Gjon marka gjoni kapidan i mirdites

Lauri

Anunnak
„Dera e Kapidanave te Mirditës, në namë e në za në krejtë gadishullin ballkanik e tutje, qe një arkë e shugurume, ku u ruajtën ndër shekuj normat kanunore, dmth. esenca heroiko-patriarkore, me palcë të çmueshëm njerzuer, esencë që e shpëtoi rodinë e shqiptarit, nga zvetnimi e çoroditja. Ai visarë dokesh ishte dikur paji i mbarë kombit, mandej kushtet e egra të zotnimit aziatik, erdhën tue ia ngushtue qarkun e ndikimit, dhe tue e kufizue në malet e Shqipnisë. Fryma e vjetër e ligjeve dokësore, ku ma pak e ku ma shumë, lëviti i rrahi pajada, në gjak të shqiptarit, e shtrime në krejtë tokën e atdheut, dhe ngjeti kudo, puth njerz robi shqiptar u shpërngulën. Studiuesa e hulumtuesa të huej, në Kanun të Malëvet, hetuen substancën ma të kulluet, të fisit arbnuer dhe patentet e fisnikisë, së ti shumë të lashtë indoeuropiane.
Kapidan Gjon Marka Gjoni, burrë i gëdhendur, një copë në curr t’ashpër, të landës sonë rraciale, përfaqësoj traditen autoktone, më të pikatun. Në te u mishnue shembullisht burrnia e njerzia e rracës".
Me këto fjalë te atdhetarit profesor Ernest Koliqit po e filloj këtë studim për Kapidanin e Mirditës, burrin e mençur dhe te urtë, politikanin dhe largëpamësin e kombit shqiptar, i cili edhe pse jetoj e veproj në rrethana tepër të nderlikuara, e kreu me nderë e burrëri, detyrën e trashëgimtarit shekullor të Derës së Gjomarkut, duke iu përshtatur rrethanave të reja kohore dhe duke ecur në hap me kohën, pa lënë anash traditat e mirëfillta, kombëtare dhe të Kanunit.


Jeta dhe Veprimtaria Kombëtare e Kapidan Gjon Marka Gjonit deri në vitin 1939

Kapidan Gjoni lindi në Orosh të Mirditës, me 28 gusht të vitit 1888. I ati Kapidan Marka Gjoni ishte nip i Lleshit të Zi, qe pat emër të madh në Shqipëri e në Ballkan, kah gjysma e parë e shekullit XIX. Sipas zakonit që ruhet djalë pas djali, në derë te Gjomarkajvet, sa është gjallë prindi te bijëve u përket me u shtrue vullnesës atnore, dhe me ia ndjekë urdhërin si ushtar. Të dielën e Pashkëve me 1925 vdiq Kapidan Marka Gjoni, pas një jete plotë peripeti, përshkruar edhe nga Faik Konica, në të përkohshmën „Albania”. I zanun befas prej Turkoshakëve, ashtu si kusheriri Prenk Bib Doda, e si Hodo Beg Kopliku, u internue në Anadoll. Malli i atdheut e shporonte aq fort në atë mërgim saqë vendosi me u këthye, dalë ku të dalë. Pa ditur gjuhë, e pa mjete, iku e u përshkue nëpër Rusi, Poloni, Austri e arriti në Mirditë, ku autoritetet Otomane nuk guxuan qe ta trazojnë më. Me 1914 ra me Miriditas në Durrës, për të mbrojtur mbretin Wied. Ngjitas me kosovarët e Isa Boletinit, djemtë e Mirditës, ranë në luftime të rrebta kundër kryengritësve qe donin ta ndalojnë mëkëmbjen e një shteti shqiptar, të pavarun. Humbjet qenë të mëdha. Pasi i vdiq i ati Kapidan Gjoni, i doli prija e iu ngarkua përgjegjsia me e udhëheqë Mirditën, sipas tagrit historik të derës së Gjomarkut. Ai u përvesh zyrës së vet, me atë pasuri mendimesh të qarta e me vendosmërinë, që përherë e dalloi, kur e lypë në raste të ndryshme ndërhyrja e tij, si gjyqëtar gojdhanun e i pranuem vullnetarisht nga populli, e ne datsh si prijës luftarak i caktuem nga e drejta kanunore. Edhe pse i ri, në moshen 37 vjeçare por i burrnuem, Kapidan Gjon Marka Gjoni u shqua në naltësinë e misionit të vet. Në vitin 1926 i rrethuem prej krerëve, e bani Zabitnamën e parë(Pajtimin e Gjaqëve).
E përshkoi Mirditën bajrak për bajrak, e katund për katund, duke ndreqë ngatërresa e duke pajtue gjaqe. Ne vitin 1926 Kapidan Gjon Marka Gjoni i ka pajtue 360 gjaqe e varrë (plagë). Në vitin 1928 pasiqë e fitoi një autoritet shumë të lartë, Kapidan Gjoni e bëri edhe pajtimin e dytë të gjaqëve. Edhe këtë herë ka pajtue 260 gjaqe e varrë. Kështu Mirdita u bë krahina më e qetë në Veri.
Me këtë veprimtari, kapidan Gjonit aq shumë iu rrit fama saqë shumë veprimtarë shqiptarë dhe të huaj vraponin që ta takonin. Në vitin 1930 Kapidan Gjon Marka Gjoni shkoi në Romë ku u prit me nderime të larta nga Qeveria Italiane, dhe nga Papa.
Kapidan Gjon Marka Gjoni në bisedim me Zogun, atëherë president i Shqipërisë, paraqiti gjendjen e keqe të Mirditës në pikpamje ekonomike. Zogu iu përgjigj: Zotni Kapidan, e njoh gjendjën e Mirditës por ju bëtë mirë që me shtruat këtë problem dhe shtoi: që me sot Mirdita përjashtohet prej çdo takse shtetërore dhe kanuni si ligj tradicional, në të cilin janë mbështetur e drejtue malet tona, ka me qenë i lirë në Mirditë.
Kur Ahmet Zogu u proklamue mbret në vitin 1928, gjithë paria e malëve të Veriut shkuen në Tiranë me e përgëzue, ndër ta edhe Kapidan Gjon Marka Gjoni me krerët e Mirditës. Aty malësorët shfaqen problemin e prijës, por Zogu para të gjithëve e thirri kapidan Gjon Marka Gjonin në audiencë, të gjithë të tjerët më vonë. Kur emëroi oficerët rezervë, të gjithë majora e më poshtë, kapidan Gjon Marka Gjonin e emëroi Nënkolonel, grada më e larta. Zogu e çmonte miqësinë që ka patur dera e Gjomarkut, me shpinë e Zogollit, prandaj këto nderime tue dashtë me e shlye të keqën që i bani Mirditës në vjetin 1921, mendoi e vendosi me rehatue Miriditën, tue nderue në mënyrë të veçantë Kapidan Gjon Marka Gjonin. Kur kapidan Gjon Marka Gjoni qe i sigurt se Italianët po hyjnë në Shqipëri, por pa e ditë datën, në mars te vitit 1939, ka shkue në Tiranë e në audiencë, që ka patur prej Mbretit Zog, i ka thënë këto fjalë: ”Madhni, Italianët po hyjnë në Shqipni. Ndreqi punët (Relatat) me Romën, se more në qafë vehtën, Shqipninë dhe ne. Na kallëzo çka të bajmë.”
Zogu i është përgjegjë:

„Po zoti Kapidan, Ministrat i kam keq me Italinë, por do ti rregulloj. Ju shkoni i qetë e pritni fjalën time”. Nuk zgjati, e Zogu në msheftësinë më të madhe kaloi në Greqi. Por kur Zogu ka mbërri në Larisa të Greqisë, ka mbledhë suiten e vet me i dhënë udhëzime. Aty ka deklarue: ”Nji mik të vetëm kishim pasë, Kapidanin e Mirditës Gjon Marka Gjonin, i cili më ka kallxue se italjanët po hyjnë në Shqipni.”
Pasi Italjanët zaptuen Shqipërinë, Konti Ciano, ministër i jashtëm i Italisë erdhi në Tiranë. Ai kërkoi qe një delegacion shqiptarësh të shkonte në Romë me i dorëzue Mbretit të Italisë, Vittorio Emanuele III, kunorën e Skënderbeut. Delegacioni i Shkodrës mblidhet në Tiranë me shqyrtue problemin. Për me i njoftë këkesat e Italisë, delegacioni i Shkodrës ngarkon kapidan Gjon Marka Gjonin te shkoj me bisedue me Kontin Ciano, përkthyes Patër Anton Harapi, O.F.M.
Në bisedë e sipër Konti Ciano, kërkoi që kapidan Gjon Marka Gjoni në krye të delegacinit të Shkodrës, te shkojë në Romë me i ofrue kunorën e Skënderbeut, Vittorio Emanuele III. Kapidan Gjon Marka Gjoni i është përgjigjë: „Shqipninë e pushtuet e unë kunorën e Skënderbeut nuk e kapërcej përtej Adriatikut, veç lidhë kambësh e duarsh.” E Kapidan Gjon Marka Gjoni, nuk ka shkue në Romë që t’ia dergojë kunorën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, mbretit te Italisë Vittorio Emanuele III. Kjo vërteton qartë se kapidan Gjon Marka Gjoni nuk i ka bërë hile as mbretit dhe as Shqipërisë.
Kapidan Gjon Marka Gjoni ishte edhe reformator i madh i Kanunit. Ai në vitin 1937 (shif Hylli i Dritës, korrik-gusht 1937; f. 417-18), mblodhi e kryesoi në Mirditë një kuvend krerësh e pleqësh, për të sjellë ndryshime në disa zakone tepër anakronike. Sekretar në atë mbledhje qe don Zef Skana famullitar i Fandit. Ndodhën pranë si pjesëtar nderi më të drejtë zani, Abati imzot Gjini, dhe prefekti i Shkodrës. Në shumë raste tjera Kapidani pa bërë ndryshime, dha një interpretim të pikave të Kanunit, që përkonte me frymën e kohrave të reja. Si të gjithë udhëheqësit mendjesgjuet, ai i jepte rëndësi shpirtit jo germës së ligjit dokësues.

shkruar nga Nue Oroshi
 

Attachments

  • kapedan gjon marka gjoni.jpg
    kapedan gjon marka gjoni.jpg
    22.1 KB · Shikime: 16

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 12.5%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 1 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 12.5%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 37.5%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 1 12.5%
Back
Top