Historia e Hamit Matjanit.

bledikorcari

Anëtar i Nderuar
panorama

----------

intervista

Flet Xhavit Matjani: E vërteta e babait tim, Hamitit, që luftoi fashistët, nazistët dhe komunistët. Legjenda dhe jeta reale i tij


Si “vrau” vajzën e tij kryediversanti Hamit Matjani për t'i shpëtuar kapjes nga sigurimi

Kastriot Kotoni

Xhavit Matjani, djali i vetëm i një prej “komandantëve” më të shquar shqiptar në vitet ´30-të, Hamit Matjanit, rrëfen nga Amerika ekskluzivisht për “Panorma” gjithçka që kujton dhe di për babanë e tij “legjendar”. Transferimi i fisit Matjani nga zonat e Burrelit për hir të hasmërisë në kodrat e Peqinit dhe gjakmarrja e re që e bëri Hamit Matjanin, pas hakmarjes, një nga figurat më të njohura të zonës. Si u çua më pas në Napoli të Italisë, nga mbreti Zog, ku mbaroi shkollën e xhandarmërisë dhe emërimi në qytetin e Fierit. Beteja e trupave të xhandarmërisë së Hamit Matjanit me trupat e Riza Cerovës, gjatë kryengritjes së Fierit në vitin 1935 dhe shtypja e saj me ndihmën e forca të ardhura nga Tirana.

Eshtë pikërisht kjo periudhë, kur Hamiti martohet me Kadifen dhe lind Xhavitin, të vetmin fëmijë nga kjo martesë, të cilin do ta donte aq shumë saqë gjatë internimit në kohën e regjimit Hoxha, do ta takonte shpesh, duke çarë rrethimet e ushtrisë dhe sigurimit. Në vijim të rrëfimit për jetën e babait të tij, Xhavit Matjani tregon se si Hamit Matjani, ashtu si Mujo Ulqinaku, priti me armë pushtuesit italianë në qytetin e Vlorës në prill të vitit 1939. Më pas ai shpallet nga italianët si person shumë i rrezikshëm dhe shumë i kërkuar. Pas arrestimit dënohet me vdekje, por me ndihmën e një miku arratiset nga burgu i Peqinit, jo për t´u larguar jashtë vendit, por për të krijuar një nga çetat e para antifashiste në vend. Kush ishin më pas kontaktet e para të Matjanit me krerët komunistë, që i afruan bashkëpunim dhe përse Hamit Matjani e refuzoi dy herë ofertën e Mustafa Gjinishtit. Përse Hamiti si shumë të tjerë pas fitores së komunistëve nuk u arratis, por vazhdoi luftën deri kur ushtria e rrethoi në Papër, të Cërrikut, ku humbi vëllanë dhe 3 nipër. Arratisja në Greqi dhe letra që i la një bariu për ta dorëzuar në postën kufitare, ku shkruante se premtonte që do të kthehej në Shqipëri për të luftuar komunistët. Si u përhap miti i Hamit Matjanit si desant “i pakapshëm” dhe përse autori i librit “Tradhtia e madhe”, Nikolas Bethel e quan “Robin Hudi” i Shqipërisë. Njëkohësisht në pjesën e parë të kësaj interviste djali i Hamit Matjanit tregon edhe të vërtetën për historinë e përhapur nga sigurimi, e cila u besua për 45 vjet, se kryedesanti kishte vrarë me dorën e tij vajzën e vetme dhe 26 desantimet e tij në kohën e regjimt të Enver Hoxhës.

Zoti Xhavit, ju jeni djali i vetëm i të famshmit Hamit Matjani…
Po. Unë jam pinjoll i fisit Matjani dhe djali i vetëm i Hamit Matjanit, vrarë në vitin 1953, pasi u kap nga forcat e Sigurimit të Shtetit si një nga diversantët më të rrezikshëm që donte të rrëzonte pushtetin e Enver Hoxhës dhe komunizmin në Shqipëri me dhunë. Fisi Matjani e ka prejardhjen nga zona e Burrelit dhe më saktë nga fshati Ketë. Por, për arsye hasmërie, është zhvendosur prej andej në kodrat e Peqinit dhe Lushnjës. Pikërisht aty u krijua edhe fshati Matjanë, me rreth 30 shtëpi të të njëjtit fis, që merrej kryesisht me blegtori dhe bujqësi. Por hasmëria edhe aty nuk na u nda. Një person i një katundi tjetër plagosi xhaxhanë, Asllan Matjani, për punë të një koshereje me bletë.

Mund të na flisni për babanë tuaj në këtë periudhë?
Babai im në këtë kohë ishte i mobilizuar ushtar në Vlorë. Pas vdekjes së të vëllait në spitalin e Tiranës, ai mori hak pas tre muajve, duke e vrarë personin që e kishte plagosur. Pasi kreu ekzekutimin, kthehet në Vlorë dhe vazhdon ushtrinë pranë xhandarmërisë, aty. Që atëherë iu hap nami si trim dhe kokëkrisur. Më pas, eprorët e bindën që pas ushtrisë ai të shërbente në xhandarmërinë e mbretit Zog nga viti 1931 deri në 1935. Kjo pasi panë tek ai mjaft cilësi dhe aftësi ushtarake. Më pas e dërguan në Napoli për të studiuar shkollën ushtarake të xhandarmërisë. Pasi mbaroi këtë shkollë, kthehet përsëri në Vlorë. Shumë shpejt për merita të veçanta e transferuan në Fier.

ثshtë periudhë historike kur në këtë qytet një grup oficerësh të xhandarmërisë së Zogut rebeluan me armë. Cili ka qenë pozicioni i Hamit Matjanit në këto ngjarje?
Në njëzet dhjetor të vitit 1935, mjaft njerëz të armatosur dhe të udhëhequr nga Riza Cerova, tentuan të marin qytetin e Fierit. Në krye të forcave zogiste që mbronin qytetin nga kryengritësit u vu babai im, Hamit Matjani. Ka pasur përleshje të ashpra, por edhe pas ndërhyrjes së forcave të tjera zogiste të ardhura nga Tirana me në krye Ali Rizain, kryengritja u shtyp.

Cila është historia e familjes së Hamit Matjanit. Ju kur keni lindur?
Babai im është martuar pikërisht në këto vite të vrullshme me nënën time Kadife Kuqi, nga Peqini. Unë u linda në vitin 1936 dhe kjo lindje pati lënë mbresa të mëdha tek im atë, sepse më vonë bënte shumë për mua. Kaq e vërtetë është kjo saqë kur kemi qenë të internuar në Krujë, Sukth dhe Tepelenë, pas çlirimit, ai kapërcente rrethimin e ushtarakëve dhe sigurimit të shtetit dhe vinte më takonte, edhe pse më pas u diktua.

Le të kthehemi prapa. اfarë bëri babai juaj si besnik i njohur i Mbretit Zog, kur ky u largua nga Shqipëria dhe vendi u pushtua nga fashistët italianë?
Hamit Matjani nuk u largua nga vendi dhe nuk i priti me lule italianët, si shumë të tjerë. Së bashku me një grup shokësh, shkoi në Vlorë dhe luftoi kundër tyre, njësoj si patrioti Mujo Ulqinaku. Pas pushtimit, italianët, në bashkëpunim me mercenarë dhe spiunë të shitur shqiptarë, që e dinin se ai kishte luftuar kundër tyre, e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, me varje në litar pa i bërë as gjyq. Por ai nuk priti ta varnin. U arratis me ndihmën e një miku, i cili i futi në qeli bashkë me ushqimin edhe një sharrë. Italianët e rrethuan disa herë, por nuk arritën ta kapin kurrë, sepse ai lëvizte në zonën e Lushnjës në vende që i njihte mirë dhe ku kishte miq të shumtë.

اfarë bëri më pas?
Nuk iku nga Shqipëria, siç bënë shumë të tjerë. Aktivizoi shokë e miq aktivistë dhe krijoi një nga çetat e para në vend, që i hapi luftë pushtuesve italianë.

Si i kishte marrëdhëniet me çetat partizane, që luftonin gjithashtu pushtuesit italianë?
Në të njëjtën kohë po formoheshin edhe çetat partizane. Eshtë e vërtetë që krerët komunistë më kërkuan bashkëpunim për të luftuar së bashku. Janë të njohura dy takimet e babait me Mustafa Gjinishtin, një nga komunistët e parë, i cili gëzonte mjaft respekt në zonën e Peqinit dhe ishte i shkolluar në Perëndim. Miq të babait më kanë treguar se në njërin prej këtyre takimeve babai, pasi ka refuzuar të bashkëpunoj me komunistët i ka thënë atij. “Vërtet ti Mustafa je njeri i kulturuar, por nuk po e kupton yllin e kuq bolshevik që ke në kapele, se një ditë populli ynë ka për të vuajtur nga bolshevizmi. Më mirë hajde me mua dhe vdis si burrë sesa të vdesësh nga vetë komunistët. Ti ke për të vdekur para meje”. Dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi. Që pas këtyre bisedimeve, babai me çetën e tij luftonte në kushte të vështira, në njërin krah kundër pushtuesve dhe në anën tjetër kundër partizanëve nga Peqini deri në Skrapar.

Po pas fitores së luftës nga komunistët, çfarë bëri Hamit Matjani?
Vazhdoi të vepronte në zonën e tij të preferuar, ku edhe një ditë u rrethua nga qindra ushtarë të regjimit të sapokrijuar të Enver Hoxhës. Përleshja e madhe ka ndodhur në Papër të Cërrikut, ku edhe humbi të vëllanë dhe tre nipër, dhe disa pjesëtarë të çetës. Ai vetë arriti të dalë nga rrethimi i plagosur dhe u arratis për në Greqi. Gjatë rrugës mblodhi shumë njerëz të pakënaqur nga regjimi i Enver Hoxhës, me të cilët do të riorganizonte çetën përtej kufirit. Ka një fakt interesant për këmbënguljen e tij për të luftuar komunistët. Kur arriti afër kufirit me Greqinë, takoi një bari dhe i dha një letër, për të cilën e porositi ta dorëzonte në postën kufitare shqiptare. Në të shkruhej se “Hamit Matjani ishte plagosur dhe nuk mundej të vazhdonte luftën. Por sapo të shërohej në spitalet e Athinës do të rikthehej për të luftuar pa mëshirë komunistët”.

Eshtë pikërisht kjo periudha që emri dhe përplasjet e tij me Sigurimin e Shtetit u kthyen në mit?
Sido që ta shikosh figurën e Hamit Matjanit, ajo është vërtet e mitizuar si nga ata që e kanë vrarë dhe sharë, edhe ata që e kanë dashur dhe e duan. Po t´i referohemi Nikolas Betheles, veprimtaria e tij është jo vetëm legjendare, por edhe reale, një njeri që luftoi si patriot për atdheun pa asnjë lloj kompromisi me çdo regjim. Ky personalitet, autor i librit “Tradhtia e madhe”, e cilëson Hamit Matjanin si “Robin Hud”. Kur e vranë ai tha: “Rroftë Shqipëria e lirë”.

Faktikisht për babanë tuaj ka mjaft legjenda, si përfundoi ai?
Po është e vërtetë se ka shumë legjenda, por të gjitha këto vijnë nga realiteti. Ata që e kanë njohur nga afër, tregojnë se ishte jo vetëm shumë trim, por edhe jashtëzakonisht i zgjuar dhe i përgatitur si desant. Njëherë që nuk hyri në Shqipëri sipas planit të tij, e kapën. Në verën e vitit 1947, kohë e përgatitjes së kryengritjes në Myzeqe, gati hapur, në atë zonë këndohej kënga “Gjëmon vendi anembanë, kush e mban Hamit Matjanë”. Por le t´i përgjigjem pyetjes suaj. Babai im erdhi për herë të fundit në Shqipëri më 1 maj të vitit 1953, për herë të parë dhe të fundit nëpërmjet ajrit. Ai parashutoi te Shkëmbi i Vashës, në Bizë, të Martaneshit së bashku me dy shokët e tij, Gani Malushin dhe Naun Sulën, duke u mashtruar nga “Radio-Loja” e Sigurimit, e drejtuar nga ish-desanti Etem اako dhe e vazhduar nga dy ish-desantët e kapur nga sigurimi në Bizë, Zenel Shehu dhe Halil Branica, ish- pjesëtarë të Gardës Mbretërore të Zogut në Aleksandri të Egjiptit. Babai im, Hamit Matjani, u dënua nga gjyqi me varje në litar në qytetin e Lushnjës dhe u ekzekutua më 14 prill 1954, në moshën 44-vjeçare.

Për babanë tuaj thuhet se ishte “i pakapshëm” dhe se preferonte të hynte në Shqipëri vetëm nëpërmjet tokës në zona që i njihte mirë…
Po, babai im brenda dhe jashtë vendit, konsiderohej si desant “i pakapshëm”, “i lindur me këmishë”, “njeri që s´e kap plumbi”, “Anteu i Mitologjisë greke”, që besohej si i pamposhtur derisa kishte kontakt me tokën. Dhe ja arritën duke e desantuar nga ajri nën preteksin, se “qendra fokusale e kryengritjes, Mati, ishte larg me kufirin grek”, nga edhe kalonte gjithmonë ai. Babai im quhet me plotë gojë nga specialistët më të mirë të spiunazhit në botë si desanti më i përgatitur i operacioneve që u kryen për të rrëzuar regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ai ka hyrë në Shqipëri 26 herë, prej të cilave vetëm njëherë nga ajri.

Por te libri i Nikolas Bethel, “Tradhtia e madhe”, ka shifër tjetër për desantimet e Matjanit në Shqipëri?
Po, është e vërtet se ky personalitet shkruan në librin e tij se Hamit Matjani ka hyrë vetëm 15 herë në Shqipëri, por shifra 26, është sipas dëshmive të nipit të tij, Kadri Sina, i cili nuk i është ndarë për asnjë moment babait tim, jashtë dhe brenda vendit.

Për Hamit Matjanin është thënë jo rrallë se ishe superkriminel dhe që ka vrarë edhe të pafajshëm, madje edhe fëmijën e tij…
Kjo është një përrallë e shpikur dhe përhapur nga komunistët, e cila faktikisht funksionoi deri në vitin 1990. Shpifja e ka zanafillën që në vitin 1945. Që në ditët e para të vendosjes së pushtetit komunist, unë dhe nëna ime, Kadife, së bashku me kushërinj të tjerë u internuam në Lushnjë. Në këto kushte, babai im më vonë bashkëjetonte me një tjetër grua në male, të cilën e kishte edhe bashkëluftëtare të ngushtë. Kjo grua quhej Fatime dhe u martua edhe me celebrim me babanë tim, duke lindur një vajzë, të cilën e quajtën Edije. Pikërisht për këtë fëmijë sigurimi përhapi legjendën sikur Hamit Matjani e vrau, vetëm që të mos binte në duart e tyre. Qëllimi ishte i qartë, ata kërkonin që të diskretitonin figurën e babait tim në popull, ku respekti edhe pse nga frika ishte i madh. Thjesht donin që figurën e tij heroike dhe patriotike ta shndëronin në kriminale dhe të pashpirt. Një ditë forcat e sigurimit arritën të zbulojnë bazën ku strehohej gruaja e dytë e Hamit Matjanit së bashku me foshnjën e vogël, në fshatin Dëshiraj. Fëmijën e çuan fillimisht në jetimoren e Elbasanit dhe pastaj në atë të Shkodrës. Ajo sot rron me gjithë burrin dhe është nënë e gjashtë fëmijve. Nëna e saj Fatimja, u dënua me 10 vjet burg dhe vdiq tre vjet pas kapjes së babait tim...
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top