Zbulim i rrallë në Letrat koniciane, dalin në dritë 2 romane të Konicës

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Zbulim i rrallë në Letrat koniciane, dalin në dritë 2 romane të Konicës

konica.png


As më shumë e as më pak: ja sot, të studiuara dhe përkthyera, pas 115 vjetësh dy romane të reja të Faik Konicës, të shkruara drejtpërdrejt në frëngjisht dhe të nënshkruara “Jean de Kroïa” apo në shqip “Gjoni i Krujës”, një tjetër pseudonim i tij i ri. Kur tashmë, artikullin e parë në moshën njëzetvjeçare (1895) ai e nënshkruante “Tepeleni” në gazetën qendrore të Parisit “La libre Parole”, kur librin “Sur l’Education – 1898” (Mbi Edukimin) e firmoste “Trhank Spirobeg” dhe kur në kryeveprën e tij “Essai sur les langues artificielles et naturelles – 1904” (Sprovë për gjuhët natyrale dhe artificiale) do të përdorte pseudonimin “Phyrrus Bardyli”.

Romanet, që duhet të jenë shkruar në vitin 1909, në bazë të një analize të fakteve, janë botuar në vitin 1911, në Paris, në një vëllim të vetëm, me titullin përmbledhës “Le mariage de Leila” (Martesa e Lejlës), shtypur nga një shtypshkronjë e vogël, gjë që shpjegon edhe tirazhin e saj tepër të kufizuar, aq sa edhe Biblioteka Kombëtare e Francës, nga më të pasurat në botë, nuk e disponon një libër të tillë me tematikë të mirëfilltë shqiptare!

ثshtë e vërtetë se zbulimet koniciane këto kohët e fundit kanë qenë të konsiderueshme, dhe dëshmon për këtë edhe libri ynë i ri “Faik Konica – Përlindësi Modern” që shoqëron si binom botimin më vete të këtyre dy romaneve të Konicës, të konsideruara tashmë nga studiues seriozë si “perla të Letrave shqipe”.

Mbase do mund t’i bashkëngjiteshin këtij zbulimi nga “miniera Konica” shumë epitete: i habitshëm, sensacional, pasionant, mahnitës, etj. etj. por cilësori më i përshtatshëm – mendojmë – do të ishte thjesht: zbulim “kyç – historik”, me vlera të rralla në Letrat koniciane dhe në letërsinë shqipe. Ngaqë për herë të parë, vetë autori Faik Konica alias Gjoni i Krujës i përfshin këto dy libra në gjininë e romanit, ndryshe nga shkrimet e tjera letrare që i ka quajtur “novela” apo “përralla”.

Ja që mrekullia ndodh, në martesë me rastësinë. Sidomos kur i qepesh diçkaje për vite të tëra! Sepse krejt studimi ynë hyrës prej 100 faqesh libri vërteton katërçipërisht, me analizë të hollësishme historike, letrare, epistolare e dokumentare, se këto dy romanet të reja të Konicës mbajnë shtampën e tij të padiskutueshme identitare. Sepse sot, me mundësitë e mëdha që dhuron vetë shkenca analitike, ekziston një “skaner dhe skanim” për të zbuluar fijet dhe indet më të padukshme të një vepre, qoftë letrare, qoftë tablo pikture, qoftë çdo vepër tjetër artistike, e porositur, tjetërsuar, përvetësuar, shitur a më në fund, thjesht vjedhur. Të gjitha këto përbëjnë në shfaqjen e tyre të çuditshme vetë kompleksitetin e një prej enigmave mbushulli à la Faikio pasqyruar në këto dy romane me nënshkrimin aq domethënës Gjoni i Krujës.

Gjoni i Krujës. Një pseudonim i ri i Konicës, rilindësit gjeni, të paparit e të paarritshmit personalitet poliedrik në krejt fushat e Mendimit modern shqiptar, të përparuar e properëndimor. Kur asnjë shqiptar i kohës së tij, dje e sot, nuk arriti e nuk arrin të shkruajë, si Konica – dhe drejtpërdrejt në gjuhë të huaja -, Vepra madhore me tematikë ndërkombëtare, duke iu përgjigjur flakë për flakë kërkesave të intelektualitetit europian! Kur asnjë shqiptar nuk zotëronte e nuk zotëron erudicionin e tij brilant cilësuar nga epokali Apollinaire si “Enciklopedi lëvizëse”, si “Gjigand Argus e Briare”, me njëqind palë sy dhe njëqind palë krahë! Kur zotëronte me themel 16 gjuhë të huaja, nga më të lashtat deri te më modernet, dhe kur përkthente e botonte te KryeVepra “Albania” nga të parët rilindës tekste historike, filozofike, sociologjike, folklorike, për të hedhur themelet e albanologjisë moderne dhe të shkencave shoqërore, sa në shqip, aq edhe në frëngjisht për lexuesin e huaj.

Pa një, pa dy, ai ishte dhe mbetet, ndër të tjera, gjuhëtar i rrafsheve europiane, mbi të gjitha gjuhëtar me gur themeli në shqipen amtare, të cilën e lëvroi në dy dialektet gege dhe toske, duke iu përkushtuar që herët themelimit të ABE-së dhe rregullave drejtshkrimore të shqipes, të cilën e kërkoi (dhe punoi fort!) të njësuar, standarde e letrare, si domosdoshmëri jetike kombëtare. Në një kohë kur shqiptarët e fundshekullit XX ende jetonin “Jetën e Kurmit” dhe nuk e kishin në shkallën e duhur, vetëdijen kombëtare, pale atë shtetërore! Në një kohë kur ai ngulmonte për kombin modern shqiptar, për stërvitjen e tij mendore e intelektuale, si i pari përlindës formuar e lulëzuar në Perëndim.
“Mjeshtër stili” – siç e cilëson simbolisti Remy de Gourmont, ndërkohë që gjuhën frënge “e njihte me themel, në krejt skutat e saj”, siç dëshmon shkrimtari Joseph le Maître, krahas orientalistit Léon Cahun, shkencëtarit Elisée Reclus dhe filologut Henri Bourgeois, pa folur për miqtë e tij të shumtë, si Apollinaire, Schneider, Pedersen, Legrand, Age Benedicte, Paul Nocquet, Alfred Bastien e deri te “Bodëleri amerikan” Benjamin de Casseres -, Faik Konica shkëlqen me këto dy romane të reja tek shpall që më 1909 modernitetin dhe europianizimin e mendimit shqiptar, tek injekton në shoqërinë europiane cilësitë më të larta morale, historike dhe bashkëkohore të shqiptarëve, tek i bën këta të ndihen sa qytetarë të Botës, aq edhe patriotë sipas shëmbëlltyrës së Sokratit e Gëtes. Ai ndrit dhe i ndrin plot aureolë atdhetare e kombëtare personazhet e veta të virtytshme, me patriotizëm të kulluar në mjedise sa shqiptare, aq edhe euro-atlantike, mes botës së biznesit, industrisë, artit e kulturës, me nderim e respekt të posaçëm për Institucionin e lartë të Punës dhe të Djersës së Ballit, sot nëpërkëmbur aq keq. Ai shkëlqen dhe e bën të shkëlqejë e ngadhënjejë virtytin shqiptar në shekuj, tek europianizon me gjuhë letrare e artistike, në parametrat e epërm të realizmit dhe simbolizmit, çështjen shqiptare shtruar për zgjidhje që pas Kongresit famëkeq e antishqiptar të Berlinit, në vazhdën letrare të Pashko Vasës me “Bardhën Temalit”.

Por nuk është vetëm kjo. Shkrimi i tij, si shkrimtar profesionist i klasit të parë, shfaqet tek të dy romanet me gjuhë të qartë e të harmonishme, duke ndjekur parimin e ekonomizimit të fjalëve, plot thjeshtësi e natyrshmëri, gjuhë të dëlirë e të rrjedhshme, me baraspeshë letraro-artistike dhe plot befasi skenike. “Ngjarjet zhvillohen këtu, theksojmë në studimin tonë hyrës, me shpejtësi rrëmbyese, me dialogë elastikë e sintetikë, pa sforcime, pa përshkrime lumë. Vetë stili konician është ai lumë i vrullshëm alpin, që dhuron një shkrim gati-gati automatik, duke sjellë në çdo çast të renë e gjërave, të pritur a të papritur, por gjithnjë brenda kuadrit të njohur, sa klasik dhe realist. Personazhet hyjnë një pas një nga derë e vogël e së panjohurës dhe mizanskenave për t’u shfaqur të plotë në shtjellë e sipër të ngjarjeve dhe në mjedise të natyrshme e të zakonta për autorin”. E të mos harrojmë se tek të dyja romanet, me personazhe realë e realistë, autori si gjithnjë, thur e pasqyron vetveten ndër personazhet kryesore (Vangjeli dhe Dominiku), për të injektuar në shoqërinë shqiptare të kohës (por edhe të sotme) – ashtu si Dr. Gjilpëra -, virtyt, mirësi, urtësi, kulturë, vullnet, dashuri, shumë dashuri njerëzore, pa urrejtje, mëri, smirë, ligësi, pisllëk shpirtëror anadollak. Vesi dhe virtyti klasik, shprehur nëpërmjet antipodit të së mirës dhe së keqes (ashtu si në përplasjen e tyre të parë primitive), përbëjnë thelbin dramatik të këtyre veprave me zhvillime ngjarjesh skenike, gati teatrore e futuriste, por me “fluturime” të befta në kohë e hapësirë, në itinerarin Korçë-Vjenë-Trieste-Venecie, nga njëra anë, dhe Korçë-Boston-Xhejmstoun-Vlorë, nga ana tjetër, për t’u nisur kështu nga “pista atdheu” e për të përfunduar po kështu në “pistën atdheu”.

Me të drejtë botuesi i librit, pasionanti i letërsisë dhe i shkrimit modern shqiptar Krenar Zejno bën një vëzhgim analitik për të dy romanet, ku pyetjet që parashtron janë edhe vetë përgjigje, ku pikëpyetjet shndërrohet në pikëçuditëse të një pohoreje të fuqishme, që nuk lë shteg për hamendësim e mohim, por mbart bukur paralele xhojsiane, borgesiane, fishtiane, apolineriane, à la Balzac, Dostoievski apo Frenhofer, për të mbërritur hovshëm te klasiko-moderni Servantes, një ndër pesë baballarët gjeni botërorë nga ku lindën gjenitë e tjerë. Dhe Zejno i “Zenitit” që pohon për Konicën tonë: “Bukuri! Mirëpo, ajo çka më bën çudi në këtë shfaqje klasikemoderne nuk është te fetishizimi i traditës dhe hyjnizimit të së bukurës dhe virtyteve humane, por vetë kjo qëndresë stoike për sublimen dhe thelbin pakohë të vlerave; me aq pathos, po të kemi parasysh se, ndërkohë, rrymat e ç’hyjnizimit dhe vendosja si palë ndërluftuese me traditën po e shpallnin tashmë një plasdarmë mbarë arenën bashkëkohore të artit. Për cilindo, atë fillim-shekulli do mund të thuhej se ndofta ishte ende pak si herët për këtë pretendim, por ama jo për Konicën”. – Jo, patjetër, dhe s’ka se si! – do shtonim edhe ne, kur Konica i qëndroi stoik sublimes shqiptare në letërsi, i mëshoi në krejt Veprën e tij, me atë pendë-pallë të rëndë kundër anadollakëve e mendjeve shterpë, por gjithnjë pro së bukurës shqiptare ardhur që nga thellësitë e shekujve. Sepse, a nuk shkroi me të drejtë Xavier Deniau se “Atdheu shqiptar u krijua nga poetët”? Në fakt, po aq sa është e vërtetë që e bukura krijon art e letërsi, po aq është e vërtetë se në historinë tonë moderne, pikërisht e bukura poetike krijoi shtet. “اoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, / Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu”! ثshtë poeti që flet në rolin e ideologut atdhetar me thirrjen lapidar.

Nuk po i hyjmë analizës së romaneve. Thjesht e grishim lexuesin të meditojë para tyre si përpara një tabloje piktori a vepre skulptori. Nuk po i hyjmë rrethanave të zbulimit të këtyre romaneve, tek parapëlqyem t’i vulosnim që në ballinë me shtampën koniciane gjithë gjarpërinj. A nuk thoshte Konica se “Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit (dhe krejt anadollakët), më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe se miu”? Nuk po i hyjmë zbërthimit të rebuseve inteligjente të Konicës, as labirinteve që ai krijoi e ndoqi “për të nxjerrë e lëshuar nga dora” si gjënë më të rëndomtë këto dy romane mjeshtërore që ia besoi tjetër kujt, që i shiti te “prurësi më i parë” (princi Aladro Kastrioti) sipas formulës së dikurshme vendosur në kartëmonedha. Sepse një gjë duhet thënë me zërin plot: Konica i viteve 1895-1909, shkruante fort, por edhe botonte, shpërndante, shiste shumë (kujtoj këtu me respekt e nderim të lartë Ardian Klosin dhe librin e tij që mbarte në krahë librari më librari!), shiste gjithçka që shtypte vetë në shtypshkronjën e tij “Albania”, deri edhe te “Harta e tij e parë e Shqipërisë” dhe kartolinat me portretin e Skënderbeut. Ishte kjo një punë e tërë komplekse, patriotike e propaganduese me synime të larta e të shenjta atdhetarie, por edhe njëfarë mundësie minimaleske për të mbijetuar, në kushtet kur tërë pasurinë ai e bëri shtypshkronjë, “Shtypshkronjën Albania”, me art të përsosur tipografik dhe germa të rralla platini. Në këtë kuadër të gjerë rrethanor, bëjnë pjesë historikisht edhe këto dy romane të reja që ai i përgatiti në frëngjisht “për shitje”, ashtu sikurse do vepronte vite më pas edhe me veprën në anglisht “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, zbuluar nga atdhetari Qerim Panariti më 1957.

Le të shohim këtu, përmbledhtas, elementët tipikë konicianë (të cilët i kemi kaluar në “skaner” në studimin tonë) që vërtetojnë se këto dy romane janë të Faik Konicës:
Së pari, personazhet personifikojnë të afërm të rrethit familjar të Konicës (por edhe atë vetë), krahas një morie personazhesh skenikë që Konica i ka pasur miq apo i ka njohur nga afër. Te romani “Martesa e Lejlës” na shfaqen:

Lejla (personazhe kryesore), është mbesa e Faikut, vajza e Mehmet Konicës; Lejla trashëgoi simbolikisht emrin Laje, NënëMadhja Zeliha Delvina (Konica), pra nëna e Faikut dhe njeriu më i dashur i tërë familjes, që kishte mbaruar që vashë e re me bukuri lëkure të mermertë studimet në “Pensionatin e vajzave të Shën Mërisë së Sionit në Stamboll”, çelur që më 1856, dhe fliste një frëngjishte të përkryer e luante në piano (sipas të Madhit Sherif Delvina); Vangjeli (vetë Faiku) në moshë të shkuar, me cilësitë më të larta të shqiptarit të suksesshëm në rrafsh europian; Lezi Gjini, është Theohar Gjini, piktori shqiptar më i shquar në kohën e tij, që mishëron, ashtu sikurse e dashura e tij Lejla, cilësitë më të larta të shqiptarit, me talent të veçantë po në rrafsh europian; princi Aladro Kastrioti – pretendenti më i hershëm për fronin e Shqipërisë, strumbullari i manipulimit të dy romaneve, të cilin Konica e bën personazh pozitiv, pa kurrfarë qesëndisje, si një forcë e jashtme që ka synime të caktuara për të ardhmen e Shqipërisë së mëvetësuar, thjesht: për të “shaluar fronin e saj”. Fakt tepër domethënës: Aladro Kastrioti vdes nga infarctus ditën kur mori vesh se Komisioni shqiptar (ku bënte pjesë edhe Konica) dha pëlqimin dhe miratimin e kandidaturës së princit W. Wied për “Mbret të Shqipërisë”; Ernestina – është emri i kunatës së Faikut, gruaja e parë e Mehmet Konicës; Sulo beu – ka të ngjarë të jetë atdhetari Sulo Be’ Resuli; Mirashi, ka të ngjarë të jetë patrioti Vat Marashi nga Shkreli; togeri Fritz – këtë emër Konica ia kishte ngjitur një prej turtujve të tij që mbante në kafaz, dhe për të cilin bëhet fjalë veçmas në epistolarin e Konicës me Apolinerin (le të kujtojmë syzogjtë Konica-Apoliner dhe pulat e Konicës metamorfozuar në minj nga Apolineri sipas stilit kafkian).

Te romani “Sotiri dhe Mitka” kemi si personazh kryesor Dominikun, emri i pagëzimit në fenë katolike të vetë Faik Konicës (rreth vitit 1894), personazh i pajisur me krejt cilësitë dhe virtytet e të riut shqiptar mbaruar studimet në Vjenë e Paris dhe që kthehet në atdhe (Vlorë) për të hapur fabrikën e parë të industrisë vajore si dallëndyshe e parë që paralajmëron pranverën industriale të Shqipërisë së ardhme europiane; Ekrem bej – janë të gjitha gjasat që ai të përfaqësojë të riun shqiptar Eqerem bej Vlorën, i cili, siç thuhet edhe në roman ndiqte studimet e larta në Vjenë; Sotiri dhe Mitka (në dualitet të dukshëm me Moskua dhe Toskua) – janë emra të zakontë shqiptarësh që mërguan nga të parët nga krahina e Korçës për në Amerikë, ku hapën klube e hotele, si dukuri më se e zakontë e shqiptarëve të kontinentit të ri; Gjergji, Guri, Trifona, Trimi – emra po ashtu tipikë shqiptarë nën penën e Konicës, si për t’i thënë lexuesit të huaj se edhe ne, si vend i lashtë europian, i kemi më se të zakontë emrat Georges, Pierre, Jean (Gjin e Gjon), etj., etj.

Por mbi të gjitha, romanet koniciane, në kuadrin e tyre sa realist, aq edhe dramatik, rrahin tema, subjekte dhe motive të parapëlqyera nga Faik Konica shkrimtar, si “dasma shqiptare”, “kostumi shqiptar”, “profesioni i berberit”, “gruaja dhe vasha shqiptare”, “muzika, koncertet, ballot dhe rinia e kulturuar” (kujtojmë Faik Konicën poliedrik edhe një “bon vivant” që di ç’është mbi të gjitha arti i të jetuarit”!), “gjuhët e huaja dhe pasuria kulturore”, “dueli” (Konica njihej si mjeshtër në skermë!), “pirja e duhanit”, etj. Shfaqen në romane jo vetëm personazhe shqiptare të rrafsheve europiane, por edhe mjedise të njohura përveçse nga Konica, që nga qarqet studentore të Sorbonës, Ecole Centrale dhe Quartier Latin (Paris), që nga liceu perandorak “Theresianum” në Vjenë, gjer te malësia e Vlorës, ku thëllëzat hanë “fara të veçanta” ushqyer me flladin e detit…
Në studimin tonë, vëmendje të veçantë i kemi kushtuar gjuhës, stilit, frazeologjisë koniciane, bukurisë të së shkruarit frëngjisht nga ana e tij, me penë të rrjedhshme, të këndshme, gjithë përsosmëri e saktësi gjuhësore, tek respekton në maksimum rregullat tepër të vështira të gramatikës frënge, mbushur me përjashtime. Po ashtu, ndërtohen në studim paralele letrare midis këtyre dy romaneve të reja dhe veprave letrare të mëparshme a të mëpasshme të Konicës, kryesisht paralele me veprën “Dr. Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit”.

Më në fund, për vetë faktin që njëri prej këtyre romaneve – “Sotiri dhe Mitka” – është përvetësuar, përkthyer dhe botuar në spanjisht (gjithnjë në kopje tepër të kufizuara) nën emrin Juan Pedro Aladro, studimi dhe vetë romanet bëhen kësisoj edhe më interesantë, shtohet doza e intrigës dhe kureshtisë, kur prapa emrit Juan Pedro Aladro fshihet aventurieri “Aladro-Ladro” Kastrioti apo Markezi, e më pas Princi i rremë Kastrioti, apo “Skënderbeu i tretë” mashtrues në radhën kronologjike të pretenduesve që gjoja rridhnin nga gjaku fisnik i KryeHeroit shqiptar. Edhe pse shfaqet si personazh kryesor te “Martesa e Lejlës”, me të gjitha “mirësitë e princit babaxhan” që rrihte tepër larg në synime froni si “mbret i ardhshëm i Shqipërisë”, edhe pse personazh dytësor e në hije te “Sotiri e Mitka”, “Princ Kastrioti” na shfaqet në të vërtetë në romane, po edhe në fotot ilustrative që botojmë, si një biçim karikature e ambicies së vet të pathemeltë, si një lloj bufoni megaloman, gjoksfryrë me dekorata, me përkrenaren e Skënderbeut majë kaptine, viktimë e padijes, e injorancës dhe vogëlsisë shpirtërore, i vënë në lojë me mjeshtëri koniciane, tek “negativizohet” bukurisht nëpërmjet një lloj pozitivizmi naiv, infantil, haliçinues, thjeshtëzues, mes pretendimit absurd për të zënë fronin e Shqipërisë pa kurrfarë arsye e themeli, në mos duke përdorur forcën e parasë për të blerë e arritur gjithçka, deri edhe postin më të lartë, por duke i bërë dëm të konsiderueshëm çështjes shqiptare që po bënte përpara me hapa të shpejtë drejt pavarësisë së vendit.

Gjithë thelbi i lojnisë koniciane, i këtij xhonglimit intelektual që Konica i bën Aladro Kastriotit, qëndron pikërisht këtu, po të kemi parasysh po ashtu edhe paralelizmin e dredhisë apo lojnisë së Vangjelit-Konicë te “Martesa e Lejlës” me pretendentët për martesë të Lejlës, austriakët Fritz e Teodor. Gjë që në mënyrë epistolare do të ndodhte edhe më pas, më 1911-1912, kur Konica përçon në Amerikë vlerat e simbolizmit europian, lidhet me shkrimtarin amerikan Benjamin de Casseres dhe zhvillon me të lojninë tashmë të njohur të dyshes Konicë-De Casseres me vetë Apolinerin, duke i dubluar figurat reale, por edhe vetveten në mënyrë kubisto-letrare, plot të papritura dhe dritë-hije.
Siç vëmë në dukje në pasthënie, zbulimi i këtyre romaneve koniciane është bërë në kapërcyell të viteve 2011-2012, por disa arsye subjektive e pengesa administrative nuk na lejuan t’i nxjerrim më parë në dritë për t’ia bërë të njohura publikut artdashës konician. E megjithatë, asnjëherë nuk na mungoi mbështetja e vazhdueshme e miqve dhe kolegëve të shumtë, e sidomos përkrahja e pinjollëve të familjes Konica, Nedo dhe Sherif Delvina, që dinë të falin aq shumë dashuri e fisnikëri. Vetëm kur “Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra” – themeluar nga binomi Noli-Konica, që është dhe mbetet themeli i fuqishëm i diasporës shqiptare në Amerikë e kudo -, u vu në dijeni të zbulimit të këtyre romaneve, do të bëhej e mundur që viti 2016 të shpallej Viti Kulturor “Faik Konica”, për t’u kurorëzuar edhe me botimin e këtyre librave të Konicës që i dhurohen sot lexuesit shqiptar, si dhe me çeljen në gjirin e “Vatrës” në Nju Jork, gjatë muajit nëntor, të ekspozitës “Faik Konica – Përlindësi modern”, me vepra dokumentare e artistike për rilindësin e madh. I drejtojmë publikisht mirënjohjen tonë Vatrës famëmadhe që mori përsipër sponsorizimin e këtyre romaneve, në emër të dashurisë së fuqishme që ushqejnë mbarë shqiptarët e Amerikës për Nolin dhe Konicën. Nga ana tjetër, me keqardhje, shprehim përsëri indinjatën tonë, si qytetarë të thjeshtë dhe si anëtarë të diasporës për keqmbajtjen e varrit të tij, përlyer e dëmtuar rëndë dhe mbuluar nga degët e pemëve duke cenuar figurën e Rilindësit Faik Konica, që shkëlqen e do të shkëlqejë si ylli polar i kombit modern shqiptar, i Pari Përlindës që parashikoi Shqipërinë europiane, drejt Perëndimit të përparuar.
lexo.al
 
Titulli: Zbulim i rrallë në Letrat koniciane, dalin në dritë 2 romane të Konicës

Konica shume shker*dhate ishte.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top