...
8 shtatori 1943 e gjen Benantin në jug të vendit tonë, divizioni i tij asht i shpërndamë në Përmet, Këlcyrë, Gjinokastër, Tepelenë, kurse batalioni III i regjimentit 130 – ku ishte efektiv Benanti ndodhej buzë Dhembelit e kishte nën kontroll rrugën strategjike që lidhte me Greqinë.
Gjithçka shfaqet si e pashmangshme para syve të italianëve që janë mërzitë me luftën e marrë të Duces, e kështu nis tërheqja dhe grupimi drejt Këlcyrës, sulmi i pabesë i nji bande balliste, ramja rob tek ish aleatët gjerman në kampin e përqendrimit të Mavrovës, Drashovicës.
Sulmi partizan i batalionit “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” kundër kampit të Mavrovës për të marrë municionet panumërta që nji ploton gjerman ruente së bashku me 7 mijë robët italianë shkaktoi viktima të panumërta mes robëve, por edhe i liroi ata prej gjermanve. Megjithatë disa autoblinda gjermane që mbërrijnë me shpejtësi prej Vlone hedhin në erë depon e municioneve tue shkaktue nji numër të madh të vramësh e të plagosunish.
Për Benantin nis kështu nji jetë e re, me partizanët. Ikja mes ullishtash, ndër male, e çon së bashku me shokët e vet dhe me partizanët tek nji kasolle ku mes territ, në kushte higjienike të mjerueshme shtrihej me nji kambë të thyeme komandanti partizan Hysni Kapo. Mbasi i jep ndihmën e nevojshme mjeksore, ky i fundit merret vesht italisht me Benantin për me çue disa mushka e me tërheq të plagosunit në Mavrovë.
Ndërkaq nuk mungojnë episodet e banditizmit ma ekstrem: nji ushtari italian që vuente prej krize të fortë malarje, gjatë natës i vidhen të gjitha teshat prej banditëve shqiptarë dhe në mëngjes gjendet i vdekun. Në fshatin Vajzë nji grupi italianësh u vidhen nën kërcënimin e armëve këpucët. Por nuk mungojnë edhe aktet e solidaritetit, sidomos prej grave dhe nanave shqiptare të cilat, tregon Benanti, ndanin me ushtarët e uritun gjithçka kishin.
Me 2 tetor 1943 gjermanët sulmojnë Kuçin dhe partizanët në tërheqje e sipër djegin fshatin. Mbretnon nji kaos i madh, aeroplanat gjerman mitralojnë partizanët që mundohen me arrit pyjet. Benanti ndjekë rrjedhën e Shushicës, drejt veriut, kalon Kallaratin e ma në fund i lodhun, në mbramjen e 2 tetorit mbërrin në shtëpinë e Xhemil Meços, nji kryetar Balli i asaj zonë, i cili i ofron mikpritjen shqiptare dhe kur e përcjell i thotë se dera e tij asht gjithmonë e hapun për çfarëdolloj nevoje.
Ndërkaq në Gjinokastër ishin pasë grumbullue menjiherë mbas 8 shtatorit komanda e divizionit Perugia dhe shtabi së bashku me nji numër batalionesh në gjendje lufte. Me 13 shtator 1943, rreth 15 mijë partizanë në nji krah dhe 12 mijë ballista në krahun tjetër i afrohen vendqëndrimit të italianëve dhe të dyja palët, ndamas, i japin ultimatum me dorzue armët. Italianët nuk pranojnë kurrsesi. Atëherë ballistat, mbasditen e 14 shtatorit ulen prej maleve dhe i afrohen me hap të shkujdesun kampit italian. Ushtria italiane ka urdhën mos me gjuejt. Të gjithë janë me pushkë për faqe. N’atë moment mjafton nji batare e shprazun prej dikujt dhe të gjitha grykat e zjarrit të italianëve shpërthejnë së bashku. Ballistat lanë nji numër të madh të vramësh, ndër ta edhe Lepenica, shumë kufoma i merr Drinosi me vete. Të nesërmen misionarët baziljan që ishin në Gjinokastër marrin leje për me tërheq trupat e të vramëve.
Ndërkohë grupe grupe italianët mundohen me mbërrijt bregun e detit me shpresën me gjetë anije për me u kthye në atdhe. Nji grup i tillë prej 120 oficerash italianë kapet prej SS-ve në afërsi të Borshit dhe dërgohet për në Sarandë. Do të pushkatohen të gjithë në Porto Limione, siç dëshmojnë disa partizanë shqiptarë që ndjekun prej larg skenën.
Nuk mungojnë episodet e heroizmit. Në fillim të tetorit në luginën e Kuçit gjermanët kapin rreth 800 rob italian. Ndajnë veçmas oficerat prej ushtarëve, dhe prej oficerave ndajnë ata që konsideroheshin efektiva jo luftarakë (kapelanin, mjekun, intendentin etj). Të tjerët do të pushkatohen për tradhti ndaj aleatëve gjermanë. Katër nga katër shkojnë drejt pushkatimit tue bërtitë: “Rroftë Italia”. Nji prej atyne që ishte në grupin e atyne që nuk do të pushkatohej, toger Rodolfo Betti, tue pa shokët që po vdisnin, i afrohet plotonit tue bërtitë: “Gjermanë vrasës, rroftë Italia, due me vdekë edhe un me shokët...”.
Mbasi ndahet me Xhemil Meçon, Benanti bashkohet me spitalin partizan në Smokthinë, ku vepron mjeku Ibrahim Dervishi i cili ka si ndihmëse nji vajzë të re që e thërrasin Lume, e cila në të vërtetë asht Drita Kosturi.
Mëngjesin e 4 tetorit nji kolonë gjermane që po vinte prej Vlonet detyron spitalin me ndërrue menjiherë vend. Spitali partizan detyrohet me iu ngjitë malit të Kundrevicës (2130 m) për me i shpëtue rrethimit gjerman, e atje nalt do të qëndrojë deri me 10 tetor. Ma në fund vjen kthimi në Smokthinë. Komanda partizane i dërgon spitalit disa dele, të cilat menjiherë coptohen dhe piqen. Benanti përshkruen kënaqësinë primitive që provon tue hangër me duer copa mishi gjysëm të pjekuna që kullojnë gjak dhe nënvizon: u bana partizan i Enver Hoxhës vetëm prej hallit, mbasi kur i kumtova Lumes se doja me ikë drejt detit, më paralajmëroi se nuk ishte nji ide aspak e mirë dhe se do të interpretohej si dezertim.
Nuk mungojnë as makthet. Në Smokthinë paraqitet nji ushtar italian i veshun vetëm me nji lëkurë deljet. Kishte luejt mendsh gjatë shpërthimit të kampit të Mavrovës. Mandej shqiptarët i kishin vjedhë të gjitha teshat e materialet dhe e kishin lanë me nji lëkurë deljet. Fliste krejt pa lidhje e nuk pranonte me u veshë. U zhduk, tregon Benanti, mes territ ashtu siç kishte ardhë. Mbas disa ditësh mora vesht, shton ai, se e kishin kapë tue vjedhë në spital dhe me urdhën të dr. Ibrahimit dhe të Lumes e kishin pushkatue.
Në fund të tetorit Benanti dërgohet me mision në Ramicë tek komanda partizane për me vizitue nji partizane të sëmurë. I pari që takon në komandë asht Mehmet Shehu, i cili ka nji paraqitje trimoshi – tregon doktori - i veshun gjysëm ushtarak e gjysëm civil, me dy pistoleta të mëdhaja në brez. Mbasi i jep nji cigare ai i tregon doktorit me nji italishte të keqe se e kanë thirrë për me vizitue shoqen Liri Gega.
Liria asht e sëmurë. Ajo vetë i thotë doktorit se vuen prej malarjes dhe pa ndonji zor të madh zhvishet dhe vizitohet prej tij. Në fund e falenderon disa herë italisht. Aventura e rrezikshme e doktor Benantit vijon ma tej.
***
...
Në nandor të vitit 1943 spitali partizan – tregon doktor Franco Benanti – u rikthye në Kuçin e djegun prej partizanëve nji muej ma parë. Kishte mbetë në kambë, poshtë, vetëm nji shtëpi, nji kthinë e pistë që duhej shndërrue në spital.
Dy mjekët italianë, Benanti dhe Condorelli kishin nji partizan ndihmës, të quejtun Kadri, i cili përpiqej me u mësue shqip. Mënyra e mësimit shqip që përdorte partizani Kadri ngjante shumë me atë të Premtit me Robinsonin, e kështu që Kadriu nuk pati sukses, mbasi nuk dinte italisht dhe njohunitë e tij gramatike të shqipes ishin të ngjashme me ato që kishte për italishten.
Në Kuç ishte përhapë nji epidemi tifoje e mes pacientave të shumtë dr. Benanti shëroi edhe motrën e sekretarit të komandës partizane të Kuçit, i cili i dha besën doktorit se do ta ndihmonte në rast nevoje.
Me 21 e 22 dhjetor 1943 trupat gjermane të nisuna prej Vlonet filluen «Operacionin e dimnit». Prej Shushicet, në Llogara e deri në Tepelenë sulmi gjerman rrafshoi gjithçka. Gjermanët ishin në Brataj e mortajat kishin nisë me goditë spitalin, ndërkaq partizanët iknin me shpejtësi ndër male.
Murati dhe Kadriu dhanë urdhnin me lëvizë, spitali partizan nuk kishte paqë.
***
Në muejt e fundit edhe pse partizanët kishin ba raprezalje mes robve italianë, nji masë e madhe ushtarësh dhe oficerash ishte bashkue me forcat partizane.
Benanti kujton vrasjen e kapitenit të karabinierëve Carminati, i cili ishte paraqitë tek partizanët për me luftue përkrah tyne dhe ishte pushkatue rrugës prej Beratit në Vertop, mandej togerat Risi e Altieri të vramë afër Gjinokastrës, ushtarët Pardi, Nucci e Moroni në Tepelenë, kolonel Rossi, komandanti i 151 të artilierisë, dhe toger Gabaldo të pushkatuem prej komunistave në Delvinë, nënkolonel Costadura i pushkatuem prej bandës së Memo Metos.
Por rasti ma i randë ishte pushkatimi i kolonës me 110 karabinierë, me tetë oficera nën komandën e kolonel Gamucci-t – të cilët po shkonin drejt maleve me u bashkue me partizanët. Të çarmatosun me tradhti, ishin pushkatue prej komunistave afër Burrelit dhe gjanat e tyne personale ishin nda mes autorëve të krimit.
Kurse grupet kompakte të ushtrisë italiane që nuk kishin dorzue armët, si psh. kompania e 343 të Arezzo-s e komandueme prej toger Bellodi-t, batalionet Zignani, Mosconi e Nuova Italia, disa kompani mortajash 81-she dhe divizioni Firenze i gjen. Arnaldo Azzi-t kishin detyrue partizanët me ba nji marrveshtje në Arbanë me 28 shtator 1943 e nji të dytë ma vonë në Burrel – me anë të cilave partizanët njihnin dhe inkuadronin trupat italiane në luftën kundër gjermanëve dhe ballistave.
Kah ana tjetër partizanët kishin krijue në Punëmirë, në veri-perëndim të Voskopojës, nji kamp përqëndrimi për ushtarët italianë, të cilët mbaheshin në kushte çnjerzore, me shumë pak ushqim dhe detyroheshin me punue në shërbim të komandës së kampit.
Figura ma e urryeme e kampit të Punëmirës ishte komisari i komandës partizane të Voskopojës, nji kriminel sadist, që përdorte gjithfarëlloj torturash mbi robt italianë. Nji sulm gjerman detyroi ma vonë partizanët me ia mbathë e vetëm atëherë robt fituen lirinë dhe u nisën drejt bregdetit, edhe pse shumica vdiqën rrugës apo u kapën prej fshatarëve dhe u detyruen me punue për ta për nji copë bukë.
Në Voskopojë, tregon Benanti, njohta edhe kapobandën e famshëm Riza Kodheli, i cili komandonte batalionin Tomori. Kodheli donte me dijtë prej oficerave italianë nëse dinin me përdorë mortajat 81-she. Rasti i parë u paraqit në Polenë, kur nji patrullë gjermane sulmoi forcat e Tomorit. Kodheli dha urdhën me gjuejt me mortajë gjermanët, dhe goditja e saktë e ngriti ndieshëm moralin partizan.
Rasti i dytë ishte nji goditje e saktë mes nji grupi ballistash në nji fshat afër Ersekës, ballistat ikën të terrorizuem. Ndërkaq Riza Kodheli digjte shtëpitë e ballistave dhe ftonte italianët me festue fitoren në nji drekë fshati. Mbas disa ditë pushimi në fshatin e Kodhelit, batalioni rimerrte rrugën për Mokër, tue i shpëtue rrethimit gjerman dhe tue ba disa beteja të ashpra me ballistat, në nji prej këtyne luftimeve nji goditje mortaje do të vriste 7 ballista në zonën e Tomorricës, gja që do të sillte nji kundërsulm gjermano-ballist dhe ikjen e partizanëve. Riza Kodheli, kujton Benanti, ishte tipi i kaçakut të vjetër që jeton me luftë, mënyrat e tija për me të falenderue ishin origjinale, kishte nji entuziazëm luftarak primitiv.
***
(vijon)