Shqipëria 2030 – 100 mijë kodues duhet të jetë objektivi ynë!

Shiko fotografinë 1919142

Si duhet të jetë Shqipëria në 2030?

Një gjë është e sigurtë, (Shqipëria) do të duhet të jetë e lidhur me Botën, siç thuhet në anglisht: “connected”. Do të duhet të jetë dhe e pasur, por e pasur për të gjithë shqiptarët. Ndryshe rrezikon të humbasë edhe ato gjëra që ka arritur me kaq mundim këto 30 vite tranzicioni.

Lind pyetja: Çfarë duhet të bëjmë deri atëherë?


Ne si vend nuk mund të bëjmë çdo gjë, por ne duhet të bëjmë 2-3 gjëra shumë mirë dhe për pjesën tjetër duhet të mbështetemi diku tjetër, jashtë.

Gjëja e parë dhe ndoshta më banale që duhet të bëjmë është të shkojmë mirë me njëri-tjetrin. Të bëhemi të aftë për të drejtuar veten dhe të tjerët. Kjo do të kërkojë kohë, shumë dashuri, vullnet për falje dhe dëshirë për të besuar sërish te vetja dhe republika jonë. Ndërkohë duhet t’u lëmë kohë institucioneve të shërohen dhe të vazhdojmë të besojmë edhe më shumë akoma te partnerët tanë.

Që të shkojmë mirë me njëri-tjetrin do të duhen edhe shumë para, ndërkohë që do të jemi gjithnjë e më pak shqiptarë e gjithnjë më të vjetër. Llogaritet që në 2030 do të ketë 100 mijë shqiptarë dhe 200 mijë të rinj më pak në vendin tonë. Kush do punojë, sa do fitojë, e çfarë do konsumojë? Shpresojmë jo vetëm ilaçe dhe vaksina.

Prandaj, mënyra që do të gjejmë për të bërë para, do të bëjë diferencën mes vazhdimësisë dhe falimentimit të shoqërisë sonë. Sepse, fatkeqësisht, shumë shoqëri dhe shtete do të falimentojnë përgjatë këtij shekulli.

Këtu vjen dhe gjëja e dytë që duhet të bëjmë, që është, të bëjmë shumë para, për sa më shumë prej nesh. Për këtë ne duhet të investojmë tek vetja jonë. Të jemi të vlefshëm për një Botë që paguan disa profesione dhe talente më shumë se sa të tjerat.

Pra, është thelbësore sot që të mos investojmë vetëm te makinat, te shtëpitë, te konsumizmi që na varfëron. Ai pasuron prodhuesit dhe shitësit. Ne duhet të investojmë tek edukimi i të rinjve dhe atyre më pak të rinj që ende e kanë një shans në 10-vjeçarin e ardhshëm.

Ne duhet të investojmë në gjëra që mund të rrisin vlerën e sa më shumë shqiptarëve, sepse një shqiptar i mesëm duhet të vlejë sa një Gjerman apo Francez. Ky duhet të jetë objektivi.

Sot në fakt e kemi një shans. Jemi para një shansi të ngjashëm, siç ishte ai i stërgjyshërve tanë në fillim të shekullit të kaluar, kohë kur filloi industrializimi në shkallë të gjerë. Sot jemi përpara një revolucioni tjetër. Të gjithë kemi dëgjuar për Revolucionin e Katërt, për nevojën për programues, ose ndryshe kodues, për ato miliona vende pune të mirëpaguara që kërkohen me lupë në të gjithë Botën.

Para një shekulli të parët tanë e humbën mundësinë e zhvillimit, pasi nuk arritën të industrializoheshin. Imagjinoni sikur atëherë të kishim pasur dy apo tre industri të forta, për shembull për këpucë, apo tenxhere, apo për ushqime, të cilat të kishin kaluar kufijte kombëtarë. Të kishin shkuar në Amerikë dhe Evropë, ku shitej shtrenjtë. Ndoshta shumë gjëra do kishin shkuar ndryshe. Pa industrializim, nuk pati as urbanizim, e kësisoj zhvillim. Njerëzit qëndruan në fshat.

Në atë kohë nuk u investua aq sa duhej në industrializim, e megjithatë paratë ishin aty, sepse Shqiperia ka pasur familje të pasura e me lidhje. Ndoshta vetëkënaqësia, ndoshta mungesa vizionit. Më pas e dimë çfarë ndodhi, e si e kaloi shekullin e 20-të vendi yne. Kjo gjë nuk duhet të përsëritet.

Sa vlejnë shqiptarët sot?

Vlera jonë varet nga ajo se çfarë dimë të bëjmë dhe se çfarë zotërojmë. Ne nuk mund të pretendojmë sot se ajo që zoterojmë vlen shumë në nivel Botëror, madje as rajonal, ndryshe do gënjenim veten. Vlera e tokës, detit dhe burimeve tona natyrore, e cila është dhe e shpërndarë keqas mes nesh, gjithsesi nuk do të mjaftonte për të na zhvilluar. Kush ngre teza të ndryshme, rrezikon të na lërë si ata pronarë shtëpiash me qerpiç që presin prej 30 vitesh ndërtuesin dhe ndërkohë nuk bëjnë asgjë. Personalisht mendoj se është një iluzion.

Ashtu si nuk mjafton për të na zhvilluar as bujqesia dhe as turizmi. Për fasonerinë nuk ia vlen të flasim, sepse nëse në 2030 ka ende fasonë në vendin tonë, kjo do të thoshte që jemi ende shumë pas. Pra, nuk mund të jenë këto asetet apo industritë që do mbajnë vendin tonë.

Si mund të jetë i pasur një fermer apo një kamarier? Mos të flasim për prodhimin, kur ne si vend nuk mbajmë dot veten me grurë. Mund të jetojnë disa me bujqësi dhe turizëm por jo të jenë të pasur, e as të mbajnë vendin. Mendoj se këto janë punë dinjtoze, por sa më pak shqiptarë t’i bëjnë në 2030, aq më mirë do jemi. Pra t’i bëjmë me seriozitet për aq më pak kohë sa të jetë e mundur.

Ndërtimi pasuron deri diku, por nuk mund të mbajë ekonominë pa fund. Pastaj, kush ja vendos vlerën një ndërtimi? Nëse nuk bëhemi vend i pasur, vlera (e ndërtimit) do të jetë gjithnjë e më e vogël, e dëshira për investim do bjerë.

Pra duket qartë se për t’i shtuar vlerë vendit gjëja më e rëndësishmë që duhet të bëjmë është të përqafojmë Revolucionin e Katërt Industrial. Në fakt jemi vonë dhe për të fituar kohën e humbur do të na duhet shumë taktikë. Aktualisht, vendet që po përfitojnë më së shumti prej këtij revolucioni janë ato që kanë kapacitete prodhuese të zhvilluara në fushën e teknologjisë, të kombinuara me kërkimin dhe zhvillimin. Pjesa tjetër, ku është dhe Shqipëria, është tashmë në garë me kohën për të ngritur këto kapacitete. Distanca sa vjen dhe thellohet dhe për shumë fusha tashmë është e paarritshme, sidomos kur flitet për fushën e bioteknologjive, robotikës apo të tjera, ku kërkohen qindra miliona deri në miliarda dollarë investime për të rritur kapacitetet prodhuese, për të mos folur për kërkimin dhe zhvillimin.

Nga ana tjetër, brenda këtij revolucioni ekzistojnë fusha të tjera siç janë ato të lidhura me shkencat kompjuterike ku kapacitetet prodhuese konsistojnë kryesisht në individë të aftë për t’i shërbyer nevojës globale për njohuri në ICT. Në këtë fushë, diferencën ndërmjet vendeve të ndryshme do ta bëjë numri dhe talenti i koduesve. Pra e thënë ndryshe, për dikë që do të zhvendosë apo ngrejë një kompani në vendin tonë është shumë e rëndësishme se: “Sa kohë do t’i duhej për të mbushur një dhomë me kodues të talentuar dhe me etikë pune?”.

Fatkeqësisht, duke anashkaluar analizën e talentit dhe kulturës së punës, sot Shqipëria renditet e fundit në Evropë për dendësinë e koduesve në popullatë, me vetëm 2 kodues për 1,000 banorë, përkundrejt Serbisë, e para në rajon me 7 dhe Hollandës, e para në Evropë me 19. Ndërkohë në Mesdheun Juglindor kemi një kampion si Izraeli me 33 kodues për 1,000 banorë.

Prandaj, siç thashë më lart, duhet lëvizur shpejt dhe taktikisht. Ne duhet të rrisim një armatë koduesish deri në 2030. Po vendos si objektiv 100 mijë kodues.

Edhe pse ky numër mund të duket shumë i madh, pa ndonjë arsye, nuk duhet harruar që proporcionalisht ky është numri i koduesve që ka Izraeli sot. Ndërkohë Bota po ndryshon, aktorët po bëhen më të mëdhenj dhe më të shpejtë. Deri në vitin 2030 parashikohet që numri i koduesve në nivel Botëror të rritet në 45 milion, nga 27 milion aktualë, plot 18 milion vende pune më shumë. Ndërsa numri i vendeve të punës që do të shkurtohen nga revolucioni industrial përllogaritet në 20 milionë, kryesisht pozicione me vlerë të ulët dhe që mund të automatizohen.

Kush ka apo do të ketë armatën më të madhe dhe cilësore të koduesve do të jetë dhe vendi që ka kapacitetet industriale më të mëdha për Revolucionin e Katërt. Për ta thënë thjeshtë, nëse prodhon makina të duhen fabrika, por nese prodhon softëare do të duhen kodues. Koduesit sot prodhojnë vlerë thjesht nga mendja e tyre, “out of thin air”, pa nevojën e makinerive, çelikut apo ku e ku se sa inputeve të tjera, që kërkojnë të kesh bërë 100 vjet investime në çdo gjë.

Prandaj, është koha që të vendosim se ku duan të jenë të rinjtë tanë nesër (dhe jo vetëm), të ulur në 18 milionë vendet e reja të punës me vlerë të lartë, apo në këmbë tek 20 milionë që do të humbasin fare. Muzika ka filluar dhe disa karrike po hiqen dhe disa po shtohen. Mos të harrojmë se, me shumë gjasa, vendet e punës që do të shkurtohen do të jenë në vendet në zhvillim apo të pazhvilluara.

Duket si zgjidhje e thjeshtë, por në fakt investimi në edukim është dhe rruga më e vështirë. Fatkeqesisht vimë nga 30 vjet prishje të sistemit arsimor, të mbushur me investime të gabuara, të cilat na kanë bërë më shumë kërkues të letrave se sa të njohurive. Rinia e vendit tonë, ka humbur tashmë 15 vjet duke rendur pas letrave pa vlerë, të blera shtrenjtë.

Sot kemi nevojë për një udhëheqje të gatshme për të bërë “ëhatever it takes” që në 10 vitet e ardhshme të kemi një armatë të tillë. Na duhen akademi me lidhje me ShBA, sidomos me ShBA, të cilat kanë modele edukimi “boot camp” me cikël të shkurtër 4 – 6 mujore dhe të sprovuara, që orientojnë drejt teknologjive të momentit dhe ekspozojnë forcën e punës ndaj firmave Botërore. Ky model furnizon firmat teknologjike me burime njerëzore nga Silicon Valley në Boston. Prandaj dhe rinia jonë duhet të shfrytëzojë këtë mundësi edukimi, për edukim të vërtetë në teknologji dhe jo për letra.

Gjithashtu, na duhet të evidentojmë të gjitha avantazhet e mundshme nga prania jonë në NATO. Kjo prezencë mund të na ndihmojë që të rrisim kapacitetet tona teknologjike, mund të krijohet një vend për ne në kontratat e saj. Nga ana tjetër, ne duhet të ofrojmë siguri, etikë pune, talent, por na duhet dhe shumë vigjilence. T’i japim besim firmave tona, por dhe ato ta meritojnë, kur shteti ndërmjetëson për ta.

Duhet të fillojmë me hapa të vegjël por vendimtarë, të synojmë në mënyrë sinergjike edukimin e burimeve njerëzore në bashkëpunim me akademi botërore kodimi, kontrata me vlerë të lartë, si dhe më e rëndësishmja, krijimi i një fryme kolektive rreth objektivit 100 mijë kodues për Shqipërinë 2030.

100 mijë kodues mund të mbajnë fort gjysmën e ekonomisë tonë, ndërsa gjysmën tjetër mund ta mbajnë ende sektoret tradicionale, që gjithashtu do përfitojnë nga prania e një shtrese kaq të gjerë me paga të larta në vendin tonë. Por nuk janë vetëm pagat, ka dhe më shumë, sepse një armatë e tillë do të ketë brenda saj dhe një përqindje sipërmarrësish që do shtojnë shumë më shumë vlerë, pra surplus në kapitalin e vendit.

Pra, e përsëris dhe një herë, gjëja e dytë që duhet të bëjmë është të përqafojmë Revolucionin e Katërt, duke rritur këtë armatë prej 100 mijë koduesish që do industrializojë Shqipërinë dhe bëjë atë të zhvilluar deri në 2030. Çfarë është më e rëndësishme, kjo armatë do të bëjë para për pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Gjëja e tretë që duhet të bëjmë pastaj është të mos mbetemi robër të së shkuarës dhe sidomos sektorëve tradicionale. Shumica e energjisë tonë harxhohet në gjëra të kaluara, të thyera, që vështirë se do kthehen. Jemi futur në një rreth vicioz ku duket sikur zhvillimin do na e kthejë e shkuara jonë, anullimi i gabimeve të kaluara, apo shpronësimi i atyre që tashmë kanë zënë vendin e tyre në shoqëri. Kjo është një “zero sum game”, një lojë që ka shumën zero dhe nuk na çon asgjëkundi. Kush ka zënë vendin e vet le ta mbajë, e do vazhdojë ta mbajë duke e merituar. Tregu është më i fortë se çdo gjë.

Do duhet kohë që sektorët tradicionalë të jenë në nivelin e duhur, e derisa ajo kohë të vijë ne duhet të përqëndrohemi te gjërat që na japin vlerë. Ndërkohë, sektorët tradicionalë do ta gjejnë vetë veten, sepse janë të lidhur tashmë me Botën dhe zhvillimi do të vijë prej frymës së kohës. Flas këtu edhe për sektorë si shëndetësia, ku fatkeqësisht vendet si i joni, përtej shpërdorimit të brendshëm, vilen dhe nga vetë vendet e zhvilluara, që në mënyrë “egoiste” marrin burimet njerëzore të vlefshme, ndërsa shesin teknologji me kosto të lartë. Jetojmë në një kohë kur flitet për bashkëpunim ndërkombëtar, por vetë vendet e BE nuk japin shembullin e mirë në respektimin e standarteve të etikës së rekrutimit të percaktuara nga OBSH. Të mos flasim pastaj për politikat shpesh jo-transparente që korporatat e tyre ndërmarrin ndaj vendeve si Shqipëria.

Mendoj se gjërat do të marrin për mirë vetëm nëse pasurohemi, sepse ku ka para ka dhe shëndetësi të mirë, ka banka dhe siguracione virtuoze, transport efiçent, ushqim cilësor, drita dhe ujë 24h. E kundërta është e vërtetë aty ku nuk ka pasuri, ose ku pasuria e madhe nuk është në dorë të njerëzve. Edhe pse në vendin tonë janë bërë hapa përpara, sërish jemi pozicionuar aty ku rrezikohet, ku mund të humbasim ende nga ndryshimet teknologjike, prandaj e vetmja mënyrë për të shpëtuar atë që kemi arritur dhe pse jo, për ta shumëfishuar, është të përqafojmë Revolucionin e Katërt Industrial, të krijojmë armatën tonë prej 100 mijë koduesish për Shqipërinë e zhvilluar, deri në 2030, të tjerat do vinë vetë më pas.


/BM
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top