Love
βeℓℓe â๓e
- Pak vite më parë, Turqia konsiderohej si superfuqia diplomatike e padiskutueshme e rajonit. Por ndryshime të mëdha kanë ndodhur dhe aktualisht është e vështirë të gjesh ndonjë vend tërësisht mik ose pa probleme me Ankaranë
Jo shumë kohë më parë, Turqia dukej sikur kishte gjetur formulën ekskluzive për sukses në politikën e jashtme. Filozofia e sapoadaptuar prej saj, “zero probleme me fqinjët”, fitoi lavdërime në shtëpi dhe jashtë vendit, ndërsa Ankaraja u riangazhua sërish me Lindjen e Mesme pas gjysmëshekulli largimi prej saj. Ajo zgjeroi lidhjet e biznesit dhe tregtisë me vendet arabe, si dhe me Iranin, hoqi kufizimet për viza me vendet fqinje dhe madje edhe ndihmoi në ndërmjetësimin e disa nga mosmarrëveshjeve më të mëdha të rajonit, duke organizuar bisedime mes Sirisë dhe Izraelit, Fatahut dhe Hamasit, Pakistanit dhe Afganistanit.
Vetëm pak vite më vonë, pas shpërthimit të Pranverës Arabe, formula dikur e fuqishme filloi të ngjajë më shumë me alkiminë. Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan i ka shembur sakaq urat që kishte me regjimet ushtarake në Egjipt, dobësoi lidhjet me vendet arabe që refuzuan të mbështesin Mohamed Morsin dhe filloi një luftë fjalësh me Izraelin, duke e akuzuar se kishte dorë në komplotin për rrëzimin e Morsit nga pushteti.
Për një copë herë, Egjipti ishte qendra e politikës së jashtme të Turqisë në të gjithë botën arabe. Kur Erdogan vizitoi Kajron në shtator 2011, pas revolucionit që rrëzoi Hosni Mubarakun, ai u prit si hero, jo vetëm si udhëheqësi i parë i rëndësishëm në botë që bëri thirrje për rrëzimin e diktaturës, por edhe si një ndërmjetësues i fuqishëm në rajon.
E gjitha kjo ka ndryshuar tashmë: Turqia dhe Egjipti kanë tërhequr ambasadorët nga njëri-tjetri pas mosmarrëveshjeve, Erdogani ka kritikuar publikisht qeverinë e re të Kajros.
“Mes Basharit dhe Abdel Fatah al-Sisi nuk ka asnjë dallim”, tha ai javën e fundit. “Po them që terrorizmi shtetëror është aktualisht duke funksionuar në Egjipt.”
Këtë javë Erdogani tërhoqi edhe Izraelin në sherr, duke thënë se Izraeli ishte “pas” grushtit të shtetit në Kajro. Prova për këtë akuzë, sqaroi më pas zyra e tij, ishte një video e vitit 2011, ku ministri i Jashtëm i Izraelit, Tzipi Livni, dhe filozofi francez Bernard-Henri Levi (Levy), po diskutonin Pranverën Arabe.
Ish-ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman, iu përgjigj Erdoganit javën e kaluar, duke thënë se “çdokush që dëgjon fjalët e tij të urrejtjes dhe nxitjes së zemërimit kupton pa dyshim se (Erdogan) po ndjek shembullin e Gëbelsit (Goebbels).”
Nuk mund të lihet mënjanë edhe fakti që një zëdhënës i qeverisë së Egjiptit e cilësoi Erdoganin si “agjent i Perëndimit”.
Këto mosmarrëveshje kanë bërë që vëzhguesit e Turqisë të vrasin mendjen nëse përqasja bombastike e Erdoganit po minon efikasitetin e tij. “Turqia bëri gjënë e duhur”, duke kritikuar grushtin e shtetit në Egjipt, më tha mua një diplomat turk i nivelit të lartë, por e gjeti veten duke bërë këtë “në anën e gabuar të bashkësisë ndërkombëtare.”
Ankaraja do të duhej të hidhte forcat e veta në anën e kundërt shumë përpara se Vëllazëria Myslimane të rrëzohej nga pushteti, shtoi diplomati. “Turqia ngriti në mënyrë të ekzagjeruar një argument për histori suksesi demokratik në Egjipt dhe nuk pa siç duhet gjërat e gabuara që po bëheshin nga regjimi i Morsit.”
E vërteta në këtë çështje është se në fund të fundit, suksesi i politikës së “zero problemeve” nuk mund të zgjaste përgjithmonë. Që të mos kesh probleme, do të thotë ta mbash veten larg punëve të brendshme të vendeve të tjera, madje edhe të duhet të lavdërosh njerëzit e fuqishëm të rajonit. Kjo ishte e mundur për sa kohë nuk kishte ndryshime në rajon: Turqia qëndroi e heshtur gjatë dhunës paszgjedhore në Iran më 2009-n, për shembull, dhe ushqeu një aleancë me Asadin e Sirisë para se të fillonte revolta e përgjakshme e këtij vendi.
Në Libi, Erdogan ishte shumë i lumtur të injoronte shkeljet e të drejtave të njeriut nga Muamar Gadafi, si çmim i pranueshëm për të fituar kontrata për biznesin turk nga regjimi i tij.
Pranvera arabe e hodhi në erë status kuonë e rajonit dhe kjo e detyroi Turqinë të largohet nga politika e vet e mosndërhyrjes. Ankaraja ka vuajtur shumë me konceptin se rajoni nuk mund të bëhet siç dëshiron Turqia. Në Libi, para se të vinte dita për rrëzimin e Gadafit, Turqia argumentoi se Perëndimi nuk kishte punë të ndërhynte kundër tij. Në Siri, ajo theu tërësisht marrëdhëniet me Asadin, duke hyrë në një konflikt që nuk po jep asnjë shenjë se mund të përfundojë së shpejti. Dhe në Egjipt, natyrisht, ajo hyri në rrugën e konfliktit me shtetin me popullsinë më të madhe në botën arabe.
Shpejtësia me të cilën Turqia hoqi dorë nga përqasja e saj e butë në rajon ka qenë surpriza më e madhe. Një nga maksimat e “zero problemeve” ishte ajo që ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu e cilësoi si “ekuidistancë”, pra refuzimi për të marrë anë në një mosmarrëveshje rajonale. Kjo ka qenë gjithmonë një mit më shumë sesa një politikë, veçanërisht kur vjen puna te konflikti Izrael-Palestinë, ku Turqia rrallë e ka humbur shansin të fuqizojë kredencialet e veta rajonale islamike, duke bërë sherr me Izraelin. Gjatë kohës së Pranverës Arabe, ekuidistanca duket se është shkatërruar tërësisht.
Nuk është Egjipti vendi i vetëm ku Ankaraja tashmë konsiderohet si një aktor partizan dhe jo si një zgjidhës problemesh me neutralitet. Në Irak, Turqia ka sfiduar hapur qeverinë e Kryeministrit Nuri al-Maliki duke e akuzuar atë se po nxit luftën sektare dhe se po bën pazare në kurriz të Ankarasë me qeverinë rajonale të Kurdëve të Irakut.
Në Siri ajo po mbështet me hope rebelët kundër regjimit, duke i lënë ato të veprojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e saj dhe duke mbyllur një sy përballë krimeve të kryera prej tyre. Ankaraja raportohet se ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për cilësimin e grupimit rebel al-Nusra si një organizatë terroriste.
Një ish-diplomat turk tha se Ankaraja po vepronte me të drejtë, duke mbështetur rrëzimin e regjimit të Bashar al-Asad, por i vinte keq për mënyrën se si po e bënte këtë. “Turqia kishte të drejtë kur u rreshtua me popullin kundër diktatorit, por ndoshta duhej të mjaftohej me kaq”, tha ai.
“Duke shembur të gjitha urat me regjimin, Turqia humbi çdo ndikim ndaj Asadit.” Dhe kur bashkësia ndërkombëtare u shqetësua për praninë e xhihadistëve në radhët e rebelëve dhe rrjedhimisht u tërhoq nga mbështetja e tyre pa kushte, “Turqia e gjeti veten jashtë loje.”
Erdogani po vuan me një seri sfidash në politikën e jashtme edhe në pjesë të tjera të botës. Imazhi i Turqisë në Perëndim u trondit gjatë verës pas protestave në parkun Gezi. Vendimi i Erdoganit për të mposhtur protestat me policë, ujë me presion dhe gaz lotsjellës, dëmtoi marrëdhëniet e tij me Bashkimin Europian: Vonë në qershor, në mes të shtypjes së protestave të parkut Gezi, Brukseli shtyu për më vonë një raund të ri bisedimesh për anëtarësim. Vetë Erdogan u vu nën kritika të ashpra nga media amerikane.
Turqia nuk ka bërë asgjë për të kontrolluar dëmet e pësuara. Në vend të saj, zyrtarët e Ankarasë kanë akuzuar vende perëndimore për organizim të protestave. Vetë Erdogani foli për “forca të errëta” dhe një grupim që ai i cilësoi si “lobingu i normave të interesit”, si mbështetës të protestuesve.
Ndërsa politika e jashtme e Turqisë në Lindjen e Mesme mund të ketë qenë e pashmangshme, izolimi i saj në zona të tjera duket se është shkaktuar për faj të vet. Sot vendi rrezikon të kthehet në mendësinë e viteve 1990, kur tensionet qenë në rritje me vendet arabe dhe ato europiane, ndërsa teoritë e komplotit botëror helmonin debatin politik të vendit, turqit qenë të bindur se qenë një vend nën rrethim dhe i thoshin vetes “një turk nuk ka mik tjetër veç një turku”.
Duket se Erdogani e ka dërguar vendin e vet nga “zero probleme” te probleme ndërkombëtare gjithkund.
g.shqip