TIRANE - Dihet që në ditët e ftohta rreziku për t’u prekur nga virozat e stinës është më i madh. Një nga faktorët më të rëndësishëm për parandalimin e këtyre virozave është ushqyerja e shëndetshme. Funksionimi i mirë i sistemit imunitar përbën një nga pjesët kryesore në shëndetin e organizmit tonë. Dietologia Rolina Naço sqaron, se përbërës të ndryshëm të ushqimeve janë të nevojshëm për të forcuar sistemin imunitar në mënyrë natyrale, por në të njëjtën kohë disa abuzime me alkoolin, sheqerin apo edhe në mënyrën e të ushqyerit mund të ndikojnë në dobësinë e sistemit imunitar.
Sistemi imunitar dhe kaloritë ditore
Dietologia Naço thotë se faktori i parë dhe ndoshta më i rëndësishmi që ndikon në funksionimin e sistemit tonë imunitar është marrja e energjisë me anë të ushqimit. Persona të cilët nuk arrijnë të marrin sasinë kalorike që kanë nevojë në ditë, duke përfshirë dhe ata që janë duke ndjekur dieta me kalorazh mjaft të ulët (më pak se 1100 kcal) janë më të predispozuar për infeksione ose viroza të ndryshme. Gjatë kohës që një person mund të jetë me grip, atëherë simptomat do zgjasin për një kohë më të gjatë, nëse ai është duke marrë më pak kalori ose nuk ushqehet mirë.
Ushqimet
Dietologia Rolina Naço sqaron se vitamina A, C, B6, E, seleni dhe zinku janë aleatët më të mirë të sistemit tonë imunitar. Vitamina A nxit dhe përforcon shumë parametra dhe burimet kryesore të saj janë: Mëlçia, bulmeti, gjalpi dhe veza. Vitamina C është gjithashtu shumë e rëndësishme për mbrojtjen e trupit, pasi kontribuon në rritjen e prodhimit të qelizave të bardha, si dhe nivelin e duhur të interferonit, një proteinë që ka një rol të rëndësishëm në shumëfishimin e viruseve. Vitamina C mban gjithashtu në gjendje shumë të mirë venat e gjakut, ndihmon në absorbimin e hekurit dhe ndikon në shërimin e shpejtë.
Sheqeri dhe alkooli
ثshtë vënë re në disa studime, se sheqernat e thjeshta si glukoza, fruktoza, sheqeri i thjeshtë që përdorim çdo ditë etj., ulin aftësinë fegocituese të qelizave neutrofile të sistemit imunitar (mekanizma të organizmit tonë). Kjo zgjat 5 orë, pasi ne mund të konsumojmë rreth 100 gr karbohidrate në formën e sheqernave. Konsiderohet se konsumimi i tepërt i sheqernave( jo në formën e amidonit ose të drithërave integrale) dhe veçanërisht gjatë një gripi ndikon në uljen e mbrojtjes imunitare. Gjithashtu, kjo përkeqësohet edhe nëse gjatë një viroze konsumojmë alkool (edhe sasi të vogla), i cili ndikon në parametra imunologjikë të organizmit tonë, ndaj pije si likeri mund të jenë aleatët më të mirë të gripit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)