Shqiptarët dhe historia

Lauri

Anunnak
E kaluara, e identifikuar me fjalën histori, është kohë e perënduar por jo plotësisht e vdekur, sepse e sotmja është vazhdim i fillit të sajë dhe e nesërmja do të jetë vazhdim i të sotmes. Ndërmjet së djeshmes, së sotmes e së nesërmes ka lidhje organike. Prandaj kur t`i kuptojmë drejtë shkaqet e së djeshmes, ka shumë mundësi t`a rregullojmë të sotmen më mirë dhe t`a përgatisim akoma më mirë të nesërmen. Ky do duhej të ishte roli i kulturës përgjithësisht, dhe në veçanti i asaj pjese të kulturës që quhet histori. Në histori nuk duhet të ketë mëri as ndjenjë hakmarrjeje. Ngjarjet e së shkuarës duhen shikuar me qartësi mendjeje e shpirti, për të na ndriçuar mbi gabimet e bëra, mbi rrugët e shtrembëta, që të ndreqen në të ardhmen.


Njerëzit jo rrallë interpretojnë dhe stolisin historinë sipas ndjenjave, paragjykimeve a interesave të ndryshme kombëtare, shoqërore e politike. Me fjalë tjera, ata parafytyrojnë të kaluarën ashtu si u pëlqen ose si iu intereson të ishte, dhe jo si ka qenë në të vërtetë. Shembull për konfliktin njëqindvjet e sa ndërmjet Francës dhe Gjermanisë pothuajse tërë historianët frëngj ia hedhin përgjegjësinë Gjermanisë, dhe e shumta e historianëve gjermanë për këtë konflikt fajësojnë Francën. Të rrallë janë ata që studiojnë dhe I paraqesin ngjarjet me pa anësi shkencëtari, ashtu sikur studiohen fenomenet e fizikës, biologjisë a të kimisë. Kur historianët e këtyre dy kombeve që përfaqësojnë nivel kulture nuk shkëputen dot nga një mori ndjenjash dhe paragjykimesh kombëtare, kulturore e politike, ç’vlerë mund të ketë vallë interpretimi i historisë nga pseudohistorianë që e sjellin të gjithë të kaluarën rreth interesave të tyre si një mjet mashtrimi e propagande? Andaj s`është aspak e habitshme kur dijetarë të ndryshëm të shtrënguar pas së vërtetës objektive, nuk I njohin historisë ndonjë vlerë shkencore dhe e hedhin atë në kuadrin e krijimtarisë letrare – përrallore.
Megjithatë mund të pohojmë pa frikë përgënjeshtrimi se historia tek popujt më të përparuar të botës gjithnjë e më shumë herret nga stolisjet e panevojshme dhe pikësynon të vërtetën objektive. Ndërkaq, tek shqiptarët shpeshherë katandiset në profka mburrjesh, sharjeje e në thashetheme. Mjerisht, tek ne kushdo që ka bërë katër klasë të shkollës fillore dhe ka dëgjuar pesë a gjashtë emra “burrash të mëdhenj” pandeh se e njeh historinë të cilën pastaj e lëvron rreth tarafit, krahinës apo brenda gardhit të tij. E mjerisht kemi të atillë me diploma universitetesh, të cilët mund të mbledhin data dhe emra të përveçëm sa të duash por sa I përket kuptimit ose interpretimit të historisë nuk janë larg nga ata me katër klasë fillore. Vlerën akademike të këtij lloji dijetarësh më së miri e ilustron poeti Persian Said I cili thotë:
“Në mes atij që ka kënduar një tok libra pa nxjerrë kuptim prej tyre, dhe mushkës nuk ka ndryshim sepse çka di mushka nëse është ngarkuar me libra apo dru?

Objektivisht ne shqiptarët kemi disa vështirësi për t`a kuptuar drejtë të kaluarën historike. E para; shkrimi i historisë shqiptare bazohet në kronika dhe shkrime të autorëve të huaj që shpeshherë vinin nga popujt armiq me të parët tonë. Dhe, së dyti; në mungesë të shkrimeve autoktone përvidhet kuptimi i padrejtë për historinë. Jo i paktë është numri i atyre që pandehin se historia merret vetëm me luftëra, mbretër e ushtarakë të mëdhenj pa ditur faktin se ajo ka për detyrë të pasqyrojë jetën e popujve në të gjitha fazat e zhvillimit dhe atë pa anashkalimin e shpikësve, artistëve, poetëve, ligjvënësve, pionierëve të drejtimeve të ndryshme dhe punën e masave përgjithësisht të cilët janë po ashtu të barazvlefshëm në krijimin e historisë.
Pra, histori nuk quhet vetëm kujtimi mbi luftërat, mbretërit ose kapedanët e mëdhenj. Të dëgjuarit emrin e Skënderbeut apo tre katër të tjerëve nuk jep kartëvizitën e njohjes së historisë në rrënjë. Megjithatë duhet nënvizuar se deri diku ndjenja e personifikimit të historisë nuk i kursen edhe popujt tjerë të botës. Adhurimi për forcën fshihet në vetë natyrën e njeriut. Por me organizimin e jetës në shoqëri, me përparimin e kulturës dhe të vlerave morale, njerëzit kërkojnë t`a lidhin forcën me qëllimin.

Ne shqiptarët mburremi ndonjëherë kur gjejmë ndonjë emër të madh prej racës sonë që i ka shërbyer ndonjë perandorie të huaj dhe nuk na shkon mendja se ata burra, vetëm për t`u bërë të mëdhenj, për të kënaqur ambiciet e tyre, kanë derdhur e shkapërderdhur në shërbim të Romës, Bizantit, Turqisë a Greqisë pjesën më të mirë të gjakut shqiptar, prej Renit dhe Danubit gjer në shkretëtirat e Azisë dhe të Afrikës. Ndërkaq kombit të tyre, përveç shterje jete dhe energjish në shërbim të të huajve, nuk i kanë sjellë asnjë të mirë.

Nëse Pirro u nis me 20 mijë epirotë për të nënshtruar Romën, kjo politikë nuk pati tjetër përfundim veçse shitjes si skllevër të afro 150 mijë burrave epirotë një shekull më vonë prej konsullit Pavl Emilit. Sipas mendësisë sonë justifikimi do të ishte ; a e tundi njëherë Pirrua, pa bota le të përmbyset!!!. Qëllimi asgjëkundi. Ata që e adhurojnë forcën vetëm si forcë, pa e lidhur me një qëllim pak a shumë të përgjithshëm, janë zakonisht popujt e egër dhe primitivë edhe pse ndërmjet natyrës së primitivit dhe njeriut të qytetëruar nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Bergson, filozof frëng thoshte: “ Njeriut të qytetëruar mjafton t`ia kruajmë atë pak pluhur të hollë që i ka vënë përsipër kultura, dhe menjëherë del në shesh natyra e primitivit.
Le ti kthehemi përsëri kuptimit që i japim ne shqiptarët historisë. Nga koha e Rilindjes na ka mbetur zakon të jetojmë me kompleksin heroik të së kaluarës sonë, jemi disi në qejf por kur na has sharra në gozhdë shpejt kthehemi në ndjenjën e kundërt dhe themi “ s’bëhet me shqiptarët”.Ky kompleks po të vështrohet nga këndi psikologjik s`është gjë tjetër veçse një ndjenjë e inferioritetit, një lloj mekanizmi psikik i nevojshëm për të fshehur dhembjen e gjendjes sonë kundrejt popujve të përparuar. Mbasi s`kemi se çka të tregojmë për kohët e sotme, përsërisim si një daulle e plasur: “ të parët tanë kanë tundur botën, kanë vajtur deri atje e deri këtej…”
Po mirë ( do thoshte një i huaji), po na tregoni pak përse keni mbetur populli më I rreckosur n`Evropë, pa u ngi as me brumë misri i cili sot në Perëndim s`u mungon as derrave aq më tepër që keni një origjinë kaq të shkëlqyer?
Përgjigje kësaj pyetjeje do të duhej t`i jepte pikërisht historia e cila në këtë rast do të eksploronte rolin edukues që ka. Ajo duhet të rrëfente cilësitë e mira që duhen ruajtur dhe anët e shtrembëta që duhet ndrequr sepse përparimi i njerëzisë është një rrugë kryq e tërthortë gabime e ndreqje. Andaj në vend që të mahnitemi se sa trima jemi, le të fillojmë të themi se sa punëtorë të mirë jemi, se sa të afruar me njëri tjetrin jemi, se sa të zotët për tu bashkuar në shërbim të atdheut dhe se si dimë ta përdorim trimërinë atje ku duhet. Besa, nderi dhe burrnia vlera të koduara shqiptare të praktikohen përjetësisht e jo të banalizohen në gojën e atyre që nuk e kanë fare. S`është nevoja të bërtasim botërisht se ne jemi mrekullia e tetë e botës, kur pa nda ndër nesh përsërisim “ s’bëhet me shqiptarë. Me gjithë të metat që mund të kenë ( cili popull është pa të meta) shqiptarët janë një racë energjike, e zgjuar dhe plotë virtyte me të cilët bëhet edhe atë fare mirë po qe se udhëheqësit nuk përdorin mashtrimin demagogjinë dhe cinizmin përbuzës. Ndonëse të pa organizuar shqiptarët gjatë historisë kanë derdhur shumë gjak për të mbrojtur lirinë e tyre. Dhe provën më të mirë për këtë e dha Skënderbeu. Rëndësia e tij në histori nuk qëndron në atë se ishte treguar shumë trim, kishte thyer shumë ushtri , kishte vrarë shumë turq por gjetiu. Shqiptarët gjer në shekullin e Skënderbeut prej botës shikoheshin vetëm si lëndë njerëzore. Nën udhëheqjen e tij shqiptarët u shfaqën para botës si një komb më vete që lufton me forcën e tij për t`u mbrojtur kundër vërshimit të një perandorie aziatike që më parë përmbysi Bizantin dhe I futi dridhjen Evropës. Këtë radhë nuk është Roma ose Bizanti, Greqia ose Serbia që I reziston osmanëve me krahët e shqiptarëve por janë vetë shqiptarët që bëjnë qëndresën në emër të tyre. Skënderbeu si asnjëherë më pare ia doli të formojë nyjën e kreut ku mund të lidhej filli i historisë së saj për kohët e pastajme. Vepra e tij plotësoi mungesën e një letërsie dhe historie të shkruar. Rreth kësaj vepre u lidh ideja e njësisë kombëtare dhe e mëvetësisë së Shqipërisë.

Kujtimi për Gjergj Kastriotin duhet të mbetet I përbotshëm për të vënë mend nga e kaluara nipërit e tij. Mbi rrënjët a asaj burrërie dhe prej rrembave të atij gjaku duhet të lulëzojnë vlera të reja në fusha tjera krijimi, për ti dhënë kombit shqiptar një vend nderi në radhën e popujve të qytetëruar të Evropës. Shkëlqimin Skenderbegian, brezat që vijnë duhet ta bartin në fushën e kulturës e të përparimit, për të pasur Skendërbenj të tjerë në krijimet e larta të mendjes e të shpirtit.

Ilir M.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top