Sandro Botticelli, zemërthyeri i një dashurie të pamundur kredhur hyjshëm në përjetësinë e "Lindjes së Venusit"
Ai jetoi dhe iku zemërthyer nga një ndjenjë që e përndoqi sa ishte gjallë dhe i bën hije në amshim. Ashtu si ata, Francesko Petrarka, Dante Aligeri edhe Sandro Botticelli, u dha çmendurisht dashurive të pamundura, me një bukuri të shëlbyer. Ndërsa Dante e thuri në "Komedinë Hyjnore" Beatriçen e tij, Petrarka i thuri lirikat duke e pavdekësuar Laurën emblematike, Botticelli, dashurisë së saj platonike i dha përjetësinë në "Lindja e Venusit", e cila mbetet një gurthemel i rëndë në pikturën italiane dhe botërore.
Dashuritë e qiellta, ata që arti i përjetësoi në monument, regëtijnë në zemrat tokësore, me dritën e diejve që njerëzimi kurrë nuk i ka parë, dhe gjithnjë do të përpushet në tëjçimin e ngulmit të shpirtit, për të hedhur në ajër dhe afsh, epsh dhe drithërima shpirti, dritëza që xixëllojnë e ndezin natën dhe hovet e shpenguara të dëshirimeve.
Ata u mëkojnë botëve, atë zjarr që kurrë nuk ka të shuar në gjithmonshmëri. Shpirti i tyre e ka skalitur prushin e atij pasioni galaktik, në grimcat e përjetësisë së dritës, që shkrep në çdo kapsallitje sysh, e pulson në gjakun e dashurieve të kohës.
Artistët ishin ata që i mëtuan botës me penel, daltë, nota muzikore, ngjyra dhe larushi dehjesh të polenit të fjalëve, atë që shpengimet e potershme të gjakut u kallën atyre ndër deje, duke ndezur ditë përditë në çdo zemër dritëzën e një ylli.
Sandro Botticelli te "Lindja e Venusit" dhe jo vetëm, kumton ngërthimin e një kreshte të atmotshme të pikturës duke mos e fshehur dot kurrkund nëpër dritë dhe ngjyresa të hareshme, një vragë zemre. Ai u dashurua marrëzisht me një fisnike, fatkeqësisht e martuar. Ajo fatlume ishte Simonetta Vespucci. Ishte kjo një prej vetëtimave më ngjethëse që shkrepëtiu në qiellin e tij. Mbeti e vetme dhe "vrastare" deri në të fundmen frymë të mjeshtrit. Udhëtoi ai verbim marrok dashurie, jo vetëm si një rast, por si një fenomen. Bashkëjetoi me mjeshtrin, u bë muzë dhe shpërthim i duhishëm jetësimesh dhe kumtimesh, të cilat edhe sot e kësaj dite depërtojnë në ëndjen tonë, në yshtjen tonë kureshtare për të tejjetuar thellë në mishin dhe gjakun e këtij shtati të plagosun, atë zemër druhej të jepej, atë zemër që u shua ndërsa ende flakërinte.
Në qendër të kanavacës, "Lindja e Venusit", perëndesha qëndron mbi një guaskë, një simbol i pjellorisë, shikon shikuesin. Ajo është krejtësisht e zhveshur, e mbuluar me flokë dhe duar të gjata ari. Venusi përfaqësohet në të njëjtën Venus Pudica, duke sjellë njërën dorë në gjoks dhe tjetrën në pubis, duke u përsëritur në skulpturat helenistike.
Afërdita ngrihet nga uji me hir dhe elegancë dhe gjithçka tjetër duket se sillet rreth perëndeshës, pikëmbështetjes së vërtetë të skenës. Në të majtë, nimfa Aura, me erën e butë dhe Zefiri, era pranverore, të bashkuar në një përqafim fryjnë një frymë të ngrohtë dhe plehëruese në Venus. Në të djathtë, Ora e Pranverës – e identifikuar edhe nga studiues të tjerë si Flora ose si një nga Hiret – ka mësuar të mbulojë trupin e bukur të Venusit me një mantel të kuq të mbushur me tegela me lule, kryesisht margaritë.
Peizazhi pas tij është i natyrshëm, i thjeshtë, mezi i nënkuptuar. Trëndafila të vegjël bien butësisht nga qielli, të cilët sipas mitit kanë lindur me lindjen e Venusit. Deti përshkon kanavacën nga e majta në më shumë se gjysmën e kompozimit. Pjesa tjetër e sfondit pret një sfond peme.
Për një kohë të gjatë figura e Venusit u kuptua si një përfaqësim i bukurisë ideale universale, që i atribuohet Akademisë Careggi. Në fakt duket se Botticelli e konsideronte bukurinë estetike një pasqyrim të bukurisë morale . Afërdita bëhet këtu, e forcuar nga lakuriqësia e saj modeste, emblema dhe modeli i një bukurie të dëlirë dhe fisnike. Sublimimi i trupit të zhveshur lartëson cilësitë e tij shpirtërore dhe morale sipas doktrinës neoplatonike . Është e përsosur sepse sodit dhe përfaqëson idetë. Idealizimi që i jep perëndeshës këtë kuptim pasqyrohet në përdorimin e seksionit të artë për të përcaktuar të gjitha përmasat e trupit.
Kuptimi i Venusit të Botticelli-t ngrihet në motive filozofike . Shkrimet e famshme të Ovidit dhe Polizianos janë gjurmuar ndër burimet letrare të dashura për piktorin – edhe me “Primavera” . Këtyre u shtohet ndikimi i fortë i prirjes neoplatoniste dhe i filozofisë së Marsilio Ficino -s në konceptin e "bukurisë". "Lindja e Venusit" përfaqëson Humanitas Neoplatonike - si dhe "Pranverën" - në momentin e mbërritjes në Firence. Një njerëzim i ri, pra, i mishëruar nga perëndeshë e përsosur estetikisht dhe moralisht.
Për disa studiues , paralelizmi midis kulturës klasike dhe asaj të krishterë lindi nga kjo simbolologji . Në këtë rast, kompozimi i veprës do të kujtonte skemën e Pagëzimit të Krishtit, ku Ora do t'i përgjigjej Pagëzorit në aktin e derdhjes së ujit mbi kokën e tij. Karakteri shpirtëror i Venusit të Botticelli-t hap derën për interpretime të ndryshme mbi temën e ujit të lidhur me atë të lindjes dhe rilindjes si nga këndvështrimi i krishterë ashtu edhe nga ai pagan.
Ngarendia e Sandro Botticelli, këtij shpirti në ngulmin për të skalitur emrin në ndërmendin e kohës, është e njimendtë dhe ngulmuese, e pareshtur dhe ngadhnjimtare, rrapëllitëse e kacafytëse, jo vetëm me çfarë e trand dhe e varron, por edhe me traditën dhe risitë. Ai ishte dhe mbeti një etapë shumë e rëndësishme e pikturës italiane, pararëndës i kolosëve të penelit dhe daltës italiane, Michelangelo, Rafaelo dhe Leonardo da Vinci.
(Albert Vataj?
@Lise