Tokë të pashkelur – Epoka e patronazhistëve, seria III


EDITORIAL / Për shqiptarët dhe Shqipërinë, rrëzimi i diktaturës të llojit më të egër komunist nuk ka qenë i lehtë e pa dhimbje. Për rrjedhojë, edhe rruga e demokracisë u shfaq e vështirë e me shumë pengesa. Shumë nga ne kanë qenë me shpresën që do të shikonin një fund të kësaj rruge, për të dalë, më në fund, përballë një horizonti të pastër europian të aq dëshiruar.
Por, pavarësisht kësaj, globalizimi, zhvillimi teknologjik, regjimet e lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, hapja e dritareve me botën demokratike, ndihmuan që edhe ajo demokraci e brishtë, e thyeshme herë pas here, të shtresëzohej.

Në vitet e fundit, ora e konsolidimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut u çakordua; u zbehën me shpejtësi optimizmi që sillte epoka e globalizimit në jetën e shqiptarëve dhe demokracia e institucionet shqiptare, së bashku me ekuilibrat dhe kontrollet e tyre, qoftë edhe të brishta, filluan të zhbëhen.
Madje sot, pasi Partia Socialiste mori mandatin e tretë, mund të themi me plot gojën: Shqiptare e Shqiptarë!. Mirë se vini në epokën e hipokrizisë dhe mrekullisë virtuale.

Mirë se (ri)vini zyrtarisht në epokën e patronazhistëve:

-Aty ku thuhet se vota është e lirë, ku nëse je trim edhe mund të votosh si do, por ti do të duhet ta dish që dikush e di që ti po vepron kështu dhe herët a vonë, do të duhet të ballafaqohesh me këtë zgjedhje tënden.
-Aty ku individi shkon të votojë, por ia përndjekin votën me një sërë mekanizmash “vëzhgues” dhe tentojnë t’ia deformojnë përfaqësimin me sisteme zgjedhore në funksion të një partie.
-Aty ku pretendohet se individi ka të drejtë të jetojë si do, por është gjithnjë nën mbikëqyrje dhe presion të tjetërsojë individualitetin dhe karakterin e vet.
-Aty ku drejtësia thuhet se po reformohet, por vështirë se mund të gjesh drejtësi.
-Aty ku aftësia e individit eklipsohet plotësisht, nëse nuk ke dorën e ngrohtë të “patronazhit” të partisë.
-Aty ku krimi me ligj ndalohet e dënohet, por e gjen kudo e deri duke bërë fushatë dhe ndoshta edhe duke u zgjedhur.
-Apo aty, ku polici që duhet të të mbrojë, në fakt bën sikur nuk shikon e madje largohet në drejtim të paditur.
-Aty ku, edhe për vaksinimin e shpejtë, për të ruajtur shëndetin e popullit, duhet të falënderojmë Zotin që përkoi me fushatën elektorale.
Në demokraci është populli që vendos me votë dhe nëse sovrani e dha verdiktin për një mandat të tretë, të gjithë do të na duhet ta pranojmë, qoftë edhe për hir të dinjitetit të shtetit e të vendit.

Dilema

Dilema, po ashtu, ngrihen se si do të jetë reagimi i jashtëm dhe i brendshëm (nëse do të ketë ndonjë) ndaj problemeve kryesore që dolën në pah nga kjo fushatë. Por, në funksion të mbrojtjes së demokracisë dhe pengimit të varrosjes së saj, nuk mund të qëndrojmë pa vënë pikëpyetje për rrugën që vota dhe e drejta për të votuar ka ndjekur:

Abuzimi i shtetit në funksion të sigurimit të votës. Nëse është një prirje e kahershme rritja e lartë e shpenzimeve parazgjedhore, edhe kur buxheti është në vështirësi dhe përdorimi i të gjithë institucioneve shtetërore për qëllime elektorale, në këtë fushatë, ky përdorim kaloi në përmasa abuzimi. U përdorën në funksion të kësaj fushate edhe fatkeqësitë e shqiptarëve të dëmtuar nga tërmeti, apo pandemia. U përdorën buka, streha dhe shëndeti dhe në një vend të varfër si Shqipëria, kjo duket sikur e kapërcen cakun moral të këtij përdorimi, për të kaluar në abuzim.

Përdorimi i të dhënave individuale sensitive të shtetasve shqiptarë, të dhëna të mbrojtura nga Kushtetuta e ligji dhe të dorëzuara vetëm në institucione apo platforma elektronike shtetërore, në funksion të zgjedhjeve e ndikimit të votës nga partia në pushtet. Lista e votuesve potencialë, e plotësuar me të dhëna private, qartazi të nxjerra nga sisteme institucionesh zyrtare të dhënash, që u bë publike një javë përpara zgjedhjeve nga lapsi.al, përtej ilaritetit dhe neverisë që krijoi me të ashtuquajturit patronazhistë, ishte dëshmi e qartë e abuzimit të të dhënave private, të cilat gjenerohen apo ruhen nga institucionet shtetërore, për daljen e të cilave, askush nuk u ngarkua me përgjegjësi.
Fenomeni, qartësisht, krijoi klimën e përndjekjes së bindjeve dhe mendimit politik të çdo shtetasi votues dhe atmosferën e përndjekjes deri në detaj të çdo individi. A mund të flitet për votim të lirë e të drejtë në një mjedis të tillë, kur për më tepër, sistemi patronazhist u mbrojt me forcë e arrogancë nga udhëheqësit e partisë-shtet.

Përdorimi i administratës, si zgjatim i partisë në pushtet, për të ndikuar / për të detyruar votën ose mosvotimin. Ndonëse administrata, me ligj, është në një masë jo të vogël e depolitizuar, socialistët në pushtet përdorën një armatë të tërë njerëzish, të cilët punojnë në institucionet shtetërore, që me hir apo me pahir, u vunë në dispozicion të fushatës zgjedhore, duke iu kërkuar deri plotësimi i listave me të afërm e të njohur dhe të bindjeve politike përkatëse dhe kujdestaria për të votuar brenda orës së përcaktuar nga partia (nuk jemi larg variantit si dikur para ’90-s, që votimi duhej të përfundonte në orën 7:00 të mëngjesit).

– Përdorimi i krimit “për të blerë” / “për të detyruar” votën, i cili nuk u zhduk, por u spostua më në periferi, apo u transformua për ta bërë edhe më të pranueshëm “tërmetin”.

– Politizim i skajshëm i organeve ligjzbatuese. Terri dhe keqinformimi aq flagrant për ngjarjen e Elbasanit, e cila, jo vetëm ditën që ndodhi, por edhe sot, mbetet e pazbardhur, paçka se ndodhi në sytë e hundën e disa drejtuesve të Policisë së Elbasanit, në një kohë që do të ndihmonte votuesin potencial të kuptonte nëse kishim të bënim vërtet me një rast të shitblerjes së votës apo çfarë dinamike pati dhuna në të, që votuesi, me vetëdije, të ndëshkonte dhunuesin e të drejtave të tij.

– Reagimi i një sistemi të ri të “drejtësisë së reformuar” ndaj të gjithë makinacioneve për deformimin e votës ka qenë pothuajse minimalisht joekzistent, për të mos thënë i njëanshëm, duke përndjekur “lajmësin” në vend të keqbërësit. Rasti më flagrant është pikërisht vjedhja e të dhënave personale nga sisteme shtetërore, një rast i cili në vendet demokratike do të ishte shndërruar në skandal shtetëror, me shumë dorëheqje e përgjegjësi, por jo për drejtësinë shqiptare, ku “fajtori” i vetëm është “Lapsi”. Dhe skandali arriti deri aty sa u desh ndërhyrja e Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut kundër aksionit sekuestrues të SPAK.

– Dhe, qershia mbi tortë ishte triumfi i PSD, që nxori në pah fenomenin e daljes së partive që funksionojnë mbi një skemë të re të marrjes së mbështetjes për votën. Një parti, pa shpalosje programi e pa prani publike në fushatë, për çudi arriti të bëhej faktor konsolidues i partisë në pushtet apo i partisë-shtet, pasi mblodhi mbi 33 mijë vota në kuti, duke ua kaluar bindshëm alternativave të reja dhe deri diku, shpresëdhënëse ndaj dy “ujqërve” të vjetër.
Për sa kohë që “epoka e patronazhistëve dhe shtetit në funksion të pushtetit” ka qenë kaq mbizotëruese e frymëmarrëse, askush nuk do të dijë asnjëherë se si do të ishte rezultati real i zgjedhjeve. Askush nuk mund të thotë se cili është vullneti real i votuesve, nëse votuesit do të mund të votonin lirisht e të çliruar, dhe këto makinacione, të mos ishin në funksionim.
Ndoshta, një reagim në heshtje, është numri i ulët i votuesve në zgjedhje (45.7% është pjesëmarrja më e ulët në zgjedhje pas vitit 1992) apo edhe numri i lartë i fletëve të votimit që dolën të pavlefshme, mbi 80 mijë, ose rreth 5% e atyre që kanë votuar, duke dalë partia e katërt në këto zgjedhje dhe që do të ishin të mjaftueshme për të prodhuar edhe 6-7 mandate të tjera.
Për sa kohë që kjo situatë vazhdon, parullat e bukura “të rifillojmë punën për rindërtimin” apo të mos humbasim më shumë kohë me zgjedhjet se “nuk ka kohë për pushim”, nuk do të bëjnë gjë tjetër, veçse do të thellojnë regjimin e segregacionit të shqiptarëve në palën që mirëtrajtohet (jo në funksion social, por thjesht klientelist), sepse shërben si rezervat vote; dhe në palën subjekt patronazhimi, në funksion të presionit e kufizimit të së drejtës së votës e të të drejtave të njohura me ligj në përgjithësi. Dukshëm, kjo palë do të riformojë shtresën e të “persekutuarve” në shoqërinë shqiptare, një nga fenomenet më të urryera të diktaturës 50-vjeçare.
Dhe ky segregacion do të shërbejë, padyshim, edhe si një forcë që shtyn drejt përqendrimit të ekonomisë e mundësisht të kryerjes nga shteti apo nga koncesionari i tij i shërbimeve, që nuk është në funksion të fuqizimit të ekonomisë së tregut, apo nxitjes së konkurrencës së lirë e ofrimit të shërbimeve më të lira e më të mira për konsumatorët, apo të më shumë mundësive për shtetasit e këtij vendi, në mënyrë të drejtë.
Shembuj që e vërtetojnë këtë prirje ka plot në vitet e mëparshme, dhe janë shembuj se modeli i partisë-shtet po futet gjerësisht dhe në ekonomi, gjë që do të përkeqësojë më tej klimën e biznesit në vend, do të mbajë edhe më larg investitorin e huaj serioz dhe do të shuajë çdo nismë ekonomike.

Sepse, në këtë rast, ekonomia do t’i “vidhet” individit, jo thjesht për pasurim pushtetarësh, por që t’i shërbejë sërish qëllimit për të cilin është përdorur deri tani, në këmbim të votës për mandatin e radhës.
Për ta shndërruar përfundimisht tokën “e pashkelur” në tokën “e vjedhur”.

/Monitor
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top