Purgatori i një të riu shqiptar
Kur ndodhen pranë 18-vjetorit, zakonisht të rinjtë ëndërrojnë të marrin patentën dhe mezi presin të mbarojnë shkollën. Por në të njëjtën moshë, Edison Duraj ëndërron të qëndrojë në Itali. Në 19 nëntor ai do të bëhet mazhoren, një ditëlindje që përfaqëson fillimin e klandestinitetit të tij dhe rikthimin e detyruar në Shqipëri. Historia e tij, e ngjashme me atë të shumë të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë një të ardhme më të mirë në Italinë fqinje, ka tërhequr vëmendjen e medias italiane. E përditshmja “Corriere deglia serra” i kushtonte djaloshit nga Fieri një reportazh të tërë, për të treguar dëshirën e tij të madhe që të vazhdojë të qëndrojë në Itali, aty ku tashmë ai ka krijuar jetën e tij. Edisoni ndodhet në Itali prej 9 vjetësh, qëkur me një gomone zbarkoi në bregun e Pulias. Që nga ajo kohë ai ka jetuar në institute të ndryshme, ka interpretuar në një spektakël teatral, ka realizuar një film dokumentar dhe po përfundon shkollën e mesme. Por sipas gazetës, pas pak javësh, si pasojë e të ashtuquajturit “Ligji Bossi-Fini”, ëndrra e tij mund të venitet. “Do të doja një shtëpi, një punë që të mos kthehem në Shqipëri. Duam të jem i lirë”, -thotë Edisoni për “Corriere deglia serra”, ëndrra në sirtar e të cilit është që të bëhet aktor teatri ose kuzhinier. Dhjetorin e kaluar ai ndodhej në Shqipëri për të xhiruar një film dokumentar me titull “ثndërroja retë e ngjyrosura”. “Titulli është marrë nga një poezi e imja”, - thotë djali dhe nis të recitojë vargjet e shkruara nga ai vetë: “Lundro mbi një varkë dhe shkoj në zemrën e një oqeani”... ثshtë pikërisht ky vargu i poezisë që frymëzoi filmin mbi historinë e tij. Babai i Edisonit jeton gjithashtu në Itali si klandestin. “E kam takuar babin disa vite më parë dhe më vjen keq që nuk mund ta shoh, sepse kam frikë se do ta kapin”, - thotë Edisoni. Ndërsa e ëma jeton në Shqipëri, në qytetin e Fierit, bashkë më djalin tjetër, të cilin Edisoni e njohu vetëm pak muaj më parë. “Kisha shumë pak kujtime nga vendi im dhe ishte tepër e çuditshme kur takova tim vëlla. Do të doja që familja ime të vinte në Itali për një të ardhme më të mirë. Vëlla im mund të shkojë në shkollë dhe të zgjedhë të ardhmen e vet”, - vazhdon djali. Spektakli teatral“Më quajnë Edison, si shpikësi i llambës (Tomas Edison, 11 shkurt 1847 - 18 tetor 1931)”, - me këtë frazë katër vjet më parë djali iu paraqit regjisorit teatral Alesandro Santoro. “Bashkë me shoqatën “Oistros” organizojmë laboratorë teatralë për projekte integrimi”, - tregon regjisori, i cili u tërhoq nga psikologjia e të riut shqiptar. “Ai po kalonte një fazë delikate të jetës së tij, zihej shpesh me shokët dhe thuajse nuk fliste fare”, - vazhdon Santoro. Ashtu si në një ditar në bord, Edisoni nisi t’i rrëfejë udhëtimin e tij drejt Italisë, por për të, në gjithë historinë nuk kishte asgjë tragjike apo dramatike. “Ai mendonte se të gjithë udhëtonin me gomone”, - shpjegon Santoro. Kështu, nga historia e tij lindi spektakli teatral “Këpucë”, një objekt simbolik, pasi e ëma e Edisonit bëri shumë sakrifica për t’i blerë djalit një palë këpucë të reja me të cilat të shkonte në Itali. “Por me të zbarkuar në Itali, policia ia hoqi menjëherë këpucët dhe Edisoni kërkon pikërisht të gjejë këpucët e tij”, -shpjegon regjisori. Ndërsa djaloshi shqiptar thotë se dëshiron të shfaqë sërish spektaklin, pasi tregon jo vetëm historinë e tij, por edhe atë të qindra shqiptarëve që nuk ia dolën mbanë, ndërsa udhëtonin për në brigjet e Italisë për një jetë më të mirë. FilmiHistoria e Edisonit është rrëfyer edhe në një film dokumentar me titull “ثndërroja retë e ngjyrosura”, me regji të Mario Balsamos, i cili ka përshkruar me kamerën në shpatull udhëtimin nga Italia në Shqipëri të Edisonit dhe Alesandro Santoros. I prezantuar në Festivalin e Loçarnos dhe për herë të parë në festivalin kombëtar të filmit dokumentar “Salina” në 26 dhjetor, filmi do të transmetohet në festivale të ndryshme. Por Balsamo shpreson që të arrijë një marrëveshje me RAI-n, për t’i dhënë më shumë shikim historisë së Edisonit. “Një djalë që mposht stereotipat e emigrantit dhe fëmijës së traumatizuar. Padyshim që ka jetuar një jetë të vështirë, por ka arritur të reagojë”, - shpjegon regjisori. Peticioni Për të sensibilizuar opinionin publik mbi këtë situatë të komplikuar të Edisonit, shoqata “Oistros” ka propozuar një mbledhje firmash. “ثshtë një mënyrë për t’i qëndruar afër. Në teori ne kemi gjetur një kontratë pune, por për të marrë lejen e qëndrimit (soggiorno), duhen javë nëse njeh njeri, përndryshe muaj të tërë”, - shpjegon Santoro. “Ka edhe një zgjidhje tjetër, për ta shtyrë të paktën një vit kthimin në atdhe dhe t’i mundësojmë që të mbarojë shkollën. Deri më tani komuna e Leçes ku Edisoni zbarkoi, paguan tarifën e shkollës, librat dhe qendrën ku ai jeton. Nëse minoreni bën kërkesë, komuna mund të zgjasë këtë mbulim financiar edhe për një vit. Por kjo është një procedurë që askush nuk e pranon, pak për shkak të mungesës së burimeve dhe sepse mund të krijojë një precedent”, - shpjegon regjisori. Ndërkohë, Edisoni pret 19 nëntorin me një siguri. “Nuk dua të jem klandestin, nuk dua të zhdukem si shumë fytyra që u përpinë nga kanali i Otrantos”, - thotë ai.
Korrieri