit, fare në periferi, në mes të gjelbërimit të arrave dhe rrepeve "fle" një tjetër mrekulli. Eshtë Kisha e Fjetjes së Shën Mërisë në të dalë të fshatit Leusë. Në fillim përshëndesim një grup fshatarësh që po shtyjnë me zor një viç të vogël, që me sa duket e ka kuptuar destinacionin e tij tragjik. Këta nuk e kanë shumë mendjen të na rrëfejnë se ku ndodhet kisha. Pastaj na ndihmon një nënë besimtare, që po shkon pikërisht në kishë. E kështu, bashkë me nënën ndodhemi shpejt para një porte të vogël të drunjtë. Nuk e dinim, dhe as nuk kishim se si ta dinim, se pas saj fshihej një ndërtesë e gurtë dykatëshe, krejt e veçantë, një nga më të rrallat në vend, për nga dekoracioni i brendshëm dhe i jashtëm, për nga ikonostasi krejt i ruajtur, për nga froni i peshkopit krejt origjinal. Këto të gjitha do të na i tregojë Xha Mihali, kujdestari i kishës, tashmë 88-vjeçar.

Pasi kalojnë pyetjet e para, nga, si e qysh e tek xha Mihali pranon të hapë derën e kishës me një çelës të cilin nuk ia dorëzon askujt. Dhe atëherë ne ndodhemi para një atmosfere që rrallëkush mund ta provojë. Një kishë e lartë, e mbushur me afreske nga Dhjata e Vjetër dhe e Re, por sidomos me historitë e Shën Mërisë. Ekspertët e historisë së artit thonë se është e Shekullit XVIII dhe mendojnë se mbase autori i mrekullisë në rrëzë të Dhëmbelit mund të jetë Terpoja, i biri i Konstantin Korçarit, që ka qenë dikur i njohur në këtë zonë. Kushdo që të ketë qenë e të ketë punuar këtu, ka qenë i madh në llojin e tij, pa asnjë dyshim. Xha Mihali e vërtit edhe një herë atë çelësin e madh në derën e kishës dhe ne largohemi nga ajo atmosferë e pazakontë.
 
Në Bënjë

Kemi vendosur prej kohësh që rrugën e kthimit ta bëjmë nga ana e Leskovikut, andej nga udha që të shpie më pas në Ersekë, në Korçë e me radhë. Mirëpo të gjithë miqtë përmetarë ngulin këmbë: Nuk vajtët në Bënjë! Po atje është edhe plazhi? E kështu vendosim që të kthejmë një copë herë në Bënjë, në anë të përroit me të njëjtin emër që derdhet më pas në Vjosë. Në fillim ndalojmë një copë herë në anë të ca rrepeve. Disa punëtorë fytyrënxirë na përshëndesin me mirësjellje. Janë qymyrxhinj që kanë ardhur për t‘u pastruar te burimet e shumta të këtyre anëve. Pas pak minutash ata janë të pastër e më të bardhë se ne dhe ia nisim një muhabeti që shoqërohet me gliko, shalqi, djathë e raki vendi. Qymyrxhinjtë kërkojnë leje me mirësjellje dhe ne vazhdojmë më tej përgjatë përroit të Bënjës.

Lart shikojmë fshatin me kishën e tij të vjetër, edhe kjo e Shën Mërisë. Porse puna na e do që të vazhdojmë udhën tutje. Thuajse papritur shfaqet para nesh një hark i gurtë, elegant. Eshtë krejt i ngjashëm me urat e kohës osmane të ndërtuara anë e kënd Jugut, sidomos në kohën e sundimit të Aliut të Tepelenës. Ndryshe nga ne njerëzit, që kalojnë poshtëë saj, tashmë të mësuar me heshtjen e saj të gurtë, nuk e kanë edhe aq mendjen te historia. Kanë ardhur këtu për t‘i shpëtuar vapës dhe aq. Bënja është e njohur për burimet e saj çudibërëse. Miqtë tanë na i tregojnë me radhë: ky pellgu këtu është për ata që vuajnë nga stomaku, ky tjetri për ata me reumatizëm, ky për ata me mushkëri… e kështu me radhë. Gjejmë një pellg që nuk është i lidhur me asnjë sëmundje dhe kridhemi poshtëë këmbëve të urës së vjetër. Për një copë herë na duket se edhe një pjesë e jona, e këtyre kujtimeve dhe e këtyre radhëve, do të shkojë poshtëë, drejt Vjosës, lumit të madh, të kaltër të Jugut tonë. Gjatë rrugës për në Leskovik kanë nisur të mblidhen retë. Ndahemi me Vjosën në një kthesë të beftë përballë Nemërçkës të mbuluar tashmë nga retë.

Fëmijët e Buhalit

Më i pari nuk është një fëmijë. Neve, në fillim, na duket si një hije. Eshtë njësoj sikur të kesh prekur një rrjetë merimange, por nga ato që nuk të zhduken kurrë nga fytyra. Ai edhe është, edhe nuk është. Njëlloj si një hije, ne dëgjojmë vetëm zhurmën e gurëve që ai rrokullis në kalldrëmin tashmë të shkatërruar, derisa dëgjojmë një të qeshur. Më mirë me thënë një të gajasur të gjatë, aq të gjatë, sa që të gjitha rrënojat na duken sikur befas kanë marrë jetë. Ka marrë jetë edhe mani i vjetër, që e kishte ndarë mendjen që të ikte nga kjo botë bashkë me ata që e lanë të vetmuar, edhe çezma, e cila është tashmë e grykosur me zorrë plastike, edhe kisha e Shën Mitrit, që hapet vetëm kur vjen dita e shenjtit. Fshati i gurtë, gjysmë i braktisur, Buhali, ka marrë befas jetë vetëm nga një e gajasur e çiltër fëmijë. Vetëm kaq mjafton nganjëherë që të shijosh shijen e veçantë të jetës.

Ky njeriu "hije" është një djalë i imët, nuk e ka qejf që ta thërrasin me emrin që ne e cilësojmë: Andrea. "Jo - na thotë - unë, e kam Andre me theks në fund". Gajasja e tij ka ardhur nga një gjë fare e thjeshtë. Në rropamën e gurëve është fare e kollajtë të të rrëshqasë këmba. Njëri prej nesh nuk e mban dot ekuilibrin dhe shkon teposhtë, duke bërtitur nga frika, përmes një grumbulli gurësh. Ky është momenti kur Andre nga një "hije" u shndërrua në një fëmijë të paqtë, që na buzëqesh nga maja e një grumbulli gurësh. Andre bëhet sakaq miku ynë. Tashmë e kishte kuptuar se njerëzit që mbajnë tela, llamba të çuditshme, mikrofona të errët dhe të frikshëm, aparate po aq të zinj, nuk janë gjë tjetër veçse nga ata që frikësohen kur rrëshqasin mes gurëve. Andre nuk ka frikë, përkundrazi.

Eshtë i pari që na çel udhën në shtëpinë e vjetër të Cullufëve. Lakuriqët e natës nuk është se janë qenie shumë paqësore. Andre vazhdon të buzëqeshë me frikën tonë. "Nuk bëjnë gjë jo, i njoh unë mirë", bën shaka, ndërsa marrim udhën të shkojmë në një shtëpi tjetër të gurtë. Këtu do takojmë Sokratin, një shokun e tij. Ai mban një bluzë futbolli, shenjë e ëndrrës së tij të vjetër që të bëhet i njohur si ata yjet që sheh në televizor. Porse fshati është i heshtur dhe i pjerrët, aq i pjerrët sa që të dy shokët duhet të shkojnë poshtëë në anë të Vjosës që të mund të ëndërrojnë sërish.

Të dy bashkë na shoqërojnë deri poshtëë. "Bëni kujdes - na thonë - fshati ynë ka gurë shumë". Sokrati e Andre kanë të drejtë. Fshati i tyre vërtet ka shumë gurë.

Gazeta Shqip
 
Titulli: Përmeti, qyteti i mrekullueshëm i luleve

Bukurite natyrore te Permetit

permet.jpg

Permeti eshte nje qytet ne juglindje te Shqiperise. Eshte nje qytet malor dhe permes tij kalon lumi I Vjoses. Permetaret shquhen per mikpritje dhe nikoqirllek. Permeti ose “Qyteti I trendafilave” eshte nje nga qytetet me te hershme qe zhvilloi kulturen e vet. Nga ky qytet kane ardhur emra te njohur te muzikes shqipe dhe ia vlejne te permenden edhe shkrimtaret Frasheri nga perla e Permetit.
Po ashtu ky qytet numeron nje numer te madh monumentesh kulturore, disa prej tyre qe ia vlen te vizitohen jane: “Guri I Qytetit, Kalaja e Kelcyres, mulliri I Drithit ne fshatin Benje, Cezma e Pacomitit, Kishat e shumta, Qyteza antike e Dedenikut, etj”.

permet1.jpg


Bredhi I Hotoves – Ndodhet ne Frasher dhe ka nje siperfaqe prej 1200 hektaresh. Ky park terheq shume vizitore dhe konsiderohet si “kurora e gjelber”. Kushtet klimaterike jane te favorshme per zhvillimin e faunes dhe flores. Bimet jane te shumellojshme dhe ne pyje gjendet bredhi karakteristik I perzier me panje. Ky gjelberim I ofron nje pamje magjepsese ketij vendi. Ketu gjenden dhe shume lloje kafshesh si ariu I murrme, ujqer, dhelpra, drere dhe shumellojshmeri shpendesh. Eshte quajtur park kombetar dhe mbledh turiste nga e gjithe bota per mrekullite natyrore qe posedon.

Trebeshine, Dhembel
– Eshte nje varg malor qe mundeson sportet alpine. Ne stinen e veres ka shume ekskursione dhe pikniqe.

permet3.jpg


Banjat termike te Benjes
– Eshte nje nga burimet e Permetit ku dalin ujera sulfurore subtermale dhe ndodhet rreth 8 km larg qendres. Aty ndodhen liqene te madhesive te ndryshme dhe secili prej tyre sherben per kurimin e nje problemi specifik. Uji eshte I ngrohte dhe nje fakt tjeter interesant eshte se ketu gjendet dhe balta cudiberese, e cila eshte e vertetuar nga shume njerez per efektin rinues te lekures qe ka./infoal
 
Titulli: Përmeti, qyteti i mrekullueshëm i luleve

Kisha e Shen Merise - Leuse

Kujtimet e mia ne Permet gjithmone kane qene te lidhura me bektashinjte e baballaret, ama kjo Kishe kaq fisnike nen kornizen e gjelber te Leuses eshte vertete nje mrekulli jo vetem per Permetin por per gjithe besimtaret e krishtere.

Oksigjen pafund.

Kisha e Shen Merise Leuse.jpg
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top