Breçkat, më shumë se vdekja e grabitja

vitk

Anëtar i Respektuar
Lorenc VANGJELI

Tre ditët e habisë së parë kaluan tashmë, por fatkeqësitë për ish-ministrin e kulturës Ylli Pango sapo kanë filluar. Nuk është fjala për shkarkimin e tij nga detyra në stil rrufe, nuk është fjala as për heqjen mjaft të mundshme të imunitetit, nisjes të procedimit penal, ndoshta heqjes së mandatit të deputetit në rast të një dënimi të mundshëm dhe mjaft të shpejtë dhe as rroposjen e tij përpara opinionit publik. Ylli Pango është tashmë kali me vese që u kap dhe që do të shijë gjithë lëmin e mëkateve të një shoqërie që është mësuar ta tregtojë mëkatin si virtyt, perversitetin si normalitet dhe grabitjen si biznes të suksesshëm. Ish-ministri i kulturës e di mirë që ai nuk është i vetmi në këtë moral të zvetënuar të shoqërisë ndaj mundohet të ruajë qetësinë, të ndërtojë skemën e mbrojtjes, të futet në bunker për të shmangur valën goditëse e të fitojë pikërisht atë për të cilën ka më shumë nevojë: të fitojë kohë që të harrohet. Pango e di mirë, ashtu siç e di ish-shefi i tij se në tryezën nga e ngritën me shkelm në vend të lig, të paktën edhe një koleg i tij është kapur në pozicion të sikletshëm vite më parë nga vetë Berisha. Madje këtë fakt e di edhe Jemin Gjana. Intelektualisht Gjana i ka të gjitha gjasat që të dëshmojë se vala e përdhunimeve në vitet e para të demokracisë, kishte për autorë kryesisht njerëz të frustruar seksualisht e kulturalisht, me siklet të lindur nga uji e sapuni, që në çdo minifund vajze apo tundje vithesh shikonin një grishje për urinë e tyre të harbuar seksuale. Pango e di, që pavarësisht se për momentin vetëm në heshtje, ka në të vërtetë gjithë solidaritetin e kolegëve të tij dhe qyetarëve të thjeshtë, madje sidomos të atyre që flasin me egër ndaj tij. Sepse Pango ka faj vetëm pse u kap në flagrancë dhe jo për atë që bëri apo i mbeti në tentativë për ta bërë. Trinomi me tre “P-ë” pushtet-(p)seks-para nuk është eskluzivitet vetëm i tij. Ai thjesht mbeti mbërthyer në hurin e mesit të këtij gardhi tradicional të ëndrrës kolektive shqiptare.
Pango tani po kupton se është në të njëjtën kohë edhe agresor, edhe viktimë e një shoqërie të sëmurë po aq sa ai vetë dhe të ngulur në të njëjtët hunj gardhi tresh. Po kupton që nuk ka mbas vetes asnjë mik që ta ngushëllojë, se nuk mund të gjejë asnjë të njohur apo të panjohur që t´i besojë fshehjen e ca kasetave të vjetra me kujtime pikante që mbante deri të mërkurën në mbrëmje në shtëpi. Pangoja ra viktimë e vesit të tij, ra viktimë e teknologjisë, që nuk zbuloi se vesi ekzistonte, por dha një provë të pakundërshtueshme të ekzistencës së tij. Profesionalizmi i medias dhe teknologjia afroi një kasetë të parë, por jo të fundit nga një zinxhir tresh kasetash me ish-kolegë të tij që tashmë ngrysin netët duke pritur t´u vijë rradha të bëhen qepaze përpara dynjasë.
Pango mund të ndjehet mirë sepse ajo për të cilën ai gjykohet nga një shoqëri në thelb hipokrite, e ndezur seksualisht dhe e etur për pushtet e para sa edhe për seks, është më e pakta, pavarësisht se është më e dukshmja. Sepse kaseta e transmetuar për të nuk është e vetmja. Një tjetër e tillë ka mbi një vit e gjysëm që është realizuar. Kryeministri Berisha që natyrisht është i informuar për çdo gjë, që nga adresat e moteleve të periferisë e deri tek adresa e derës së integrimit të vendit në NATO e BE, e njeh mjaft mirë ekzistencën dhe përmbajtjen e saj. Le të themi se bëhet fjalë për 140 mijë dollarë të paguar si bakshish për tenderin e një rruge që nis aty ku mbaron rrethimi me kangjella i Pallatit të Brigadave, le të themi se pronari i firmës që ndërtoi atë rrugë është në qeli për një tjetër vepër penale, le të themi se edhe njeriu që çoi paratë nga njëra dorë në tjetrën ka qenë gjithashtu në qeli dhe le të themi se Pango, me dorën e tij ka prerë shiritin e inagurimit të kësaj rruge.
Pango mund të ndjehet mirë sidomos nëse historia e tij përfundon këtu. Sepse tentativa e tij për të parë breçkat e një vajze kurajoze është më e ndjeshme dhe e dënueshme për familjen e tij politike sesa hedhja në erë dhe vrasja e 26 qytetarëve të pafajshëm; është më fajtore se grabitja e mbi 250 milionë eurove në asfaltin patriotik të rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën. Nëse ka një moment që duhet të ndjehet keq, me siguri ky do të jetë vetëm fakti që nuk i shkoi ndër mend që të inicionte një vendim të posaçëm qeverie; të merrte me vendim të drejtën që të ekspozuarit e breçkave të kandidateve që kërkojnë punë në ministri, të ishte eskluzivitet i ministrit të kulturës. Një vendim i tillë qeverie do t´i jepte imunitetin që tani kërkojnë t´ja heqin, do t´i jepte garancinë që të mbrohet tani që e sulmojnë të gjithë, do t´i jepte pafajësinë, tani që as ai vetë nuk beson më tek pafajësia. Do t´i jepte dhe më shumë besueshmëri naivitetit të lebetitur intelektual, kur ju tha gjithë shqiptarëve se në mes të dimrit, në mes të natës, vajzat e reja dalin në rrugë e hyjnë në shtëpinë e tij me rroba banjoje. Do t´i jepte po aq mbrojtje sa Mediut për tragjedinë e Gërdecit, po aq mbrojtje sa Bashës për milionat e rrugës; në fund të fundit, ai, thjesht rrobat e banjos kërkoi të shihte. Pavarësisht se G...pi (jo KOP-i) ka marrë më shumë koka burrash se topi.
Faktkeqësisht, Pango ende nuk është i vetëdijshëm për atë çfarë po ndodh me të. Në një sfidë të çartur publike ai doli t´i bëjë vetes avokatinë televizive, kur brenda të njëjtit emision edhe vetë avokati i tij e nxorri gënjeshtar. Ai puthi fort shkelmin e Berishës me të njëjtin intesitet servilizmi ndaj eprorit sa dhe prepotenca e tij ndaj vartësve. E pastaj sipas zakonit, ju vërsul Edi Ramës si shkaktar të fatkeqësisë dhe turpit të tij publik, a thua se është ende pjestar i asaj familjeje politike prej nga e nxorrën edhe pa mbaruar transmetimi i pamjeve të nxehta.
Një gur më shumë dhe një gur më pak mbi Pangon nuk i shkakton më shumë a më pak dhembje atij vetë. Të tjerë gurë do të vazhdojnë të hidhen mbi të deri në masën kur agresori i intimitetit të gazetares të fitojë mëshirën dhe dhembjen si viktimë prej publikut tonë hipokrit, që trini të shenjtë ka pushtet-(p)seks-para.
Në të gjithë këtë histori, një gjë është e pakundërshtueshme; në asnjë fragment të publikuar Pango nuk kërkonte seks. Normalisht ai ka kërkuar vazhdimisht pushtet e para. Atë mbrëmje thjesht donte të shihte pak lëkurë dhe tekstilin e rrobave të banjos. Si ato që u ka veshur dhe u ka parë edhe vajzave kosovare, siç tha dhe vetë.
Krejt i vetëm në këtë histori turpi, Pango megjithatë, pikërisht këtu ka armën e tij më të fortë. Me pak mik, me pak marifet, me pak dashamirësi ai mund t´i sigurojë vetes një raport për pamjaftueshmëri seksuale. Atëherë askush nuk do të mundë t´i thotë gjë. Atëherë të gjithë do të detyrohen t´i kërkojnë falje për gurët që i kanë hedhur mbi krye. Atëherë mund të shpëtojë edhe mandatin e deputetit që thotë se e ka fituar me gjak. Problemi për këtë zgjidhje është vetëm nëse Ylli Pango e pranon një zgjidhje të tillë, që shkon natyrisht në drejtim krejt të kundërt me vanitetit tradicional të burrave shqiptarë. Por ai do të ishte i justifikuar në këtë pikë; jo natyra, por granata e dikurshme vazhdon ta ketë fajin. Dhe kështu, ai del pa faj vetjak dhe gjithë shoqëria jonë hipokrite ka për detyrim t´i kërkojë ndjesë. Kështu, edhe lëmi i vesit dhe mëkatit nuk do të jetë më në dispozicion të Pangos për t´u shirë nga fillimi në fund. Sepse në Shqipëri, epshi për pushtet e para nuk është mëkat.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top