Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Si ta shkruajmë 2010-ën?

Si do t’i mbushim fl etët e bardha të ditarit tonë për Vitin e Ri 2010? Përpara nesh, si përvit, mbetet për t’u shkruar historia personale që në fund, pas 365 ditësh, bën bilancin e jetës së një vendi, populli. A do të përpiqemi të gjithë këtë vit të jemi më të mirë, më të përkushtuar në profesionin që kemi zgjedhur, më të vendosur për të jetuar së bashku, më në harmoni, në respekt të së mirës e në ndëshkim të së keqes?
GAZETARET – Si do t’i mbushim këto fletë ne gazetarët? Do të shkruajmë gjithnjë të vërtetën në mbrojtje të dinjitetit të më të brishtëve në radhë të parë, duke mos u shqetësuar nëse bezdisen njerëzit me pushtet politik e ekonomik? Një koleg sapo komunikoi se nuk bënte dot reportazh në zonat e përmbytura se koha ishte shumë e keqe. Uroj që shpejt të ketë ndryshuar mendje, të ketë vendosur të zbresë nga makina me ajër të kondicionuar e të ketë prekur sadopak baltë e shi për të treguar 1 të 100 e sikleteve që po heqin këto ditë pleq, gra dhe fëmijë. Gazetarët kanë një punë të vështirë, që nuk njeh kohë dhe orare, që nuk pasurohen e nuk kanë privilegjet që mund të kenë shumë profesione të tjera. Për fat të keq, ka dhe gazetarë që raportojnë duke pasur në mendje privilegjet, në vend të sakrificave që ky profesion kërkon përditë. Siç ka shumë të tjerë që këtë profesion e kanë kuptuar dhe e ndjejnë përgjegjësinë. Me gazetarë të përkushtuar, të drejtë e të mirë, shoqëria është më e çliruar.
MJEKET – A do të ketë edhe këtë vit mjekë që do të shtyjnë kurimet e pacientëve sepse janë të zënë me punët e tyre personale, me karrierën për të mbajtur një post; kurime që kanë rezultuar vdekjeprurëse ose shumë të dëmshme për shëndetin e fëmijëve, të sëmurëve të moshuar? Uroj që jo. Shpresoj që ky vit të jetë për mjekët si ai që mendon të shkruajë doktoreshë Linda, me buzën në gaz, gjithmonë e gatshme në çdo orë për pacientët e sëmurë, të vuajë e të gëzojë bashkë me ta, t’u japë shumë nga vetja të sëmurëve duke e ditur që ata do t’i japin 100 herë bekime për kujdesin e vëmendjen që marrin.
DREJTESIA – Policë, prokurorë, avokatë e gjykatës. A do të shkruajnë një faqe korrekte për 2010? A do të vënë kokën natën në jastëk të bindur se mbrojtën një viktimë, çuan në vend Drejtësinë ashtu siç do të vepronin nëse keqbërësit të kishin prekur fëmijën, apo të afërmin e tyre? Kronikat raportojnë se problemet me drejtësinë vazhdojnë të jenë shumë të mëdha në vendin tim, ku fajtorët shpërblehen e të pafajshmit, në rastin më të mirë, mbijetojnë, në raste të tjera iu preket qetësia e tyre dhe e familjarëve për gjithmonë.
MESUESIT – A do të kenë durimin mësuesit të dëgjojnë e të mbështesin fëmijët, që një pjesë të mirë të jetës së tyre e kalojnë në klasa duke bërë mësim? Klasa të mbingarkuara, shkolla pa ngrohje… problemet janë të mëdha, por a nuk është më i madh një njeri nëse tregohet i mençur e i matur në vështirësi?
PRINDERIT – Të jesh prind qenka detyra më e vështirë. Kam paragjykuar ato nëna që kanë lënë profesionin për t’iu dedikuar në shtëpi fëmijëve, por ja që jeta më mëson që kanë lënë gjithsesi një punë më të lehtë për t’u marrë me një punë shumë të vështirë. A do të shkruajnë këtë vit shumë prindër të pavëmendshëm, egoistë se fëmijët janë si një lule që kërkon ushqim, dashuri , përkushtim? Sepse nëse fëmijët kanë një ambient të qetë familjar, rriten më të sigurt e kanë më shumë respekt për veten dhe të tjerët. Di që shumë prindër dhe në Shqipëri flasin hapur, madje pretendojnë nga edukatorët që fëmija e tyre të bëhet një “lider” me çdo kusht. Mendje të ndritura sot në botë këshillojnë se sfida më e madhe për njeriun e të ardhmes është mirësia, sepse një njeri i mirë është më i lumtur, më i shëndetshëm se një njeri i keq, pavarësisht të mirave materiale. Prindërit sot duhet të pretendojnë të rrisin fëmijë të mirë, jo liderë me çdo kusht.
ARTISTET – Do ta zbukurojnë e ndriçojnë gjatë këtij viti shoqërinë? Një artist është I privilegjuar nga natyra për aftësitë e veçanta që i ka dhënë. Një interpretim i bukur në skenë, mbi telajo, është ushqimi më i mirë për çdo njeri, siç është zhgënjyes dhe e pavlerë një performancë sa për të kaluar radhën.
POLITIKANET – A do të bëjë punën e saj si shërbëtore e atyre që e kanë zgjedhur dhe atyre që nuk e kanë zgjedhur maxhoranca aktuale në vend? Duke menduar se të gjithë janë të barabartë përpara Zotit dhe ligjit dhe se kush diskriminon, do të paguajë një ditë në një mënyrë apo një tjetër. A do të bëjë opozita opozitën në institucione, duke numëruar kutitë e dyshuara në komisione hetimore parlamentare këtë vit? Në historinë e tyre postpluraliste dy partitë e mëdha kanë treguar se dinë të bëjnë mire e keq me turne. Shqipërisë duhet t’i kthehet pluralizmi i mohuar, sepse një Kuvend, njëngjyrësh, dyngjyrësh, apo trengjyrësh nuk është për ne. Shqipëria është vend i vogël dhe me eksperiencë diktature. Bipolarizmi i gatuar nga PD e PS për zgjedhjet e 2009-ës duhet hedhur në kosh plehrash. Shqipëria duhet të rikthehet shumë-ngjyrëshe.
GJAKMARRJA – Kemi një njollë që nuk e kemi hequr ende dhe pak bëjmë akoma për këtë. Fëmijët e ngujuar. Shifrat janë kontradiktore: flitet për 800, 1000 apo 2000 fëmijë të ngujuar. Sytë e trishtuar pas dyerve e dritareve të mbyllura duhet të na mbeten si një qiri fiks në mendjet tona e të gjithë, në çdo profesion që mbulojmë, të bëjmë maksimumin për këtë vit. Po t’i kemi në mendje, të ndjejmë dhembshuri, do të veprojmë për t’i çliruar.

NGA: ALBA MALLTEZI
 

Konkursi Letërsisë

  • Aeroporti i Zaventemit

    Votat: 6 54.5%
  • Të harrova, sepse të dua

    Votat: 5 45.5%
  • Vetëm …

    Votat: 4 36.4%

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back