Bashkim Kopliku: Mashtrimi me monopolet pas privatizimit

Bilderberg

Anëtar i ri
Bashkim Kopliku: Mashtrimi me monopolet pas privatizimit

bashkim-kopliku.gifPremtimi i dhënies së monopolit pas privatizimit, është një mashtrim që fsheh së paku tre komponentë: i pari, mashtrimi fiskal; i dyti, korrupsioni në garën e privatizimit (kur dhënia e monopolit bëhet selektiv, pra me përzgjedhje, vetëm për njërën nga firmat në garë); i treti, prishja e barazisë në treg. Që shpjegimi i këtyre mashtrimeve të jetë i kuptueshëm sa më lehtë, po e konkretizojmë me privatizimin e ARMO-s (“Albanian Refining and Marketing of Oil”), “Ndërmarrja e përpunimit dhe e shitjes së naftës”. Ky privatizim është përfolur shumë kohët e fundit. Nuk do ta shmangim dot aritmetikën dhe shifrat, por ama do të mundohemi t’ju bezdisim sa më pak me to.
Tث dhثna paraprake
ARMO u privatizua nga një firmë shqiptare (Taçi Oil), për një vlerë rreth 125 milionë euro. Firma e dytë, në garën e privatizimit, kishte një ofertë prej rreth 100 milionë euro, pra rreth 25 milion euro më të ulët.
Ministri Ruli thotë se “i paralajmëruam gojarisht” të gjitha firmat, jo vetëm njërën, se firmës fituese do t’i jepnim monopol njëvjeçar për shitjen e naftës D2 të përdorur për automjetet etj. Qëllimi i qeverisë paskësh qenë për të pakësuar dëmin në shëndetin e popullsisë, dëm që u shkaktuaka nga nafta D2. ARMO,—thotë ministri, —nuk përpunon e nuk shet dot më shumë se 80 mijë ton D2 në një vit.
Të tjerët, investigatorë të mediave, dyshojnë shumë, se lajmërimi për monopolin e firmës që do të fitojë garën, i është bërë vetëm firmës që fitoi, dhe nuk u është bërë firmave të tjera pjesëmarrëse në garë, ashtu siç deklaron ministri. Bile thonë se dhe akciza i qenka ulur naftës D2 këtë vitin “e parë”.
Thuhet se ka nisur një procedim penal nga Prokuroria, e është ajo që mbase do të na hedhë dritë mbi të vërtetat.
Por ne mund të vlerësojmë se fitimi shtesë (suplementar) i firmës që qeveria i ka dhënë monopolin e naftës D2, është diku tek 25 milionë euro në vit. Ja matematika përkatëse që llogarit këtë vlerë: 0,25 euro/L është fitimi shtesë që vjen nga favorizimi me monopolin dhe me akcizën e ulur; këtë fitim shtesë, e shumëzojmë me 100 milionë litra/vit që është shitja vjetore (80 mijë tonë bëjnë 80 milionë kg, ose rreth 100 milionë litra, meqë 1 kg naftë është më shumë se një litër).
Sqarojmë se fitimi shtesë prej 0,25 euro/L, vjen kryesisht ngaqë nuk lejohen importuesit e tjerë të importojnë naftë D2, kështu që çmimi arrin të mbahet i lartë nga firma monopoliste: nuk e konkurron tjetër firmë, meqë qeveria i ka siguruar monopolin.
Për shumë shifra që po përdorim, duhet të falënderojmë zotin Luigj Aliaj, përfaqësues i bizneseve që operojnë në fushën e hidrokarbureve. Ai sqaroi në mënyrë shumë inteligjente, në një debat televiziv, shumë shifra, principe dhe probleme lidhur me tregun e hidrokarbureve. Gjithashtu, duhet të themi se po japim shifra të përafërta dhe të rrumbullakosura, sepse na ndihmojnë në thjeshtimin e shpjegimit, por dhe sepse, për atë që duam të shpjegojmë, nuk kanë ndonjë rëndësi të jenë krejt të sakta.
Mashtrimi fiskal
Qeveria po u merr shqiptarëve rreth 25 milionë euro më tepër, të cilat po i fut në buxhetin e shtetit si të ardhura nga privatizimi i ARMO-s. Këto në fakt nuk janë të ardhura nga privatizimi: qeveria i ka lënë firmës privatizuese të mbledhë nga konsumatorët e naftës D2, një haraç monopoli, të cilin ia ka marrë firmës privatizuese, brenda shifrës prej 125 milionë euro, që e quan si “vlerë e privatizimit”. Del sikur firma privatizuese t’i ketë dhënë borxh qeverisë nja 25 milionë dollarë, dhe qeveria i ka thënë merrua shqiptarëve duke e shitur shtrenjtë naftën D2.
Pavarësisht se këto ardhura shtesë i kanë shkuar buxhetit të shtetit, ky mashtrim fiskal është një shkelje e Kushtetutës, sepse qeveria mund të mbledhë të ardhura në buxhet, vetëm se me ligj. Kjo rritje artificiale e vlerës së objekteve që privatizohen nuk lejohet nga asnjë ligj.
Nëse qeveria do ta nxirrte ARMO-n në privatizim pa i dhënë monopolin e naftës D2, oferta për privatizim do të kishte qenë rreth 25 milionë euro më e ulët. Kjo sepse firma që e privatizoi do të bënte llogaritë e saj, dhe nuk do të ofronte 125 milionë euro, por 100 milionë euro: nuk ishte budallaqe firma, që t’i shtonte vlerës së ARMO-s para të tepërta. Pra, pa mashtrimin që shpjeguam, nga privatizimi do të kishin hyrë në buxhetin e shtetit vetëm 100 milionë euro, dhe jo 125 milionë euro, siç paskan hyrë, por ama edhe shqiptarëve nuk do t’u ishin marrë ato 25 milionë euro, sepse nuk do të kishte monopol, dhe për rrjedhojë konkurrenca do ta ulte çmimin.
Kjo diferenca prej 25 milionë euro që buxheti merr më shumë, është si një e ardhur nga një taksë e fshehtë, pra pare që i merren shqiptarëve në shkelje të Kushtetutës, e që vjen nga babëzia e qeverisë për të qenë ajo që shpenzon paratë tona, e jo ne.
Korrupsioni me garën
Nëse është e vërtetë se firmat e tjera në garë nuk janë lajmëruar për premtimin se ARMO-s do t’i jepet një vit monopol, atëherë jemi para një korrupsioni skandaloz, që nuk ia vlen ta sqarojmë, sepse është krejt i kuptueshëm.
Në këtë rast, gjëja e parë që duhet bërë është dhënia e së drejtës për ta privatizuar ARMO-n, firmës së dytë, asaj që ka ofruar rreth 100 milionë euro—por patjetër pa i dhënë monopolin e naftës D2.
Pastaj të gjithë përgjegjësit për këtë krim, që me ministrin e poshtë, duhet të kalojnë në përgjegjësi penale në Prokurori, dhe gjykata të vendosë për fatin e tyre.
E përsërisim: nuk jemi të sigurt se kështu ka ngjarë, por ama erë e keqe vjen, kur ministri në vend që të paraqesë dokumentet e lajmërimit me shkrim të firmave, thotë thjesht “i thirrëm dhe iu premtuam secilës veç e veç për monopolin një vjeçar”! Nejse, Prokuroria duhet të sqarojë të vërtetën.
Prishja e barazisë në treg
Qeveria ka prishur rëndë tregun shqiptar, duke i dhënë monopol një firme, për të shitur një produkt të caktuar, qoftë ai naftë D2, qoftë “vetëm për një vit”. Natyrisht që këtu implikohen edhe thyerje të marrëveshjeve të nënshkruara nga shteti ynë me organizmat përkatëse, si p.sh. Organizata Botërore e Tregtisë etj.
Nuk na bën mirë fare, sidomos tani që hymë në NATO, apo që po përgatitemi të ecim drejt pranimit në Bashkimin Evropian, nëse nuk u përmbahemi angazhimeve tona ndërkombëtare.
Sidomos mashtrimi “i parë” dhe “i tretë”, janë arsye të plota që Kuvendi të ngrejë një komision parlamentar ad-hoc për t’i investiguar në detaje.
Bashkim Kopliku
[Tema, 4.3.2009] 1.3.2009
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top