Ben Blushi "Te Jetosh Ne Ishull"

Isaku mbaroi dhe futi në gojë një lugë reçel. Ishte i qetë, megjithëse sytë i mbante në tokë sikur kishte frikë të shikonte Sarën. Ia kishte varrosur babanë, por nuk ia kishte vrarë. Cili djalë apo nip nuk do ta kishte bërë atë që bëri ai? Në atë rast, detyrën dhe mëkatin i ndante një fill shumë i hollë si ai që kishte lidhur Arianiti te flokët, por pesha e detyrës ishte më e rëndë se pesha e mëkatit dhe ajo e kishte shtyrë Isakun të hapte varrin e gjyshit të gjallë me lopatë. Ai shkonte një herë në vit në mal dhe pastronte varrin duke fshirë me dorë pluhurin që ngjitej nga gremina dhe duke këputur barin që dilte mbi tokë si flokët e gjatë të Arianitit. Ai nuk besonte se i ngjante gjyshit dhe kur mbushi pesëdhjetë vjeç iu duk vetja i vjetër. Po të vdiste ai, varri i Arianit Komnenit do harrohej. Mendoi t’i bënte një pllakë të madhe guri dhe t’ia shkruante emrin sipër, siç bënin të gjithë me njerëzit e vdekur, por hoqi dorë.
Arianiti kishte zgjedhur të varrosej në majë të malit, jo rastësisht. Mund të varrosej me Shebën në çdo varrezë të Kretës dhe të rrinin aty sa të donin pranë qindra grekësh apo venecianësh që shekujt ia kishin caktuar si komshinj. Mes tyre mund të kishte të varfër, të pasur, të rinj, pleq, fëmijë, gra, marinarë, tregtarë, poetë, princa, luftëtarë apo tradhtarë. Këtë short e hidhte perëndia dhe të gjithë e pranonin. Por pikërisht këtë gjë nuk donte Arianiti. Perëndia nuk mund t’i caktonte ditën e vdekjes dhe aq më pak shokët e varrezës. Ai donte t’i zgjidhte të vdekurit me të cilët do të kalonte pjesën tjetër të jetës. Dhe i zgjodhi. Zgjodhi njëmbëdhjetë shqiptarët që mbetën në ishull duke mbrojtur krishterimin nga turqit. Koha dhe fati i kishin lënë ata anonimë dhe Arianiti ishte pajtuar me këtë harrim. Nuk kishte rrugë tjetër për të ndenjur me ata burra në përjetësi. Ata e pranonin, por pa emër. Arianiti kishte marrë me vete Shebën dhe kishte lënë emrin. Harresa do ishte më e ëmbël dhe më e durueshme me Shebën aty afër. I kishte vënë vetes një numër njëqind vjet më të madh se numrin që kishin varret e atyre burrave, si për të thënë se lufta e tyre e përbashkët kishte zgjatur njëqind vjet.
Arianit Komneni donte që bota ta dinte këtë detaj të jetës së vet. Bora, që kalonte çdo ditë poshtë varrit të tij hipur në anijet që vinin dhe iknin në Kretë, dikur do ndalej aty, ndoshta kur turqit të iknin. Nuk ishte pak po t’i nderonin si njerëz që luftuan njëqind vjet si të ishin profetë sepse vetëm profetët bënin luftëra aq të gjata.
Ndërsa Isakun e kishte marrë atje lart për diçka tjetër. Kishte një njeri që ai duhej ta priste në ishull dhe t’i tregonte varrin. Bota mund ta harronte profetin, por ajo nuk mund ta harronte babanë. Kjo ishte Sara dhe ajo kishte ardhur.
Tani rrinte përballë tij me këmbët mbledhur dhe me faqet e skuqura siç e kishte parë për herë të fundit në oborrin e shtëpisë, duke pritur që Arianit Komneni dhe Ali Tepelena të ndanin fshatin me marrëveshje mes Krishterimit dhe Islamit. I mungonte vetëm gërsheti i zi që duhej ta kishte lënë në shtëpi.
Sara lëvizi dhe mori një lugë reçel. Duhej të ishte e hutuar sepse kishte marrë lugën e tij. Fytyra i ndriçohej nga dielli i fortë i drekës aq sa Isaku mezi e dallonte. E dija që do vdiste kështu, foli Sara me buzët e ngjitura me reçel. Isaku e pa me habi dhe iu duk se ajo kishte qenë në mendimet e tij. Babai nuk erdhi rastësisht në Kretë, vazhdoi Sara. Edhe sikur ti të mos vije në fshat nga Voskopoja, ai do të ikte një ditë për të varrosur veten dhe nënën në atë vend. Bashkë me Mihalin i kemi bashkuar me dhjetëra herë copat e katrorit të jetës së tij për të kuptuar magjinë e Arianit Komnenit. Kur babai iku nga fshati unë mbeta në mjegull. Ai nuk më tha ku do shkonte dhe unë nuk e dija nëse do isha e aftë ta gjeja se ku kishte shkuar. Në qoftë se një ditë do të më gjesh do të thotë se do të të duhem. Kaq më tha dhe iku. Unë u martova, linda një vajzë dhe babai u largua edhe më shumë nga unë. Kujtimi i tij filloi të dilte ngadalë nga jeta ime si një hije që del nga dhoma kur hyn dielli. Vajza, familja dhe fshati e mbushnin gjithë ditën dhe natën time. Por, pasi erdhi Mihali, filloi të kuptoj se kisha mbetur si një pemë, e cila ushqen gjethet e veta duke harruar se ushqimi i vjen nga rrënjët. Mihali më fliste për babanë dhe mua m’u duk se në të vërtetë ai zë vinte nga rrënjët, duke më kujtuar se nga kishte ardhur në fshat trungu i pemës sime. Mihali më shtynte dhe unë ndihesha e pasigurt deri ditën që zbuluam katrorin magjik që ti dhe babai kishit vizatuar në kishë. E ndërtuam atë katror duke bashkuar të vërtetat e pjesshme që dinim dhe çdo gjë u bë e qartë. Ju ishit në Kretë dhe kishit ikur bashkë. Unë zbulova babanë, ndërsa Mihali zbuloi djalin.
 
Isaku lëvizi në karrigen ku rrinte. Për cilin katror flet, e pyeti Sarën duke e ndërprerë. Për katrorin magjik që kishte gdhendur babai në murin e kishës, tha Sara. Na e tregoi ustai që kishte thirrur babai për të ndërtuar kishën. E kam parë, tha Isaku. Një natë shkuam bashkë me Arianitin në kishë dhe ai ma tregoi duke e ndriçuar me qiri. Por aty nuk kishte katror. Kishte vetëm një fjalë, Kreta, që Arianiti e kishte shkruar me dorën e vet për të nderuar kujtimin e burrave të fshatit që vdiqën këtu. Ai më tha se kishën ia kishte dedikuar atyre burrave si një monument që fshati ua kishte borxh. Katror nuk kishte deri ditën kur ne ikëm dhe unë nuk kam shtuar asnjë presje në atë gur.
Sara ndjeu këmbët t’i ftohen kur kujtoi Metodin dhe Mihalin që mbushnin katrorët magjikë duke plotësuar njëri-tjetrin. Sa herë që bllokohej Metodi, leximin e fjalëve të padukshme e vazhdonte Mihali dhe anasjelltas. Metodi kishte zbërthyer logjikën e numrave, ndërsa Mihali kishte gjetur enigmën e emrave të shkruar nga poshtë-lart dhe nga e djathta në të majtë. Në fund të fundit pse duhej që babai të vizatonte një katror misterioz duke i lënë fjalët bosh sikur donte ta torturonte? Ndërsa Isaku kishte thënë se ai kishte qëndruar i fshehur në bodrumin e shtëpisë dhe jo në kishë. Kishën e kishte parë vetëm një natë kur aty e kishte çuar Arianiti për t’ia treguar si një statujë nderi që e kishte ndërtuar me duart e tij.
Mihali dhe Metodi e kishin mbushur katrorin shpejt pavarësisht se, ndërsa ata flisnin, asaj i ishte dukur sikur po i kalonte gjithë jeta përpara. Ata ishin sjellë si dy magjistarë që bënin të njëjtin numër në çdo qytet, përballë fëmijëve që ktheheshin në shtëpi dhe nuk i zinte gjumi nga magjia.
ثshtë e pamundur, tha Sara që dukej sikur foli me vete. اfarë është e pamundur, e pyeti Isaku që nuk po e kuptonte. Sara u ngrit dhe shikoi nga dritarja. Mblodhi si në një shportë udhëtimi copat e kujtesës së saj, duke filluar me fjalët e Naumit, ecjen e shpejtë drejt kishës, pastaj dorën e dridhur të Mihal Komnenit mbi portik, merimangën që iu ngjit atij pas mjekrës, pastaj katrorët e vegjël brenda katrorit të madh, fjalët dhe numrat që shkruante dhe fshinte Metodi mbi dërrasën e zezë dhe drita që vinte nga dritarja ia ndriçoi kokën si një diell. Filloi të qeshte me vete dhe u kthye nga Isaku që e shikonte i hutuar.
Katrorin e ka vizatuar Mihali me Metod Antrakidin, tha dhe qeshi me zë të lartë. Iu duk vetja e tallur nga ata dy pleq që me sa duket kishin ardhur në fshat për t’i mësuar asaj rrugën drejt babait. Por ajo nuk bindej dhe ata ishin sjellë me të si me çdo fëmijë tjetër. Kishin gjetur një lodër për ta joshur që ajo t’i ndiqte pas. Katrori ishte një lodër. Magjia e tij ishte e vërteta. Mihali dhe Metodi ia kishin thënë të vërtetën duke luajtur. Por kjo ishte një lojë e domosdoshme dhe Sara ndjeu që i donte të dy edhe më shumë. Po të ishin aty do t’i kishte puthur dhe syzet e Metodit me siguri do ishin mbushur me avull. Janë tallur me mua, i tha Isakut dhe filloi t’i tregonte katrorin me numrin trembëdhjetë që Mihali thoshte se e kishte ndërtuar ai. Sara fliste me pasion duke lëvizur duart mbi dritaren e hapur që dukej si një katror i mbushur me gjethe arre.
Isaku e dëgjoi deri në fund duke qeshur. Nuk mund të ishte ndryshe, tha kur Sara mbaroi. Metodi ishte matematicien dhe katrorët e tij në Voskopojë ishin të famshëm. Ai imitonte Pitagorën dhe i çonte grave katrorë magjikë të mbushur me fjalë dashurie që burat e tyre të mos i zbulonin dot. Kur isha i vogël, ai vinte në shtëpinë tonë dhe më mësonte katrorë me numra. Katrori me numrin trembëdhjetë është nga më të thjeshtët dhe besoj se ai dhe babai, nuk janë lodhur shumë për të përshtatur Kretën me datat dhe emrat e familjes. Kur kanë parë se ti ishe e pavendosur janë menduar derisa kanë gjetur mënyrën për të të bindur. Kanë ndërtuar katrorin dhe pastaj e kanë gdhendur mbi portikun e kishës duke e futur fjalën që kishte shkruar Arianiti brenda tij dhe duke shtuar vetëm numrin 13. këtë gjë e kanë sajuar që të dukej si e vërtetë dhe kur ti ke ikur e hutuar, duke besuar se kishe zbuluar testamentin e babait tënd, me siguri kanë qeshur, por njëkohësisht janë çliruar si të kishin përmbushur një detyrë fisnike.
Megjithatë, Mihali e dinte ku ishim ne. Kur ikën nga fshati, ne ndaluam në Korçë natën duke u fshehur. Unë e dija që do ta gjenim aty dhe Arianiti i tha se do shkonim në Kretë. Atë natë unë fjeta dhe ata të dy folën gjatë. Ndoshta Arianiti i ka thënë se ai duhej të kthehej në fshat dhe të vigjilonte rritjen tënde. Ose, ndoshta, Mihaili ka ardhur vetë duke besuar se kështu po çonte deri në fund dëshirën e babait. Në Voskopojë ai njihej për humorin e tij dhe nuk çuditem që është sjellë kështu duke ta bërë jetën më të lehtë. Kur bënte shaka të rrezikshme merrte syzet e Metodit që të mos njihej, derisa gjakrat të zbuteshin.
 
Sara vuri buzën në gaz dhe u kujtua që për shkak të Mihalit, gratë e Voskopojës i quanin të dashurit e tyre Mektosyçka. Tani ndihej e çliruar. Reçeli ia kishte ëmbëlsuar gojën njësoj si Mihali jetën në fshat. Po të mos ishte Mihali ndoshta nuk do vinte kurrë këtu. Në Kretë kishte zbuluar katrorin e vërtetë. Arianit Komneni, Mihali, Isaku dhe Arianit Komneni i ri ishin brinjët e të njëjtit katror që qëndronin të bashkuara në një trup, si dy duar dhe dy këmbë. Ata ishin katër brinjët e një familjeje. I kishte njohur tre prej tyre dhe tani mbetej i katërti. Vështroi Isakun që rrinte i ulur me këmishën e bardhë si një kujtim nga Voskopoja. Sytë e tij jeshilë ishin çelur prapë dhe ndriçonin rrugën nga një brinjë e katrorit te tjetra.
Kur do më çosh te babai, e pyeti Sara. Kur të duash, u përgjigj Isaku. Por më parë duhet të takosh Marinën dhe Arianitin. Ata kanë kohë që të presin. Sara pohoi me kokë. Dielli ngrohte rrugën, ndërsa Kreta po kthehej nga porti. Njerëzit ktheheshin të ngarkuar dhe Sara mendoi se secili prej tyre kishte marrë një copë të botës dhe po e çonte në shtëpi. Ndërsa ajo, kur të kthehej, do merrte copat e humbura të familjes dhe do t’i çonte në fshat.

Kur ata dolën, Tereza ishte ulur tek arra e madhe. Dera e shtëpisë ishte e hapur dhe mbrëmja hyri brenda si një zonjë e veshur me të zeza. Isaku përqafoi Terezën dhe faqet iu ngjitën pas buzëve të saj me reçel. Ajo nxori një arrë nga përparësja me shumë xhepa dhe ia dha Sarës që e mbajti në dorë deri në shtëpinë e Isakut buzë detit.
Shtëpia kishte një verandë të madhe që Marina e kishte mbushur me lule. Në vjeshtë kur lulet thaheshin fletët e tyre binin mbi det dhe shkëlqenin si luspa peshku. Marina ishte e bukur siç kishte thënë Tereza. Sytë e saj ishin të kaltër, ndërsa vetullat e holla ngjanin si kurora gruri. Megjithëse ishte disa muaj më e madhe se Sara, buzët i kishte akoma të fryra dhe dukej sikur që andej rridhte qumështi. Unë nuk i kam më buzët kaq të freskëta, mendoi Sara kur era e qumështit i mbeti në faqen që puthi Marina. Ishte e gjatë dhe mbante një fund të shkurtër nga i cili dilnin dy këmbë të drejta me mish.
Ndërsa Arianit Komneni ishte një gjë tjetër dhe Sara mendoi se po të kishte qenë vajzë nuk do të ishte aq i bukur sepse në përgjithësi Komnenët i bënin djemtë më të bukur se vajzat. Flokët e zeza i kishte zgjatur deri te supet dhe shpatullat e gjera e mbulonin detin kur ai dilte në ballkon. Era që vinte nga deti i hynte në këmishë dhe gjoksi i tij i fryhej si një mushkëri delfini. Arianiti ngrihej çdo mëngjes dhe shkonte në det. Sara e shikonte nga ballkoni sesi zhdukej, pastaj duart e tij dilnin dhe kapeshin fort pas ujit duke e ngritur të gjithin lart. Unaza e Halil Patronës, që Arianiti ia kishte dhënë Isakut dhe ky Arianitit, dilte mbi ujë dhe hurma e saj shkëlqente si një guaskë prej dielli. Sara kishte parë peshkatarët që notonin në ishujt përreth anijes së Kretës, por ajo që bënte Arianiti nuk ishte not. Babai i kishte thënë se të notosh do të thotë të puthësh detin dhe pikërisht këtë bënte Arianit Komneni. Deti pranonte që ai ta puthte dhe përkëdhelej duke u tundur dhe duke nxjerrë dallgët në breg. Isaku që rrinte në ballkon me Sarën, humbte duke ndjekur të birin me sy dhe i thoshte Sarës së mrekulluar: E ka mësuar notin para se të lindte. Sara kthente kokën dhe i dukej sikur zëri i Isakut vinte nga Voskopoja. Kur Arianiti dilte në breg, uji që i rridhte në trup pikonte mbi gurët e plazhit që shndrisnin si diamante. Ai hynte në shtëpi dhe Marina i jepte një peshqir, që dukej gjithmonë i vogël, për të tharë detin që ai sillte me vete.
Në mbrëmje uleshin në karriget e verandës. Isaku pinte verë të bardhë, ndërsa Sara hante pjepër të verdhë që Marina e spërkaste me sheqer. Arianiti rrinte përballë tyre me fytyrën të kthyer nga deti. Herë pas here shikonte andej, sikur priste të kalonte diçka dhe i thoshte Isakut: Kur turqit të ikin nga ishulli, do kemi më shumë det për t’u larë dhe për të zënë peshq.
Isaku pinte pak verë nga gota e gjatë si këmbët e Marinës dhe i thoshte: Kështu mendoja edhe unë kur isha sa ty. Voskopoja më dukej si një ishull që do ta kisha të gjithin për vete kur të iknin turqit. Por turqit po rrinë shumë gjatë dhe nuk ka shenja se do ikin shpejt. Gjithandej njerëzit janë lodhur dhe i kanë pushuar luftërat, ndërsa luftëtarët janë rralluar. Shqiptarët, që nuk kanë më shpresë, po bëhen myslimanë, ndërsa grekët jetojnë duke u shitur turqve peshk. Kam frikë se turqit nuk do ikin më kurrë sepse tani ne i kemi brenda vetes tonë. Ata na e kanë futur Islamin në krevat, në shtëpi dhe në shpirt. Si mund të ndahet Sara nga e bija që është vajza e një myslimani, apo babai im nga i vëllai që u bë mysliman për t’u hakmarrë ndaj babait të vet? Jemi shumë vonë për t’u ndarë. Ata na kanë futur një kafshë të panjohur brenda në trup dhe ne nuk mund ta vrasim dot sepse kështu plagosim veten. Jemi të detyruar të gjejmë paqe me trupin që të shpëtojmë shpirtin. E në qoftë se duam të jetojmë në paqe duhet ta zbusim egërsinë e kafshës duke e ushqyer me mishin e shpirtit tonë prej Krishti.
Isaku pushonte dhe vera e bardhë ia qetësonte gojën. Marina afronte pjepër me sheqer për të ëmbëlsuar kujtimet por Arianiti nuk tërhiqej.
Voskopoja nuk kishte det si Kreta dhe prandaj nuk shpëtoi, i thoshte të atit. Turqit nuk kishin nga të iknin dhe u bënë një me shqiptarët dhe sot nuk e di çfarë race jeton aty.
Isaku skuqej dhe damari i Marin Kurilës i dilte në qafë dhe ir rrotullohej si një shall i kuq. Voskopoja nuk kishte det, por kishte libra, thoshte Isaku. Deti nuk e ka forcën e librit. Libri mbetet ndërsa deti ikën. Deti është i të gjithëve, ndërsa libri është i më të diturve, që zakonisht janë dhe më të fortët. Ne e kishim rrethuar Voskopojën me një ushtri librash dhe besonim se ajo ushtri do t’i mundte të paditurit, jo duke i vrarë, por duke i bërë të ditur. Në Kretë njerëzit janë të egër. Ata lindin dhe plaken duke menduar ditën kur do t’i hedhin turqit në det, pasi t’i kenë therur si bagëti. Ndërsa në Voskopojë ne mendonim se si do t’i mësonim myslimanët të jetonin si ne.
 
E di që ka shumë njerëz që thonë se, në qoftë se unë do kisha zgjedhur luftën para paqes, Voskopoja do shpëtonte. Nuk do pendohem derisa të vdes dhe sikur të kem njëqind jetë do bëj prapë të njëjtën gjë. Voskopoja nuk do shpëtonte siç nuk shpëton një libër që bie në fund të detit. Por turqit nuk janë një dimër i përjetshëm dhe ia vlen të durosh duke përsosur artin e të jetuarit në ishull. Kur ata të ikin ne do ta shkruajmë prapë librin që na humbi, por aty do të ketë edhe disa faqe për turqit që nuk do vdesin më kurrë në kujtesën tonë.
Marina e priste pjeprin në copa të vogla që dukeshin si ishuj në pjatë. Sara shikonte qiellin me yje dhe mendonte për Ana Komnenën. Ajo duhet të ishte akoma në oborrin e shtëpisë duke numëruar të njëjtët yje. Hana qepte rroba fëmijësh, ndërsa Muhamedi me siguri po maste me pëllëmbë rritjen e minares. Xhamia dhe kisha rrinin përballë si një trup dhe një shpirt. Rruga e fshatit kalonte midis tyre. Sa herë që njerëzit faleshin, ato merrnin frymë si dy deve me qafa të zgjatura mbi shkretëtirë. Disa faleshin duke u kthyer nga perëndimi, të tjerët nga lindja dhe devetë nuk mërziteshin. Ato do bënin çdo gjë që të mbeteshin në shkretëtirë, sepse askund tjetër nuk mund të jetonin. Duke përcjellë në shtëpi ndonjë vajzë nga fshati, Paridi kalonte aty çdo natë, pa e pasur mendjen. Ana Komnena rrinte në oborr duke pritur Sarën. Kur të lodhej do ulej në stolin e Ibrahimit dhe kur të vinte Muhamedi do ta pyeste për lartësinë e xhamisë, ndërsa Hana do bënte kryqin mbi barkun që nuk i rritej.
Në Kretë, anijet po kalonin mbi ballkonin e shtëpisë dhe pjeprat e prerë e kishin thithur sheqerin si sfungjer. Marina ishte e lodhur dhe nuk do ngrihej më t’i spërkaste pjeprat. Isaku e kishte mbaruar verën e bardhë, ndërsa Arianit Komneni ishte ngritur në këmbë dhe kontrollonte detin sikur priste një sinjal. Përballë tyre, brigjet e Azisë ndizeshin si flakë dhe ai i mbyllte sytë që i digjnin. Kur Sara shkonte në dhomë dëgjonte Marinën që i thoshte Isakut: Pse i the djalit që turqit nuk do ikin. Ti e di që ai mërzitet. Isaku lëvizte nëpër dhomë duke parë Azinë nga dritarja, siç bënte në Voskopojë kur filluan zjarret e mëdha dhe thoshte: ثshtë akoma i ri dhe nuk ka hyrë në moshën kur burrat fillojnë të mërziten. Sara shtrihej dhe duke menduar për Ana Komnenën e zinte gjumi. Nata e saj në Kretë kalonte shpejt sepse ëndrrat ishin të gjata. Ajo shkonte në breg duke ecur me hapa të vegjël dhe futej në ujë. Në fillim, deti i arrinte deri te gjunjët pastaj ngrihej mbi kraharor derisa i prekte mjekrën. Pas saj vinte Isaku me këmishën e bardhë që i ngjitej pas trupit. Sara hapte krahët sikur po fluturonte dhe kur binte ndiente dorën e madhe të Isakut që e mbante mbi ujë, si një varkë. Në breg, Arianit Komneni qeshte dhe thoshte: Lëre të notojë vetë se tani është rritur. Sara habitej që babai i kishte thënë Isakut ta linte vetëm në mes të detit dhe dilte me vrap në breg duke përplasur këmbët pas dallgëve si një fëmijë i llastuar. Por, kur afrohej, kuptonte se babai nuk ishte aty dhe ai që kishte folur ishte Arianit Komneni i ri që zhdukej si dallgë, në drejtim të anijeve. Atëherë asaj i dilte gjumi, por mëngjesi nuk kishte ardhur ende.

Sara doli në verandë dhe priti Isakun. Kur ai u ngrit nga gjumi, ajo i tha: Pashë babanë në ëndërr, po na pret. Isaku veshi këmishën e bardhë dhe pantallonat e zeza, ndërsa Sara mori arkën e vogël që e mbante poshtë krevatit dhe u nisën.
Deti ishte i qetë sepse qielli ishte i qetë. Rruga për në mal dukej si një litar që i mbante bashkë. Po të pritej ai litar, bota do ishte një shtëpi pa tavan dhe pa themel.
Isaku ngjitej përpara dhe Sara e ndiqte. Poshtë tyre, Kreta peshkonte në det.
Ishte një ditë e nxehtë dhe njerëzve nuk u hahej peshk. Megjithatë, peshkatarët dilnin në det sepse nuk mund të bënin ndryshe. Ata jetonin për të peshkuar dhe peshkonin për të jetuar. Ata që nuk peshkonin, laheshin, sepse në ishull të gjithë dinin not. Sara kaloi arkën e vogël në dorën tjetër. Arka tundej nga lindja në perëndim dhe peshonte, megjithëse ishte bosh.
Mali ishte i mbushur me pupla dallëndyshesh dhe Sarës iu duk sikur po shkonin në vendin ku Dedali mblodhi puplat për krahët e të birit. Kur u afruan te pllaja, Isaku ndaloi. Nga humnera vinte një erë e lehtë që fishkëllente si muzikë meshe. Një tufë dallëndyshesh që kishin ndaluar aty kërcyen dhe zbritën në det duke i lënë vetëm. Ajo eci me hapa të vegjël në drejtim të varreve. Prindërit ishin aty, të rrethuar me bar. Sara u ul në gjunjë dhe fshiu pluhurin mbi fytyrat e tyre prej guri. E kishte marrë malli për babanë, ndërsa nënën nuk e kishte parë kurrë kaq afër. Pa shkrimin e babait mbi trupin e nënës dhe ndjeu një nxehtësi që i vinte nga sytë. Kishte ardhur t’i fuste të dy në arkën e vogël, por katër numrat mbi varrin e babait dukej sikur i thoshin të kundërtën. Jo pa qëllim, mbi varrin e tij, ai kishte shkruar një datë që lidhej, si qielli me detin, me një datë tjetër. Po të mos ishin katër numrat mbi barin anonim, lufta e Kretës nuk do kishte fillim, sepse nuk ka lindje pa një datë. Por po të mos ishin katër numrat mbi varrin e babait lufta nuk do kishte fund sepse nuk ka mbarim pa një datë. Midis atyre dy datave shtrihej Arianit Komneni. Ai kishte vdekur duke besuar se lufta me turqit do kishte një fund, siç kishte pasur një fillim.
Sara lëvizi mbi gjunjë dhe pastroi pluhurin e kohës edhe nga varret e tjerë. Luftëtarët nga fshati kishin qenë njëmbëdhjetë dhe bashkë me nënën dhe babanë bëheshin trembëdhjetë. Ajo ndjeu Isakun që merrte frymë pas kurrizit të saj dhe iu kujtua trembëdhjeta e katrorit magjik. Sekreti i atij numri ishte aty. Ndoshta, nga poshtë tokës, babai e shikonte dhe qeshte si një Krisht i lumtur, i rrethuar nga dymbëdhjetë apostujt e tij. Po ta merrte në fshat do duhej ta ndante nga ata. Ajo do rrinte me babanë, por apostujt do mbeteshin pa Krishtin e tyre, si luftëtarë pa një prijës. Ktheu kokën nga Isaku dhe e pa gjatë në sy. Ai shkuli një tufë me bar mbi varrin e Arianit Komnenit dhe e hodhi në humnerë. Fijet e bari u shpërndanë në ajër dhe Sarës iu duk sikur ato ishin trembëdhjetë. Ajo ishte mësuar të numëronte dallëndyshet që fluturonin, por jo fijet e barit që binin në det. Qëndroi edhe pak e ulur në gjunjë, pastaj mori arkën e vogël dhe shkoi në buzë të humnerës. Isaku e pa dhe fytyra i shkëlqeu. Sara zgjati dorën mbi humnerë dhe kur e lëshoi arkën u ndie më e lehtë, si një njeri që ka humbur një peshë të tepërt. Arka u rrotullua disa herë në ajër sikur ishte çliruar nga një dorë që e kishte mbajtur njëqind vjet me vete.
Sara mori frymë thellë dhe pa horizontin që lidhte lindjen me perëndimin. Zjarret në brigjet e Azisë turke iu dukën më të vogla, sikur po shuheshin. U kthye nga ana tjetër dhe pa një varkë të vogël që kishte ndaluar në mes të detit. Në atë drejtim ishte perëndimi dhe fshati. Kur të kthehej në fshat, Ana Komnena do qeshte kur t’i thoshte se e kishte humbur arkën e vogël. Po ta pyeste, Sara do t’i thoshte se e kishte humbur ngaqë nuk i duhej. Por Ana Komnena nuk do ta pyeste.



FUND
 
Une e kam lexuar kete liber. Ishte nje stil letrar i ndikuar nga stili gazetaresk, qe ja ulte vlerat artistike dhe e bente te merzitshem. Megjithate tema eshte shume pikante, si te gjitha temat qe prekin tabute.

Fakti qe Blushi ka ditur te kape kete teme, e ben ate nje politikan te mprehte, por kjo nuk do te thote aspak nje politikan te zgjuar. Prekja e simboleve, dhe tabuve eshte nje zhaner i ri ne letersi dhe sa vjen po behet teme e dites ne debatet letraro-artistike kudo ne bote. Kjo per faktin sepse duke qene efetive per psikologjine e turmes, sjell edhe te ardhura te mira. Te ngjashme jane temat qe dhunojne fene: Vargjet satanike, apo Kodi i DaVincit. PO ashtu mijra histori fiktive qe botohen nga shtepi botuese te pakontrolluara nga Akademite e Shkencave dhe qe qellimisht devijojne dhe transformojne faktet historike, per qellime te caktuara.

Debati reth ketij romani ende vazhdon, une mendoj qe konvergon ne nje linje:"si u kthye ne islam populli shqiptar", zaten kjo eshte edhe linja kryesore, te tjerat jane efekte dritash. Ne roman midis figurave "tabu" eshte edhe Skenderbeu dhe Ali Pasha. Menyra e trajtimit te tyre, te ben te mendosh se edhe Blushi kalonka shum kohe ne keto forumet e internetit :D lol
 
Redaktimi i fundit:
Libri “Të jetosh në ishull”, preferenca e emigrantëve shqiptarë

Këto ditë të verës shumë emigrantë shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë kanë ardhur që të kalojnë ditët e pushimeve në vendin e tyre. Por shumë prej tyre, përveçse takimit me familjen, miqtë, shokët etj, pushimin e lidhin dhe me kulturën. Libri mbetet për të gjithë “miku” më i mirë, i cili po i shoqëron emigrantët shqiptarë gjatë këtyre ditëve të qëndrimit në vendin tonë. Në libraritë e kryeqytetit libri që kërkohet më së tepërmi është libri që tashmë njihet për suksesin e tij “Të jetosh në ishull” i autorit Ben Blushi. Libri “Të jetosh në ishull” vjen me një rrëfim e stil jo të zakontë në letrat shqipe, veçanërisht pas viteve ’90.Autori e ka marrë temën nga Historia e Shqipërisë e shekujve XV-XVIII, por duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush, e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe. Por, pavarësisht nga linjat e personazhet e shumtë që gërshetohen në libër, tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë. Në libraritë e kryeqytetit mësohet se janë shumë emigrantë shqiptarë që kërkojnë këtë libër, i cili sipas tyre këtë sezon mbetet më i kërkuari ndër autorët shqiptarë. Florika Bardhi librare në “Librin Universitar” tregon se emigrantët shqiptarë preferojnë shumë botime historike, apo gudia të ndryshme, por këtë sezon veror më i preferuari sipas saj mbetet libri “Të jetosh në ishull”. “Këto ditë vere kanë ardhur shumë emigrantë shqiptarë, të cilët janë shumë të interesuar për botime shqiptare. Një pjesë e mirë e tyre blejnë guidën e Tiranës, apo vëllime historike. Por një sukses këto kohë ka pasur libri shkruar nga Ben Blushi “Të jetosh në ishull”, i cili ka qenë ndër më të preferuarit e këtij sezoni veror”, tregon librarja Florika Bardhi. Më tej ajo tregon se gjatë këtij sezoni vazhdojnë të kërkohen dhe guida “Shqipëria Turistike”, apo libra me karakter historik, të cilët kërkohen nga emigrantët gjatë pushimeve. Por nga libraritë e tjera mësohet se edhe autorë të tjerë shqiptarë si Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Diana اuli, Brunilda Zllami etj, kanë qenë në listën e autorëve më të kërkuar. “Përveç rërës, diellit, klimës mesdhetare, gjatë sezonit veror kryesisht shumë emigrantë shqiptarë kërkojnë të shfrytëzojnë edhe vlerat tona kombëtare dhe kulturore gjatë pushimeve, por ata tregojnë një interes të veçantë edhe për librin shqiptar apo guida të përmasave të ndryshme. Janë disa autorë shqiptarë që kërkohen si Ben Blushi me romanin e tij “Të jetosh në ishull”, i cili ka shënuar një rekord në shitje deri tani, më pas vijnë dhe Ismail Kadare me librin “Kronikë në gur” dhe “اështja e marrëzisë”, Fatos Kongoli me veprat “Lëkura e qenit” dhe “Karosel”, Diana اuli me vëllimet “Gruaja në kafe”, “Rekuem” dhe “Dreri i trotuareve” si dhe Brunilda Zllami me vëllimet “Lindur femër”, “Jetoj në harresën tënde”. Këto janë disa nga autorët më të kërkuar nga emigrantët shqiptarë. Por vihet re një fenomen ku emigrantët shqiptarë preferojnë autorë shqiptarë gjatë këtij sezoni veror, ndërsa shqiptarët që banojnë në Shqipëri preferojnë më shumë autorë të huaj”, tregon librarja Etleva Prifti, e cila ka vite që merret me shitjen librit në një pikë shitjeje pranë Pallatit të Kulturës. “Më ka bërë përshtypje libri “Të jetosh në ishull”, pasi çdo ditë vijnë emigrantë shqiptarë që e kërkojnë. Ky libër ka bërë një jehonë të madhe. Madje ka edhe nga ata që blejnë disa kopje, për t’ia dhënë dhe miqve të tyre. Ky vëllim deri tani mbetet ndër më të preferuarit e këtij sezoni, dhe padyshim më i suksesshmi”, pohon librarja Etleva Prifti. Por sipas saj edhe letërsia për fëmijë mbetet shumë e kërkuar gjatë këtij sezoni, pasi shumë emigrantë shqiptarë kërkojnë dhe këtë lloj letërsie, ku më të kërkuarit janë librat me përralla shqiptare. Sipas librarëve edhe librat që tregojnë mbi artin e kuzhinës kanë qenë shumë të kërkuar këtë sezon veror, duke i renditur këta libra në listën e më të preferuarve nga emigrantët shqiptarë. Ndërsa emigrantët shqiptarë preferojnë autorë shqiptarë, në stinën e verës shumë turistë të huaj kanë vizituar libraritë e kryeqytetit, që tregtojnë libra në gjuhë të huaja, të autorëve tanë dhe të huaj. Librarët tregojnë se preferencat e turistëve janë të larmishme. Të huajt duan librat tanë me karakter historik dhe guidat e vendit tonë. Por ai që preferohet më shumë ka qenë dhe mbetet guida “Albania from the air”, (Shqipëria e parë nga lart). Ajo kushton 55 mijë lekë të vjetra, por kostoja nuk përbën asnjë pengesë për ta blerë.

gazeta sot
 
Ky tipii nxit uurejtje fetare...
ajo qe ka bo eshte art i urrejtjes
 
Ne kete liber ka kontradikta lidhur me fene islame.

Si p.sh. Ne liber thuhet se : Ulur ne oborr veshtronte hene e re . Ishte shenja qe lajmronte Ramazanin sic i kishte thene Imami.U ul ne gjunj dhe u fal, pastaj shkoi te flinte vetem pas vatres. Kur u zgjua, e shoqja e pyeti se pse nuk kishte ardhur ne shtrat dhe ai i tha se kishte fillura Ramazani dhe gjate ketij muaji muslimani nuk ha, nuk pi dhe nuk e prek gruan me dore. I mjeri ti, i tha gruaja. Ku e gjete kete fe qe te ndalon gjerat qe do me shume ne jete.?

&​

Ibrahimi pinte raki dhe i gezohej tavolines e karrigeve te reja dhe u fliste djemve sa here qe keta rrezonin pilaf dhe copa mishi mbi syprinen e kuqe.


Ne fene islame mund te kesh maredhenie me gruan, pas iftarit.

Muslimani nuk pin raki.


E kam lexuar gjysmen e me teper, nuk kam pas vullnet me lexu krejt.
 
Ne kete liber ka kontradikta lidhur me fene islame.

Si p.sh. Ne liber thuhet se : Ulur ne oborr veshtronte hene e re . Ishte shenja qe lajmronte Ramazanin sic i kishte thene Imami.U ul ne gjunj dhe u fal, pastaj shkoi te flinte vetem pas vatres. Kur u zgjua, e shoqja e pyeti se pse nuk kishte ardhur ne shtrat dhe ai i tha se kishte fillura Ramazani dhe gjate ketij muaji muslimani nuk ha, nuk pi dhe nuk e prek gruan me dore. I mjeri ti, i tha gruaja. Ku e gjete kete fe qe te ndalon gjerat qe do me shume ne jete.?

&​

Ibrahimi pinte raki dhe i gezohej tavolines e karrigeve te reja dhe u fliste djemve sa here qe keta rrezonin pilaf dhe copa mishi mbi syprinen e kuqe.


Ne fene islame mund te kesh maredhenie me gruan, pas iftarit.

Muslimani nuk pin raki.


E kam lexuar gjysmen e me teper, nuk kam pas vullnet me lexu krejt.

edhe un e kam lexuar kte librin.......esht pikerisht ashtu si thua ti me siper..
sme terhoqi fare..vec me acaroi nervat!
 
edhe un e kam lexuar kte librin.......esht pikerisht ashtu si thua ti me siper..
sme terhoqi fare..vec me acaroi nervat!

Ky liber ne radhe te pare eshte vlersuar nga kritiket letrar. Nuk vlersohet nga opskurantizmi islamik, nga injorantet, te cilet nuk dallojne te miren nga e keqja, te bukuren nga e shemtuara, jane ca qarqe e individ qe nuk dallojne vleren nga antivlera. Eshte e vertete e pamohueshme se shqipetaret e kane mare fene nga dhuna, e presionet e "perandorise", fakti i padiskutushem ky, te cilin Blushi e ka dhene nepermjet librit. Ky liber nuk i beri mire vetem letersise, por edhe qytetarise, shoqerise civile, debatit qe krijoi.
Ky liber eshte i arrire artistikisht, po nuk mund te kuptohet nga kuzhdo padyshim, Edhe Procesi i Kafkes, edhe I Huaji i Albert Kammy, kane nxitur debate te tilla, sic citova me lart(sme terhoqi fare) , uu se harove " Plaku dhe deti" njerez injorant se kuptojne dhe thone kete fjale( sme terhoqi fare)
E krahasova kete roman me romane te fuqishme sepse e meriton.


“Të jetosh në ishull” është romani befasues i Ben Blushit, i cili vjen në letërsi nga politika dhe pas një përvoje të gjatë në median e shkruar.

Duke e marrë temën nga një periudhë jo fort e njohur e historisë së Shqipërisë, fabula shtrihet në gati katër shekuj duke sjellë në letërsinë shqipe, personazhe të njohur, ngjarje e data që të çudisin për erudicionin e autorit, njohjen deri në imtësi të epokës ku zhvillohen ngjarjet dhe të zakoneve, traditave, organizimit të jetës së përditshme, e, në mënyrë të veçantë, të riteve e normave fetare që rrjedhin nga Librat e Shenjtë.

Një Skënderbe ndryshe nga ç’e njohim, mosmarrëveshjet e tij me princin Arianit Komneni dhe historia e familjes Komneni e parë në disa breza, Ali Pashai i Tepelenës dhe qeverisja ekzotike e Janinës, konfliktet e tij me çamët e krishterë, lulëzimi dhe shkatërrimi i Voskopojës i përshkruar për herë të parë në letërsinë shqipe, luftërat e shqiptarëve deri në Kretë kundër Turqisë, si dhe bëmat e Sabatai Zevit, çifutit më të famshëm të Perandorisë Osmane që vdiq në Berat, janë vetëm disa prej kulmeve që të mbajnë mbërthyer pas leximit për të ndjekur zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e ngjarjeve.

Por, linja më dominuese në roman që do të ngjallë, padyshim, debate e diskutime të shumta mbetet procesi i gjatë dhe i ngatërruar i islamizimit të shqiptarëve të pas pushtimit nga Turqia. Ishte paqësor apo i dhunshëm ky transformim, u krye me dëshirën e vetë shqiptarëve apo u detyruan nga masat shtrënguese të pushtuesve?! Si bashkëjetoi një familje shqiptare e ndarë në dy fe në Shqipërinë e shekullit XVIII?

Lexoni romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, me një gjuhë, stil e rrëfim magjepsës.

Një roman që përpiqet të tregojë se si të shoqëria shqiptare e përsosi instrumentin e bashkëjetesës fetare për t’i mbijetuar asimilimit dhe rrebesheve të kohës.
 
Te jetosh ne ishull

Pershendetje! :D

Po futem direkte ne teme. Sivjet ne shqiperi bleva kete librin pasi me than qe pase publikimit te tij kish ngjallur shume debate, si per tematikat qe trajton si per emrat qe i jan vendos disa nga personazheve kryesore. :D

Personalisht nga ana artistike e stilimit dhe e permbajtjes mu duke nje nga librat me te bukur te shkruar ne shqip qe kam lexuar (duke hequr menjan ketu gjigandet si Kadare apo Agolli e shoke!) duke pare dhe autorin e tij.

Nuk e di nese ne forum eksiston nje teme e tille, por besoj se jo.

Kisha deshire te diskutoja ketu, normalisht, me personat qe kan lexuar kete liber, mbi cfare i ka pelqyer dhe cfare jo, pjese me terheqese, cfare i esht dukur interesante dhe cfare tjeter kan konsideruar si te anashkalueshme. Opinionet, mendimet, interpretimet qe secili mund ti kete then pjeseve te ndryshme te ketij libri.

Diskutim te mbare!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top