Viruset gjigante që po presin të çlirohen

AnGeLiC

VIP
V.I.P
Shiko fotografinë 1790879
Realiteti i zymtë është se ushtri të tëra virusesh dhe bakteresh janë duke u fshehur nën akull, patogjenë që janë mbyllur aty miliona vjet më parë, nën shtresat e akullit apo nën koren e ngrirë të Tokës. Këto mikrobe parahistorike janë aq të mëdha, sa që biomasa e tyre e tejkalon gjithë njerëzimin me mijëra herë. Një pushtim i viruseve vrasës nga akulli mund të tingëllojë si diçka fantastiko-shkencore, por është një skenar që shumë shkencëtarë e marrin seriozisht. Një prej tyre është profesor Brent Christner nga Universiteti Shtetëror i Luizianës. Së bashku me ekipin e tij, biologu molekular e ka objekt të punës së jetës së tij, kërkimin për këto dinosaurë mikrobikë të gjallë, në një nga vendet më të ftohta të Tokës.

Dhe me kalimin e kohës i ka gjetur – nën kapakun e akullit të Guliyas, në Kinën Perëndimore, një vend që ka përjetuar një ngrirje të thellë, e cila zgjat prej qindra-mijëra vjetësh. “Kemi ekzaminuar akullin 750,000 vjeçar dhe kemi gjetur qeliza të gjalla”, thotë Christner. Ky zbulim i bujshëm dëshmon se bakteret dhe viruset nuk janë vetëm në gjendje të mbijetojnë për qindra-mijëra vjet, madje edhe në temperatura prej minus 40 gradë Celsius, por ato janë gjithashtu të afta të ndreqin dëmet që ngrirja dhe rrezatimi i shkaktojnë ADN-së së tyre – pa patur nevojë që të shkrijnë. “Kjo është e rëndësishme, sepse ne zakonisht nuk mendojmë për këto si kushte në të cilat ndodhin procese komplekse biologjike”, thotë Christner.

Në vitin 2014, Christner zbuloi gjithashtu bakteret nën një shtresë akulli 800 metra në Antarktikun perëndimor. Bakteret jo vetëm kishin mbijetuar atje, por edhe kishin krijuar ekosistemin e tyre të gjerë të rrjetëzuar. Më parë kjo gjë konsiderohej e pamundur. Por, ndërsa bakteret e Antarktikut të zbuluara nga Christner ishin ushqyer në depozitat e lashta të amonit dhe metanit, për qindra-mijëra vjet, studiuesit francezë nga Universiteti i Aix-Marseille gjetën kohët e fundit një virus të vërtetë “Frankenstein”, që ishte mbyllur brenda permafrostit siberian për më shumë se 30.000 vjet.

Studimet treguan se patogjeni ishte nga një gjini krejtësisht e panjohur. Vironet ishin aq të mëdha sa fillimisht ata ishin ngatërruar me një bakter të panjohur në laborator. Virusi gjigant 1.5-mikron i gjerë, ishte po ashtu i larmishëm gjenetikisht: ai mbante të paktën 467 gjene, krahasuar me tetë gjenet e gjetura në virusin tradicional. Nëse patogjeni paraqet rrezik për njerëzit ose forma të tjera të jetës, kjo vetëm mund të hamendësohet – sepse herën e fundit që virusi gjigant hynte në një trup mbartës, mamuthët dhe tigrat dhëmbëshpatë endeshin ende nëpër Evropë. Sidoqoftë, shkencëtarët janë të sigurt për një gjë: nuk do të duhej shumë që një patogjen i lashtë të zgjohej përsëri. “Kur një tokë e ngrirë shkrin”, thotë kreu i studimit Jean-Michel Claverie, “ajo nuk ka nevojë për shumë më tepër se disa grimca virale infektive dhe një ptrup pritës”. Mikrobiologu John Priscu nga Universiteti Shtetëror i Montanës vazhdon: “Disa organizma ishin mbyllur në akull për gjysmë milioni vjet. Pas shkrirjes u desh vetëm dy minuta që metabolizmi i tyre të niste sërish funksionimin”.

Studiuesit planifikuan të ringjallnin virusin gjigant të gjetur në Siberi, në një mënyrë të kontrolluar. Së pari ata duhej të përcaktonin nëse virusi ishte vdekjeprurës apo jo. Për ta bërë këtë, u nxorr nga një mostër toke në laborator dhe u vendos përkundër një amebë të sotme. Testet treguan se ai e sulmoi amebën, e cila është një organizëm njëqelizor, por nuk infektoi njerëzit ose kafshët e tjera.

Por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen, viruset e tjera që gjenden të ngrira nën permafrost, do të jenë po aq të mirë. Dhe kjo është arsyeja pse studiuesit po paraqesin një pamje të zymtë për të ardhmen. Në fund të fundit, klima po ngrohet dhe po shkakton shkrirjen e permafrostit, në vende që po zhvillohen industrialisht për shkak të tokës pjellore. “Nëse nuk jemi të kujdesshëm dhe industrializojmë këto fusha pa vendosur masa mbrojtëse, rrezikojmë që një ditë të zgjohen viruset si lia, që menduam se u zhduk”, paralajmëron Claverie. / bota.al
 
Back
Top