Fjalori politik i Bashkimit Kombetar!

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Shukri Klinaku

Në raportin e një gazetari nga një takim pesëpalësh diku në Shqipëri do të mund të lexohet edhe kjo: “...në takim morën pjesë shqiptari Ilir Meta, maqedonasi Ali Ahmeti, kosovari Albin Kurti, serbi Jonuz Musliu dhe malaziasi Mehmet Bardhi”. Ky raport nuk është montim për të qeshur, por situatë e imagjinuar që lehtë mund të bëhet realitet dhe që pjesërisht edhe ndodh nga përdorimi jo i drejtë i fjalorit të përditshëm, që në esencë është politik. Që të mos vijë deri te situata të tilla tragji-komike, situata që mund të krijohen qoftë nga mosdija, qoftë nga deformimi qëllimkeq i termave themelore që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët, ia vlen t’i bëjmë standarde disa prej termave më të rëndësishme të politikës, historisë dhe gjeografisë sonë kombëtare. Më poshtë do të trajtohen 15 terma ashtu siç mendoj se duhet të përdoren nga të gjithë shqiptarët.


Shqipëria – territor kompakt i banuar aktualisht me shumicë nga populli – komb shqiptar.
Më së shumti gabohet në përdorimin e këtij termi. Shpesh kur përmendet ky term mendohet në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa shqiptarët do të ishte mirë të mendojnë dhe të flasin me saktësi për këtë çështje. Shembull, një strugan duhet ta ndiejë dhe ta thotë se jeton në Shqipëri, por në një pjesë të Shqipërisë të administruar nga pushteti qendror i Shkupit, nga një shtet që quhet Maqedoni. Ndërsa secili shqiptar nuk duhet të kursehet në të folur, që do të thotë se kur flet për territorin e Republikës së Shqipërisë, të mos thotë Shqipëria, por ashtu siç është – Republika e Shqipërisë. Pra, të mos e lërë anash fjalën republikë.

Shqipëria etnike – term i barasvlershëm me termin Shqipëria. I ndërtuar për t’iu kundërvënë termit diskreditues dhe përbuzës për veprimtarët e bashkimit kombëtar – Shqipëria e madhe. Mirëpo, termi Shqipëria etnike është i dobishëm edhe për të dalluar termin Shqipëria, kur përdoret pa kujdes, në vend të termit Republika e Shqipërisë.

Shqipëria e madhe
– Në vitin 1941, sipas fqinjëve shovinistë u ndërtua Shqipëria e madhe (nën Italinë fashiste). Territori i atëhershëm i shtetit vasal shqiptar ka qenë i ndërtuar nga territori i sotëm i Republikës së Shqipërisë, një pjesë e territorit të Republikës së Kosovës (deri te Vushtrria) dhe nga një pjesë e territorit të Republikës së Maqedonisë. Pjesët tjera të Shqipërisë ishin nën Gjermaninë naziste (Mitrovica me rrethinë dhe Sanxhaku) dhe nën Bullgarinë pronaziste (Shkupi, Ohri, Presheva, Kaçaniku etj.). E vërteta është se edhe shteti vasal i vitit 1941 nuk ka qenë Shqipëri e madhe, madje nuk ka qenë as sa Shqipëria etnike. Më saktësisht, edhe kufijtë e Shqipërisë së vitit 1941 kanë qenë shumë të cunguar.
Përgjithësisht, termi shtet i madh u ndërtua nga politika evropiane e shekullit të XIX-të, për t’i cilësuar pushtetet politike ultranacionaliste, të cilat kishin pushtuar territore të banuara me shumicë tjetër kombëtare nga kombi që përfaqësonin pushtuesit.
Po të flitet me këtë gjuhë, sot, fqinjët e shqiptarëve me plot të drejtë do të quheshin: Greqia e madhe, Serbia e madhe, Maqedonia e madhe dhe Mali i Zi i madh. Të gjitha këto në dëm të shqiptarëve etj.

Termi Shqipëria e madhe përdoret me qëllim shigjetues nga shovinistët fqinjë, që janë gjallë edhe sot, ndërsa gabimisht përdoret edhe nga disa politikanë shqiptarë.

Republika e Shqipërisë – është shtet i njohur ndërkombëtarisht, të cilin e përbën një pjesë e popullit dhe territorit shqiptar. Në vitin 1912 aspirata dhe angazhimi i shqiptarëve ishte për krijimin e shtetit shqiptar në tërësinë e trungut të vet, mirëpo shovinistët fqinjë dhe politika jo e drejtë e fuqive të mëdha vendosën që shumica e tokave shqiptare të copëtoheshin nga fqinjët, e si pasojë shteti shqiptar – sot Republika e Shqipërisë u ndërtua nga një pjesë e vogël e Shqipërisë.

Republika e Kosovës – është shtet i ndërtuar në një pjesë të Shqipërisë pas rezistencës shekullore dhe luftës çlirimtare (1998 – 1999) që bënë shqiptarët. Meqenëse qysh në fazën e luftës (1999) në Kosovë u inkuadruan forcat ndërkombëtare, edhe procesi i fitimit përfundimtar të lirisë u ngjyros me shumë interesa të të tjerëve. Më 17 shkurt 2008 u shpall Republika e Kosovës si shtet multietnik. Për shkak se gjatë luftës, nga presionet ndërkombëtare, udhëheqja e UاK-së hoqi dorë nga lufta për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare që ishin nën sllavët e jugut dhe u kufizua vetëm brenda kufijve të Kosovës, administrimi ndërkombëtar më 1999 u shtri vetëm në kufijtë administrativë të ish – krahinës së Kosovës, e cila kishte një status politik autonom në ish – Jugosllavi. Republika e Kosovës ka edhe tri të meta tjera të mëdha. E para, instalimi i “pushtetit multietnik”. Kjo pasoi për shkak të politikës vasale të përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës dhe për shkak të qëndrimit jo të drejtë të bashkësisë ndërkombëtare, sepse dhjetëra shtete tjera që kanë heterogjenitet më të madh të popullsisë sesa Republika e Kosovës nuk funksionojnë si multietnike. E dyta, sovraniteti i kufizuar vertikal, ose sovranitet i kufizuar në marrjen e vendimeve kapitale politike. Dhe e treta, sovraniteti i kufizuar horizontal (defekt tjetër i madh i Republikës së Kosovës), d.m.th. sovraniteti i pushtetit qendror nuk shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Me gjithë këto defekte, shpallja e Republikës së Kosovës dhe njohja e saj nga shumica e shteteve të forta, është hap i madh historik drejt çlirimit kombëtar të shqiptarëve.

Lugina e Preshevës – term gjeografik që përfshin një pjesë të luginës së lumenjve Morava dhe Vardar, pjesën rreth Preshevës. Ky term është përhapur gjerësisht ndër shqiptarët vetëm pas vitit 2000, i servuar nga politika e huaj për shqiptarët dhe me qëllim të zëvendësimit të termit Kosova Lindore.

Kosova Lindore – term i ndërtuar natyrshëm nga politika shqiptare në fillim të viteve 1990 për ta shprehur aspiratën për liri të popullit shqiptar të sunduar nga pushteti serb. Si term i qëlluar shpreh drejt disa dimensione: në aspektin gjeografik është lindja e territorit me shumicë shqiptare që prej dekadash quhet Kosovë, në aspektin politik shpreh nevojën dhe kërkesën për liri dhe në aspektin historik shpreh faktin që kjo pjesë e territorit shqiptar ka qenë edhe administrativisht nën pushtetin e Krahinës së Kosovës deri në vitin 1959. Në vitin 1959 shovinistët serbë, për ta zotëruar territorin në të cilin do të kalonte autoudha dhe hekurudha që lidhte Beogradin me Shkupin e që vazhdonte deri në Selanik, bënë shkëmbimin e territoreve, duke marrë territor të konsiderueshëm shqiptar në lindje dhe duke ia dhënë Kosovës Leposaviqin në veri. Me këtë ndërrim edhe në kohën tonë u bë një tkurrje e madhe e territorit shqiptar, sepse deri në vitet 1950 shqiptarët shtriheshin jo vetëm në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë, por deri në Vranjë e Leskovc. Mirëpo, Vranja dhe Leskovci tanimë i takojnë historisë, ani pse një historie shumë të afërt.

Flamuri kombëtar shqiptar – simbol i të gjithë shqiptarëve, në radhë të parë, dhe simbol shtetëror i Republikës së Shqipërisë në radhë të dytë.

Flamuri shtetëror – simbol i një shteti që nuk do të thotë gjithsesi të jetë edhe simbol i një kombi. Ashtu siç kanë flamur të vetin edhe njësitë më të vogla organizative politike sesa shteti (për shembull komuna etj.), edhe shteti mund të ketë flamur që përmban karakteristika lokaliste, pa e lënduar dhe pa e përjashtuar flamurin kombëtar. Kur është fjala për “flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës”, me qëllim të përfitimit politik, krijuesit e tij dhe pushtetarët aktualë kanë lënë dykuptimësi.

Kosovar – deri në shpalljen e Republikës së Kosovës ky term ka qenë njëkuptimor, ndërsa tani pretendohet nga disa politikanë dhe media servile që ky term të fitojë edhe një kuptim të dytë. Ky kuptimi i dytë pretendon deri edhe ndërtimin e një kombi të përzier. Ata pak shqiptarë që përqafojnë këtë ide, ndoshta harrojnë se kosovarë nuk mund të bëhen vetëm shqiptarët e Kosovës, por edhe serbët etj. Pra, nuk mund të krijohet një komb i përzier, kur të gjithë e urrejnë atë. Ai do të krijohej ndoshta, në rrethanat kur të gjithë do ta donin atë. Për t’i ikur kuptimit negativ të termit kosovar, duhet të përdoret termi shtetas i Kosovës.

Shtetas i Kosovës – është secili banor i Republikës së Kosovës që e ka shtetësinë e saj, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare. Shembull: në kohën e luftës në Kosovë në një nga gazetat e Republikës së Shqipërisë ke mundur ta lexosh këtë titull: “Malaziasi në burg, për armëmbajtje pa leje”. Ky “malaziasi” ishte shqiptar nga Plava – pjesëtar i luftës çlirimtare që po zhvillohej në Kosovë! Pra, për të mos i thënë shqiptarit maqedonas a malazias, duhet që përkatësinë shtetërore ta theksojmë në këtë mënyrë: shtetas i Maqedonisë, shtetas i Malit të Zi, pra edhe shtetas i Kosovës,. E njëjta duhet të vlejë edhe për dokumentet zyrtare. Te zëri “shtetas” një shqiptar i Kosovës duhet të shkruajë “i Kosovës”, e jo “kosovar”. Ngjashëm edhe për shqiptarët në pjesët tjera të atdheut.

Integrimi i shqiptarëve – term i krijuar për pozicionim politik ndërmjet bashkimit politik të shqiptarëve dhe ndarjes së shqiptarëve. Integrimi dhe bashkimi gjuhësisht janë një, d.m.th. është e njëjta fjalë. Por në konotacionin aktual politik dallojnë jo vetëm në dinamikën e hapave të bashkimit, por edhe në qasjen ndaj thelbit të bashkimit kombëtar. Integrimi politik nënkupton një afrim të kujdesshëm të shqiptarëve në disa sfera, por jo edhe në unifikimin e atyre sferave. Ndërsa për bashkimin politik, ushtarak dhe territorial as që e mendojnë.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve – nënkupton bashkimin politik të shqiptarëve në një shtet të vetëm, me një territor pa pretendime historike, pa pretendime për të sunduar apo robëruar dikë që nuk është shqiptar; pra, themelimi i një shteti të vetëm shqiptar në Ballkan, në territorin kompakt me shumicë shqiptare. Ithtarët e idesë së bashkimit kombëtar i çmojnë dhe angazhohen për hapat intergrues brendashqiptar, por këta hapa duhet të shkojnë deri në fund me unifikim të asaj sfere bashkëpunimi. Shembull: bashkëpunimi në fushën e bibliotekarisë. Zhvillohen takime, këmbejnë përvoja, ndoshta edhe ndonjë titull, por në anën tjetër, ka Bibliotekë kombëtare në Tiranë dhe Bibliotekë kombëtare në Prishtinë. Kjo nuk mund të quhet as integrim; madje në realitet është e kundërta e integrimit – bashkimit.

Procesi i bashkimit të shqiptarëve në BE – është sintagmë, kuptim dhe proces i menduar, që më shumë mbahet në gojë nga ata që e përdorin termin “integrimi i shqiptarëve”. Ky term dallon esencialisht nga bashkimi kombëtar për dy arsye kryesore. E para, deri në hyrjen eventuale në BE shqiptarët do të jetonin të ndarë dhe pa angazhim për tu bashkuar. Dhe e dyta, ata do të jenë të ndarë edhe pas hyrjes në BE. Nuk përjashtohet mundësia që ngjarjet të zhvillohen në këtë mënyrë, që para bashkimit kombëtar të ndodhë hyrja e shqiptarëve në BE pjesë – pjesë. Edhe kështu shqiptarët do të përfitonin më shumë të drejta sesa që gëzojnë tani , por jo edhe synimin shekullor të kamotshëm dhe interesin madhor të sotëm – bashkimin kombëtar.

Bashkimi kombëtar – ide romantike, e tejkaluar (?) – këtë sintagmë e kanë në gojë pseudobiznismenët, pseudopolitikanët, pseudointelektualët etj. Mjafton të merret si shembull bashkimi i Gjermanisë. Shtytës të bashkimit kombëtar janë edhe dëshira e emocioni, por kurrsesi këto nuk janë kryesoret dhe të vetmet. Shtytësi kryesor është liria – liria e zhvillimit ekonomik dhe intelektual të një bashkësie njerëzore.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top