Vendet më të bukura të Gjermanisë

Shiko fotografinë 1921306

Edhe pse kufizimet për shkak të pandemisë Covid-19 ende nuk janë hequr plotësisht, gjithsesi ia vlen të ëndërrosh për pushimet, sidomos për ato verore.

Gjermania është një destinacion ëndrrash për shumë njerëz pasi ofron si plazhin ashtu edhe malin, kështjella dhe qytete historike, pyje dhe liqene. Ja se cilat janë disa prej vendeve më të bukura në Gjermani.





Ishulli Rügen



Diell, rërë dhe det. Ishulli më i madh i Gjermanisë, i quajtur ndryshe Perla e Detit Baltik, i përket shtetit të Mecklenburg- Pomerania Perëndimore. Ishulli Rügen është edhe një nga rajonet më me diell në Gjermani, duke i renditur rezortet piktoreske të Baltikut ndër më të preferuarat nga turistët.



Deti Wadden



Dy herë në ditë, ujërat e Detit të Veriut tërhiqen nga zbatica, duke ekspozuar shtratin e detit. Krimba, kërmij dhe midhje të panumërta dalin në sipërfaqe. Ky peizazh në veriun e largët është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s Schleswig-Holstein, Hamburg dhe Saksonia e Poshtme i kanë cilësuar pjesët e tyre të Detit Wadden si parqe kombëtare.



Mali Watzmann



Një kënaqësi më vete për ekskursionistët dhe alpinistët: Alpet Berchtesgaden. Watzmann (2,713 metra) është pika referuese në këtë rajon dhe mali i dytë më i lartë në Gjermani. Malet, shtigjet, shëtitjet, liqenet dhe pyjet e bëjnë peizazhin natyror bavarez në kufi me Austrinë një nga rajonet malore më të njohura dhe më të pëlqyera në Gjermani.



Kryeqyteti i Gjermanisë, Berlini



Kryeqyteti gjerman është një magnet që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të rinj në metropolin e lumit Spree. Historia e një Gjermanie të ndarë është shkruar këtu dhe shumë njerëz duan të ndiejnë atmosferën e këtij vendi. Ju duhet të keni patjetër një foto në Portën e Brandenburgut. Dikur simbol i ndarjes së Gjermanisë, struktura klasike e saj sot është përsëri në qendër të qytetit të bashkuar.



Rothenburg ob der Tauber



Një nga qytezat më të bukura në Gjermani ndodhet rreth 100 kilometra në perëndim të Nurembergut. Është vendi tipik që fton çdo turist që të bëjë një udhëtim në të kaluarën. Në asnjë vend tjetër nuk janë ruajtur aq shumë detaje të periudhës së Mesjetës, sesa këtu. Me mbi 2 milionë vizitorë në vit, përpara pandemisë, Rothenburg ob der Tauber ishte një nga vendet më të vizituara në Bavari.



Shkëmbi Loreley



Asnjë vend nuk e përfaqëson më mirë romantizmin gjerman të Rinit, se sa shkëmbi Loreley. Sipas legjendës, një grua e bukur qëndron e ulur në një shkëmb, duke krehur flokët e saj të verdhë ndërkohë që këndon. Lundërtarët që kalonin andej, shpërqendroheshin aq shumë nga sirena e bukur por e palumtur, saqë e humbnin kontrollin dhe përplaseshin. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: Anijet, në fakt, janë përplasur vazhdimisht në këtë pikë në lumin Rin.



Gryka e Wutach



Një luginë lumi e egër dhe aventureske: Gryka e Wutach, e njohur gjithashtu si Kanioni i Madh i Pyllit të Zi, është një fenomen mbresëlënës natyror. Është një nga peizazhet e lumenjve të egër në Europën Qendrore, që ende ruhet në origjinalitetin e saj. Me kalimin e kohës, lumi i vogël Ëutach ka krijuar një luginë që shkon deri në 200 metra thellësi dhe rreth 50 kilometra gjatësi. Cilësohet si një përvojë e paharrueshme nga çdo ekskursionist.



Zvicra Saksone



Ky peizazh i bukur natyror mund të shijohet në Gjermaninë Lindore, afër Dresdenit. Parku Kombëtar i Zvicrës Saksone me shkëmbinjtë, luginat dhe grykat e tij mbulon një sipërfaqe prej më shumë se 36,000 hektarësh. Është një destinacion ëndrrash për adhuruesit e natyrës dhe alpinistët.



Liqeni Chiemsee



Liqeni më i madh në Bavari, me sipërfaqe rreth 80 kilometra katrorë. Është formuar rreth 10,000 vjet më parë dhe ka disa ishuj. Në më të madhin prej tyre, ajo çka të bie më shumë në sy është Pallati i Ri, i cili kishte për qëllim të përmbushte ëndrrën e Mbretit bavarez, Ludëig II, për një “Versajë bavareze”. Ndërtesa madhështore tërheq çdo vit vizitorë të shumtë nga e gjithë bota.



Liqeni i Konstancës



Liqeni më i madh i Gjermanisë është rreth 70 kilometra i gjatë, në disa vende rreth 14 kilometra i gjerë dhe rreth 254 metra i thellë. Ndodhet në rrëzë Alpeve në trekëndëshin kufitar të Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës. Një nga pikat kryesore është ishulli i luleve në Mainau. Para pandemisë, më shumë se një milion njerëz e vizitonin atë çdo vit. / Deutsche Welle
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top