E bija e ish-presidentit amerikan, George W. Bush, Jenna Bush ka deklaruar se derisa ka jetuar në Shtëpinë e Bardhë ka parë fantazma. E bija 27-vjeçare e Bushit ka thënë në shoun televiziv të Jey Leno-s, se rezidenca e presidentit amerikan në Washington, është përplot fantazma.
“E kam dëgjuar fantazmën. Flija, ndërsa nga kamini i dhomës sime përnjëherë është dëgjuar muzika e viteve të 20-ta të shekullit të kaluar. E dëgjova, u frikësova shumë, dhe ika në dhomën e motrës sime – e cila me thoshte se unë sillesha çuditshëm”, ka thënë Jenna.
Mirëpo - vijoi ajo - javën tjetër të dyja flinim në dhomën time, kur në një moment ka cingëruar telefoni dhe na zgjoi nga gjumi. Pas pak në filluam një muhabet të shkurtër, për të shkuar më pas të flemë, kur nga kamini është dëgjuar muzika e operës.
“Nuk mund të besonim, dhe mendonim se jemi të marra. Jemi përpjekur që këtë gjë ta shpjegojmë në mënyrë racionale, mirëpo edhe personeli i Shtëpisë na ka thënë se edhe ata e dëgjojnë çdoherë”, ka shpjeguar Jenna.
Jenna ka thënë se nuk e ka parë fantazmën e ish-presidentit amerikan Abraham Lincoln, për të cilin thuhet se rregullisht viziton Shtëpinë e Bardhë, por ka thënë se do të kishte pasur dëshirë ta kishte parë atë.
Flitet se fantazma e Lincolnit shpesh shëtit nëpër korridorin e katit të dytë të Shtëpisë së Bardhë, troket në dyer dhe qëndron pranë një dritare të caktuar, me një dorë prapa shpinës.
Se sa është e famshme legjenda për Lincolnin flet edhe fakti se, ish-kryeministri i famshëm britanik Winston Churchill nuk kishte pranuar të flinte në dhomën e këtij ish-presidenti, pasi gjatë një qëndrimi në atë dhomë e kishte parë fantazmën e tij.
Ish-Zonja e parë e SHBA-ve, Hillary Clinton gjithashtu ka pranuar se në Shtëpinë e Bardhë ekziston një atmosferë e errët. “Nganjëherë di të jetë e errët”, kishte thënë ajo.
Para saj, një deklaratë të tillë e kishte dhënë edhe ish-presidenti Harry Truman, i cili në një letër drejtuar bashkëshortes së tij, kishte shkruar: “Rri këtu në shtëpinë e vjetër dhe gjatë gjithë kohës i dëgjoj fantazmat që ecin poshtë e lartë korridoreve. Në ora 4 të mëngjesit më ka zgjuar një e trokitur në derë. Dikush tre herë kishte trokitur në derën e dhomës time të gjumit, dhe kur e hapa derën nuk ishte askush. Ky vend i mallkuar është i rrethuar, dhe jam i sigurt në këtë gjë”, thoshte Truman. /Net/Telegrafi/