Love
βeℓℓe â๓e
- Së shpejti nuk do të jetë më e nevojshme të jeni milioner për të vizituar hapësirën, teknologjia e re do ta mundësojë me çmimin më të arsyeshëm
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditura planet e saj për të siguruar një raketë 60 milionë paund, me motor revolucionar, që bën të mundur largimin e njerëzve nga Toka për t’i çuar në stratosferë për vetëm 15 minuta.
Motori është quajtur “Sabre” dhe është pjesë e raketës së ndërtuar prej firmës britanike “Reaction Engines”. Kjo e fundit pretendon se “Sabre” mund të përdoret për të ndihmuar për përshpejtimin e avionëve ekzistues pesë herë më shumë se shpejtësia e zërit dhe se firma planifikon të përdorë teknologjinë në një “avion hapësinor” të quajtur “Skylon”.
“Reaction Engines” me bazë në Oxfordshire shton gjithashtu se me këtë shpejtësi, një avion mund të udhëtojë nga SHBA-ja drejt Australisë për më pak se pesë orë.
David Willetts, ministër i Universiteteve dhe Shkencës, tha se investimi i kryer mbi “Sabre” do të siguronte mbështetje në një “fazë vendimtare” për të lejuar ndërtimin e një prototipi me përmasa reale.
Si punon motori “Sabre” i raketës?
Motorët e aviacionit, si ata tradicionalë dhe ata të sotëm, kanë enë të mëdha të oksigjenit të lëngshëm me vete, sepse kur udhëtojnë më shumë se 1.900 milje në orë, motorët nuk mund të “marrin frymë”. Oksigjeni e ndihmon një motor të djegë karburantin e nevojshëm për të siguruar fuqi shtytëse.
Motori “Sabre” është projektuar të përdorë një sistem gypash të mbushur me helium. Ajri kalon përmes gypave dhe heliumi ndihmon në largimin e ndonjë mbingrohje dhe oksigjeni qëndron në motor.
Kur është në hapësirë, motori është në gjendje të ndryshohet në opsionin e raketës. Kjo nënkupton se mjeti mund të udhëtojë në orbitë për rreth 36 orë dhe të lëshojë satelitë, për shembull.
Alan Bond, themelues i “Reaction Engines”, tha për “International Business Times”: “Raketat kanë ngecur në një pengesë. Problemi i peshës lë të kuptohet se kushton shumë para për të lëshuar qoftë edhe satelitin më të vogël.
Problemi fillestar është se kur thithet ajër në një shpejtësi të madhe, në mënyrë të vetvetishme ky ajër ngrohet deri në temperaturën 1000 gradë Celsius, që është një ngrohtësi e paimagjinueshme.
Sfida ishte të ftohej deri në 140 gradë Celsius në një hapësirë kohore prej një të qindtën e sekondës, koha që i duhet ajrit për të kaluar në motor.
“Sabre” do të lejojë lëshimin e satelitëve nën një kosto më të ulët, do të bëjë të mundur krijimin e stacioneve hapësinorë apo edhe ndërtimin e raketave të tjera që do të ndihmojnë në misionet mbi planetët e tjerë. Këto kanë qenë ide të mrekullueshme britanike që kanë dështuar në të shkuarën.”
“Skylon” mund të shikohet si një konkurrent për biznesin “Virgin Galactic” të Richard Branson, në të cilin njerëzit mund të përjetojnë gjashtë minuta pa gravitet gjatë një udhëtimi nënorbital.
Branson dhe kompania e tij “Virgin Galactic” ofron udhëtime në hapësirë për një çmim prej 121.000 paund. Pritet që “Skylon” të ofrojë udhëtime të ngjashme për një çmim më të lirë, që akoma nuk është deklaruar. Ka zëra nga kompania krijuese se “Skylon” mund ta reduktojë koston deri në 95 për qind.
Motori “Sabre” ka rezultuar i suksesshëm në 100 teste dhe projektimi i tij është vlerësuar pozitivisht prej Agjencisë Europiane Hapësinore.
“Avioni hapësinor” “Skylon” mund të udhëtojë me një shpejtësi prej 3.500 miljesh në orë kur të përshtatet me motorin revolucionar “Sabre”. Pritet që “Skylon” të ofrojë udhëtime në hapësirë për publikun e gjerë dhe se do të jetë një kundërshtar i fortë i fluturimeve aktuale të “Virgin Galactic” të Richard Branson.
- Firma britanike “Reaction Engines” ka krijuar motorin “Sabre” të raketave, që kushton 60 milionë paund dhe që të çon në hapësirë për 15 minuta Nëse motori do të instalohej në avionët e zakonshëm, udhëtimi SHBA-Australi do të bëhej për më pak se pesë orë
Kompania “Virgin Galactic” ofron udhëtime në hapësirë, që u mundësojnë njerëzve të përjetojnë mungesën e gravitetit për 6 minuta me një çmim prej 121.000 paund
Nga testet e deritanishme mendohet se teknologjia revolucionare mund të përdoret për turizëm hapësinor me kosto 95 për qind më të ulët