Gjërat që më mësoi Muhamedi: Drejtësia Sociale

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
-Hareem Mannan
drejtesia-sociale-650x250.jpg

Këto janë gjërat që më shqetësojnë: Më shqetëson fakti që jeta e një njeriu me ngjyrë vlen më pak. Më shqetëson fakti që mundësitë për gratë janë më të pakta se ato të burrave, më shqetësojnë rrogat e pabarabarta, më shqetëson seksizmi në shtëpi dhe në vendin e punës. Më shqetëson kriza e refugjatëve. Sesi qindra mijëra njerëz janë shpërngulur, duke e gjetur papritur veten pa një strehë, për shkak të rrethanave që janë jashtë kontrollit të tyre. Më shqetëson ndryshimi i panoramës politike që stimulon frikën dhe islamofobinë si një realitet të ri, duke i detyruar muslimanët të jetojnë të damkosur, ose më keq akoma, duke u mwnjanuar qetësisht në një botë që duartroket zhdukjen e tyre.

Gjëja e fundit që prisja të mësoja një ditë, gjatë një programi mbi një njeri që ka jetuar përpara 1400 vjetësh ishte sesi të sillesha. Duke mësuar për të, kuptova se të besuarit që drejtësia sociale ishte një fenomen modern, ishte jo vetëm mendje-ngushtësi, por edhe naivitet i thellw.

Shumë shekuj më parë, një njeri ndryshoi përgjithmonë panoramën e botës, përmes mesazhit hyjnor të cilin ishte frymëzuar ta ndante me njerëzit. Muhamedi, njeri më i përmendur në histori, veçanërisht nw ditët tona, kur kundërshtitë janë edhe më të fuqishme. Islami është shndërruar në temë të nxehtë në media, si dhe një target i lehtë për politikanët dhe fuqitë botërore. Profeti i nderuar i Islamit, Muhamedi, është vënë në qendër të debatit mbi atë se çfarë do të thotë të jesh musliman. A ka të qenit musliman të njëjtin kuptim si përpara 1400 vjetësh?

Përgjigja, me një fjalë, është “po”.

Përpara ardhjes së mesazhit Islam, Muhamedi njihej si rreze ndershmërie, besimi dhe drejtësie në komunitetin e tij. Atë jo vetëm që e konsultonin për të zgjidhur çështjet lokale politike dhe sociale, por këto cilësi u bënë pjesë integrale e personalitetit të tij, aq sa komuniteti jo-musliman i referohej me emrin “El-Emin” që do të thotë, I besueshmi. Përpara ardhjes së Islamit, ai mori pjesë në Hilf-Al-Fudol, një pakt social që përcaktonte se fiset, që normalisht nuk udhëhiqeshin nga parimet e drejtësisë së vërtetë, do të respektonin parimet e drejtësisë dhe do të ndërhynin në mbrojtje të të shtypurve, kurdo që do të ndeshnin në ndonjë situatë të tillë.

Pas ardhjes së Islamit, Muhamedi tha se nuk do ta shkëmbente as me të gjithë pasurinë e botë pjesëmarrjen e tij në këtë traktat. Kjo ishte përqasja e tij ndaj aksiomave të Islamit.

Në fazat e para të Islamit, shumë vite më vonë, një fenomen interesant ndodhi. Njerëzit që u tërhoqën nga mesazhi i Muhamedi, dihet botërisht se ishin ata që gjendeshin në margjinat e shoqërisë, të varfrit, nevojtarët dhe të izoluarit. E vërteta është se Islami i tërhoqi të dobëtit, për shkak të kapacitetit të tij për t’i fuqizuar në një mënyrë që u mundësoi të matnin veten jo përkundër njëri-tjetrit, por përkundër vetëve të tyre, në udhëtimin për t’iu afruar sa më shumë Zotit. Por ajo që shumë njerëz nuk e dinë, është se Islami tërhoqi edhe një pjesë të madhe të inteligjencës, të pjesës së popullsisë të përbërë nga profesionistë të rinj. Këta njerëz, ishin mjaftueshëm të pjekur për të kuptuar mesazhin e tij, por njëkohësisht, mjaftueshëm të rinj për të qenë në gjendje të identifikonin problemet serioze që kishin infektuar komunitetit para-islamik të Mekës. Edhe pse është e lehtë ta imagjinosh Mekën si një shkretëtirë të pajetë që mori domethënie vetëm pas jetës së Muhamedit, kjo faktikisht nuk është e saktë. Meka ishte qendra e kapitalizmit dhe e biznesit në Arabi. Për këtë arsye, sipas Karen Armstrongut:

“Shumë pjesëtarë të gjeneratës së re, që ishin të shqetësuar nga kapitalizmi agresiv i Mekës, shkonin tek Muhamedi për të marrë këshilla. Disa nga të rinjtë kishin një ndjesi rreziku urgjent personal, një topitje depresive nga e cila dëshironin të zgjoheshin, dhe një ndjesi të frikshme tëhuajësimi nga prindërit e tyre. Kjo shoqëri e përçarë dhe përplot kundërvënie do të shkatërrohej, sepse po shkonte në kundërshtim me natyrën e gjërave. Kjo ishte një periudhë e frikshme…pasi ekzistonte ndjesia e një katastrofe apokaliptike të pashmangshme. Muhamedi ishte i bindur që nëse Kurejshët nuk reformonin qëndrimet dhe sjelljen e tyre, do të binin pre e anarkisë që kërcënonte të fshinte botën e tyre.”

Si 22-vjeçare, kjo rezonoi fuqishëm tek unë. Të rinjtë që përshkoheshin nga një ndjesi e thellë parehatie dhe irritimi, si rrjedhojë e gjendjes aktuale të botës së tyre, ishin të parët që përqafuan një fe që nuk predikonte thjesht drejtësi, por gjithashtu besonte se Zoti ishte drejtësia. Zoti vetë thotë në Kur’an “O ju që keni besuar! Tregohuni të palëkundur para drejtësisë, sepse dëshmitar keni Zotin, qoftë ajo kundër jush, prindërve tuaj, apo të afërmve tuaj, të pasur apo të varfër qofshin ata. Zoti është mbrojtësi më i mirë.” (4:135)

Në si muslimanë, në fenë tonë e kemi shprehimisht të ndaluar të shtypim apo dhunojmë të tjerët. Gjithashtu e kemi të ndaluar të rreshtohemi përkrah tiranëve ose t’i ndihmojmë në ndonjë mënyrë. E përsëris: të gjitha format e padrejtësisë dhe shtypjes janë të ndaluara në Islam. Neve jemi nxitur të ndihmojmë shtypësin. Si? Duke e ndaluar të shtypë të tjerët! Ironikisht, ndërsa lajmet janë të mbushura me kryetituj mbi rreziqet e xhihadit, Muhamedi krejt qartë thotë, “xhihadi më i mirë është t’i thuash të vërtetën sundimtarit tiran.” Ndërsa bota vijon të rrotullohet marrëzishëm, dhe padrejtësitë vijojnë të kulminojnë nëpër hashtage, tituj dhe artikuj, dhe lajme që e drejtojnë gishtin në të gjithë drejtimet e mundshme, targetimi i atyre që mund ta meritojnë ose jo të fajësohen, duke damkosur popullsi të tëra, duke i hedhur benzinë zjarrit që është duke u përhapur me shpejtësi, shumë njerëz pyesin: Ku është Zoti?

Kjo është pjesa ime e parapëlqyer, sepse si muslimanë ne besojmë, pa më të voglin dyshim, se Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetët e tyre. (13:11) Nuk kanë vlerë hashtaget, gishtat që u drejtohen të tjerëve, dhe indinjimi sado i arsyetuar. Tani faji është i joni. Përgjegjësia bie mbi shpatullat tona dhe të askujt tjetër.

Kjo sepse më shqetëson kriza e refugjatëve, racizmi sistematik, ksenofobia, islamofobia dhe shumë gjëra të tjera të ngjashme. Për këtë më vjen në ndihmë ajo që mësova nga një njeri që ka jetuar përpara 1400 vjetësh, dhe që ndryshoi fytyrën e botës ashtu siç e njohim. Sapo të mposhtim hezitimin brenda nesh dhe të ngrihemi të bëjmë diçka për këtë, me ndihmën e Zotit, mund të arrijmw gjithçka.

Burimi: huffingtonpost.com
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top