duke kujtuar mesuesin-en

MESUESIT
Kur kërkoj ti jap trajta mirësisë njerëzore. Ajo ka ngrohtësinë e gjoksit të simemë e siluetën e imët të mësuesit tim Shefqet Kelmendi. E kujtoi mësues Shefqetin si oazë ku ndalej të pushojë shpirti i trazuar i fëmijës së ndrydhur nga pesha e mjerimit dhe e njerëzimit. E kujtoj duke ecur, me një tufë gazetash nën sqetull e tek lexonte gazetën “Drita”. E afronte shumë gazetën për shkak të miopisë e shkonte ngadalë nën hijen e plepave përbri asfaltit, në rrugën që nga posta çonte drejt lagjes së “familjareve” që ishte “qyteti” i fshatit tim. E kujtoj kur u ndreqte fëmijëve kamishat e leckosura ne pantallonat mjerane. E kujtoj tek i bije mandolinës e me një zë kadifeje këndonte këngën e pesë heronjve të Vigut. E kujtoj kur tregonte parabolën e të dënuarit me vdekje që në sajë të besës e dhembshurisë se gardianit kishte shkuar të përshëndeste familjen një natë para ekzekutimit e që moti i keq e kishte penguar të arrinte në kohë. Me dorën e ngritur e zërin e çjerrë vraponte drejt trekëmbëshit të vdekjes ku në këmbë të tij, po ekzekutohej gardiani i ndëshkuar për njerëzinë e shfaqur e besimin tek besa e shqiptarit. E kujtoj kur na i bënte të bukura edhe himnet ozanuese të shkrimtareve oborrtare. Kujtoj hartimet e diktimet plot shenja te kuqe sidomos mbi q-hat e ç- hat te cilat i ngaterroj edhe sot. Shënimet e gjata që bëntë me laps të kuq në fund e notat që ishin gjithmonë bujare. E kujtoj shikimin e tij ngjyrë qielli tek më jepte libra në bibliotekën e shkollës duke më thënë që megjithëse kisha zgjedhur libra qe duhej ti lexoja ndonjë vit me vone, un mund t′i lexoja. Kjo me jepte krahë. E kujtoj tek priste ne heshtje tek radha e bukës e u përgjigjej me dashamirësi përshëndetjeve pak servile të fshatarëve që ktheheshin nga puna në fushe e prisnin me ore që të arrinte gazi i kooperativës nga furra e Shënkollit të ripagëzuar “Ylli i Kuq”. E kujtoj kur gjatë shpjegimit, për të na zgjuar nga përgjumja e unshme na lëshonte zinxhirthin e çelësave nën jakat e lyrosura në zverkat tanë fëmijërore. Kur i klithte Dardanit të pabindur të kthehej në shtëpi për të bërë detyrat. Tek qortonte Shpëtimin gjaknxehtë që i kishte thyer hundët ndonjë shoku i cili i kishte thënë kryemadh të njëjtën shprehje që un po mësohesha ta duroja.
Arrestimi i tij ka qenë për mua një zgjim i trembur nga inkubi komunist. U mallëngjeva kure pashe ne google fotografinë, mu zgjat jeta nga mbijetesa e tij. Penda e mprehtë e gjaknxehtë e Shpëtimit, djalit të mësues Shefqetit, me ndaloi të publikoja disa përsiatje letrare për fatin e mirë të lexuesve. Nga zilia e duke përfituar nga distanca gjeografike që na ndanë, Shpëtimit po i them “kryemadh, kryemadh, kryemadh …hë”
Kure mësova vetëmohimin burrëror të mësues Shefqetit në gjyqin komunist u mbusha me një krenari të pashoqe. Vuajtjet e tija në burgjet çnjerëzore e dënimin me vdekje i përjetova me një dhimbje therëse e më bënë të harroj përndjekjet e arrestimet që me bënin shefat e sigurimit në ministrinë e mbrojtjes.
Mësues Shefqeti nuk është mësuesi i parë që të gjithë kujtojnë me mallëngjim. Ai është për mua njeriu i parë që kam takuar në shkretëtirën shoqërore të realitetit socialist.
Desha të shkruaj “të rroje sa malet mësuesi im Shqfqet Kelmendi” por ky urim është zvetënuar nga destinatari monopolist i tij, Enver Hoxha. Atëherë i sigurte që do të më lejonte ta merrja ngrykë e ta kacarroja fort, po i them “TE DU FORT MثSUES”

Marjan Bunaj 2011
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top