Si do të jenë jetët tona në vitin 2100?

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Si do të jenë jetët tona në vitin 2100?

Intervistë me Jeremy Rifkin, Futurolog

"Do të jetë një shekull shumë kompleks"

- Si do të jenë jetët tona në vitin 2100? A do të jemi sërish duke punuar?

Me ardhjen e shekullit XXII, njerëzit do të shohin pas dhe do të thonë, o Zot, qeniet njerëzore paskan kaluar tetë orë në ditë në tregje, duke krijuar produkte e shërbime! Gjithçka do të bëhet prej teknologjisë. Që tani ne kemi fabrika thuajse pa punëtorë. Do të shohim gjithnjë e më shumë që qeniet njerëzore do të zëvendësohen prej teknologjisë inteligjente. Procesi ka nisur. Në të ardhmen, edhe personi me pagë më të ulët në botë nuk do të jetë aq i lirë sa teknologjia që do ta zëvendësojë. Epoka industriale i dha fund punës së skllevërve; shekulli i bioteknologjisë në epokën e informacionit do t’i japë fund punës masive me pagë. Ne do të krijojmë gjithfarësoj punërash të reja në shekullin XXI, punëra dijesh që kërkojnë aftësi të reja sepse do të krijojmë mallra e shërbime të reja që as mund t'i imagjinojmë, por këto nuk do të jenë punë në masë. Kurrë nuk do të shohim më mijëra punëtorë që dynden në dyert e fabrikave. Në fakt, do të shohim forca pune elitare profesionale gjithnjë e më të vogla.

Ju e mbani mend që revolucioni industrial nisi si një javë pune 70 orëshe dhe me kushte pune të tmerrshme si dhe pagë të ulët? Ne e kemi ulur në 60, 50, 40 e tani në Francë e Itali është 35. Në 10 vitet e ardhshëm, do të kemi një javë 35 orëshe pune nëpër Evropë. Kur të mbërrijmë në mesin e shekullit XXI, më pak se 5% e popullsisë globale do të nevojitet për atë që e quajmë punë tradicionale, domethënë bujqësi, prodhim, industritë e shërbimeve dhe dije. Pra, ky është një revolucion. Kjo mund të jetë ose një rilindje e madhe, një hap i madh përpara ose një periudhë shumë e errët për historinë e njerëzimit. Që të jetë një hap i madh përpara, ne do të na duhet të imagjinojmë se çfarë do të bënin qeniet njerëzore nëse nuk ka nevojiten për të mira e shërbime? Eshtë gjithashtu për të ardhur keq që ne kemi një ide kaq të kufizuar për atë që janë në gjendje të bëjnë qeniet njerëzore dhe që përgatisim fëmijët tanë vetëm për një detyrë: të prodhojnë gjëra.

Mendja njerëzore është në gjendje të shkojë përtej kësaj. Ne duhet të mendojmë se çfarë do të bëjmë kur miliona të rinj përreth botës do të nevojiten më pak ose aspak në një ekonomi globale gjithnjë e më të automatizuar. Ne duhet të pyesim se si të fillojmë të shpërndajmë përfitimet e këtij revolucioni në teknologjinë e re, me qëllim që të jetë në dobi të çdo qenieje nejrëzore në shekullin e XXI dhe jo vetëm për një elitë të vogël.

Dhe së fundi, si do të ripërcaktojmë punën? Problemi është se edhe sipërmarrësit me të cilët diskutoj nuk kanë një vizion për këtë revolucion të ri. Nëse pyetni shumë futuristë, gjithë sa sugjerojnë ata janë telefona celularë dhe televizorë me ngjyra high definition. Ky është një vizion i pavlerë. Ajo që unë sugjeroj është një vizion më i thellë - që ne të çlirojmë brezat e mëvonë nga puna e rëndë. Le ta bëjnë makineritë. Le të imagjinojmë çfarë do të bënin fëmijët tanë, le t'u japim një sens më të thellë identiteti, le të tregojmë se misioni parësor, misioni më i rëndësishëm për qeniet nejrëzore është të krijojnë kulturë dhe të eksplorojnë dimensionet më të thellë e më domethënës të kuptimit të jetës sonë. Nuk është vetëm prodhimi i gjërave. Axhenda është më ngacmuese dhe është një vizion social i fuqishëm.

- Domethënë, konkurenca ndërkombëtare, për shembull, nuk do të bazohet në çmimin e punës së lirë?

Revolucionet e mëdhenj ekonomikë në histori ndodhin kur format e reja të komunikimit bashkohen me baza të reja burimesh. Për shembull, shtypshkronja u shpik në 1450. Megjithatë, për dy shekuj ajo nuk u bë e rëndësishme si një mjet i rëndësishëm tregtar komunikimi. Kur në skenë doli edhe fuqia e qymyrit dhe avullit, atëherë u shndërrua në gjuhën për të organizuar revolucionin industrial. Po kështu, në vitet e fundit kemi parë dy teknologji - kompjuterat dhe genet. Njëri është një mjet i ri komunikimi; tjetri është një bazë e re burimesh. Tani ata po bëhen bashkë. Shkrirja në një e kompjuterave dhe geneve krijon një gjuhë të re dhe një burim të ri. Kompjuterat deshifrojnë gene, ata menaxhojnë gene, ata shkarkojnë gene dhe shpërthejnë gene.

Eshtë duke ndodhur një zhvendosje e madhe nga metalet dhe mineralet, që ishin lënda e parë në revolucionin industrial, tek genet dhe tregtia genetike, lënda e parë për shekullin e bioteknologjisë. Por po ndodh edhe diçka tjetër. Po shohin kalimin nga tregtia parësore në gjeografi në tregtinë parësore në hapësirën kibernetike. Ky është një prej ndryshimeve të mëdhenj në histori dhe bashkë me të ne po kalojmë nga nocioni i shkëmbimit të pronësisë dhe tregjeve, në nocionin e shkëmbimit të eksperiencës në rrjete. Po kalojmë nga shitës dhe blerës, në furnizues dhe përdorues. Ky është një ndryshim i madh strukturor në kapitalizëm dhe është pjesë e një diçkaje më të thellë. Ne jemi duke kaluar nga kapitalizmi industrial, në kapitalizmin kulturor. Teksa unë po rritesha, kapitalizmi kish të bënte me mallra, vende dhe shkëmbim pronësie. Ishte shumë fizik, shumë material. Kështu është edhe sot, por në radhë të dytë. Në shekullin XXI, do të shohim më shumë eksperiencë, më shumë fantazi. Aktorët e mëdhenj në shekulin XX ishin lojtarë të tillë si US Steel dhe Texaco, si dhe Boeing Aircraft. Ata prodhonin gjëra materiale. Në shekullin XXI, aktorë të tillë si Time Warner dhe Polygram, si dhe Sony e Disney - çfarë prodhojnë ata? Ata prodhojnë përvoja kulturore. Në shekullin XXI do të jemi në gjendje të shohim gjithnjë e më shumë kulturën në formën e argëtimit që mund të blihet në formën e përvojave të jetuara. E bukura është se kjo na sjell ne në një botë të re shansesh.

Ana tjetër është se ne zgjohemi një ditë pas 50 vitesh dhe zbulojmë se praktikisht çdo aktivitet në të cilin angazhohemi përditë paguhet, se të gjithë marrëdhëniet tona janë kontraktuale dhe me qëllim fitimin dhe se koha jokomerciale nuk ekziston. Që tani, udhëtimet globalë dhe turizmi janë ndryshimi më i madh në ekonominë globle. Në shekullin XXI, beteja e madhe do të jetë mes kulturës dhe tregtisë. Ashtu sikurse në shekullin XX beteja e madhe ishte mes tregtisë dhe biodiversitetit. E dini, diversiteti kulturor mund të shfrytëzohet, bjerë dhe pakësohet ashtu si biodiversiteti.

- A mund të flisni në mënyrë më specifike për teknologjinë në shekullin XXI?

Më lejoni t'ju jap një shembull nga dy revolucionet teknologjikë të shekullit XXI, shkencat e informimit dhe shkencat e jetës. Le të marrim shkencat e jetës. Ekziston nëj fushë e re e quajtur "pharming". Ideja është të klonohen kopje identike të një origjinali që jeton - të themi, dhi apo dele - me kontrolle cilësie dhe standarde ndërtimi që janë po aq të saktë sa ata që ne përdornim në linjat e montimit në shekullin XX me produktet kimikë. Qëllimi ekonomik i kësaj formë është që mund të përgatisësh gene nga një qelizë dhie apo deleje dhe më pas të prodhosh në masë kafshë. Një tufë prej 12 dhish mund të prodhojë më shumë kemikate se sa një fabrikë disa miliard dollarëshe me qindra punëtorë. Gjithë sa duhet është një njeri që të kujdeset për dhitë. Tani, kjo gjë ngre pikëpyetjen e madhe, atë të çështjes serioze etike të shndërrimit të krijesave në fabrika kimike.

Së pari, unë vetë jam kundër. Nuk mendoj se duhet të ndodhë. Mendoj se shenjë e madhështisë së shoqërisë është mënyra si i trajton më të dobëtit në botën tonë, si dhe krijesat e tjera. Ne kemi fituar luftën kundër natyrës dhe tani duhet të pyesim veten si të flasim për interesat e tyre, duke qenë se ata janë të fuqishëm të flasin për vetveten.

Do t'ju jap një tjetër shembull. Mund të gatuash me vanilje. Ajo vjen nga tre ishuj të vegjël në Oqeanin Indian - Kameruni, Madagaskari dhe Ribashkimi. Qindra-mijëra fermerë pllenojnë me dorë produktin që quhet vanilje. Pak vjet më parë, dy kompani bioteknologjike gjetën genin në bimën e vaniljes. Ata e nxorrën nga kodi genetik dhe e vendosën në një vaskë bakteriesh. Bakteriet klonuan të gjithë vaniljen natyrore - nuk kish më nevojë as për bimë, as për tokë, as për fermer dhe as për të korrur. Lajmi i mirë është se e prodhon me një të disatën e kostos në tregun botëror. Cili është lajmi i keq? Dy miliard e gjysmë njerëz ende e fitojnë bukën e gojës duke punuar tokën. Tani mendoni pak domatet, limonët, duhanin dhe pambukun. Kur të gjithë këto të mund të prodhohen në vaska fabrikash me bakterie që klonojnë substancën, çfarë do të bëjmë me dy miliard e gjysmë njerëz - të cilët krejt papritur do të mbeten të papunë? Do të ishte një trazirë sociale e paprecedentë në histori.

Në se je sekretar, nëpunës, menaxher i mesëm, punëtor fabrike, nëse punon në bujqësi, librar, nëse punon në bankë, shanset janë që puna jote të mos jetë këtu pas 20 vitesh. Që tani kemi teknologji inteligjente, e cila po zëvendëson shumë prej këtyre kategorive.

Deri në 2100, njerëzit do të projektojnë genetikisht fëmijët e tyre?

Ka fëmijë të lindur sot, 4 apo 5 vjeç, të cilët kur të jenë 25 apo 30 vjeç do të jenë në gjendje të shkojnë në një klinikë për një skanim të 140 mijë geneve të tyre. Një çift do të dijë se si do të ngjajë genetikisht bebi i tyre që përpara se spermatozoidi dhe veza të bashkohen. Kjo do të ngrejë disa pyetje tmerruese dhe të vështira. Nëse do të dijë se do të kalojë, për shembull, një prirje për leuçemi në fëmijëri apo anemi apo fibrozë, cili do të ishte ai prind që nuk do të donte të eleminonte këtë? Po cila është vija e kufirit? Le të themi se fëmija yt do të ishte i prirur për të vuajtur nga depresioni maniak, si dhe do të vuante dhe kërkonte vite të tërë ndërhyrje farmaceutike. Cili prind nuk do të donte ta eleminonte këtë gjë? Po gjatësia, pra nëse mendon se fëmija yt do të jetë i shkurtër dhe shokët do ta diskriminojnë? Problemi me gjithë këtë është se, pasi të nisësh të programosh dhe ndryshosh genet, ku duhet të ndalesh? Prindi bëhet projektues, eugjenik dhe fëmija shndërrohet në përvojë pazari në një botë postmoderne - dhe nuk e them me shaka këtë gjë. Ajo që mund të shohim është fillimi i një udhëtimi në një botë të re, ku ne fillojmë të projektojmë fëmijët tanë. Tani të përmend disa prirje. Shihni, për shembull depresionin maniak dypolar. Dëshironi ta eleminoni? Shumica e gjenive tanë, udhëheqësve tanë botërorë, njerëzve të letrave, ata kanë qenë të tillë. Disleksia - doni ta eleminoni? Nuk është një rregullim deri kur erdhi shkrimi e këndimi. Ne e quajmë çrregullim. Shkurtësia - epo, ka njerëz që janë të shkurtër. A i bën kjo anormalë? Jo, është paragjykim i shoqërisë që ne duhet ta marrim në konsideratë. Ka edhe gjëra të tjera. Për shembull, a do ta eleminonit aneminë? Si një tipar prapaveprues, ajo parandalon malarjen, thelbësore për evolucionin njerëzor.

Në këtë proces, ne mund të zhvendosemi drejt një botë eugjenike shumë të rrezikshme - jo në botën eugjenike të viteve tridhjetë, botën e Hitlerit. Këtu nuk ka intrigë, nuk ka komplot. Përkundrazi, kjo eugjeni e re është komerciale, e orientuar nga tregu, është goxha banale - a nuk do të doje një bebe të shëndetshëm, a nuk do të doje të paguaje për të, a nuk do të doje që fëmija yt të kish një avantazh që në lindje? Ndoshta gjëja më interesante në revolucionin bioteknologjik është se do të na detyrojë të ulemi në çast dhe të ngremë pyetjet më të rëndësishme mbi jetën. A e projektojmë vetë ne evolucionin tonë, apo duhet të mësojmë si të integrohemi më mirë në miliona vite të këtij krijimi të bukur evolucionar? A të ndjekim rrugën e vështirë dhe të krijojmë një Eden të dytë, apo rrugën më të lehtë ku të përmirësojmë Edenin që kemi trashëguar? اfarë do të thotë të jesh qenie njerëzore? Cilat janë obligimet tona ndaj krijesave të tjera? Cilat janë përgjegjësitë tona përpara brezave të palindur? Cila është marrëdhënia jonë me tokën?

- Të spekullojmë pak. A mendoni se deri në 2100, në botë do të ketë krijesa hibride?

Ky është skenarri i errët në mendjen time. Eshtë e mundur që të zgjohemi një ditë në nëj botë ku bota natyrore është zhdukur, ku në vend të kësaj ne të kemi populluar botën me klone fantastikë dhe krijesa transgjenike. Ky do të ishte një vend i ftohtë dhe i trishtë për të jetuar. Eshtë gjithashtu e mundur që të zgjohemi një ditë në një botë ku të gjithë fëmijët tanë janë të programuar nga parime projektimi. Ku të kemi krijuar fëmijë sipas standartdeve të performancës - kjo do të ishte një botë e ftohtë, një botë shumë pa ndjenja. Eshtë e mundur të zgjohemi një ditë në një botë ku ndotja gjenetike të jetë përhapur kaq shumë, për arsye se përpjekja jonë për të rimbjellë tokën me një natyrë të dytë, sa që të kemi bërë dëm të pandreqshëm ndaj biosferës. Eshtë e mundur të zgjohemi në një botë ku jeta të jetë e projektuar për perfeksion. Të gjitha këto janë të mundura. Nga ana tjetër, mund të mendoj edhe për një qasje më pak agresive në shekullin e bioteknologjisë, në të cilin ne zgjohemi një ditë në një botë ku ne jemi plotësisht të integruar me krijesat e tjera. Një botë ku ne kemi pranuar partneritetin tonë me krijesat e tjera, ku ne kemi kuptuar përgjegjësinë ndaj tokës ku jetojmë. Në një botë ku ne të kemi përdorur këtë shkencë për të krijuar një qasje sistematike për rindërtimin e urave me pjesën tjetër të botës ku jetojmë.

Pra, gjithçka varet nga ajo që ne do të zgjedhim dhe mendoj se ajo që duhet të jetë e qartë këtu, është se shekulli i bioteknologjisë është si revolucioni industrial - do të jetë kompleks, i shumanshëm.

Mbani mend që revolucioni industrial nuk qe një revolucion i vetmuar. Për çdo kapitalist, kishte një socialist. Për çdo sipërmarrës, një sindikalist. Për çdo filozof të iluminimit dhe një utilitarian, kishim një poet neoromantik. Kështu që, ka shumë kthesa e vërtitje në ndryshimet e mëdha të historisë. Shekulli i bioteknologjisë, shekulli i rrjeteve globalë dhe shekulli i jetësës mes informacionit - do të jetë shumë kompleks.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 3 21.4%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 14.3%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 7.1%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 21.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 14.3%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 3 21.4%
Back
Top