Tatimet: Si të regjistroheni dhe të përdorni Platformën Qendrore të Faturave

Nga 1 korriku procesi i fiskalizimit do të nisë për bizneset që mes tyre operojnë me transaksione pa para në dorë.

Featured image of article: Tatimet: Si të regjistroheni dhe të përdorni Platformën Qendrore të Faturave


Nga 1 janari 2021 në vend ka nisur lëshimi i faturave elektronike për bizneset që kryejnë transaksione pa para në dorë me entet publike.

Nga 1 korriku procesi i fiskalizimit do të nisë për bizneset që mes tyre operojnë me transaksione pa para në dorë.
Bizneset e vogla do të nisin të lëshojnë fatura elektronike nga 1 shtatori i këtij viti. Deri në përfundim të dy fazave të para që nga administrata tatimore konsiderohen tranzitore të gjitha bizneset mund të përdorin pa pagesë portalin Self Care për lëshimin e faturave elektronike.
Tatimet nëpërmjet një video sqarojnë hapat që duhet të ndjekin tatimpaguesit për t’u regjistruar në platformën qëndrore të faturave.

Në adresën e Platformës Qendrore të Faturave, https://efiskalizimi-app.tatime.gov.... , fillimisht duhet të pranoni “Termat dhe Kushtet” dhe më pas të klikoni “Identifikim nëpërmjet e-Albania”. Automatikisht do të drejtoheni në portalin e-Albania. Vendosni kredencialet e llogarisë tuaj në këtë portal, pra NIPT-in dhe Fjalëkalimin tuaj, dhe menjëherë do të log-oheni në portalin Self-Care.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj. Delina Ibrahimaj në një intervistë për Monitor më herët kërkoi që edhe bizneset e vogla të nisin të përdorin portalin pa pagesë Self-Care në versionin test, për t’u familjarizuar me procesin. Znj. Ibrahimaj tha se deri tani janë lëshuar mbi 560 mijë fatura elektronike. Numri i tatimpaguesve të përfshirë në procesin e fiskalizimit nga data 1 Janar deri tani është 3,004.
Administrata Tatimore ka organizuar në mënyrë të vazhdueshme trajnime për tatimpaguesit, duke nisur që nga viti i kaluar dhe do të vijojë edhe në muajt në vijim, kjo edhe në bashkëpunim me shoqatat e kontabilisteve për të pasur mbulim sa më të gjerë.
Deri më datë 9 prill 2021, në trajnimet e zhvilluara në të gjitha Drejtoritë Rajonale Tatimore, kanë marrë pjesë 17,943 pjesëmarrës, nga të cilët 1,252 janë ente publike, 15,290 tatimpagues si dhe 1,401 kontabilistë. Ndërkohë janë zhvilluar gjithashtu edhe 10 trajnime në bashkëpunim me shoqatat e ekspertëve dhe kontabilistëve, me një shifër prej 1,250 pjesëmarrësish.


Fiskalizimi/ Si do veprojnë bizneset që ndodhen në zona pa mbulim të përhershëm interneti


Për të gjithë bizneset që operojnë në zona pa mbulim interneti administrata tatimore sqaron procedurat që duhet të ndjekin para lëshimit të faturave tatimore.
Sipas tatimeve këto subjekte duhet të njoftojnë 24 orë para nisjes të lëshimit të faturave zyrën rajonale të tatimeve.
Nëse mungesa e përhershme e internetit vërtetohet edhe nga AKP, për këtë biznes lëshohet konfirmimi për 1 vit për pamundësinë e përdorimit të platformës elektronike të lëshimit të faturave.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për këto subjekte bën këtë sqarim:
Ligji Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit” i ndryshuar, i fillon efektet sipas fashave si vijon: për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 janar 2021; për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021; për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.
Për të gjithë tatimpaguesit subjekte të këtij ligji, që operojnë në zona pa mbulim interneti, procedura që ndiqet është si vijon:
Tatimpaguesi që operon në një zone pa mbulim internet duhet të njoftojë administratën tatimore për pamundësinë e krijimit të një lidhje elektronike (internet) për shkëmbimin e të dhënave me sistemin e informacionit të administratës tatimore në vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit të vendosura në zonë pa lidhje të përhershme në internet.

Para njoftimit, tatimpaguesi që lëshon fatura duhet të kontrollojë disponueshmërinë e shërbimit të hyrjes në internet për vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit në të cilin ai kryen veprimtarinë ose një pjesë të veprimtarisë.
Detyrimet e prapambetura të sigurimeve shoqërore/ Ministria e Financave jep sqarim | CNA.AL
Njoftimi do të bëhet përmes platformës qendrore të faturave ose nëse tatimpaguesi që lëshon fatura nuk mund të hyjë në atë platformë, përmes formularit “Informacione për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit”, që do të dorëzohet në zyrën vendore përgjegjëse të administratës tatimore, sipas vendit për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit ose vendbanimit të tij, të paktën 24 orë para fillimit të lëshimit të faturave në atë vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.
Administrata tatimore nga ana e saj do të bëjë verifikimin e saktësisë së pretendimeve bazuar në të dhënat zyrtare të përcjella nga AKEP.
Nëse konfirmohen pretendimet e tatimpaguesit se ne zonën ku ai operon nuk ka mbulim internet, Administrata tatimore lëshon një konfirmim në formë elektronike, i cili do të ruhet në platformën qendrore të faturave në llogarinë personale të tatimpaguesit dhe me kërkesën e tij/saj të dërguar në postën elektronike të tij/saj, të deklaruar në formularin e aplikimit, me një periudhë vlefshmërie prej një viti. Pas një viti, tatimpaguesi duhet të përsërisë procedurën e njoftimit.
Në këto raste, procedura e fiskalizimit te faturave bëhet sipas parashikimeve të nenit 31, të 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit” i ndryshuar dhe nenit 34, të Udhëzimit nr. 16,datë 03.04.2020, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit”.

/Monitor
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top