! - !
Once upon a time...
Nga Ben Blushi
Isha në Xhaminë e Shkodrës. Një vajzë e mbuluar u afrua te hyrja e grave.
– Të të bëj një fotografi?- e pyeta.
– Nuk është e mundur,- tha ajo.
– Fotografia ime nuk është për keq,- i thashë.
– Ky është Ben Blushi,- tha një grua tjetër,- pranoje, nuk ka problem.
– Për çfarë i bën këto foto?- tha vajza.
– Dua të bëj një libër me njerëz të bukur,- thashë unë.
– Mendon se jam e bukur?
– Shumë,- i thashë.
– Mirë, por a mund të më nxjerrësh vetëm me kurriz?- tha vajza.
– Të paktën në profil,- i thashë.
– Sot jam pak e skuqur,- tha vajza.
– Si quhesh?- e pyeta.
– Sonada.
– Sonata?
– Ma ngatërrojnë shumë njerëz, Sonada, jo Sonata!
– Kur je mbuluar?
– 14 vjeç.
– Je e lumtur?
– Shumë e lumtur.
– Po mami është e mbuluar?
– Mami u mbulua 2 muaj përpara meje.
– Pra ti u mbulove nga mami?
– Unë u mbulova, sepse e ndjeva.
– Po motra është mbuluar?
– Motra është praktikante, nuk është mbuluar, por mezi po pret.
– Dëgjon muzikë?- e pyeta.
– Është e ndaluar,- tha Sonada.
– Po si mund të jetosh pa muzikë, a ka gjë më të bukur?- e pyeta.
– Është e provuar që muzika dëmton veshët- tha Sonada.
– Po në dasma shkon?
– Kam shkuar,- tha Sonada.
– Nuk ke kërcyer asnjëherë?
– Pothuajse nuk kërcej,- tha Sonada.
– Duhet të dëgjosh muzikë,- i thashë,- nuk ka asgjë të keqe.
– Këngët kanë shumë fjalë të papërshtatshme,- tha Sonada.
– Sa vjeç je?
– 19.
– Çfarë shkolle ndjek?
– Për infermieri.
– Të lejojnë në shkollë të mbuluar?
– Po aty ka dhe vajza të tjera si unë.
– Kur do martohesh?
– Kur ta vendosë Zoti.
– Po si do njihesh me dikë kur nuk del, nuk dëgjon muzikë, nuk shkon në disko dhe nuk të lejohet të takosh djem?
– Përmes lutjes,- tha Sonada.
– Pra ti lutesh edhe për të gjetur një djalë?- e pyeta.
– Unë kam përcaktuar karakteristikat e njeriut me të cilin dua të jetoj dhe lutem që ai të shfaqet.
– Po a gjendet burri duke u lutur?
– Edhe familja mund të ndihmojë,- tha Sonada.
– Pra do fejohesh me mblesëri?
– Mblesëria nuk është e keqe, por familja nuk do bëjë asgjë pa më pyetur mua.
– Çfarë është Zoti për ty?
– Zoti është diçka kaq e madhe sa nuk përshkruhet dot me fjalë.
– A mund ta hedh foton tënde në Instagram?
– Mund ta hedhësh.
– Je një vajzë shumë e mirë Sonada.
– Duhet të iki,- tha Sonada.
– Do marrësh abdes?- e pyeta.
– E mora abdesin, tani do lutem.
– Lutje të mbarë!- thashë unë.
– Faleminderit!- tha Sonada.
Albanianpost.com