Simfonia e një shpirti

........
Gjërat që me inat fillojnë, me turp do të mbarojnë
Nëse budallenjtë një mençuri pohojnë, atë veç të mençurit duhet ta jetësojnë
Prej mjekëve të gabuar kur shërimin presim, sëmundjes i shpëtojmë, nga ilaçet vdesim
Ushqimi i shpirtrave tanë është dituria nëpërmjet së cilës dashurojmë
ا’na duhet të flasim nëse me çdo fjalë Një Të Vërtetë s’e dëshmojmë?!
Nëse dituria s’është ushqimi yt, në cektësinë e detit zhytësit mos i mbyt
E kundërta e diturisë sëmundje mund të quhet,
“qëndroni larg detit!”, zhytësve nuk u thuhet
Ata janë krijuar për thellësi të këtij deti;
veç sëmundja është ngjitëse, jo edhe shëndeti.

Nëse në këtë jetë një zemër e theve, Zotit kur iu fale, veten e gënjeve…
Pse qan?
Mbase e ke kuptuar se dhimbja që nuk shprehet me lotë e bën zemrën të qajë,
Mosdalja e lotit nga sytë, e mbytë gjithë qenien në vaj
S’prish punë! Edhe syri njerëzor s’u krijua që përjetësisht lotët t’i mbajë
Njeriu dhe natyra janë si fytyra dhe pasqyra
Madje edhe sytë qajnë si retë e qiellit para shfaqjes së ylberit
Ti fshihu ca ditë nga bota e përditshmërisë dhe bëhu rob i vërtetë i Diturisë
Ata që në Qiejt e Dijes fluturuan, një fjalë na e dhuruan:
“Po t’shfaqej ylberi në qiell çdo ditë, s’do ishte i denjë t’ia hidhnim sytë”

Mos qaj se na ikën netët e mbeti vetëm ëndrra, se humbi këngëtari, mbeti vetëm kënga
Se humbën valltarët, mbeti vetëm vallja, nga të gjitha dhimbjet ti je më e madhja.
Dhimbjet e sotme janë gëzimet që i jetuam dje; nëse ke durim, këtë të vërtetë e sheh,
Rrudhat tona të sotme janë vijat e hartës së buzqeshjeve tona të djeshme
Edhe pse rrudhat janë të reja, tregojnë vjetërsinë tonë që s’është e përjetshme
Se ne jemi simfonia e Një Bote Tjetër të Hareshme
Ne jemi harmonia e Universit që shpaloset e nuk soset
Syri s’e ndjen tingullin, veç pamjes i burgoset
Veshi s’e ndjen pamjen, veç tingullit i prangoset
Hiq dorë nga shqisat dhe hape zemrën më të madhe se bota
Ne jemi simfonia që s’shkruhet dot me nota...
 
Back
Top