Loja dhe funksioni i saj në fëmijëri

cent

...Lontano
Loja konsiderohet një komponent thelbësor në zhvillimin e fëmijës. Nëpërmjet saj fëmija rritet, zhvillohet, mëson shprehi të reja. Gjithashtu ajo shërben edhe si shenjë që tregon problemet që mund të ketë ai.
6ifud5.jpg
Njohja e fëmijës me lojën fillon shumë herët, dhe kjo vihet re sapo shikon një foshnjë të sapolindur e cila është e prirur të reagojë ndaj çdo lloj forme loje. Nëse ti fillon të luash me një fëmijë, kjo është një ftesë e hapur për të krijuar kontakt, për t’u afruar dhe për të ndarë së bashku pjesë të rëndësishme jetësore të cilat mund t’i ofrojë vetëm një aktivitet i tillë. Por jo vetëm kaq! Ajo ka një rol të rëndësishëm edhe në procesin e të nxënit të shumë koncepteve bazë. Të nxënit përmes lojës përfshin njohjen e rolit të imagjinatës dhe emocioneve. Për fëmijët të cilët frekuentojnë shkollat dhe kopshtet loja mund të jetë një aktivitet i tillë si: vrapimi në oborrin e shkollës, imitimi i prindërve apo lojërat e ndryshme që zhvillohen me petëza apo me plastelinë mbi tavolinë. Të gjitha llojet e lojërave që organizohen kanë si qëllim zhvillimin e fëmijës në disa aspekte, si zhvillimi fizik, social, shëndeti mendor dhe ai konjitiv. Për sa i përket zhvillimit fizik e jo vetëm, fëmijët teksa vrapojnë, kacavirren, godasin topin, e ndjekin nga pas atë, tregojnë se zotërojnë disa aftësi motorike shumë të rëndësishme. E ndërsa luajnë e praktikohen çdo ditë e më shumë, ata ndihmojnë zhvillimin e sistemit psiko-motorik. Ndaj është e rëndësishme që fëmijët të lihen të kryejnë aktivitete edhe brenda mureve të shtëpisë, mund të ndihmojnë prindërit në detyra të ndryshme shtëpiake, mund të lihen që të vishen vetë, të ushqehen vetë, dhe gradualisht ata jo vetëm do të jenë shkathtësuar, por do t’i kenë përvetësuar këto shprehi më së miri. Përveç aspektit fizik, këtu vlen të theksohet se të vegjlit, pasi shohin se janë të aftë të bëjnë kaq shumë gjëra vetë, krijojnë vetëbesim dhe kjo gjë i stimulon për të ecur përpara. Sigurisht që kur vrapojnë do të lodhen, do të bëhen me djersë, mund edhe të vriten, por kjo nuk duhet të shoqërohet me ulërima dhe kritika nga ana e prindërve, vetëm kështu ata mund të rriten shëndetshëm. Për këtë, Bruner, në vitin 1972 ka thënë: “Loja siguron një mundësi të shkëlqyer për të provuar kombinime sjelljeje të cilat nën presion nuk mund të provoheshin asnjëherë”. Ndërsa për sa i përket ndihmës që loja jep në zhvillimin social dhe shëndetin mendor të fëmijës, kjo vihet re në shumë situata. Edhe pse fare të vegjël, receptorët e ndjeshmërisë tek fëmijët funksionojnë në mënyrë të habitshme. Shpesh ndodh që një 2-vjeçar të qëndrojë shumë afër nënës së vet kur e shikon atë të mërzitur apo duke qarë. Pavarësisht se nuk i është shpjeguar asgjë, ai përpiqet të kuptojë atë që ndodh përreth duke e përjetuar edhe shumë fort herë pas here. Kur ka debat apo konflikt ndërmjet prindërve, është fëmija ai që nuk qëndron indiferent, por reagon menjëherë për ta përfunduar atë. Ata tregojnë ndjeshmëri, sidomos në lojërat e tyre kur i imitojnë prindërit me gjeste dhe sjellje. Nga studime të ndryshme të bëra, ka rezultuar gjithashtu se nëse prindërit iu flasin për ndjenjat fëmijëve, atëherë ata i shprehin më qartë idetë e tyre mbi gjendjen emocionale. Për të gjithë prindërit apo mësuesit dhe edukatorët duhet pasur parasysh se në mosha të ndryshme fëmijët kanë prioritete të ndryshme edhe në aspektin e zhvillimit. Kjo duhet studiuar me vëmendje dhe duhet parë me rigorozitet. Nëse një fëmijë është në moshën ku prioritet ka zhvillimi fizik, edhe lojërat do të jenë të tilla që ata të aktivizohen për të zhvilluar aftësitë motorike; nëse janë në moshën kur prioritet ka zhvillimi konjitive, atëherë duhet punuar më lojëra të cilat nxisin zhvillimin e imagjinatës dhe të menduarin. Loja është mënyra më e mirë për t’i zhvilluar ata dhe për t’i shtyrë në një rrugë të mbarë në procesin e vështirë dhe të gjatë të të nxënit, ndaj ajo nuk duhet neglizhuar e aq më pak mënjanuar. Fëmijët e sotëm vuajnë nga mungesa e ambienteve ku mund të luajnë e të vrapojnë, megjithatë, duke shfrytëzuar në maksimum ato mundësi që realiteti ofron, prindërit dhe edukatorët duhet të bëjnë gjithçka që ata ta jetojnë fëmijërinë e tyre dhe të marrin sa më shumë prej saj.
*Psikologe

/BalkanWeb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top