Traktati ekonomik mes shqiptarëve.

Në kohën kur po bisedohet mundësia e firmosjes së një Traktati Paqeje mes Kosovës dhe Serbinë, kam bindjen se debati duhet të fokusohet më shumë në firmosjen e një Traktati mes Shqipërisë dhe Kosovës. Me një vullnet politik të të dy vendeve, ky akt do të ishte lehtësisht i realizueshëm, nëse marrim si model integrimin evropian. Ndërsa implementimi i këtij dokumenti do të arrihej me ndihmën e ekspertëve shqiptarë të fushave të ndryshme në të dy vendet.

Bazamenti i këtij bashkëpunimi do të duhej të fokusohej fillimisht në fushën ekonomisë dhe pastaj, me kalimin e kohës, edhe në çështjet e politikës së jashtme, të sigurisë dhe në çështjet e drejtësisë.

Traktati ekonomik do të përfshinte uljen apo heqjen e taksave doganore për importe dhe eksporte dhe pagesave të tjera, që kanë efekt të barasvlershëm me taksat doganore, ndalimin e kufizimeve sasiore në importe dhe eksporte ndërmjet dy shteteve, liberalizimin e tregtisë së mallrave, liberalizimin e shërbimeve, kapitalit etj. Këto do të ishin dispozitat e përgjithshme, ndërsa specifikimet për çdo fushë dhe sektor të ekonomisë do të bëheshin përmes akteve të tjera ligjore, rregulloreve apo direktivave të ngjashme me ato që zbatohen brenda Bashkimit Evropian.

Liberalizimi i tregtisë së mallrave do të mundësonte që secili prodhues në këto dy shtete të ketë në dispozicion një treg potencial prej 6 milionë konsumatorësh, që i jep mundësi në tërësi ta shfrytëzojë ekonominë nga ky volum. Ndërkaq, secili konsumator, gjithashtu, është i lirë të bëjë pazar atje ku do të ofrojnë oferta me kushte më të mira dhe më të lira.

Ndërkaq, liberalizimi i shërbimeve do të rriste konkurrencën në mes kompanive të dy vendeve, të cilat, në këto rrethana, do të detyroheshin të ofrojnë shërbime më cilësore, më të mira dhe me çmime më të volitshme. Kjo do të rriste mundësinë e tyre për të konkurruar edhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjithashtu, do të mundësohej e drejta e themelimit dhe punësimit pas asnjë lloj diskriminimi.
Me të drejtën e themelimit ose hapjes së kompanive, pastaj degëve apo filialeve, kompanitë e dy vendeve do ta zgjeronin veprimtarinë e tyre ekonomike. Ndërsa e drejta e punësimit do t’u mundësonte kompanive qasje në resurset njerëzore në të dyja vendet dhe pa asnjë burokraci administrative.

Zbatimi i këtij Traktati do të garantohej me Themelimin e Gjykatës Shqiptare të Drejtësisë, e cila do të interpretonte dhe zbatonte dispozitat e Traktatit. Në këtë mënyrë, personat fizikë dhe juridikë, në pamundësi për t’i realizuar të drejtat e tyre, do t’i drejtoheshin Gjykatës, vendimet e së cilës do të kenë epërsi ndaj gjykatave dhe ligjeve vendore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Me këtë do të eliminohej praktika e deritanishme, ku qindra marrëveshje janë firmosur mes dy vendeve në planin ekonomik, atë të drejtësisë, sigurisë dhe sferave tjera, mirëpo fatkeqësisht asnjëherë nuk janë zbatuar.

Ndërkaq, në fushën e politikës së jashtme si fillim mund të zbatoheshin disa veprime më simbolike, që do të parashihnin një diplomaci të përbashkët, me hapjen e ambasadave të përbashkëta për të dyja vendet në shtetet mike.

Ndërkaq, në fushën e sigurisë dhe çështjeve të drejtësisë do të duhej të thellohet bashkëpunimi ushtarak, policor në fushën e drejtësisë e kështu me radhë.
Pas zbatimit të plotë të Traktatit në çështjet e ekonomisë, do të hapej mundësia për thellimin e këtij integrimi, i cili do të çonte në një bashkim politik. Për këtë synim duhet gjetur momenti dhe koha.

I gjithë ky projekt nuk duhet të përcillet me folklorizëm dhe patriotizëm të rrejshëm, siç po ndodh tani, për t’u ikur problemeve aktuale në të dy vendet, por me vullnet, punë dhe angazhim konkret.

Ky plan do të ishte një paradhomë për dy shtetet në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

Krejt kjo mund të realizohet pa asnjë një pengesë, për faktin se qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë i përkasin një kombi dhe një historie të dhimbshme, duke ndarë fatin e njeri-tjetrit në një luftë mbijetese kombëtare, nën sulmet e fqinjëve dhe qarqeve ekspansioniste dhe gjenocidale.


(c)Shqiptarja.com
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top