Sinagoga e Sarandës

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Saranda e sotme, (që e ka origjinën nga Hagioi Saranda manastiri i Dyzet Shenjtorëve, ndërtuar në shek. VI në majë të malit që ngrihet mbi qytet), është një nga portet bregdetar të Epirit të Vjetër, në ekstremin jugor të Shqipërisë, përball ishullit të Korfuzit, dhe 20 km nga Butrinti. Njohja e urbanizmit të saj si dhe studimi konkret i monumenteve, paraqet vështirësi, fenomen ky që ndodh në pjesën më të madhe të qendrave ku qyteti modern zëvendëson atë antik. Mbetjet e konsiderueshme të një kompleksi sinagoge, të shek. V e VI në qendër të qytetit, ishin objekt i studimit dhe gërmimit arkeologjik të kryer gjatë vitit 2003.130 Bazilika paleokristiane, e gërmuar gjatë disa sezoneve arkeologjike, rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë nga Kosta Lako përbën fazën përfundimtare të transformimit të kompleksit të kultit hebraik në ndërtesë të kultit kristian. Ndërkohë, kompleksi i sinagogës, brenda dhe krejtësisht pranë murit rrethues, rezultoi si një skenë e disa ndryshimeve, ku në fazën e saj të fundit u transformua në kishë. Interesi ynë më i madh, këtë vit u përqendrua, kryesisht në dy dysheme me mozaikë, njëra që mbart një shandan shtatë-krahës menorah dhe e dyta, ajo që mbulon pjesërisht nefet e bazilikës (e cila u ndërtua këtu gjatë historisë së kësaj qendre, mesa duket për të funksionuar si sinagogë). Shandani shtatë krahës, menorah, i përkiste një tapeti (kryesisht të zbukuruar me motive gjeometrike dhe florale). Ai përfshinte gjithashtu një etrog (qitro, pa shije por me aromë) së bashku me një shofar (bririn e dashit) që të dy, janë simbole të rëndësishëm hebraikë që shoqërojnë zakonisht (menora-në dhe janë përdorur gjatë atë festave fetare.
Gjatë gërmimit prej dy javësh në Sarandë, u eksplorua gjysma e dhomës me menorah, e cila ishte e mbuluar nga një strukturë bashkëkohore. Gërmimi, ishte vazhdim i atij të kryer gjatë viteve 80-90. U arrit të zbulohej, një dhomë e gjatë 10 m, megjithëse muri verior i së cilës është i një faze më të vonë, çfarë tregon se ende skemi arritur në limitin verior të fazës së parë të saj. Dhoma ishte e gjerë 5 m, pasi në origjinë kish qenë pak më e gjerë dhe mesa duket me një plan të ndryshëm nga ai më i vonëshmi. Në origjinën e saj, dhoma duhet të ketë patur formë L-je. Gjurmët e murit më të hershëm në anën lindore, si dhe dyshemeja me mozaikë që futet nën murin lindor, ndarës të dhomës nga rezervuari i mëvonshëm i ujit A, dëshmojnë këtë fakt. Edhe sondazhi i kryer në korridorin ndërmjet dy rezervuarve të ujit dhe ambienteve në veri, dëshmoi po të njëjtën gjë. Murit i bashkëngjitej një sistem kanalizimi që kalonte përgjatë dhomës me menorah dhe dilte në oborrin e shtruar me pllaka guri.
Gërmimi i rregullt që u krye gjatë këtij sezoni të parë (megjithëse në gjysmën e dhomës), dëshmoi se ajo ishte e shtruar e gjitha me mozaikë, përveç një pjese në hyrjen e mëvonshme të anës veriore. Kështu u zbulua muri verior i saj por që i përket një faze të dytë. Po të kësaj faze janë dhe pilastrat e mbështetura në murin perëndimor. Hyrja në anën veriperëndimore, i përket fazës së parë ndërkohë që shkallarja duket si e ribërë. Dyshemeja ishte e mbuluar nga një shtresë e dendur djegie në të cilën u gjet material i bollshëm arkeologjik, qeramikë (amfora importi, enë kuzhine dhe tryeze të shek. IV – VI). Ndërtesa është shkatërruar nga një zjarr i fuqishëm në çerekun e fundit të shek. VI pasi ndër monedhat e gjetura mbi dysheme, një gjysmë- folis i Justinit II shërben si tenninus post quem. Sipas studiuesve ajo është një prerje e Selanikut në vitin e IV të sundimit të Justinit II (565-578) dhe ka qëndruar në qarkullim për një periudhë të shkurtër prej dhjetë vjetësh. Kështu shkatërrimi vendoset rreth 580-ës dhe ndodh në të gjithë kompleksin dhe në përgjithësi në të gjithë qytetin.
Sondazhet e shumta të kryera, në zona të ndryshme të nefit qendror, si dhe midis kolonave ndarëse të anijatës qendrore nga ajo veriore na dhanë mundësinë të ndërtojmë një histori më të detajuar të monumentit. Në stadin aktual të njohjes dhe gërmimeve, çelësi i fazave kronologjike të monumentit, mbeten dyshemetë me mozaikë. Të paktën tre faza dyshemesh me mozaikë, janë identifikuar para realizimit të dyshemesë së bazilikës. Faza më e hershme prezantohet nga dyshemeja me mozaikë në panelin qendror të së cilës paraqiten në pozicion heraldik, dy luanë deti. Stili i mozaikëve përkon me atë tipik romak dhe mund ti vishet dyshemesë së një vile. Dyshemeja në vazhdim (më e vonë se e para) paraqet një dekor krejtësisht metrik dhe përmbledh motive të realizuar me shumë kujdes dhe elegancë. Ajo ndodhet pjesërisht dhe në nefin verior. Të dyja dyshemetë ndodhen në dy anë të ndryshme (veri dhe lindje) të të njëjtit oborr të krijuar para bazilikës.
Studiuesi Kosta Lako gjatë gërmimeve të kaluara ka ndeshur të njëjtën situatë në nefin qendror dhe në gjithë gjatë ambientet e gërmuara. Kështu mbi bazën e monedhave të gjetura në shtresën e djegies së nefit qendror jepet pak a shumë e njëjta periudhë, çereku i fundit i shek. VI. Një situatë e ngjashme është ndeshur dhe në monumente të tjera të gërmuara në qytet, si p.sh. pranë mureve të kalasë. Skena të veçanta të mozaikëve, janë përshkruar në artikullin e zgjeruar mbi bazilikën e Sarandës. Funksioni i ndërtesës, e pajisur me këtë dysheme mozaikësh, mbetet hipotetik. Një sternë u gjet e bashkëngjitur anës lindore të kësaj dyshemeje, direkt nën dyshemenë me mozaikë (paneli i anës lindore të së cilit është shkulur nga specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës në vitet 90 dhe ruhet në Muzeun Arkeologjik të Sarandës). Muri lindor i saj kufizohej nga shkëmbi natyror dhe anët e brendshme ishin veshur me suva hidroizoluese.
Dyshemeja e tretë përfaqësohet nga një mozaik më i vonë, duke veshur një ambient pak më të madh, i cili zë gati gjysmën perëndimore të nefit qendror. Nuk e dimë se si vazhdohet drejt nefit jugor, pasi ai është krejtësisht nën rrugën automobilistike (akoma i pagërmuar). Mozaiku është i punuar jo me shumë kujdes dhe i realizuar krejtësisht me motive eometrike.
Motivet, ngjyrat dhe teknika e punimit janë të njëjta me mozaikun e dyshemesë së dhomës me menorah. Të dy dyshemetë, duhet të jenë realizuar në të njëjtën kohë. Në ndërtimet-ambiente që i përkasin fazave më të hershme se sa ndërtimi i bazilikës, hyn dhe rezervuari i ujit, i shënuar B në plan, i cili është i futur pjesërisht në tokë dhe duhet të jetë bashkëkohor ose me krijimin e mozaikut të fazës së dytë ose me atë të fazës së tretë. Mesa duket bëhet fjalë për rezervuar ritual, mikvaot, të fesë hebraike.
Sondazhet dhe pastrimet e kryera në ambientet e tjera, dy nga të cilët ndodhen përball hyrjes së bazilikës, në anën perëndimore të oborrit, vërtetuan se keto janë të lidhura me kompleksin parabazilikal. Veç shkëmbit natyror, ato nuk dhanë dysheme. Sondazhe u kryen edhe në ambientin në lindje të dhomës me menorah. Duke i përmbledhur ambientet që i përkasin sinagogës më të hershme, ato janë dhoma në formë L-je me menorah në dysheme, rezervuari i ujit (B), pjesa e bashkëngjitur në lindje të dhomës me menorah, dy ambientet në perëndim të oborrit dhe oborri vetë, si dhe ambienti më i madh me mozaik më pak të përpunuar që zë gjysmën perëndimore të nefit qendror. Në një fazë tjetër, mesa duket po nga i njëjti komunitet që përdorte këto ambiente, vendoset të ndërtohet një sallë lutje shumë më e madhe dhe e dekoruar me simbole biblike. Ndërtesa e re mori formën bazilikale me një holl qendror të konsiderueshëm, me një gjerësi prej 8 m dhe anijatat anësore.Nga Laert Mezani
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top