sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
Një 12-vjeçar i shpëtoi vdekjes për vetëm pak centimetra, ndërsa po kërkonte topin e tij të futbollit në Britaninë e Madhe.
Josh Hassan ishte duke luajtur, kur topi kaloi përtej një muri pranë shtëpisë.
Në tentativë për të rikuperuar topin, i riu u ngjit mbi mur, por humbi barazpeshën dhe u rrëzua mbi kangjellat e mprehta të një porte.
Njëra prej kangjellave shpoi kraharorin e të riut, britmat e të cilit alarmuan fqinjët dhe nënën, që pavarësisht situatës tregoi një gjakftohtësi olimpike, duke i kërkuar personave të tjerë që erdhën në ndihmë që vetëm të mbanin peshë të birin, në mënyrë që kangjella të mos të bënte dëme shtesë, ndërsa kërkoi që të mos përpiqeshin që ta nxirrnin të birin nga "kurthi" ku kishte përfunduar pa mbërritjen e shërbimeve të urgjencës, për shkak të mundësisë së ndonjë hemoragjie apo dëmi të parikuperushëm.
Minuta më pas, shërbimet e urgjencës prenë kangjellën dhe shoqëruan me urgjencë të riun në spital, ku në sallën e operacionit iu hoq "heshta" që i tejshpoi kraharorin.
Për fatin e tij të mirë, shufra e hekurit kishte shpëtuar nga prekja e mushkërive apo zemrës për vetëm pak centimetra.
12-vjeçari pësoi vetëm thyrje brinjësh dhe u kurua për plagët e tij të thella, por aktualisht është duke u rikuperuar dhe do të rikthehet të luajë përsëri futboll, edhe pse mbase këtë herë do të jetë më i kujdesshëm kur të shkelmojë më fort se sa e kishte planifikuar topin e tij të dashur. / Top Channel