Një Skënderbe "turk" (!!!)

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
Me sytë e një historiani turk, heroi kombëtar shqiptar krejtësisht i çmitizuar. Jo më prijësi i kryengritjeve dhe burri i shtetit. Por një luftatar idhnak, hakmarrës dhe dredharak që e luftonte Turqinë vetëm për shkak të interesave të veta

nga Iva Tiço

Që Skënderbeu nuk ka qenë ai kalorësi i çartur i rrëfenjave të moçme, që me një të ngritur të shpatës këpuste dhjetëra koka turqish, kjo është një gjë që e dinë të gjithë. Edhe që ai nuk u morr peng i vogël për të jetuar 29 vjet në oborrin e sulltanit, ashtu siç e duan legjendat, por që përkundrazi me përjashtim të disa periudhave të shkurtra ka jetuar në Shqipëri, edhe kjo tashmë është e shkruar në tekstet historike. Po sikur në vend të një heroi që përveç luftrave mbrojtëse ka edhe meritën e krijimit të të parit shtet të mirëfilltë shqiptar të lexonim se bëhej fjalë vetëm për një luftëtar idhnak, që luftonte për çështje fetare po aq sa për hakmarrje dhe plaçkitje? Atëherë do të duhej të shfletonin historinë e perandorisë turke. Ku një figurë si ajo e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të zinte një vend të vogël, një vend fare periferik. Të njëjtin vend që zinin edhe zotërimet e tij në krahasim me përpasat e perandorisë osmane. Por përveç vendit të vogël që do të zinte historia e Skënderbeut brenda historisë osmane, ajo që do të na habiste më tepër do të ishin vetë faktet historike, do të zbulonim një Skenderbej kaq të ndryshëm jo vetëm nga historia e Barletit por edhe nga historia pa mitizime e teksteve të shkollës. Do të zbulonim një Skenderbej si ai që përshkruan historiani turk Sulejman Kulçe, një pjesë e veprës së të cilit tashmë është e botuar edhe në shqip në librin "Shqipëria në historinë osmane". Në një frymë krejt tjetër nga ajo që ka shoqëruar çdo tekst shqiptar, aty mund të lexosh të gjitha bëmat luftarake të Skenderbeut tashmë jo si një hero kombëtar që luftonte për një shtet por për luftrat e një njeriu, vërtet trim, që e nisi luftën për një inat thjesht personal ndaj sulltanit, që lidhi aleanca të dyshimta me katolikët e Venedikut dhe që vdiq pasi forca e tij ishte dobësuar. Një portret pra i një të vdekshmi të thjeshtë që mbart gjithë veset e virtytet e rracës njerëzore dhe jo i një mbinjeriu. Dhe për ta bërë ndoshta më njerëzor, apo thjesht për t'i ulur vlerat, siç nuk e ka bërë asnjë historian, gjatë gjithë kohës Sulejman Kylçe e quan Gjergj Kastriot Skenderbeun thjesht Iskander. Si të ishte një ushtar i thjeshtë.

Përpara se Skënderbeu të bëhej luftëtari i madh që do ta njihnin të gjithë, ai do të kalonte njëfarë kohe si pjesë e ushtrisë turke, do të stërvitej aty dhe do të njihte taktikat e saj, gjë e cila në të ardhmen do ta ndihmonte të kishte më tepër sukses në ekspeditat e tij ushtarake. Për historianin turk Sulejman Kylçe, historia është pak a shumë e ngjashme me atë letrare të Barletit, sipas të cilës Skënderbeu së bashku me të vëllezërit iu dorëzuan sulltanit. Kurse historiani turk shkruan se dorëzimi i djemve të Gjon Kastriotit, princit të Mirditës (në të vërtetë të Matit, me qendër Krujën), ndodhi kur ai u nënshtrua pa kundërshtim përpara ngadhënjimeve të Muratit II në Shqipëri. Prandaj, sipas rregullit të asaj saj kohe atij iu morrën peng katër djemtë e tij dhe u dërguan në kryeqytetin e Turqisë osmane, Edrene, në vitin 1422.

Gjergj Kastrioti që ishte më i vogël dhe më i zjarrtë se vëllezërit e tij kishte lindur më 1414. Kylçe shkruan se sulltani e mbajti në një vend me djemtë e tij dhe u kujdes në mënyrë të veçantë për edukimin dhe arsimin e tij: dhe emrin ia ngjiti Iskander, sipas emrit turqisht të Lekës së Madh. Në saraje ai qëndroi deri në moshën madhore ku thuhet të ketë rënë në sy si njeri mjaft i zgjuar dhe i zoti, gjë që do ta bënte t'i besoheshin detyra të ndryshme shtetërore. Ende 18 vjeç, iu dha posti i sanxhakbeut. Në emër të ushtrisë së sulltani, ai mori pjesë në disa luftra, ku në mënyrë të veçantë si luftëtar spikati në betejat e zhvilluara në Turqi dhe në Siri.

Sulejman Kylçe e përshkruan Skënderbeun e tij si njeri mjaft ambicioz, idhnak e hakmarrës. Dhe ishin pikërisht këto arsyet që do ta shtynin të prishej me Turqinë, me pak fjalë sipas historianit turk të "tradhtonte" sulltanin. Si "mollë sherri" në këtë rast kishte shërbyer Kruja: pas vdekjes së Gjon Kastriotit, që ishte sanxhakbej i Krujës dhe që me anë të influencës së qeverisë osmane kishte fituar një famë të madhe, vendi i tij kishte mbetur vakant. Skënderi, pasi të tre vëllezërit që ishin pranë sulltanit i kishin vdekur kohë më parë (historianë të ndryshëm japin variantin e helmimit) tanimë e llogariste veten kandidat për vendin e të atit, e quante veten trashëgimtarin e ligjshëm të Krujës. Për shkak se deri në atë kohë ai i kishte shërbyer sulltanit në disa detyra civile dhe ushtarake, duke fituar kështu simpatinë e tij, as që i shkonte ndër mend se mund të mos e emëronin në vend të të atit. Në atë kohë ai ishte 25 - 26 vjeç.

Historiani turk shkruan se sulltani, duke e njohur karakterin e Iskanderit nuk e gjeti me vend këtë emërim: ndoshta edhe për arsye se kishte të tjera plane për të, në dobi të shtetit turk. Dërgoi në Krujë një tjetër sanxhakbej dhe kur Iskanderi e mori vesh këtë punë, u zemërua së tepërmi duke e quajtur si një poshtërim që po i bëhej. Dhe që nga ky moment nisi të përgjonte rastin për të kundërvepruar. Historiani turk Kylçe nuk flet fare për betejën e Nishit prej nga ku Skënderbeu u largua së bashku me treqind kalorësit shqiptarë. Në vend të kësaj ai shkruan se rasti erdhi kur armata turke ndodhej në More dhe Skënderi që ndodhej aty zhvilloi bisedime e u mor vesh me parësinë shqiptare, që kishte ardhur për t'u bashkuar me armatën e sulltanit dhe përgatiti planin e kryengritjes. Një natë hyri në çadrën e nishanxhiut (shkruesi i fermaneve të sulltanit) dhe i kërkoi të shkruante një ferman në emër të tij për sanxhakun e të atit. I kërcënuar ai shkroi ç'iu kërkua dhe ia dorëzoi Skënderit, i cili menjëherë sapo mori fermanin vrau nishanxhiun dhe iku bashkë me shqiptarët që ishin në armatën turke.

Historiani turk shkruan se, kur Skënderi arriti në Dibër, u bashkua me parësinë shqiptare që e priste dhe shkoi në Krujë. La njerëzit e tij jashtë kalasë dhe vetë vajti e i tregoi fermanin sanxhakbeut duke i marrë kështu çelësat e kalasë. Puna e parë e tij ishte të fuste në kala njerëzit e tij dhe në një moment të caktuar të vriste rojen turke të kalasë si dhe sanxhakbeun. "Ja!", - shkruan historiani turk Kylçe, -"Flamuri i kryengritjes që u shpalos në këtë mënyrë u valëvit për shumë vjet me radhë. Kjo ngjarje që ndodhi në kohën e përhapjes dhe të vendosjes së turqve në Ballkan, dalëngadalë doli në plan të parë: sepse princat e Toskërisë dhe Gegërisë, vojvoda i Malit të Zi, qeveria e Venedikut dhe Papa u morën vesh dhe u bashkuan me Skënderin".

Pastaj e gjithë ajo që nga historianët trajtohet si një kryengritje e madhe e përgjithshme kundër Turqisë, në librin e historianit turk Sulejman Kulçe është thjesht një varg luftrash dhe betejash të Skendërbeut me ushtritë e sulltanit. Në libër rrëfehet se herën e parë kundër Skënderbeut u dërgua Evrenoz Aglu Isa beu, i cili mori dhe sasi plaçke dhe skllevër dhe rrugës për kthim zbuloi se grykat ishin zënë: mezi shpëtoi pas një lufte të rreptë dhe u kthye në Edrene në vitin 1437. Dhjetë vjet më vonë, sulltani u shtrëngua vetë të nisej në luftë kundër Skënderit ndërsa me vete kishte marrë edhe trashëgimtarin Mehmetin. Kur arriti në Krujë dhe e rrethoi, prishi kanalet e ujit të kalasë. Historiani turk shkruan se pas kësaj shtrëngese Kruja u pushtua, por Skënnderi nuk u kap pasi qe tërhequr në male. Me afrimin e stinës së dimrit sulltanit iu desh të largohej dhe në kthim ai i propozoi Skënderbeut paqen, por propozimi i tij u rrëzua. "Gjatë rrugës armata e tij u bastis nga Skënderi", shkruan historiani turk teksa rrëfen se një marrëveshje mes dy palëve u arrit në vitin 1451, kur me vdekjen e sulltan Muratit në fron hipi i biri, Mehmeti II i cili morri emrin Fatih, (ngjadhënjimtar) i cili bashkë me gjithë delegacionet që erdhën ta uronin për postin, pranoi edhe të dërguarin e Skënderbeut me të cilin bëri një armëpushim trevjeçar, kohë gjatë të cilës do të merrej me pushtimin e Stambollit. Vitet e mëvonshme sulltani do të merrej me të tjera luftra: në Serbi, Bosnjë Hercegovinë, Serbi, Kosovë, Greqi. "Kaluan dhjetë vjet", shkruan Kylçe, "që kur Fatihu u kurorëzua mbret dhe Skënderi i përballonte gjithnjë me fitore ushtritë e tij ndërsa në botën e krishterë numërohej i vetmi hero". Por jo gjithçka do vazhdonte kaq mirë: pas një beteje në Berat ku Skënderi sipas historianit turk kishte humbur pesë mijë luftëtarë dhe komandantët e tij më të zotë, ai nisi dredhitë: bëri sikur nga ushtria e tij ishte larguar një Moze nga Dibra (bëhet fjalë për Moisi Golemin) dhe e dërgoi në Stamboll ku ai i kërkoi sulltanit t'i jepej një ushtri prej 15 mijë vetësh për të sjellë kokën e Skënderit. Sulltani u bind dhe i besoi armatën, por kur u gjend në Dibrën e poshtme Moisi Golemi kaloi në anën e Skënderbeut dhe ushtrinë osmane e shpartalluan.

Në të njëjtën mënyrë me Moisi Golemin, historiani Kylçe trajton edhe atë që njihet si tradhtia e Hamza Kastriotit, ku ky i fundit nuk paska tradhtuar të ungjin por besimin e sulltanit i cili e kishte dërguar në krye të një ekspedite me 11 mijë këmbësorë dhe 6 mijë kalorës për pushtimin e Shqipërisë. "Edhe kjo tradhti e Hamzait", shkruan ai, -"I kushtoi shumë shtetit turk...". Pas kësaj beteje, ku Skënderbeu kishte marrë peng një sanxhakbej, Sulltani u detyrua që për lirimin e robit t'i ofronte atij një tjetër paqe, së bashku me 15 mijë dukatë florinj. Historiani turk shkruan se kohën e kësaj paqeje Skënderbeu e shfrytëzoi për ekspeditat ushtarake në Itali ku luftoi kundër Karlit VII të Francës në përkrahje të mbretit Ferdinand të Napolit kurse Sulltani Mehmeti pushtoi Morenë dhe Durrësin duke i dhënë një gusht Venedikut që ishte i lidhur me Skënderin. Kjo paqe nuk zgjati më shumë se tre vjet dhe sipas Kylçes u prish për shkak të aleancave të Skënderbeut me Papa Piun II, i cili po bënte planet e një kryqëzate antiosmane. Pas kësaj rifilluan betejat. Pas dështimeve të para turke, sulltani dërgoi kundër Skënderbeut Ballaban beun, që kishte ndihmuar në pushtimin e Stambollit. Historiani turk shkruan se luftrat e Skënderbeut me Ballabanin nuk ishin të thjeshta për t'u fituar. Në përpjekje me të Skënderbeu humbi tetë nga komandantët e tij më të mirë kurse në një betejë të dytë u plagos edhe vetë, por ushtria e tij nuk u mund. Pas kësaj, sulltan Fatihu u nis vetë në luftë kundër Skënderbeut i cili sipas historianit Kylçe kur dëgjoi për këtë inkursion të ushtrisë otomane u largua nga qendra e tij, Kruja. Kishte filluar fushata që në historinë skënderbegiane njihet me emrin "Rrethimi i dytë i Krujës".

Faktin që ushtria e Skënderbeut po dobësohej nga ky "rrethim" nuk përmendet vetëm nga historiani turk Kylçe, por edhe nga dëshmitë e mbledhura të Itali. Por ndryshe nga historiani turk, dëshmitë italiane tregojnë se lajmet për disfatat shqiptare kishin mbizotëruar vetëm në fillim: shumë shpejt në Romë erdhën lajme të kundërta që tregonin se ushtria shqiptare nuk ishte dërrmuar, se Kruja nuk ishte pushtuar nga sulltani. Kylçe flet për shpartallime të ushtrisë turke nga ana e Skënderbeut me anë të sulmeve që ai i quan "bastisje", por vetëm sa i përmend. Pasi në stilin e gjithë kronikanëve apo dhe historianëve turq, nuk merret me dështimet. Përkundrazi, përshkruan se si sulltan Fatihu ndaj Krujës ndoqi taktikën e izolimit: ndërtoi një kala të re në Elbasan në anë të së cilës i preu rrugën Skënderbeut pastaj dogji një qytet që ky i fundit e kishte ndërtuar pranë Durrësit. Pa përmendur fare udhëtimin e dështuar të Skënderbeut në Itali në kërkim të aleatëve, pa folur më pas as për atë që quhet "rrethimi i tretë i Krujës", Kylçe shkruan se "Skënderi i cili pa përgatitjet turke, e kuptoi se nuk do të ketë sukses; la çdo gjë të tij dhe u tërhoq në drejtim të Lezhës. Qendrën e tij, Krujën që e mbrojti për 25 vjet, ia la venedikasve... Skënderi tanimë i kishte mbushur 63 vjetët". Sipas historianit turk, për shtatë vite me radhë, Skënderbeu duhet të ketë jetuar në Lezhë ndërsa ka vdekur rreth moshës 70 vjeçare. Krejt ndryshe nga ç'e ka dëshmuar Gjon Muzaka i cili në kujtimet e tij ka shkruar se "Zotin Skënderbe e kapën ethet në Lezhë dhe aty vdiq, më 1466, në moshën 63 vjeçare". Dhe ç'është më e rëndësishmja nuk ishte aspak i tërhequr nga pafuqia për t'u bërë ballë dyndjeve turke, përkundrazi, ishte duke bërë planet për sulmin ndaj kalasë së Elbasanit ku gjendej garnizoni turk.

Detajet që kanë të bëjnë me betejat nuk janë të vetmet ndryshime mes historisë "turke" të Skënderbeut dhe asaj "shqiptare. Ajo që është më thelbësorja është vetë fryma. "Skënderi në Shqipëri e varte çdo turk që i binte në dorë. Megjithatë gjaku i derdhur nuk qe për asnjë qëllim të shenjtë", shkruan historiani turk ndërsa pohon që në këtë rast bëhet fjalë për një komandant me vlerë: "Por jo aq sa thuhet... Tek ai mungoi zgjuarsia, dituria, pikëpamjet e Fatihut dhe zotësia për të mëkëmbur një shtet të ri". Në fakt në asnjë rresht historiani turk nuk flet për Besëlidhjen e Lezhës, nuk flet as për marrëdhëniet me shtetet evropiane... E megjithatë në fund detyrohet të pranojë së paku se "Iskanderi ka qenë një hero, një komandant me vlerë". Vetëm kaq. Sepse Skënderbeu i tij ishte thjesht një njeri, aspak i mbinatyrshëm.



Një histori brenda perandorisë

"Shqipëria në historinë osmane" është botuar në Izmrir në vitin 1944. Autori i tij Sulejman Kylçe me origjinë shqiptare nga Luma, ka qenë adjutant i Shemsi Pashës, boshnjak shqiptar, besnik i sulltan Hamitit II dhe i emërruar prej tij komandant divizioni me detyrë për të ruajtur qetësinë në Kosovë. Vetë autori, i cili ka mbaruar Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe ka qëndruar në Shqipëri me detyra të rëndësishme që nga viti 1905 deri në ikjen përfundimtare të turqve nga Shqipëria në vitin 1913. Dhe megjithëse librin e ka botuar në vitin '44, Kylçe nuk është aspak i zhveshur nga koncepti perandorak në të shikuarin e gjërave.

Përmbajtja e librit është kontrolluar edhe nga mareshall Fevzi اakmak Pasha, kryetar i Shtatmadhërisë së Republikës Turke, i cili gjithashtu ka qëndruar në Shqipëri deri në fund të luftës ballkanike. Në shqip libri është përgatitur për botim dhe është pajisur me shënime nga Zyber Hasan Bakiu.

''Revista Klan''

ps:meqe solla shkrimin sdo te thote qe miratoj dhe ato qe shkruhen ketu! BLEDI
 
Redaktimi i fundit:
Ne fakt turqit gjithmone e kane pare Skenderbeun si nje tradhetar -normalisht, ai e turperoi "perandorine me te fuqishme te botes ne ate kohe." Edhe muzeun e Krujes, deri sivjet e dija qe vetem tre Turq e kishin vizituar...prandaj kur degjova tre te tjere teksa flisnin turqisht kur u ndodha ne muzeun Etnografik ne Kruje nuk ngurrova t'i pyesja se me beri pershtypje.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top